Një ekonomi e kanabizuar nuk mund të ketë rritje të qëndrueshme

307
Sigal

Prof.Dr. Alqi Naqellari/ Ekonomia shqiptare që të marrë frymë lirisht duhet të zhvillojë sektorët e energjisë, nxjerrjes dhe përpunimit të karburanteve, mineraleve, bujqësisë dhe të heqë dorë njëherë e mirë nga kanabisi dhe i ashtuquajturi “turizëm” që po e gryen çdo ditë. Të heqë dorë nga marrëzia e Ballkanit të Hapur, i cili nuk është gjë tjetër vetëm një rrugë për nënshtrimin e faktorit shqiptar në Ballkan

Shqipëria tashmë, sipas të gjitha përcaktimeve nga institucione financiare botërore dhe nga DASH-i SHBA-ve përcaktohet si një vend jo vetëm tranzit i drogës, por edhe si një vend prodhues dhe eksportues i kanabisit. Shumë njerëz mendojnë se lejimi i kultivimit të kanabisit mjekësor do bëjë që ekonomia shqiptare të pësojë një rritje të dukëshme ekonomike, rritje të normës të punëzënies dhe rënie të çmimeve. Kjo është aq e prekëshme sa edhe vetë qeveria në të ashtuquajturin “Këshillim Kombëtar” në pyetjen 6 thekson: “Ka njerëz, që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye të përdorimit vetjak. Të tjerë thonë se kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju? Për këtë këshillim unë kam rezervat e mija, sepse është një krijim jo profesional, për probleme që nuk janë thelbësore, pa identitet dhe me përgjigje të paracaktuara.

Mendimi i popullit merret për çështje, për probleme me rëndësi të veçantë, me rëndësi kombëtare, me referendum, jo me “vijë masash”, me këshillim kombëtar dhe nuk merret me problem, që mund t’ju japin përgjigje vetëm specialistët e fushës. Nuk mund të japin mendime “ca njerëz”, që nuk kanë asnjë lloj njohurie, për problemet që shtrohen në këtë pyetësor.

Mendimi im personal është të mos legalizohet, sepse në Shqipëri nuk ekziston shtet i së drejtës dhe demokracia funksionale. Në Shqipëri ekziston vetëm shteti ligjor që ka egzistuar edhe në regjimin e Hitlerit apo të Stalinit. Këto veprime ndaj drogës, ndaj PPP, ndaj koncensioneve bëhen vetëm në ato shtete që kanë demokraci funksionale ndryshe ekonomia ka pasoja tërësisht negative. Më poshtë do t’ju jap përgjigje disa pyetjeve që i bën çdokush. Për hartimin e këtij shkrimi janë shfrytëzuar të dhëna dhe konkluzione nga vendet ku kultivohet drogë si dhe nga agjensitë ligjzbatuese për parandalimin e pastrimit të parave.

            Ekonomia shqiptare që të marrë frymë lirisht duhet të zhvillojë sektorin e energjisë, nxjerrjes dhe përpunimit të karburanteve, mineraleve, riorganizimin e bujqësisë dhe të heqë dorë njëherë e mirë nga i ashtuquajturi “turizëm” që po e gryen çdo ditë. Të heqë dorë nga marrëzia e Ballkanit të Hapur, i cili nuk është gjë tjetër vetëm një rrugë për zbehjen dhe nënshtrimin e faktorit shqiptar në Ballkan.

  1. a) A ndikon pozitivisht lejimi i kultivimit të drogës në ekonominë e një vendi? Shpjegimi më i qartë për korrelacionin negativ midis prodhimit të paligjshëm të drogës dhe zhvillimit ekonomik është se angazhimi në kultivimin e paligjshëm të kulturave bujqësore ka qenë, në shumë pjesë të botës, një reagim ndaj përkeqësimit të kushteve ekonomike.

