Agron Mema: Pas Kakomesë, ish marina e Sarandës do të sjellë protestat e banorëve të Nivicë-Bubarit

209
Sigal

Qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama u ka drejtuar një “kartolinë” urimi banorëve të fshatit Nivicë-Bubar të bashkisë Himarë në njësinë administrative të Lukovës. Në fakt, fakti është bërë më herët, por banorët e këtij fshati, pronarë të ligjshëm të këtij trualli, kanë shpresuar tek një reflektim për një dialog mes tyre dhe Qeverisë shqiptare përsa i përket vendimit të kësaj të fundit  me Nr: 514 datë 01-07-2020. Sipas këtij vendimi të qeverisë u jepet si pronë 26.5 hektarë dy investitorëve që nuk kanë asnjë lidhje, jo vetëm me Nivicë-Bubar, por as me gjithë Bregdetin e jugut. Ata janë të kupolës hierarkike të oligarkisë kryeqytetase. Sipas banorëve, ky vendim është marrë nga ana e qeverisë pa marrë parasysh që kjo pronë është den baba den e brez pas brezi e trashëguar e banorëve të fshatit Nivicë-Bubar, të cilët janë pronarë legjitim qysh nga viti 1293 ( sipas kalendarit turk). Mbarë opinioni publik e di qartë dhe mirë protestën dhe rezistencën disa vjeçare, që vijon edhe sot, të këtyre banorëve për gjirin turistik të Kakomesë, e cila tanimë është kthyer në “Çështja Kakomeja” dhe jehona e saj ushton edhe sot në veshët e shurdhët të qeverisë. Kjo protestë-rezistencë është shoqëruar me arrestime e burgime, shantazhe e mënyra nga më të komplikuarat për t’a thyer, por nuk ja kanë arritur dot qëllimit.

 

Po çfarë ndodh sot pas Kakomesë me këta banorë? Mollë sherri mes qeverisë dhe banorëve të këtij fshati tani bëhet trualli tek ish baza detare e marinës së Sarandës, një gji i bukur piktoresk, që nuk mbetet pas Kakomesë. Po sot? Banorët e këtij fshati, pas VKM të lartpërmendur, kanë pritur gjashtë muaj dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje qeveritare në mënyrë zyrtare. Banorët po hedhin hapin e fundit të rrugës paqësore dhe demokratike duke i dërguar një Letër të hapur ( teksti i së cilës ka ardhur dhe në redaksinë e gazetës “Telegraf”) institucioneve kryesore të vendit si Presidentit të Republikës , shkëlqesisë së tij z. Ilir Meta, Kryeministrit Rama, avokatit të popullit dhe mediave. Sipas kësaj Letre, banorët shprehin një shqetësim pranë këtyre institucioneve përsa i përket problemeve të pronësisë së truallit të marinës luftarake, probleme të mbartura prej shumë vitesh dhe pa parë dritën jeshile të zgjidhjes, megjithëse janë pronarë të ligjshëm me një pronë të trashëguar dhe njohur nga Komisjoni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, por qeveria qëndron shurdhmemece në këtë përballje. Argumenti i parë që paraqitet në Letrën e hapur është një proçes-verbal i gushtit të vitit 1947 për sa i përket shtetëzimit të pronave, dokument i marrë nga arkivi i shtetit. Sipas këtij dokumenti fshati Nivicë-Bubar zotëronte si tokë bujqësore, truall dhe kullotë, rreth 4300 hektarë, por gjatë këtyre 30 viteve të fundit në vorbullat e tranzicionit dhe ndryshimeve ligjore, asgjë nuk u është kthyer nga shteti. Në letrën e tyre këta banorë-pronarë nënvizojnë faktin se prona e tyre rreth 250 hektarë e njohur nga KKKP si dhe me vendim qeverie, rreth 50 trungje familjare kanë marrë çertifikatën e pronësisë nga hipoteka, kjo e përkthyer në rreth 200 persona deri tani se proçesi vijon, ndërsa pjesa tjetër është zaptuar nga politikat e ardhjes dhe lëvizjes së popullsisë vitet e fundit të tranzicionit, por këta nuk përbëjnë shqetësimin kryesor. Shqetësim është trualli i ish bazës detare të marinës luftarake në Limjon të Sarandës që po zaptohet gjoja nën emrin e “Investim strategjik”. Përveç masakrës së marrjes së pronave nga “Reforma territoriale” dhe reformave të ndryshme bujqësore në vite ku këtij fshati i janë marrë padrejtësisht rreth 260 hektarë. Sot asnjë nga banorët nivicjotë nuk është trajtuar dhe paisur me dokument pronësor qoftë nga ligji 7501, qoftë edhe si trashëgimtar.

