Ujë të pastër, ushqim të sigurt dhe roje bregliqenore për pushuesit

653
Sigal

Prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari

Puna për mikpritjen e vizitorëve dhe turistëve që i kalojnë pushimet në liqenin e Pogradecit është në përfundim e sipër. Aktualisht parapërgatitjeve po u jepet dora e fundit. Pritet që mbarëvajtja e këtij sezoni të jetë e plotë. Gjithçka do të jetë shumë më mirë në krahasim me një vit më parë. Sipas prefektit të Korçës, Dhori Spirollari, “gjatë këtij viti pushuesit do të gjejnë ujë të pastër, siguri ushqimore, normalitet, roje bregliqenore, ambiente të pastra, kushte të mira etj. Pastërtia e ujit po mbahet nën kujdesin e Drejtorisë së Shëndetit Publik Pogradec. Çdo muaj analizohen mostra uji të marra në pika të caktuara të liqenit. Edhe atje ku ka pasur probleme po merren masa. Tashmë Pogradeci, ka persona të trajnuar për shpëtimin e jetës së njerëzve që rrezikojnë mbytjen në ujërat e liqenit. Trajnimi i tyre u bë i mundur fal fondeve të përfituara për këtë qëllim, nga Bashkimi Evropian. Në gjithë gjatësinë e bregliqenit nga Lini në Tushemisht kërkohet operimi i 20 -23 rojeve bregliqenore. Mungesa e rojeve gjatë viteve të mëparshme, kishte qenë shqetësim i përhershëm i pushuesve. Por jo vetëm kaq, mund të kesh një plazh shumë të bukur, me të gjitha kushtet, por nëse nuk ke të siguruar jetën e pushuesit, nuk ke mundur të bësh asgjë, ndaj synimi ynë ka qenë që gjithçka të jetë në shërbim të sigurisë së jetës së vizitorëve dhe turistëve. Ligji e përcakton qartë, çdo subjekt – menaxhues plazhi, duhet të ketë një person të licencuar për sigurinë në ujë. Deri më tani nuk kishim persona të kualifikuar, por tani i kemi, askush prej subjekteve nuk mund të justifikohet. Pra, gjithçka është shumë më ndryshe në të gjitha aspektet; ambientet janë të pastra dhe të këndshme.

Bagëtitë jashtë zonave turistike

“Përparime kemi bërë edhe në largimin e bagëtive nga fshatrat turistikë duke i vendosur ato jashtë qendrave të banimit, vijoi më tej prefekti Spirollari. Sigurisht, arritjet nuk janë ato që do të dëshironim, por i vlerësueshëm mbetet fakti që vetë banorët e këtyre fshatrave po e kuptojnë se turizmi dhe bagëtitë nuk mund të shkojnë bashkë. Për t’ia arritur këtij synimi kërkohet që edhe bashkitë të japin ndihmesën e vet, t’u krijojnë kushte banorëve që ata të kenë mundësi t’i lëvizin bagëtitë jashtë fshatit, sepse pa një mbështetje ata e kanë të vështirë të kryejnë një gjë të tillë. Të gjitha këto probleme dhe shqetësime dolën gjatë takimeve dhe bisedave që kemi pasur me ta. Një pjesë e banorëve, edhe pse jetojnë buzë liqenit, të ardhurat për familjen i sigurojnë ose me bujqësi ose me blegtori, por me futjen e turizmit edhe në këto fshatra, edhe bujqësia edhe blegtoria bëhen më të suksesshme; rrisin të ardhurat për familjet e tyre. Megjithatë, një pjesë e banorëve të fshatrave turistike iu përgjigjën pozitivisht kërkesës tonë; edhe të tjerët e dëshirojnë një gjë të tillë. Ne do të vijojmë me realizimin e këtij qëllimi. Nuk mund të mbahen bagëti në brendësi të fshatit. Rezultate të mira arritëm me banorët e fshatit turistik të Voskopojës. Falë përpjekjeve tona, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera bëmë të mundur që ky vit të jetë më mbresëlënës. Sezoni veror pritet të çelet në muajin qershor. Gjithçka do të jetë më bukur dhe më mirë.

 

Siguria e pushuesve

“Arritje konsiderojmë edhe sigurimin e jetës së pushuesit, tha Spirollari. Gjatë sezonit veror do të jetë në funksion një strukturë përkatëse, e cila do të mbulojë këto problematika të evidentuara vite më parë. Tashmë është detyrim ligjor, është një kusht që duhet ta përmbushin, subjektet private, pasi në rast të kundërt Bashkia, Njësia e Qeverisjes Vendore apo Inspektorati përkatës i Turizmit do të marrin masa konkrete administrative, kundrejt atyre që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara”, tha prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari.