Dr. Vili Minarolli: Oligarkët dhe politika si profesioni më i vjetër

15

Fragment nga kapitulli i dymbëdhjetë  i romanit  “ Oligarkët”

Sigal

“Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar se ajo ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër.”

                                                Regan

 

Dr. Vili Minarolli

Telegraf.al / Në fillim të javës, në edicionin e lajmeve të televizionit që ishte pronë e Edmondit u njoftua se të enjten, në emisionin “Debat në TV”, do të ishte i ftuar shefi i madh. Shefi dilte shpesh në ekranin më të ndjekur të vendit dhe për punonjësit e televizionit këto katër ditë nuk do të ishin si ato të zakonshmet. Shqetësimi më i madh i punonjësve në fjalë ishte shefi i tyre, të cilin do ta kishin nëpër këmbë dhe mjerë ai që i dilte përpara me ndonjë porosi të pakryer. Me fjalë të tjera, ishte në lëvizje i gjithë stafi, që nga pastrueset e deri te bahçevani i lulishtes, megjithëse kur të vinte ai asgjë nuk do të dukej për shkak të errësirës. Punonjësit i krahasonin këto ditë me ato që ndodhte në një familje në prag të një dasme. Dhe ishte bërë tashmë traditë: në qoftë se emisioni dhe më pas biseda e shefit tȅ tyre me shefin e madh shkonte mirë, të nesërmen hapeshin shishet e shampanjës. Në rast të kundërt, shefi i madh do të hidhte shigjeta që në daljen e parë ndaj televizionit të tyre, atȅ ditȅ shampanjë nuk do të kishte dhe as ai nuk do të dukej aty për disa javë. Ditën e fundit, kur shefi vuri re se çdo gjë ishte në vendin e vet, thirri në zyrë gazetarin, atë që do të drejtonte emisionin. Në të vërtetë nuk është se do ta drejtonte siç ndodhte në rastet e tjera të debateve në emision. Këtë radhë, gazetari dhe Ai do të ishin ballë për ballë.

“Shefi dilte shpesh në ekranin më të ndjekur të vendit dhe për punonjësit e televizionit këto katër ditë nuk do të ishin si ato të zakonshmet. Shqetësimi më i madh i punonjësve në fjalë ishte shefi i tyre, të cilin do ta kishin nëpër këmbë dhe mjerë ai që i dilte përpara me ndonjë porosi të pakryer. Me fjalë të tjera, ishte në lëvizje i gjithë stafi, që nga pastrueset e deri te bahçevani i lulishtes, megjithëse kur të vinte ai asgjë nuk do të dukej për shkak të errësirës.”

– Të erdhën pyetjet?

– Po shef, sapo erdhën, në dorë i kam dhe po i mësoj.

– M’i jep t’u hedh një sy.

– Jo shef, e kam porosi të prerë, askush nuk mund të ndryshojë gjë.

– Po kush të tha se do të ndryshoj gjë? Pse, nuk e di unë? Po edhe ti asnjë ndërhyrje nga ato që ke qejf, apo jo?

– Unë e kam bërë një marrëveshje me të. E di ti,vetëm një, për t’u dukur intervista sa më e natyrshme. Po do t’ia them përpara.

– Ore lëri këto të natyrshmet, po bëj kujdes sot, se nuk dua të jetë i mërzitur a i nevrikosur. Kam menduar të bëj një bisedë me bereqet pas emisionit. Mos më prish punën, se të fluturova, more vesh?

– Jo shef, do të përpiqem ta sjell në qejf duke i përmendur ndonjë nga batutat e tij të fundit. E di ti se ai vdes për batuta.

– Vdes, vdes, por kur i bën vetë, jo kur ia thonë të tjerët.

– Pa merak, shef, gjithçka do të shkojë vaj.

Edmondi doli dhjetë minuta përpara se ai të arrinte dhe zuri vend pikërisht aty ku do të ndalonte makina. E dinte se pasagjeri e kishte merak që derën të mos ia hapte shoqëruesi, por i pari i vendit ku do të shkonte.

– Si të kanë ecur punët?- e pyeti në vend të përshëndetjes.

– Mirë, po ka edhe më mirë.

– Si nuk u ngope njëherë, o burrë. Po hajt ta mbarojmë këtë punë dhe të mos na ngrihen nervat pa filluar.

Pronari u nis andej nga ishte nisur më parë vetë shefi i madh.

– Nuk e paske marrë Gebe…- në çast e ndryshoi,- atë që e merr gjithnjë me vete?

