Flet Natasha Lako: Koha kur ‘tangoja e dashurisë’ luhej mes dhimbjesh. Poezia e parë, dashura për jetën dhe tragjizmi i Ana Frankut

249
Sigal

BISEDË ME POETEN NATASHA LAKO:

Ishte ajo kohë, kur “tangoja e dashurisë” luhej  mes dhimbjesh

  • -Siç ka shkruar Ilia Erenburgu, “ Ne si dy ujqër vallëzonim me zinxhirë dhe kësaj ne i thoshim dashuri”
  • – Poezia ime e parë e shpallur publike ka qenë për mesuesen time të klasës së parë
  • – Dashuria për jetën nuk është thjesht biologjike ku thuhet se burri është kultura dhe gruaja natyra
  • – Kur kam vizituar në Kinë “Qytetin e ndaluar ” të perandorëve kam zbuluar se gjatë një dinastije ka pasur 26 000 poetë
  • -Bota filloi të citojë nga pjesa femërore vetëm kur kuptoi fatkeqësitë më tragjike të saj, si në rastin e Ahmatovës,
  • – Bota reagoi ndaj grave nga tragjizmi i Ana Frankut

Vangjush Ziko

-Kur përktheja nga suedishtja në shqip poezinë e Tomas Transtromer, ende pa e ditur që një ditë do të merrte çmimin Nobel, e gjeja në poezi të ulur pranë një grumbulli gurësh për të zbuluar atë lidhje të tij me diçka përballë, ose duke marrë pas si në poezinë e tij Ballkan , trupin e tij nga një fshat ku kishte mbetur prapa edhe hija e një minareje. Poetë të tjerë e kanë më të komplikuar faktin se gjithnjë trupin e tyre e kanë thjesht një instrument nga mund të lindin tinguj të ndryshëm, sipas një pozicioni të caktuar. Dhe zëri poetik, të paktën për mua, duket se më tepër se sa prej gjinisë, lind prej këtij këndvështrimi të zgjedhur. Dhe kjo e bën çdo moment jete dhe çdo poezi të papërsëritshme dhe botën jashtëzakonisht të pasur. Sejcili është thjesht ai që është në ato momentet që bëhen sublime. Por kjo nuk do të thotë se po të kishin zgjedhur, edhe natyra, ose ëngjëjt, nuk do të kishin dhënë edhe shënja të gjinisë së tyre. Se edhe katastrofat duket se kanë diçka prej gjinisë femërore, po t’i krahasosh me procesin e lindjes, që falë mjekësisë i fsheh dhimbjet e mëdha. Dhe kjo deri në brezin tim u ka dhënë grave ndjeshmërinë e mrekullueshme, që së bashku me lindjen e njeriut, të ndiejnë vetë lindjen e botës. Ky është një mister i madh në jetën femërore, ku fatmirësisht sot marrin pjesë edhe burrat, në këtë përpjekje të vazhdueshme për afrim. Por magjitë gjuhësore i kalojnë të gjitha përmasat, sa gjithkush, kur lexon një poet të vërtetë, e harron edhe gjininë e vet. Madje mund të kalojë në gjininë tjetër. Dhe kjo nuk është thjesht punë kromozonesh.

Dhe as e përjashton faktin se njeriu është edhe ëngjëll edhe djall. Dhe në këto kushte të gjitha realitetet e botës tregojnë se gjinia femërore ende ka dizavantazhe të mëdha, në të drejtat e jetës. në një botë që sot ka zgjedhur, që edhe fjalën shtypje ta shndërrojë në fjalën abuzim, veçanërisht për femrën. Dhe kjo ende e bën gruan të kërkojë një zë më të fuqishëm për të pohuar veten. Edhe unë që në fillim të krijimtarisë sime doja të tregoja që egzistoj. Vetëm kaq. Por kjo egzistencë vishet me gjithëçka rreth e rrotull në një çast të caktuar. Kjo temë pasurohet sot nga poete të tjera të talentuara, disa prej të cilave kanë zgjedhur të pohojnë me forcë identitetin e tyre deri në marrëdhënie seksuale të hapura dhe të fuqishme, duke pasuruar prapë se prapë më shumë atë botë të burrave. Por edhe kjo tregon një etje për çlirim dhe guxim për të treguar një lloj identiteti. Po. Frymëzimi, megjithëse në gjuhën tonë është fjalë e gjinisë mashkullore, ai ka vetëm “gjininë artistike”, poezia, për estetikën, nuk ka gjini. Megjithatë, që në kohët antike bëhej fjalë për “vargje të akejve” dhe për “strofat e Safos”. Poezia femërore shqiptare njeh disa përvoja pozitive, që pasqyrojnë proceset nëpër të cilat po ec dhe emancipimi i shoqërisë shqiptare. Ajo na flet më shumë në emër të gruas, në përgjithësi, të problemeve shoqërore dhe botëkuptimore të emancipimit, për raportet burrë-grua, për thyerjen e disa tabuve etike, i mëshon më shumë viktimizimit dhe revoltës, se sa përpjekjes për të qenë vetvetja, ka më shumë ide se sa intimitete dhe, siç pohoni ju, poetet janë duke pasuruar prapë se prapë më shumë botën e burrave. Ana Ahmatova thoshte se ajo i kishte mësuar gratë që të shkruanin.

