100 vjet nga Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës

1120
Sigal

Shumica e ngjarjeve të mëdha historike tek ne nuk janë festa zyrtare dhe as ditë të përkujtimit publik

100 vjetori i  Kongresit të Lushnjes dhe Luftës së Vlorës

  • Harresa e ngjarjeve të mëdha historike në Shqipëri është politikë shtetërore dhe bëhet me ligj

  Hapi i parë për zhbërjen e një kombi,është të fshini kujtesën e tij, historinë e tij……..

Eduard Morrou-gazetar amerikan

Nga Vilson HAXHIRAJ

Nacionalizmi, me gjithë ngarkesën negative që mbart kjo fjalë, është  ideologji laike që u formësua në periudhën e krijimit të shteteve kombe. Qëllimi i tij është formimi, forcimi dhe mbrojtja e kombit. I pari manifestim i rëndësishëm i nacionalizmit shqiptar, Lidhja e Prizrenit, u lind si kundërvënie ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqiptare në v. 1878. Shpallja e pavarësisë më 28 Nëntor 1912 është fitorja më e madhe e nacionalizmit shqiptar,që do të pasohej pak vite më vonë me një tjetër arritje,po aq të rëndësishme, Kongresin Kombëtar të Lushnjes, që  më 21 Janar festoi  përvjetorin e 100 të tij.Viti 2020 ngërthen  brenda vetes ngjarje dhe arritje të rëndësishme për vendin,Kongresin Kombëtar të Lushnjes, Luftën Kombëtare të Vlorës,dekretimin e Tiranës “Kryeqytet i Shqipërisë”,vrasjen e Esat Toptanit, pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Këto arritje konsoliduan pozitën e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe sovran dhe hodhën bazat e shtetit bashkëkohor,me institucione,kontroll dhe balancë të pushteteve, paritet në përfaqësimin e besimeve fetare, pluralizëm, jetë aktive parlamentare dhe kuadër ligjor të nivelit kushtetues. Gjeneratori i këtyre arritjeve të pazakonta  ishte Kongresi   Lushnjes. Në hierarkinë e personaliteteve të shquara të kombeve, çlirimtarët e tyre nga robëria dhe figurat shtetformuese janë kryeheronjtë, sepse  liria dhe mëvetësia janë premisa themelore për progresin e shoqërive. Ndaj amerikanët konsiderojnë etër të kombit, Washingtonin,udhëheqësin e Revolucionit  për Pavarësi dhe Linkolnin, udhëheqësin  e Luftës Civile,që nuk lejoj shpërbërjen e shtetit federativ amerikan. Në Në Francë kryeheroi është Karli i Madh,në Spanjë,mbretëresha Isabel,në Itali, treshja Kavuri, Macini, Garibaldi, nëTurqi, Mustafa Qemali, etj. Emrat e mësipërm janë lavdia dhe krenaria e kombeve të tyre. Jeta dhe vepra e tyre mësohen në shkolla,si pjesë thelbësore e historisë së kombit. Atyre u kushtohen muze,statuja dhe memoriale. Përvjetorët e vdekjes së tyre janë evenimente të parashikuara në protokollin shtetëror. Ata janë të pavdekshëm. Në Shqipëri vlerësime të  tilla,vetëm mund ti shpresosh. Në v. 2019 shteti ynë përcolli me heshtje 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit,themeluesit të shtetit shqiptar. E njëjta gjë po ndodh edhe me Kongresin e Lushnjes. Dhe është fjala për etërit e kombit shqiptar. Nuk do të kish Shqipëri pa Kuvendin e Vlorës dhe Kongresin e Lushnjes. Pa ekzistencën e shtetit shqiptar ,Kosova vështirë të bëhej shtet i pavarur. Në Maqedoninë e Veriut shqiptarët nuk do të konsideroheshin popullsi shtetformuese,por thjesht pakica kombëtare. Arritjet e sotme të nacionalizmit shqiptar në Ballkan,që na kanë bërë faktor në rajon,i kanë rrënjët në Kuvendin e Vlorës dhe Kongresin e Lushnjes.

 

Harresa e ngjarjeve të mëdha historike në Shqipëri është politikë shtetërore dhe bëhet me ligj.

Ligji 7651, dt.21.12.1992, për evenimentet dhe ditët e shënuara ka dy nivele të  vlerësimit të tyre. Festat zyrtare që janë ditë pushimi dhe ditët e përkujtimit publik, si 7 dhe 8 Marsi,dita e ujit të bekuar,etj .Data të rëndësishme të historisë kombëtare, si 17 Janari,dita simbol e epokës së Skënderbeut,21 Janari i Kongresit të Lushnjes, 10 Qershori i Lidhjes së Prizrenit,3 Shtatori i Luftës së Vlorës 14 Nëntori i Kongresit të Manastirit,pra shumica e ngjarjeve të mëdha historike, nuk janë festa zyrtare dhe as ditë të përkujtimit publik ,janë  jashtë ligjit të dënuara me harresë.

Kjo nuk është lajthitje,as rastësi.