– Jo, më kërkoi leje. Se ç’kishte një punë fejese në familje. I pe pyetjet ti?- iu drejtua gazetarit që i shkonte nga pas.

– Po shef, të sakta dhe të goditura.

– Mos dil jashtë tyre, se…

– Shef, po vetëm një, siç kemi rënë dakord. Sikur i jep më shumë lezet emisionit. Plus që as të tjerët nuk e kuptojnë se pyetjet janë përgatitur më parë.

– Mirë, mirë, po mos e tepro. Ma jep ta shoh ç’ke në mendje këtë radhë.

– Ja, shef, e kam të shkruar,- dhe i zgjati një fletë letre.

– Mirë, por këtë “si e parashikon” hiqe, se nuk parashikoj asgjë. Pse fallxhor jam unë?

– Mirë të thotë, – nxitoi të fliste pronari,- e ke mendjen në vend ti apo…

Ndërkohë u futën në studio. Pronari e ndoqi të gjithë bisedën nga fundi i sallës, më këmbë. Iu duk se gjithçka shkoi si duhet. Edhe për atë që kishte frikë, nuk ndodhi gjë. Kur të madhit i hoqën mikrofonat nga xhaketa nxitoi ta përgëzonte.

– Shef, ishte i paarritshëm sot! Ç’të të them, elokuent si gjithmonë, i saktë dhe i prerë. Po sikur të mos ishe marrë aq shumë me opozitën…- e vuri re se tjetrit nuk i pëlqeu kjo që tha dhe, kur e kuptoi se donte ta kundërshtonte, nxitoi ta rregullonte:- Jo, nuk e kisha fjalën aty ku e mendove, po nuk ia vlen të merresh me ta, se u ka dalë boja, kupton? Nuk dinë ç’thonë dhe vetëm shpifin. Po ti mirë ua bëre.

I kishte futur krahun dhe tjetri ecte andej nga po e çonte pronari i televizionit. Për të nuk ishte surprizë ajo që ndodhte pas emisionit. Qe bërë traditë tashmë, shkonin që të dy, apo të tre, sepse ndonjëherë vinte edhe njeriu hije i shefit, te dhoma e pronarit relaksoheshin pas një dite të gjatë, të tensionuar dhe të lodhshme. Bosit i erdhi mirë që këtë herë do të ishin vetëm këta të dy. Gazetari që i ndiqte pas e dinte deri ku duhej të shkonte: gjer te dera e zyrës, ku priste të merrte ndonjë porosi nga dy të tjerët apo ndonjë përshtypje për emisionin, qoftë edhe pa fjalë. Kësaj here nuk pati asgjë. Para se të futej në zyrë shefi ktheu kokën nga gazetari dhe i shkeli syrin. Tjetri e kuptoi se gjithçka kishte shkuar mirë.

“Dhe ishte bërë tashmë traditë: në qoftë se emisioni dhe më pas biseda e shefit tȅ tyre me shefin e madh shkonte mirë, të nesërmen hapeshin shishet e shampanjës. Në rast të kundërt, shefi i madh do të hidhte shigjeta që në daljen e parë ndaj televizionit të tyre,  atȅ ditȅ shampanjë nuk do të kishte dhe as ai nuk do të dukej aty për disa javë.”

Shefi i madh i erdhi rrotull tavolinës në zyrën e pronarit, e cila ishte e mbushur plot me pjata. Ndaloi te një shishe verë e hapur.

– Është e mirë?

– Do ta provosh? Por po ta them që në fillim se si kjo nuk ke provuar ndonjëherë,- dhe i zbrazi pak në gotën e madhe.- Provoje e më thuaj si është, se e di që je mjeshtër.

E kuptoi nga shprehja e fytyrës, se tjetrit iu bë qejfi. Shefi e ngriti gotën, e tundi lëngun e errët në të dhe i mori erë.

– Nga era duket e vjetër.

– E vjetër the?! A e pe datën? Po provoje njëherë dhe më thuaj.

Tjetri e futi në gojë një gllënjkë dhe pasi e rrotulloi në hapësirën e gojës, më në fund e përcolli poshtë.

Ai përballë tij shikonte me vëmendje çdo lëvizje të muskujve të fytyrës dhe kur tjetri hapi gojën, ai mbajti frymën.

– E mirë. Jo, shumë e mirë. Ku ke rënë në të?