(i) Drogat e paligjshme ofrojnë përfitime afatshkurtra, por humbje të mëdha për periudha afatgjata;

(ii) Në vendet me papunësi të lartë, prodhimi dhe trafikimi i paligjshëm i drogës ofron mundësi të konsiderueshme punësimi, por rrezikon zhvillimin e njëanshëm dhe zhvlerësimin e kapitalit njerëzor;

(iii) Në përgjithësi ka një korrelacion negativ midis prodhimit të paligjshëm të drogës dhe rritjes ekonomike të një vendi;

(iv) Prodhimi i paligjshëm i drogës dhe aktivitetet ekonomike të lidhura me to, rrezikojnë zhvillimin afatgjatë ekonomik për shkak të efekteve të tyre destabilizuese mbi shtetin, ekonominë dhe shoqërinë civile.

Faktorët kryesor të riskut lidhen me:

– Rënien ekonomike;

– Rritjen e transaksioneve me para në dorë;

– Përdorimin e aseteve virtuale;

– Tregëtimin mbi bazën e informacionit të brëndshëm (insider trading), etj.

 

  1. b) Cilat janë treguesit e aktiviteteve të dyshimta?
  • Investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh; Në Shqipëri kemi investimet në sektorin e ndërtimit, i cili në vitet e fundit ka shifrat më të larta të të gjitha kohrave. Në vitin 2019 në PBB zinte 10%.
  • Investime në mallra luksi nga persona, të cilat nuk justifikojnë burimin e fondeve apo persona me precedentë penalë; Sipas INSTAT në 2020 shqiptarët kanë rritur me 21% shpenzimet për bizhuteri.
  • Transferta të dyshimta (në mbërritje apo në dalje edhe në tentativë) me përfshirje të subjekteve/ shtetasve të huaj dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës;
  • Sponsorizime/ dhurime/ dhënie huaje nga/ për të tretë pa u konstatuar lidhje të mundshme mes palëve;
  • Transaksione të pazakonta krahasimisht me profilin financiar të personit/subjektit;
  • Mashtrime të formave të ndryshme;
  • Transaksione financiare të kryera nga persona me precedentë të mëparshëm penalë apo persona të lidhur me ata me precedentë;
  • Transferta të dyshimta me vende të konsideruara me risk;
  • Ndërmjetësime të dyshimta në transaksione nga profesionistë të lirë për përftime të dyshuara pjesërisht si të paligjshme,
  • Transferta të mëdha vlerash (brenda dhe jashtë vendit) midis personave juridik të pa mbështetura me dokumentacion;”. (Raporti Vjetor 2020. DPPPP dhe AFIU)
  1. c) A ka ekonomia shqiptare tregues që tregojnë se është një ekonomi informale?

Po, ka disa, por ne do përmendim një pjesë prej tyre:

  1. Para jashtë banke, depozita pa afat dhe llogari rjedhëse.

Paratë që qarkullojnë jashtë bankave tregojnë për shkallën e informalitetit të një ekonomie. Po kështu edhe depozitat pa afat dhe llogaria korente. Në Shqipëri ky tregues për këto vite është dyfishuar, nga 651 mld që ka qenë në 2010 në 2021 ka qenë 1328 mld ose është rritur me 204%.

Dinamika e Llogarive rrjedhëse depozitave pa afat dhe parave jashtë bankave në All.

 

Llogari rrjedhëse dhe depozita pa afat nga 2010 në 2021 në lekë janë rritur 388%, paratë jashtë banke me 184.5%. Llogaria rrjedhëse dhe depozitat pa afat në valutë nga 2010 në 2021 janë rritur me 5 herë, pra valuta qarkullon më shumë pa afat, ndërsa qarkullon jashtë banke askush nuk e di, por nëse marrim raportin e dy treguesve në lekë mund të themi se jashtë banke mund të jetë rritur me 230%.

  1. Depozita me afat në lekë dhe valutë.

Depozitat e kursimit janë një nga treguesit kryesorë të një ekonomie, sepse tregojnë për mundësinë e kreditimit të ekonomisë

Burimi. INSTAT

Të dhënat tregojnë se depozitat e kursimit në Shqipëri me afat në lekë dhe valutë që nga viti 2010 kanë ardhur në rënie. Në vitin 2021 depozitat në lekë me afat kanë qenë sa 66% e depozitave në 2010. Depozitat në valutë në 2021 kanë qenë sa 75.3% e depozitave të 2010. Rritja e depozitave është e lidhur drejtpërsëdrejti me rritjen e kredive në banka për biznesin dhe për individët. Depozitat me afat janë burimi  i parë i rritjes të këtyre kredive që shkojnë për ekonominë. Ulja e tyre tregon se bizneset dhe individët gjejnë burime të tjera financimi jo bankare. Në këtë mënyrë ato përdorin paratë informale të krijuara brenda vendit apo jashtë tij kur bëhet fjalë për përdorimin e valutës.

  1. Kursi këmbimit.

Shumë njerëz mendojnë se leku i mbiçmuar tregon për një ekonomi të fortë. Në fakt nuk është kështu. Në kushtet e ekonomisë shqiptare është e kundërta.

Cilat janë disa nga pasojat negative të forcimit të lekut ndaj euros?

= Godasin drejtpërdrejtë fuqinë konkuruese të vendit për investime prodhuese. Në Shqipëri investimet janë përqëndruar në aeroporte, “turizëm” dhe infrastrukturë jo të nevojëshme para investimeve prodhuese.

= Ndihmojnë lobet importuese në dëm të prodhimit vendas.

= Prekin ndjeshëm deri në falimentim kompanitë e prodhuesve shqiptarë, veçanërisht ato të eksportit.

= Zhvlerësojnë kursimet e shqiptarëve në euro që i sigurojnë nga emigrantët dhe refugjatët në vendet e tjera.

Vendet me kurse fleksibile të monedhës, siç është rasti i Shqipërisë, e shohin veten të ballafaquar me kurset e mbivlerësuara të këmbimit, shpesh të detyruara të kenë deficite të mëdha tregtare të ligjshme dhe të detyruara të heqin dorë nga mundësia e zhvillimit të industrive alternative fitimprurëse të eksportit. Kjo situatë rrit gradualisht varësinë e qeverive nga eksportet e paligjshme të drogës. (“Sëmundja holandeze” e diktuar nga zbulimet e rezervave të karburanteve). Për këtë fenomen A.Greenspan ka theksuar në Epoka e Trazirave: “Sëmundja holandeze”  godet atëhere kur kërkesa nga jashtë për eksport ngre tej mase kursin e monedhës së vendit eksportues. Kjo ngritje e kursit të monedhës vendase i bën më pak konkuruese produktet e tjera të vendit eksportues”. Analistët i referohen shpesh këtij faktori për të shpjeguar pse vendet relativisht të varfëra në burime energjitike, si Hong Kongu, Japonia dhe Europa Perëndimore kanë lulëzuar nga ana ekonomike, por jo vende të pasura me naftë si Nigeria e tjera”(298).

Mendimi im personal është të mos legalizohet, sepse në Shqipëri nuk ekziston shteti i së drejtës dhe demokracia funksionale. Në Shqipëri ekziston vetëm shteti ligjor, që ka egzistuar edhe në regjimin e Hitlerit apo të Stalinit. Këto veprime ndaj drogës, ndaj PPP, ndaj koncensioneve bëhen vetëm në ato shtete që kanë demokraci funksionale

“Përveç shkatërimit të vlerës së monedhës vendase, pasuritë natyrore kanë shpesh dhe pasoja paralizuese për shoqërinë. Me sa duket mirëqënia e fituar me lehtësi sjell uljen e produktivitetit…. Çfarë pasojash politike ka? … “ një klikë në pushtet mund të përdorë një pjesë të të ardhurave shtetërore për të vënë në gjumë popullsinë dhe për ta larguar nga çdo përpjekje kundër rregjimit”(298).