-Si e shikoni perspektivën e poezisë sonë për pasurimin e saj më shumë me botën e gruas dhe poezinë e burrave për ta ngushtuar më shumë distancën, që e ndan nga emancipimi i plotë?

-Distanca shkurtohet vetëm nga niveli artistik, me të cilën i dhuron lexuesit një poezi. Nga forca e komunikimit, që vjen nga pikëtakimi me të tjerët. Por ajo kërkon edhe ekzigjencën e lexuesit, në një mirëkuptim të përbashkët. Edhe një nevojë për të dëgjuar zërin femëror. Po marr përsëri si shëmbull poetë të tjerë të kësaj bote të madhe dhe jo shqiptare, sepse këta të fundit nuk e kanë fituar ende të drejtën për të bërë një dyshe përfaqësuese të letërsisë si fjala vjen Wollt Witman dhe Emili Dikinson për amerikanët. Por , në gjysmëkontinentin tonë europian lindor, të njohur për mundimet artistike edhe për shqiptarët, po marr dy poetë të tjerë të njohur dhe më pranë periudhës së sotme, që kanë ngushtuar çdo distancë, Brodskin dhe Simborskën, që për mua krijojnë një dyshe tjetër mjaft përfaqësuese, jo vetëm për hir të kësaj gjeografie politike, por për mënyrën se si në finishin e hedhjes së fjalës, si në një penelatë të rastësishme, i ngrenë poezisë piedestalin që i takon. Dhe nga kjo lartësi ajo është përsëri jashtëzakonisht tokësore, por me finitura që mund t’i zbulojë vetëm shpirti poetik. Këtë e arrijnë të dy edhe Brodski edhe Simborska. Dhe kur i lexon, nuk mendon se kujt gjinije i përkasin. Mjafton që ata ta kenë ngritur në hapësirën e tyre të një ndjeshmërije të lartë, ku bota shfaqet në format e saj të sotme. Gluk, fituesja e vjetshme e Çmimit Nobel, është më provokative në shfaqjen e botës femërore, në një çast botëror, kur ende ka vajza të vogla që shiten si skllave dhe nuk është zgjuar vetëm ndonjë grua si Aurora Dypond, që shkruante romanin e saj skandaloz Lajla, për etjen seksuale të femrës. Sot, më tepër se dje si frut i shekullit XXI është kthyer në tendencë shfaqja e një shpirti të gjerë dhe të paepur femëror, aq sa duket sikur poezia e Safos është rizbuluar edhe një herë. Ndoshta ndonjë grua hyn në garë me poezinë, që shkruajnë burrat, por një burrë nuk besoj ende. Zëri i fuqishëm lind vetvetiu, nuk mund ta kërkosh. Para disa kohësh është ndarë nga jeta një poete angleze shumë e angazhuar në lëvizje sociale, së cilës mund t’i ndjesh këndvështrimin, njësoj si në poezi edhe te vajza e saj, shumë e angazhuar në Amnisty International. Sepse jeta nuk është kaq romantike apo romaneske. Dhe ka gra që mbeten pjesë e betejave njerëzore, për të gjithë. Unë kam pasur fatin të përfshihem në disa antologji të poezive botërore të poeteve femra, shumë prej tyre i njoh edhe nga afër dhe e kam ndjerë këtë vokacion të përbashkët nëpër mijëra e mijëra km të hapura prej Safos. Ana Blendianen e konsideroj një femër të fuqishme, siç është vërtet, simbol i ndryshimeve të periudhës së Çausheskut, por kur e dëgjoj duke lexuar poezitë e saj, më del femra më delikate e botës që synon të deklarojë deri në ritmin poetik se është një grua. Në qoftë se e dimë se e kemi për detyrë të respektojmë veten, pse të mos shfaqemi si gra. Ose ashtu siç jemi, me të gjitha që na ofron jeta. Ka ndodhur që jam bërë mike me poete të tjera, në saje të vargut me dritën e agimit krijuam sytë tanë. Si nga errësira ngrihet dita papritur, etj,etj.. Gjatë një takimi në Breda të Hollandës për promovimin e antologjisë me poete nga e gjithë bota, “Me dhjetë duar” sipas një poezie të Ahmatovës, kam gjetur edhe një pikturë të një piktoreje hollandeze, sipas motiveve të kësaj poezie. Ngandonjëherë ky është edhe një diferencim i domosdoshëm. Poetet e sotme shqiptare, janë të interesuara të zbulojnë veten dhe të shfaqen për të tjerët si një pohim. Ato janë shumë provokative për të shfaqur feminitetin. Ngadonjëherë kjo është një lojë e madhe, si të përfshijmë këtu edhe tekstet e këngëve, ose në mbëshjellje me realitete. Dhe kjo nuk do të thotë ndryshim dialektesh, ose fillime nga e para, si me fishekun në pajë. Ka rëndësi që janë kaq të ndryshme. Por në qoftë se harron realitetin, harron edhe veten dhe në qoftë se harron veten, harron dhe realitetin. Poetët e mëdhenj i kanë bashkuar këto në një.