– Të them të drejtën e kisha ruajtur enkas për këtë ditë. As të shkon në mendje ku e kam gjetur. Në një kantinë të përmendur në Toskana. Një arkë prej kësaj gjendet tashmë edhe në bagazhin e makinës tënde. Hajde ulu, shef, se edhe ty të ka marrë uria. Dhe shiko, verë kemi sa të duash për sonte.

U ulën dhe filluan të hanë në heshtje. Shefi hante dhe pinte, ndërsa tjetri vinte gotën në buzë dhe mendonte për fjalët që do t’i thoshte, të cilat i kish menduar prej një jave tashmë. E dinte huqin e shefit, se duhet ta fillonte bisedën me ato fjalë që i pëlqenin, ndryshe gjithë ai mundim i shkonte dëm.

– Shef, punët po shkojnë mirë, këtë po e thonë të gjithë.

– Kush të gjithë, apo këta që paguan ti?

– Jo shef, ti e di që unë marr informacione nga më të ndryshmet, edhe nga opozita.

– Po plaku ç’thotë? E takon apo është zëmëruar me ty?

– Ti e di se ashtu e ka ai, aty zëmërohet dhe flet fjalën e fundit dhe pastaj të vjen e të përqafon sikur nuk ka ndodhur gjë. Po këto kohë duket se ka rënë dhe e di ku e shoh unë? Se s’po i vete njeri në zyrë dhe ka mbetur me ato statuset që bën në FB.

– Mbylle, mos u merr me të, se na pret oreksin kjo bisedë. Po ty si të shkojnë punët? Kishe filluar të punosh me atë… Jeni bërë ortakë?

– Shef, ai është vërtet i madh dhe ty të lumtë që e mban afër.

– Dhe bashkë me të përfiton edhe ti, kështu?

Tjetri ngriti gotën dhe e afroi për ta trokitur.

– Hajt gëzuar, shef! Sa të kemi ty edhe punët tona do të na shkojnë mirë.

– Mos u anko, se edhe me ata të tjerët grurë e kishe.

– Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt, jo si me ty shef. Ti je më i hapur dhe më largpamës. Pastaj ke edhe një të mirë tjetër, i mban afër miqtë, sidomos ata që bëjnë punë të mira për vendin.

– Ore, më thuaj me këta çunat që ke këtu afër, si i ke punët?

– Grurë, shef, janë vërtet çuna për t’u pirë në kupë. Shikojnë punën e tyre, nuk ankohen dhe kur ke një nevojë ta zgjidhin në vend, pa shumë fjalë.

– Po këtu te ti kanë klientë?

Tjetri sikur po përtypej para se të përgjigjej.

– E mora vesh ç’do të thuash.

– E di si është puna, shef? Se është e drejta e secilit të bëjë ç’të dojë, por më vjen keq vetëm për një gjë. Këta të mitë po e harxhojnë shumicën e rrogës dhe…

– Po ti thuaj t’jua shesin më lirë, se këtu është treg pa telashe. Ja po u them edhe unë një fjalë.

– Të paçim, shef! Po e di si është puna? Atë që e sjellin këtu kanë filluar ta përziejnë shumë. Ka shumë niseshte dhe këta të mitë ankohen.

– Po ti si e merr?

– Unë të pastër fare. Kam këtu,- dhe bëri me kokë nga dhoma ngjitur,- do ta provosh?

– Të shohim…

– Shef, doja të bëja edhe një bisedë. Se këta fshatarët, kur u jep një post e hedhin sh…rrën përpjetë. Është ai injoranti që ke venë si kryetar qarku, ka disa kohë që më hedh vickla.

– Më thuaj, si është puna?

– Diku aty buzë lumit kam blerë ca toka, por ngjitur është një parcelë e shtetit dhe unë i kam thënë atij që do ta blej sa të bëj… Po ai mushkë se mushkë po tregohet. Më thotë se nuk është për t’u shitur, është pronë publike dhe…

– Ti do që ta marrësh?

– Po pra, atë po të them.

– Merre ore, pa problem. I thuaj që ma ke thënë edhe mua dhe unë jam dakord. Kaq është. Tjetër?

– Po, ta them edhe këtë, por duhet të më kuptosh drejt, se e mira jote është e mira ime. Kë ke menduar për kryetar në…

Tjetri e vështroi me sytë poshtë.

– Pse, mbaroi biznesi dhe fillove nga politika tani?

– Po ti vetë na e ke mësuar, shef, se nuk ka biznes pa politikë dhe anasjelltas. Pastaj unë kam dobësi për atë qytet.

– Nuk e kam vendosur, por e kam dikë në mendje.

– Cilin, se kam dëgjuar të flitet për Esatin.

– E ç’të keqe ka ai, sipas teje?

-Ka shef, ka dhe shumë madje. Ti e njeh aq sa të kanë thënë të tjerët, ata të tutë. Ashtu është djalë i shkathët, i bën të gjitha, po ka një të keqe dhe siç kam dëgjuar, ata të tjerët po presin që ta shpallësh dhe do ta djegin pa filluar.

– Pse çfarë ka ai që nuk e di unë?

– E di se ka qenë shef i kufirit?

– E di.

– Po që e shkarkuan dhe e zhveshën, se kishte organizuar kalime të paligjshme dhe merrte para?

– Llafe pazari, shpifje…

– Po që ministri i asaj kohe, i cili e shkarkoi, është sot një nga drejtuesit e opozitës dhe, siç kam marrë vesh, i ka të gjitha regjistrimet kur e kishin përgjuar?

Tjetri nuk foli. U mendua disi, pastaj e vështroi shokun përballë.

– Po mirë, meqenëse e paske dobësi atë qytet, kë të vë, sipas teje?

– Këtu më rri, shef. Do të them unë një emër dhe e ke fitoren në xhep. Është një grua, zonjë grua, që e duan të gjithë.

– Po ti nga e njeh?

-Kam punuar një vit me të, kur isha mësues. Se kështu e kam filluar, mësues në fshat, ndoshta nuk e di. Sot është drejtoreshë e arsimit. E vuri ajo ministrja, që për mua nuk vlen fare.

– E paske zënë edhe me ministren tani! Mirë, ja e vendosa atë drejtoreshën, po me ministren mos u ngatërro.

– Jo, do të ngatërrohem, se edhe unë u bëra sebep për të. Të kujtohet kur t’u qepa, o këtë, o…

– E mora vesh edhe këtë, tjetër?

– Tjetër… Po ja, të vijmë sërish te çunat që i duam dhe i kemi për zemër të dy. E di ti që ka të ngjarë të përplasen me një grup tjetër, sepse edhe këta kanë nisur të shpërndajnë mall nȅ ish-Bllokun? Po i spostojnë këta tanët. Dhe të mendosh se aty është tregu kryesor i tyre.

– Pse, kush ka hyrë?

– Është një grup tjetër nga jugu. Jo vetëm janë shumë të egër e nuk ta zgjasin, drejt e te thika, por dhe i mbron ai pisi që ta ka bërë borxh edhe ty.

Ai e dinte se nuk ishte nevoja ta zinte emrin e atij që e quajti “pisi”, pasi edhe tjetri e kuptonte. Ishte bisedë e nisur edhe herë tjetër.

– Shef, ta them unë, se tani e ka mbushur kupën dhe po fillon të derdhet. Fundja ti je ai që e mban koston e pisllëqeve të tij. I thuaj hiqu mënjanë dhe na lër të bëjmë punën, për të cilën jemi votuar, sepse nesër do të dalim sërish para njerëzve. Një nga ata të policisë më tha se i kanë vënë përgjues.

– Kush i ka vënë përgjues pa ditur gjë unë?

– Kjo është e keqja, se ka rënë në erë edhe të shërbimeve të huaja, sidomos me trafikun e njerëzve për në Amerikë. Si duket ata kanë kërkuar që këtë punë ta bëjë prokuroria dhe jo policia.

– Po ata të prokurorisë pa më thënë mua e bëjnë këtë veprim?

– Po si duket nuk u ka ardhur ende radha e Vetingut, që të zhduken edhe ato ferra bashkë me të tjerët. Shef, edhe një të fundit kam.

Tjetri e pa me një fytyrë ku dukej qartë pakënaqësia.

– Na e ngece në grykë këtë të shkretë.

– Shef, ti e di sa të dua unë, prandaj edhe t’i thashë këto, që t’i kesh parasysh, që të mos jesh i papërgatitur e të më thuash nesër, ama shok i mirë paske qenë…

– Mirë, mirë, e mora vesh, më thuaj dhe atë tjetrën dhe na lër të shijojmë verën.

– Të përgatis një apo dy vija, puro të pastra, mall nga burimi.

Shefi nuk foli, thjesht ngriti gotën e verës. Tjetri e kuptoi heshtjen e tij.

– Ta them, shef, vetëm me një kusht, që të mos zemërohesh. Bisedë miqsh po bëjmë dhe këtu i flasim e këtu i lëmë.

– Fol, pra, ku e ke hallin?

– Mendoj se është hall i përbashkët. Më shumë e kam për ty.