Kjo për sa i përket tokës bujqësore. Se padrejtësitë për këtë fshat vijojnë të jenë prezente dhe bashkëudhëtare në jetën e tyre. Nga sipërfaqja kullosore e cila kap sipërfaqen e rreth 3000 hektarëve, këta banorë nuk zotërojnë sot asgjë, pavarësisht nga dokumentacioni ligjot i paraqitur në KKKP. Në këtë letër nënvizohet fakti se ka një dosje prej 1000 fletësh për fshatin Nivicë-Bubar si dhe dokumentacion individual i paraqitur, por ato nga qeveria vetëm sa arshivohen dhe nuk jepet përgjigje dhe zgjidhje. Ky fshat ndodhet nën raprezaljen dhe shantazhin qeveritar përsa i përket çështjes pronësore në këto 30 vite të demokracisë. Dhe kjo konkretizohet në letër me faktin se Kakomeja ka që nga viti 2005 që është zaptuar padrejtësisht në një kohë që ajo klasifikohet si tokë bujqësore dhe është ndarë nga komisioni i fshatit në bazë të ligjit 7501 për tokat bujqësore. Ndarja është bërë e barabartë për gjithë banorët e fshatit. Por çudia ndodh. Është çudia qeveritare që këta fshatarë nuk lejohen që në këtë tokë të tyre nuk lejohen as ta punojnë, as ta mbjellin, as të ndërtojnë, madje as për të shijuar ujin e detit, por bredhin si “çifutët në shkretëtirë” plazheve të zonës, pavarësisht se kanë plazhin e tyre, madje një nga plazhet më të bukura në botë, një perlë joniane. Po pse është bllokuar pronësimi i këtyre banorëve dhe kujt i shërben kjo? Këtë e di qeveria dhe interesat e oligarkëve, se përgjigje tjetër nuk ka e s’ka si mund të ketë. Duket se e njëjta situatë po ndodh e po përsëritet dhe tek Kodra e ish marinës luftarake në Sarandë, sepse edhe këtu, shteti përsëri ndërhyn duke mosrespektuar ligjet e vendosura vetë nga po ky shtet. Në letër nënvizohet se në këtë zonë KKKP ka dhënë mbi 20 vendime kthimi dhe kompensimi të pronave, mbështetur në dokumentacinin e vjetër të pronarëve dhe vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor Sarandë. Sot aktualisht, në bazë të vendimeve për këtë zonë janë paisur me certifikatë pronësie mbi 150 banorë dhe vijon proçesi i çertifikimit të ligjshëm. Po ç’ndodh me sipërfaqen e repartit të marinës? Janë marrë vendime nga KKKP për kthimin e menjëhershëm të tyre në rastin e prishjes së repartit ushtarak. Ekziston edhe një vendim i këshillit popullor të Sarandës i vitit 1961 në të cilin thuhet se Reparti ushtarak i marinës së Sarandës sipërfaqja e truallit i është njohur si e dhënë në përdorim rreth 12.6 hektarë. Ndërsa sot qeveria shqiptare me vendimin Nr: 514, datë 01-07-2020 i jep si pronë 26.5 hektarë vetëm dy investitorëve. Kjo ka revoltuar së tepërmi banorët e fshatit Nivicë-Bubar për këtë vendim të padrejtë dhe grabitqar. Po grabitet hapur prona e tyre e ligjshme. Ata në Letër evokojnë edhe historinë e përpjekjeve të tyre për ta mbrojtur tokën dhe pronën e tyre duke kujtuar dhe tërhequr vëmendjen qeverisë që të mos bëjë shaka të tilla me dëm se për shpronësimin e tyre nuk ka pasur fuqi as Perandoria Osmane e askush tjetër… Jo se janë kundër zhvillimit turistik të vendit, as zhvillimit të zonës, sipas të gjitha projekteve studimore e zhvillimore të qeverisë, por paraprakisht duhet kontaktuar me të dy palët; pronarët e ligjshëm dhe shteti. Nuk ka arsyetim logjik se si mund të jepet prona private një tjetri me 1 euro metri katror pa pyetur pronarin e vërtetë e të ligjshëm?! Ne vallë, 300 banorë, nuk dimë ta bëjmë këtë punë duke zbatuar me rigorozitet projektin? Më shumë u dhemb ky vendi ynë i Sarandës këtyre investitorëve? Dhe në qoftë se ju dhemb, lejojini Ju zotrinj qeveritarë të vijnë të bëjnë kontratën me neve pronarët e vërtetë e të ligjshëm. Nga doli ky shtet kaq pronar i fortë pa asnjë pasuri? Si mund ta tjetërsojnë në lekë këta “pronarë” këtë pronë duke e blerë 1 euro dhe më pas duke e shitur 2000 euro metri katror si sipërfaqe ndërtimi? Këto janë disa nga pyetjet që rrjedhin logjikshëm dhe që firmëtarët e Letrës i drejtojnë institucioneve kryesore shtetërore për përgjigje dhe njëkohësisht për ndërhyrje të normalizimit të çështjes pa qenë ende vonë dhe të mos kthehet si “Çështja Kakomeja”. Banorët i ofrojnë si zgjidhje qeverisë, zgjidhje që vendos mirëkuptimin duke mbështetur dhe i hapur rrugën  për zhvillimin, që qeveria të paraqesë projektin para banorëve dhe këta banorë janë në gjendje të lidhin kontrata bankare për zbatimin e këtij projekti turistik. Banorët i bëjnë thirrje qeverisë të reflektojë se ndryshe do të bëhet vetë pengesë për moszbatimin e këtij projekti zhvillimor turistik siç ndodhi me Kakomenë këtu e 15 vite të shkuara e që vijon ende dhe sot të mbahet peng,-përfundon Letra duke u mbyllur me postulatin duke qenë një formë e moderuar paralajmërimi: “ Prona është e shenjtë dhe mbrohet me të gjitha format”