Solidaritet me Luftën partizane

937
Sigal

Me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

Nga Sevo TARIFA

Jeta partizane mban vulën e kohës. Është jetë lufte: e thjeshtë, e këndshme, e pastër, e bukur, cilësore, specifike, pa pretendime, jetë që shtrihet në kohë e në hapësirë, nga mali në mal. Jetë, shkolle e vërtetë atdhetare e revolucionare që zhvillohej dallgëve të luftës në emër të Çlirimit të Atdheut. LANÇ kaliti si hekurin në zjarr karakterin e shëndoshë atdhetar dhe virtytet morale të partizanëve,“me pushkë e çark të ngrehur, me gjuhë e laps të mprehur”!

  1. Në thelbin e jetës partizane qëndronte fuqia e madhe e idealeve të tyre.

Kur e pyeti nëna Tomor Sinanin nga Elbasani “Përse luftojnë partizanët?”, ai iu përgjigj: “Që Shqipëria të jetë e lumtur, që populli të mos vuaj, që armiqtë të zhduken nga vendi ynë”! Është kjo përgjigje tipike e të gjithë luftëtarëve të lirisë. Heroi i Popullit, pionieri Çelo Sinani nga Picari, shprehej me pjekuri: “Ja do bëhet demokraci, ja Shqipëria gur e hi”. Heroi tjetër Themo Vasi thoshte: “Kur gjaku derdhet për një qëllim të shenjtë, nuk kursehet”. Dhe vetë ra dëshmor. Dilo Nezha, kur doli partizan, bëri thirrje: “Çdo njeri që do të mirën e Atdheut, të shesë kalin e të marrë armët”! Dhe jetën e flijoi në betejën e Pojskës. Ideali partizan e shtynte Fuat Babanin të shprehej prerë: “Populli nuk soset me të vrarë, ai do të luftojë gjer sa të fitojë lirinë e grabitur”. Fjalët e dëshmorit Beqir Selimi nga Tërbaçi ishin: “Buka e fëmijëve të mi është liria!” Në krahë të vëllezërve të tyre luftonin për ideale të njëjta edhe vajza e gra. Donika Dule shprehej: “Ne të rejave dhe grave na takon të bëjmë një luftë të dyfishtë, sepse kërkojmë jo vetëm lirinë e Atdheut tonë të dashur, por edhe lirinë tonë si gra, që të mos vuajmë si nënat tona nën zgjedhë të dyfishtë”. “Po vdes e lumtur, pse e jap jetën për një ideal të lartë”, ishin fjalët e fundit të dëshmores Makbule Visha. Në emër të idealeve të lirisë partizanët nuk kursenin as jetën në lulen e rinisë. Shumë prej tyre u vranë, por idealet e tyre nuk kishte armë që t’i vriste. Partizani Pandi Nashi, të cilin armiqtë e torturuan, në agoninë e vdekjes dha jetën duke thirrur: “Ideali im do të rrojë përjetë”! Fjalë me dy anë të mprehta: dashuria për atdheun dhe urrejtja për armiqtë. Motoja e partizanëve: “Atdheu mbi të gjitha”. Emblema: “Ja vdekje, ja liri”. Betimi: “Jam partizan me yll në ballë, për zot o popull të kam dalë”.Dhe krisma e pushkës partizane u pleks me melodinë e këngës: “Edhe plumbi në gjoks kur të të bëjë vrimë, nëpërmjet saj do të shohim lirinë”. “Lum ai që ka fatin të vdesë në flakën e predhave, në zjarrin e luftës për Atdheun”, pohonte Reshit Çollaku

  1. 2. Karakteristikë e jetës partizane ishte shpirti i sakrificës së luftëtarëve të lirisë, përkushtimi dhe vendosmëria për kapërcimin e vështirësive të Luftës