Forcimi i pa drejtë i lekut shqiptar i mbimbrojtur nga BQ ka shqetësuar shoqatën e eksportuesve dhe konfindustrinë. Ja si shprehet A, Zusi: … “Së pari, rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lekë. Mbivlerësimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet tona. Të ardhurat e ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë. Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9 për qind nga vitit 2018 do të thotë një zhvlerësim i njëjtë i faturimeve, të ardhurave të kompanive tona. Fitimi mesatar i ndërmarrjeve eksportuese është rreth 15 për qind, që do të thotë rënia e të ardhurave në masën e dy të tretave më pak për efekt të kursit të këmbimit”. Më tej në SI më 14.8.2019, perfaqësuesi i konfindustrisë thekson: “Mungesa e plotë e analizës institucionale të shkaqeve e pasojave në ekonomi, mosveprimet dhe/ose politikat e gabuara të Bankës së Shqipërisë në problematikat e zhvleftësimit të thellë të euros, në mjaft raste cënojnë pavarësinë e siguruar me ligj të institucionit, duke ndihmuar ekzekutivin dhe /ose grupe të caktuara importuesish dhe operatorësh të tregut, në kundërshtim me interesin publik afatgjatë”. Të gjithë eksportuesit dhe prodhuesit vendas janë të pakënaqur nga mbajtja e mbiçmuar e lekut, sepse frenon eksportet, nxit importet, rrit deficitin tregëtar, frenon rritjen ekonomike dhe biznesin vendas. Ata i janë drejtuar qeverisë dhe Bankës Qendrore por të dyja heshtin. Ja si shprehet Guvernatori BE-së në gusht 2019. “… ne jemi në pikun e sezonit, zhvlerësimi i euros është si rezultat i sezonit. BSH ka një program ndërhyrjeje në fuqi, ne monitorojmë në bazë ditore tregun për të parë luhatjet. Sjellja e kursit të këmbimit ka sjellje normale. Nuk ka cënim të objektivit tonë të inflacionit si rezultat. Prandaj ne nuk po ndërhyjmë”. “Kush fiton e humb nga mbiçmimi i lehtë i kursit të këmbimit, kjo është tjetër gjë”. Pra, BQ me mendimet dhe veprimet e saj është kundër mendimeve të përfaqësuesve të eksportuesve dhe konfindustrisë. Në vend që ajo t’i mbështesë, ka dalë publikisht kundër tyre. Në rastin e Bolivisë, për shembull, kursi i mbivlerësuar i këmbimit që rezulton nga fluksi i dollarëve i gjeneruar nga trafiku i drogës pengoi zhvillimin e industrive lokale të lëkurës dhe tekstilit përballë importeve të lira nga jashtë.

Një formë tjetër e grumbullimit të valutës është rezultat i një kursi këmbimi të mbivlerësuar, pasojë e një hyrjeje fitimesh të paligjshme në një vend. Eksportet legjitime janë të bllokuara sistematikisht nga eksportet e paligjshme të drogës.

Kursi këmbimit të All/Euro 2008-2021

Burimi. INSTAT

Burimi. Të dhënat INSTAT. Përpunimi autori.

Të dhënat tregojnë se nga viti 2013 kursi këmbimit të lekut me euro ka ardhur në mbiçmimin e lekut shqiptar. Ky mbiçmim nuk përkon me rritjen e eksporteve, me përmirësimin e Bilancit tregëtar, por me faktorë të tjerë që më së shumti janë informal. Këtë e tregojnë diferencat midis prurjeve dhe daljeve të valutës. Kursi këmbimit ka ndikim të fortë në zërin e eksport importeve. Nga analiza e koeficientit të korelacionit për vitet 2008-2012 dhe 213-2020 kemi këtë rezultat:

Koeficientët e korelacionit

2008-2012 Eksporte Importe Lek/Euro
Eksporte 1
Importe -0.82594 1
Lek/Euro 0.918106 -0.91472 1

Koeficientët e korelacionit

2013-2020 Eksporte Importe Lek/Euro
Eksporte 1
Importe -0.043 1
Lek/Euro 0.28452 0.901446 1

Burimi. Llogaritje të autorit.

Të dhënat tregojnë se për vitet 2008-2012 lidhja midis treguesit të eksportit me kursin e këmbimit All/Euro ka qenë e konsiderueshme me 0.918, po kështu i konsiderueshëm ka qenë edhe lidhja me importet, por në krahë të kundërt me -0.914. Kjo do thotë që për rritjen e eksporteve ka ndikuar negativisht, ndërsa për rritjen e importeve ka ndikuar pozitivisht. Për vitet 2013-2020 nuk ka pasur ndonjë ndikim në eksporte, por ka pasur në importe.

Përfundimisht të gjithë treguesit, që ekspozuam për ekonominë shqiptare janë tregues, që flasin për një ekonomi të kanabizuar dhe pa qëndrueshmëri në rritjen ekonomike.