Banorët e fshatrave: Mungesa e rrugës lë djemtë pa martuar

613
Sigal

Moglica: Zihemi me gratë, se na mbetën makinat serviseve

 

Banorët e Lubonjës: Nuk na vijnë nuset, sepse nuk kemi rrugë

 

Amortizimi i plotë prej vitesh i dy rrugëve; njëra që lidh Lubonjën, Rehovën dhe Roshanjin me Korçën dhe, tjetra që lidh Moglicën dhe Lozhanin me këtë qytet, kanë sjellë probleme dhe shqetësime të shumta sociale edhe në familjet e tyre, pasi, edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga ndërrimi i sistemit, rrugët e dy zonave të përmendura më sipër janë edhe më të përkeqësuara nga koha e shkuar. Lubonjarët përveç problematikave të tjera, vunë në dukje faktin se për shkak të mungesës së rrugës, po u mbeten djemtë pamartuar: “Nuset nuk na vijnë, thonë ata, sepse nuk kemi rrugë!” Shqetësimet e banorëve të zonës u bënë të ditura, ditën e mërkurë, gjatë një proteste me kërkesën për ndërtimin e rrugës që lidh qytetin e Korçës me fshatrat e përmendura më sipër.. Ndërkohë, e njëjta problematikë vjen edhe nga zona e Moglicës dhe Lozhanit, të cilët prej disa vitesh qarkullojnë në një aks rrugor tejet të amortizuar dhe të rrezikshëm për jetën. Për shkak të kësaj rruge, shprehen ata, po na shkatërrohen automjetet, pasi mbetëm duke blerë gomina dhe amortizatorë. “Zihemi me gratë sepse mbetem çdo ditë nëpër servise”.

Banorët e Lubonjës, Rehovës dhe Roshanjit

Banorët e Lubonjës, Rehovës dhe Roshanjit, gjatë protestës së tyre bllokuan rrugën për të mos lejuar kalimin e mjeteve të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP), pasi kjo e fundit u ka dëmtuar rrugën prej 10 kilometrash, përfshi këtu edhe pjesën e asfaluar kohë më parë. Sipas banorëve, TAP ka detyrimin t’u ndërtojë rrugën pasi kjo gjë është sanksionuar në kontratën mes tyre dhe, veç kësaj, thonë banorët, kompania shfrytëzoi malet tona dhe pasuritë tona, ndërsa tani, pas dy muajve do të largohet pa përmbushur detyrimet. Për këtë arsye ne nuk do të lejojmë kalimin e mjeteve të saj deri sa kjo çështje të gjejë zgjidhje. Kurse njëri prej protestuesve tha: “Kemi dy vite që mashtrohemi nga TAP. Shteti nuk ka bërë asnjë gjë. Jetojmë si në mesjetë, jemi shumë të varfër. Në raste sëmundjesh dhe kur fëmijët shkojnë në shkollë duhet ta paguajmë automjetin 30 mijë lekë që të shkojnë në Korçë. Nuk e përballojmë dot. Do flemë në rrugë dhe nuk do t’i ndalim protestat deri sa të plotësohet kërkesa jonë. Jemi 600 banorë që jetojmë si në mesjetë. “Nuk na vijnë nuset, jo se nuk duan djemtë për t’i marrë, por nuk na vijnë nuset se nuk ka rrugë, na mbetën djemtë pa martuar”.

Banorët e Moglicës dhe Lozhanit

Ndërkohë, rruga nacionale prej 13 km, që lidh qytetin e Maliqit me Moglicën, dhe me Gramshin, është shndërruar në rrezik jete për drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët. Kjo rrugë e ndërtuar gjatë pushtimit italian është lënë pas dore, pa asnjë investim serioz së paku për më shumë se tre vjet. Pjesë të kësaj rruge kanë rrëshqitur si shkak i gërryerjeve të lumit që kalon përgjatë rrugës. Gropat janë të shumta dhe çarjet nuk mungojnë, pjesë muresh kanë rënë dhe barriera mbrojtëse nuk ka. Më të dëmtuara mbeten pjesët në Babjen dhe në të dalë të Lozhanit. Vendet e shembura të rrugës janë kufizuar me gurë nga punëtorët e mirëmbajtjes, që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes. Rreziku është gjithnjë i pranishëm. Çdo dimër që kalon rrit vështirësitë e qarkullimit në rrugë. “Mbetëm duke blerë gomina dhe amortizatorë, – na thotë një prej drejtuesve të automjeteve, – zihemi me gratë pasi mbetëm çdo ditë serviseve; kemi shumë shpenzime”. Amortizimi i rrugës i pranuar

Amortizimi i rënduar i rrugës është i pranuar nga Bashkia Maliq, nga Sektori rajonal Rrugor i Korçës, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Deri një vit më parë pretendohej se ekzistonte një projekt për ndërtimin e rrugës, por deri më sot, nuk ka pasur asgjë konkrete.