-Poezia juaj, që në vitet 70-të të shekullit të kaluar po zhvishte kostumin mashkullor dhe po fliste me një gramatikë dhe mënyrë ndryshe shprehjeje. Në të ndjehej një “aromë emancipimi shpirtëror”, e cila ishte shqetësim për sistemin, por një ogur i mirë për lexuesin, që po e ndjente këtë risi poetike.

Ishte ajo kohë, kur “tangoja e dashurisë” luhej siç ka shkruar Ilia Erenburgu, “ Ne si dy ujqër vallëzonim me zinxhirë dhe kësaj ne i thoshim dashuri”.

-Një pyetje më lind vetvetiu. Ata “zinxhirë” u këputën, cilët janë ”zinxhirët e padukshëm”, që u pengohen sot nëpër këmbë vargjeve poetike femërore, frymëzimit të tyre?

Ju shkruani më lart: “ Ndoshta ndonjë grua hyn në garë me poezinë që shkruajnë burrat, por një burrë nuk besoj ende”. Sigurisht, ju, aspak, nuk doni të thoni se gratë të shkruajnë si burrat dhe as burrat të shkruajnë si gratë. E kini fjalën për shkallën e emancipimit të poezisë.

-Jam plotësisht dakord me ju që poetet janë më të avancuara në këtë drejtim. Ju jini një shembull i njëmendtë. Është me shumë interes të dinim se cili është rrugëtimi juaj krijues për të arritur te zbulimi i vetvetes si poete. Nuk e kam fjalën për nivelin artistik dhe forcën e komunikimit me lexuesin. Kjo kërkohet për poeten dhe poetin e vërtetë, pa diskutim. E kam fjalën për strategjinë tuaj krijuese. Po veçoj disa piketa të kësaj strategjie, që m’i sugjeron krijimtaria juaj. Po marr strofën e famshme, “Njëzetqindarka për të folur me ty,/tridhjet qindarka për të ardhur tek ti,/pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri./Sikur miliona të më jepnin/nuk do të kthehesha mbrapsht nga ti…!”; vargjet për “laureshën që këmbehet me gjahtarin” për të arritur “Qytetin femëror”; vargjet nga poezia “Ato që thuhen tani”, “tradhëti të jetës sime,/ju dua si pulëbardhat, që nisen në fluturim”.  Kjo besoj se do të ishte një përvojë e vyer për brezin e ri të poeteve tona?