E mëkuar me mësimet e rilindësve që idealizonin Shqipërinë,Skënderbeun,gjuhën shqipe,  traditat e mira  dhe më pas,me heronjtë e Pavarësisë ,të Kongresit të Lushnjes dhe Luftës së Vlorës, shoqëria shqiptare deri në prag të pushtimit fashist,u rrit me frymë të shëndetshme kombëtariste. Asgjësimi fizik i nacionalistëve gjatë luftës së dytë botërore dhe viteve të diktaturës, nga partia komuniste, denigrimi i nacionalizmit si ideologji dhe figurave të rëndësishme të tij, glorifikimi i luftës nac.çl. dhe Enver Hoxhës ,dëmtuan rëndë këtë mentalitet dhe kohezionin social të shoqërisë shqiptare. Klasa politike e  viteve 90 , ardhur gati e gjitha nga radhët e partisë së punës,manifeston qartësisht  mendësinë komuniste edhe në këtë fushë. E djathta bëri fare pak për rivlerësimin e ngjarjeve  historike dhe gaboj rëndë në qëndrimin ndaj luftës antifashiste. E majta, përfaqësuar nga partia socialiste,trashëgimtare e partisë komuniste, drejtuar nga apologjetë dhe retushues të diktaturës,me elektorat bazë ushtruesit e luftës së klasave dhe adhuruesit e Enver Hoxhës, është  shpërfillëse dhe arrogante ndaj tyre. Është kjo arsyeja që prania e përditshme e Enver Hoxhës dhe demonëve të  tjerë të diktaturës në shtypin e përditshëm, është bërë dukuri normale. Manifestimi i fundit enverist ishte kërkesa e 15 shoqatave për njohje e 11 Janarit,si dita e republikës. Vazhdon si dhe më pare hyjnizimi i luftës antifashiste,si epopeja më e madhe e historisë  kombëtare. Me Luftën nacional çlirimtare duhet të krenohemi të gjithë. Ajo qëndron me dinjitet krah ngjarjeve të mëdha të historisë tonë kombëtare,si pjesë organike e tyre. Por asnjë ngjarje e madhe nuk është tabu. Ky privilegj i takon vetëm atdheut dhe interesit publik. Të tjerët,ngjarje dhe personalitete, vlerësohen nga raporti me këta dy tregues. Prej 30 vjetësh në Shqipëri po ndodh rivlerësimi i figurave historike,si reagim ndaj deformimit  që diktatura i bëri një pjese të madhe  të tyre, duke i kthyer heronjtë  e kombit në tradhtarë dhe xhelatët në heronj. Është katarsis i domosdoshëm për të shkuar tek e vërteta historike,si e vetmja mundësi për afrimin shpirtëror të shqiptarëve, pavarësisht të shkuarës së dhimbshme. Në këtë rrugë të riformatimit real po kalon edhe lufta antifashiste. Në vitin 2012 ministria e mbrojtjes botoi librin “Dëshmorët e Atdheut,”me autor profesorët e asc. Zaho Golemi dhe Bernard Zotaj. Rezulton se për periudhën 7 Prill 1939-31 Dhjetor 1944, numri i dëshmorëve është 6790, vetëm 24% të numrit prej 28 mijë të rënësh,që vazhdojnë të deklarojnë paturpësisht edhe sot  drejtuesit e shtetit aktual dhe partisë socialiste. Ky fakt nuk ul  vlerën e luftës. U.Çërçill çmonte në rezistencën antifashiste të popujve të vegjël ”kurajën e pashoqe për t’u përballur me makinën luftarake,më të përbindshme që kish njohur njerëzimi.”Europa ku duam të shkojmë i ka mbyllur problemet e luftës që në mesin e viteve 50 të shekullit të shkuar. Fajtorët, kolaboracionistët,u ndëshkuan. Fitimtarët,patriotët, dëshmorët,u nderuan dhe vlerësuan sipas kontributit. Pas kësaj shoqëria ju kthye jetës normale,përballjes me sfidat e kohës. Në Shqipëri rrezik nuk është fashizmi,që ti kundërvëmë antifashizmin e luftës,por mendësia autoritariste e lidershipit politik,korrupsioni, varfëria, vrasja e shpresës, hemorragjia njerëzore nga emigracioni,me pasoja të  frikshme për të ardhmen e kombit. Vitaliteti i shoqërive matet me tregues, që prodhojnë në analizë të fundit, rritjen dhe përmasimin e standardit të jetesës. Shteti dhe shoqëria shqiptare e kanë humbur në mënyrë dramatike betejën me sfidat madhore të kohës,përfshirë rivlerësimin e ngjarjeve historike..Ndaj vendi nuk ka nevojë për kapardisje me të shkuarën antifashiste,por për “Kongres Kombëtar të Lushnjes” të shekullit të XXI,me kongresistë të formatit atdhetar dhe intelektual të Aqif Elbasanit, Abdi Tpotanit, Mehmet Konicës, Mihal Turtullit,Luigj Bumçit, jo më për ta shpëtuar nga të huajt,por nga vetja. Ky duhet të jetë objektivi i intelektualëve dhe opinionit publik shqiptar. Më shumë se kurrë më parë,është  kohë për nacionalizëm.