Partizanët jetuan katër vjet maleve, në ndeshje dhëmbë për dhëmbë me armiq, në mes të agjentëve atmosferikë, por në gjirin e ngrohtë të popullit patriot. E bukura të buzëqesh kur fiton mbi armiq dhe mbi vështirësi. Ajo shijohej se ata nuk jetonin vetëm dhe për vete, por me popullin dhe për popullin, si bij besnik të tij, midis bashkëluftëtarëve, shokëve e vëllezërve në terren. Dhe koha shpenzohej pa u kursyer, cilësisht dhe me variacione, në shpirtra të bardha të bashkuara “Në errësirë duhet dritë në tokë, në fatkeqësi vëllezër dhe shokë”. Në këtë atmosferë mësonte brumosej edhe ai djalë a vajzë që nuk e kishte kaluar pragun e shtëpisë. S’ka më bukur se kur je midis njerëzve dhe mbetesh i tillë gjithnjë. Kjo e zbukuron jetën, gjurmët e së cilës mbahen mend më mirë. Jetën partizane e përshkonin tejpërtej virtytet njerëzore: atdhedashuria, që është virtyti i parë; uniteti, marrëdhëniet e çiltra me njëri-tjetrin, mjedisi i këndshëm, i përzemërt, shoqëror. Jeta partizane dallohej për thjeshtësi e ndershmëri. Pasurinë e partizanit e përbënte zemra e tij, pushka me fishekë, bomba e dorës, dikush ndonjë revolver. Ai mund t’i jepte shokut gjithçka, por armën jo! Prirja karakteristike e tij ishte “i pari në sulm, i fundit të tërheqje”. Dëshmori Sinan Bllaci shprehej: “Jeta ime i përket partisë, gjaku im popullit, zemra ime atdheut!” “Oh, sa bukur, sikur të kisha vdekur edhe unë për Atdhe!”, thoshte Ptoleme Xhuvani. Në përmbajtjen e jetës partizane qëndronte morali i lartë i tyre, tërësia e virtyteve, në ballë nderi, cili “peshë e masë s’ka, lum ai që e ka!” E mira dhe e bukura te partizanët ishin bashkë dhe pasqyroheshin në moralin e shëndoshë të tyre, kryesorja në qëndrimet atdhetare, në besnikërinë ndaj interesave kombëtare, për të cilat ai luftonte heroikisht.. Heroizmi partizan pushtonte një çast syrin e tij, por lavdia pushtonte zemrën e tij tërë jetën. Dhe “vdekja me nder, meriton varrin mermer”!

  1. Interesantja e jetës partizane ishte në bashkimin e zemrave, në unitetin, në kolektivitetin e saj

Partizanët që kanë kaluar në hapësirën e gjerë të jetës luftarake preken lehtë në ndjenja, përfytyrojnë, emocionohen, kanë nostalgjinë e atyre viteve të stuhishme e të zjarrta, që flakëronin, me specifikën e tyre, me prushin patriotik, harmoninë dhe mirësjelljen. ”Mirësjellja është mbreti i të gjitha virtyteve”. Njëherazi virtytet frymëzojnë, përtërijnë, fuqizojnë. Këto virtyte u transmetohen sot pasardhësve të veteranëve, që këta të mbajnë lartë nderin e partizanëve e t’u ngjajnë atyre, në kushte cilësore të ditëve tona. Atëherë “shtëpia e kulturës” ishte ajo lëndinë e gjelbëruar gjithë lule mali ose ai përroi i thellë ku nuk shkelte dot këmba e armikut, atje ku rreth zjarrit partizan luftëtarët thanin veshjen e bërë ujë nga shiu, ngroheshin, mësonin shkrim e këndim, jepnin shfaqje artistike, tregonin episode, lexonin buletine, këndonin dhe qeshnin me humorin e këndshëm partizan. Shpesh këto veprimtari bashkoheshin e shkriheshin me ato të fshatit ku partizanët kalonin, qëndronin, strehoheshin e luftonin. Derën e shtëpive të popullit e kishin të hapur. Ishin modestë e të urtë dhe nuk kërkonin pula e privilegje si ballistët. Priteshin sipas zakonit me “bukë, kripë e zemër”. Dhe kur kjo ose ajo familje mund të kishte mish, i jepte “Mikut bishtin, armikut gishtin”! Partizanët ishin si në shtëpinë e tyre. Si luftëtarë të lirisë vëllezër e motra, kështu qenë edhe me bashkëluftëtarë fshatarë në male e ilegalisht në qytete. Me dashuri e respekt njerëzor. Kur largoheshin partizanët nga fshati, nuk vonohej t’i dërgohej komandës një letër e ngrohtë për figurën e pastër morale të tyre dhe kjo shoqërohej me regjistrim vullnetar të luftëtarëve të rinj. Kur u krijua brigada e VI Sulmuese kishte 902 partizanë, në fund të luftës edhe pse ranë 205 dëshmorë, efektivi i saj arriti në 1700 shqiponja partizane! Në rrethinat ku partizanët luftonin dhe fitonin, populli shprehej me fjalë zemre për ta. Në letrat e tij lexohej e vërteta. Flitej për ato që realisht shikoheshin me sy: kalonin partizanët anës së arave të mbjella pa shkelur mbi prodhimet bujqësore. Shkonin shtigjeve e rrugicave me pjergulla rrushi pa prekur me dorë asnjë kokërr. Por kulmi i së mirës dhe i të bukurës vihej re në zhvillimin e aksioneve luftarake partizane, ku për fitoret e tyre shprehej gëzimi, kënaqësia, krenaria, në trungun e së cilës ishte thjeshtësia, në degët e saj ishin lule- respekti, mikpritja, gjurmët, bukuria. Gjatë këtyre veprimeve, në figurën e partizanëve plekseshin e lidheshin si një buqetë me lulëkuqe shpirti i bardhë i tyre, ndershmëria, trimëria, disiplina, opimizmi, besimi në fitore! Dhe këto shpreheshin gojarisht, por dhe me letra. Ja një prej tyre:

