Julinda Dhame falënderon qytetarët për mbështetjen: 3,789 vota shprese për një model të ri përfaqësimi në politikë

Kandidatja e Partisë Socialiste në Tiranë, Julinda Dhame pas marrjes së 3,789 votave personale në Tiranë, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Kamzë, shprehu falënderimet e saj me mirënjohje dhe përulësi ndaj qytetarëve që e mbështetën.

Sipas saj kjo ishte në një fushatë e qetë, e ndershme dhe vullnetare.

NOA

Ajo vlerësoi kontributin e diasporës, aktivistëve dhe kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, duke e cilësuar këtë si fillimin e një rruge të re në politikë, me përgjegjësi dhe përkushtim për qytetarët.

 

Postimi i plotë :

Faleminderit nga zemra secilit prej 3,789 qytetarëve të Tiranës dhe rrethinave — Vorës, Kavajës, Rrogozhinës dhe Kamzës — që më besuan me një votë krejtësisht personale: votë besimi, miqësie, respekti, mirënjohjeje dhe shprese për një model të ri përfaqësimi në politikë. Ndihem thellësisht e përulur dhe krenare për këtë valë mbështetjeje dhe dashurie, që sinqerisht nuk e prisja në këto përmasa.
Bëmë një fushatë të qetë, qytetare, transparente dhe vullnetare. Me shumë zemër e besim, jo për përfitime personale, por për të mirën e përbashkët. Zgjuam votën e fjetur të atyre që kishin humbur besimin, përfshi edhe socialistë e demokratë të zhgënjyer. Maksimizuam çdo votë nga çdo komunitet e shtresë shoqërore në Tiranë. Edhe për këtë jam krenare.
Faleminderit me përulësi çdo shqiptari të diasporës që më mbështeti edhe pa më njohur nga afër, vetëm duke ndarë me mua besimin tek vlerat dhe qëllimet tona të përbashkëta.
Faleminderit grupit të mrekullueshëm të djemve dhe vajzave aktiviste që u bashkuan në këtë fushatë. Më ndihmuan me përkushtim, më dhanë forcë me energjinë e tyre dhe më frymëzuan me besimin tek unë dhe Partia Socialiste.
Faleminderit Kryetarit të Partisë Socialiste, Kryeministrit Edi Rama, që më dha mundësinë dhe besimin për të qenë pjesë e kandidatëve të PS. Shpresoj ta kem merituar dhe shpërblyer këtë besim.
E nisa këtë garë si çdo angazhim në jetën time: me vrull, përkushtim dhe besim se çdo gjë e nisur duhet çuar deri në fund. Gjatë këtij sprinti 40-ditor, takova pafund njerëz që më hapën zemrat dhe më mësuan shumë — nga bisedat, idetë, sfidat e tyre. Sot ndihem më e vetëdijshme dhe e angazhuar për të mos ndalur kurrë së punuari për një jetë më të mirë për çdo qytetar të Tiranës.
Ky është vetëm fillimi i një rruge të re në politikë për mua — me përgjegjësi dhe vullnet për të dhënë kontributin që kam premtuar: të bëj atë që them dhe të them atë që bëj.
Ju dua shumë të gjithëve!