Tjetri po e vështronte pa lëvizur.

– E kam fjalën për Adrianin, atë…

– Mos ma kujto atë m…t. E kam mbyllur me të. Pikë.

– Dakord, këtë thua ti, po çfarë them unë? Nuk e ke në grupin parlamentar dhe ai është i pavarur. Ç’punë i prishet atij?

– Çfarë i prishet thua? Ajo që në zgjedhjet e tjera nuk do të jetë deputet dhe do të detyrohet t’ia mbathë andej nga ka ardhur.

– Thua ti, po ç’them unë? Pse, ti e bërë deputet herën e parë, kur erdhi andej nga jetonte? Ti atë kohë as e njihje fare. Është kështu apo jo? Jo, më thuaj se nuk kam të drejtë. Dakord, nuk do t’i japësh nga ato punë që na jep edhe neve, kështu? Po pse si thua ti, këto kohë, që kur jeni zëmëruar ju të dy, pa punë ka mbetur ai? Ta them unë, se ti nuk sheh ç’ndodh. Po punon me të gjithë ne, se të gjithë kemi interesa të përbashkëta. Një kjo. E dyta, the se nuk e zgjedh deputet. Po e di ti që njerëzit e zonës së tij bëjnë kryqin për atë? Shko një ditë dhe thuaje një fjalë të keqe për të atje, të shohësh ç’do të të thonë. Jo, ti je njeri shumë i zgjuar, të gjithë të respektojnë, por punën me Adrianin duhet ta rregullosh. Do të thuash ti se i ke thënë fjalën e fundit. Ti e di mirë se kush di të falë del më i fituar. Më kujtohet fjala e një të mençuri: “Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme.”

Edmondi e kuptoi se fjalët e fundit patën efekt. Nuk e la hekurin e nxehtë pa rrahur:

– E di se e ke pak të vështirë të tërhiqesh, po ç’ke ti, e bëj unë që të vijë të kërkojë falje dhe mbyllet sherri. Pastaj ti me shpirtmadhësinë tënde që ta njohin të gjithë, i jep një punë dhe mbyllet e gjithë kjo mëri e kotë. Si thua, shef?- dhe kur nuk mori përgjigje, shtoi:- E dija unë se ti je njeri fisnik, prandaj nuk vë asnjë mik tjetër mbi ty.

Shefi heshti dhe Edmondi po sillte në mendje, nëse i kishte thënë të gjitha ato që i pati menduar për këtë ditë. Pastaj iu drejtua tjetrit:

– Shef, të pëlqeu darka? Më duket se ishin nga ato që të pëlqejnë edhe ty, po të dy jemi rritur afër detit dhe nuk ka si të mos na pëlqejnë. Do të shkojmë nga dhoma tjetër? Të thashë edhe herën e fundit që ishe këtu, se do të bëja një dhomë gjumi për vete, kur më zë mesnata në punë dhe duhet të ngrihem herët. Eja shikoje.

Shefi bëri të ngrihej, por tjetri e vuri re se ishte rënduar dhe nxitoi ta ndihmonte. Kur u futën në dhomën e mobiluar me shije, pronari vuri re shefin, sytë e të cilit vajtën te tavolina me xham sipër, ku ndodheshin disa vija të bardha, një mbajtëse për pipa plastike dhe një ndarëse po plastike. Shkoi drejt e atje dhe bëri me mjeshtëri atë që e bënte disa herë në ditë. Pastaj ngjeu gishtin tregues në pluhurin e bardhë dhe fërkoi dhëmbët. Duket se u kënaq.

– E dija se nuk përdor mall të keq ti.

– Njëlloj si ai që të vjen ty, shef. Të njëjtët persona na e sjellin. Prandaj të thashë ta eliminojmë atë bandën që mbron ai, të cilit më vjen ndot t’i përmend edhe emrin.

– Do të iki tani, se u bëra vonë,- tha i madhi, por ky e vuri re se ai nuk mund të bënte asnjë hap pa e mbajtur.

Dhe ashtu, pothuajse krah për krah, ata pak punonjës që kishin mbetur, së bashkë me rojet e natës, i panë të dy burrat të ecnin duke u lëkundur deri sa u futën në makinë. Dikush i ndiqte nga pas dhe nga vështrimi i shefit të tij kuptoi detyrën për të nesërmen në mëngjes.

Të nesërmen, aty nga ora nëntë, të gjithë punonjësit po prisnin dhe nuk u bëhej për punë. Pas disa çastesh, si rrufe u përhap lajmi se po vinte shampanja.