-Unë kam qenë që mendoja se duhej të kompesohej diku. Dhe unë mesa duket gjeta për t’u shprehur në fletën e bardhë. Kjo mund të ishte edhe si një lloj agresioni i fshehur. Poezia ime e parë e shpallur publike ka qenë për mesuesen time të klasës së parë. Përgjigja për botën vinte nga librat. Sirena e vogël, ishte përralla e mrekullueshme Një mësuese zë ëmbël dhe një sirenë që shpjegon fshehtas dashurinë. Çfarë shartimi! Pastaj vjen rrethi letrar, ku unë ju adhuroja dhe besoj se isha më e reja. Shumë, shumë, shumë më vonë, si gjyshja ime, si vjehrra ime, filluan të këndonin këngë popullore enkas për mua, nga më të rrallat. Por ka qenë shumë vonë, vetëm kur u bindën se unë diç kisha kërryer në letër. Te poezia popullore veçanërisht e trevës korçare, duket sikur nuk ka fare romantizëm. Ka vetëm një vajzë së cilës ibriku, që mban në duar i lag cepin e dollomasë, në vend që të ujisë lulet, pasi ajo është tronditur nga djali që po kalon poshtë ballkonit të shtëpisë së saj. Dhe ka një ballkon prapë se prapë edhe qyteterimi shqiptar, njësoj si te Romeo dhe Zhuljeta. Unë nuk kisha ibrik për të vaditur lulet kur isha studente. Vija një fustan fare mini, nga ato që të shkaktonin telashet më të rënda, që e mbaja vetëm në shtepinë e një mentoreje të dashur, më të madhe se unë që më kishte treguar e para poezitë e Dantes, veçanërisht këngën e dashurisë të Franceska Riminit. Vërtet kisha shumë pak pare në duar, madje më pak se ata që kishin bursë. Kisha vërtet vetëm 50 qindarka për të bërë dashuri, siç thoshte një varg i kësaj poezije që u redaktua. Dhe dashuria ime bëhej shumë tokësore. Ndoshta ishim si për të ardhur keq për veten, ndoshta ishim njerëzit më të parëndësishëm të kësaj bote. Ndoshta edhe gjynaqare, po ta mendosh. Por ama, ndryshe nga gjendjet romantike këto vargje vinin si një kundërpërgjigje, për të gjithë ato që ishin thënë për dashurinë gati si në një gjendje të paprovuar, si më dukej mua. Aq sa edhe te libri im “Kundërpërfytyrimi”, i hapave në një shekull tjetër vazhdon po ajo vijëzë e hollë e një mospranimi të fshehur ku vërtet një laureshë në fluturim mund të këmbehet vazhdimisht me gjahtarin. Në mënyrë ekstreme mund të them se gruaja ka qenë e pushtuar prej burrit. Por ja që ka qenë edhe Sheherezada. Pa le sikur t’i gjenin tradhëtitë e Maria Antuanetës.

 

Edhe të vetët do t’ia prisnin kokën njëlloj si revolucioni. Dara ishte po një. Megjithatë, për t’iu kthyer vetes, që përmban edhe lumturinë brenda, edhe kur nuk e di, jeta e çdo gruaje, ka pasuri të mëdha impresionesh, të cilat përbëjnë hapat e saj të kthesave dhe të ndryshimeve. Por ama edhe ajo që ka ikur, është e jotja, edhe nëse e ke mohuar apo lënë prapa. Ajo egziston edhe pse ka ikur. Dhe primare dhe mbi të gjitha bëhet dashuria për jetën. Dhe dashuria për jetën nuk është thjesht biologjike. Thuhet shumë se burri është kultura dhe gruaja natyra. Përsëritet kjo në rryma të fuqishme filozofike. Mund të jetë, kështu. duke u nisur nga fakte reale. Ka edhe poetë shqiptarë (e kam fjalën për burra të vërtetë) që këtë e vërtetojnë me kenaqësi të madhe, por nuk mund ta besoj që mund ta pranojnë poetet e sotme. Si ilustrim tjetër përveç poeteve, mund të përmend dhjetra shkencëtare që përditë me plot passion dhe durim punojnë veçanërisht në fusha të gjenetikës, deri në kërkimet për Covid 2. Dashuria për jetën nuk mund të egzistojë në ndasi të sotme kulturë-natyrë.

-Shekulli ynë po i sfidon kriteret e Bukurisë dhe të Dashurisë. Banalja po shndërrohet në estetike, sepse bashkëkohësia ka parasysh të gjitha elementet e realitetit të sotëm. Është koha e paradoksalizmit. Njeriu jeton një jetë të dyfishtë në shoqëri: zyrtarja, e krijuar nga sistemi politik dhe tjetra, realja.Vëllimi juaj “Kundërpërfytyrimi” është një bashkëbisedim me lexuesin për këto probleme shoqërore shqetësuese. Kundërpërfytyrimi, si proces psiqik dhe si përfytyrim poetik, krijon një realitet të ëndërruar, të cilit i beson logjika poetike, po jo logjika e relitetit. Kujt, mendoni ju se po u bën thirrje koha: “poezisë romantike” a “poezisë së luleve të së keqes”, apo të dyjave njëkohësisht ?!

