Një oligark i ri shfaqet në horizont. SPAK të hetojë, Gaçe nga pronar i një dyqani leckash në investitor strategjik

373
Sigal

 Një vjedhje e re është ligjëruar pak ditë më parë, kur Artan Gaçes dhe mafies që fshihet pas tij, iu dha e drejta të fusë nën sqetull një sipërfaqe të madhe toke ne Himarë, nën pretekstin se do të investojë në turizëm. Ligji i famshëm i investitorëve strategjik doli sërish  sipërfaqe.

Por le ta shohim pak më thellë këtë punë. Nga na doli ky Artan Gaçe kaq i fuqishëm sa të njihet si investitor strategjik me mbi 5 milion euro, kur bizneset e vetme të ligjshme që ka pasur kanë qenë një dyqan rrobash dhe një restorant. Ka edhe disa prona nëpër Tiranë, Tani i Firences, por ato i ka në bashkëpronësi dhe në botën e biznesit nuk është shquar ndonjëherë si pasunar apo investitor me mend.

Pse kaq papritur, pasi gruaja e tij e ligjshme, Olta Xhaçka, bëri kërdinë në pronat e ushtrisë, na del në skenë Artan Gaçe?

Për ti shkuar thellë kësaj masakre të re, të paralajmëruar në pronat e bregdetit duhet të kujtojmë se seancën e fundit të vitit, parlamenti miratoi pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës, një zgjatje të re afati për zbatimin e ligjit për “investimeve strategjike deri në vitin 2023”. Çudia ishte se propozimi nuk erdhi nga ministri i linjës, që do të thotë se nuk ishte një analizë e qeverisë për të shtuar të ardhurat, por nga një deputet, një tjetër i dyshimtë në llojin e vet, Arben Pëllumbi.

Pra, edhe një herë tjetër iu hap rruga vjedhjes së pronës. Investime strategjike quhen ato me mbi 5 milion euro investime, dhe deri tani këto në Shqipëri nuk kanë funksionuar sepse prona është ende një çështje e pazgjidhur. Me një Artan Lame në krye të Kadastrës që i bën hartat sipas qejfit dhe një tufë mafiozësh rreth Kryeministrit, pronat janë katandisur ato që janë sot.

Pikërisht në këtë moment doli në skenë Artan Gaçe.

Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli i Ministrave shpalli  vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Himarë për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, kjo kompani figuron në pronësi të shtetases amerikane, Tawni Lin Grzych-Sutton.

Por këtu nis poshtërsia ‘alla shqiptare’. Duke u fsheh nën emrin e një amerikaneje,  të gjetur kush e di se ku, Artan Gaçe mendoi se u fsheh. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kjo kompani është themeluar tre muaj pas vendimit për shpalljen e investitorit strategjik, që ndryshe nga sa sugjeron vendimi i Këshillit të Ministrave, është kompania me emër të ngjashëm, AG.TTC Sh.p.k – në pronësi 100% te ish-deputetit socialist dhe bashkëshortit të ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

E çfarë duhet më shumë që drejtësia të vihet në lëvizje?

Ja ku del një tjetër aferë, ashiqare e paligjshme që do ti zgrapë pronarëve të ligjshëm të bregdetit edhe qindra hektarë të tjerë për t’ia dhënë me ligj, për 30 vjet, Artan Gaçit dhe mafies që fshihet pas tij.

Po nga mbiu ky njeri që sot i thotë vetes “investitor strategjik”?

Ku i gjeti paratë Artan Gaçe që të gjithë e njohin vetëm si Tani i Firences (emri i dyqanit të tij të rrobave) që më vonë u bë hotel i administruar nga ish-bashkëshortja e Gaçes?

Pse nuk del të japë llogari Artani për këtë kompaninë e themeluar para 6 muajsh që sot do tu shitet shqiptarëve si “kompani me eksperiencë strategjike”?

Pse nuk del Artani të tregojë “mallin” që ka futur në Shqipëri këto vite, ndërkohë që gruaja e tij e dytë bënte kërdinë me pronat e ushtrisë në bregdet?

A do ta lejojë SPAK edhe këtë krim të paralajmëruar të kryhet së shpejti?

Edhe në vijim të shkruajmë për këtë aferë e sidomos të tregojë profilin e vërtetë të një njeriu që quhet Artan Gaçe dhe që bëmat në Tiranë i ka fort të njohura.Pamflet