Shtabit të Brigadës VI Sulmuese:

“Përshëndetni në emrin tonë partizanët e partizanet e asaj brigade, për sjelljen e tyre shembullore dhe kujtimet e mira që lanë në fshatin tonë. Ata qëndruan veç disa ditë midis nesh, por lanë kujtime të paharruara. Sjellja e tyre shembullore e hijeshon partizanin dhe trimërinë e guximin e tyre, do t’i kujtojmë gjithnjë. Do të kujtojmë fytyrat e tyre të qeshura, këngët e krismat e armëve të tyre dhe u premtojmë se do t’i ruajmë si gjënë më të shtrenjtë tonë trupat e 11 komandantëve e partizanëve të brigadës suaj, që i varrosëm në fshatin tonë.”

  1. Solidariteti, ndjenja me e bukur në jetën partizane

 Në jetën e zjarrtë partizane shkëlqente solidariteti shoqëror. Udhëtonte i rraskapitur e shpesh zbathur pa këpucë në këmbë partizani i moshuar i ngarkuar me mitraloz e municione në krah, ia rrëmbente më i riu dhe i lehtësonte barrën e rëndë. Kthehej nga lufta i lodhur dhe i uritur i moshuari që kishte radhën e shërbimi të rojës natën, e zëvendësonte vullnetarisht një i ri komunist apo antifashist. Kolona partizane kalonte malit me borën e trashë, e hapte rrugën më i riu. Partizanit i dërgonte familja ndonjë pako me ushqime dhe ky e ndante me shokun. Rëndësinë, fuqinë, madhështinë dhe bukurinë e LANÇ nuk mund ta errësojnë, ta mohojnë, ta baltosin e ta quajnë “Luftë Civile” kolaboracionistët e djeshëm, neofashistët e sotëm, humbësit e saj. Por “dielli nuk mbulohet me shoshë” Në një letër që Kol Tromara i dërgonte Ali Këlcyrës, i shkruante: “Ne kemi dalë malit për të ngrënë petullat e katundarëve dhe jo për të bërë ndonjë punë. Morali i ballistëve ka rënë aq shumë sa vetëm ndonjë fuqi e organizuar, e pajisur me armë, me mushka, me topa e mortaja, të cilat të bëjnë një shëtitje në këto male, mund ta ngrenë” (moralin). Kjo forcë ishte kolona shumë e gjatë 70 mijëshe partizane, Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare e të cilëve, na lidhi me Aleatë të Mëdhenj anglo-sovjeto- amerikanë, na dha çlirimin e Atdheut dhe ka rëndësi ndërkombëtare.