-Të dyja, për mendimin tim edhe ” poezia romantike” edhe “poezitë e luleve të së keqes” bazohen te triumfi njerëzor, që shndrohet për ditë, ose luan me vetveten. Poezia sa shfaq, aq edhe kontrollon me emocionet e saj që janë të ndryshme. Në momente dëshpëruese ke nevojë edhe për një forcë romantike. Oborret perandorake kineze, kanë qenë të mbushura me poetë. Kur kam vizituar në Kinë “Qytetin e ndaluar ” të perandorëve kam zbuluar se vetëm gjatë një dinastije ka pasur 26000 poetë. Edhe se fjala krim nuk ka pasur domethënien e sotme, perandorët, kanë dashur të mbushen rreth e rrotull me lule, dhe ka qenë fat kur kanë kuptuar, se një lule nga më të bukurat është ndjeshmnëria dhe përgjegjësia më e lartë njerëzore, që sjell kryevepra. Me këtë rast më pëlqen të kujtoj një poet të poezisë tradicionale tajlandeze që Unesko e ka përfshirë në trashëgiminë botërore, i cili brenda një dinastije gjatë ndrimit të kurorës së pushtetit baba bir, një herë u burgos dhe një herë gjeti përsëri lirinë. Gjë që më kujton situatën pas mbi 1000 vjetësh edhe në realitetin shqiptar, që në Shqipëri. përkon me gjysmën e dytë të shekullit XX. Romantizmi sjell një etapë të re ndërgjegjësuese të çirimit njerëzor, deri në atë masë sa e bën njeriun edhe një vetmitar, por të lirë. Këtë “armë” lirije e rrëmbejnë edhe poetët “enfent terrible”, ose “maudi”. Te ne ndoshta kështu mund të arrijmë të përcaktojmë edhe Migjenin. Por realiteti poetik nuk mund të jetë realiteti i prozës, ndonëse poezia është ndikuar edhe prej saj, si edhe prej arteve të tjera, të cilat i ka lindur vetë. Në Tajlandë kam hasur në një ekspozitë të një skulptori japonez, emri i të cilit nuk po më bie ndërmend, i cili si kredo shpallte krijimin e arritur nëpërmjet gërryerrjes, përderi sa ashtu i krijonte figurat njerëzore edhe ai si skulptor. Dhe natyrisht ai mbështetej në një shkollë që kapërxen deri te jeta njerëzore, ose dekadenca e saj. Gjithë këto rryma janë sot përvoja të së djeshmes. Në këto valë dhe tallaze jemi me fat që sot secili krijon një ëndërr të vetën. Sigurisht ose fatkeqësisht asnjeri sot nuk beson në heronj. Madje duket sikur poetë heronj nuk do të ketë më. Por njëkohësisht nuk mund të ketë asnjë përgjigje përgjithësuese për atë ç’ka na ofron letërsia ose poezia, e cila ka pasur edhe rrezikun për të folur në formë përgjithësimesh, veçanërisht te ne. Shfaqja e njeriut, nëpërmjet botës shpirtërore, do të vazhdojë ta kthejë atë prapë se prapë në një hero të kohës së vet. Me këtë rast dëshiroj të them se më ka lënë mbresa të veçanta “Një hero i kohës sonë” i Lermontovit, që në rininë time. Por nuk pretendoj të bëj percaktime të sakta. Poezitë e librit “Kundërpërfytyrimi” mjaft voluminoz  janë një prodhim artistik dhjetëvjeçar. Shpresoj se kam thënë diçka prej vetes si shenjë e një qytetërimi të sotëm në një pikë të botës, por të pasur me çaste të pafundme. Tani jam në një moshë që e kuptoj më mirë edhe Aristotelin. Ajo që më gëzon paradoksalisht, është se bota filloi të citojë nga pjesa femërore vetëm kur kuptoi fatkeqësitë më tragjike të saj, si në rastin e Ahmatovës, dhe të një tragjizmi të tërë ose Ana Frank dhe një tragjizmi të tërë. Fatmirësisht kemi hyrë në shekullin e botës femërore edhe pse “ajo”, po vjen duke u ngushtuar.