Ktej nga Shpati tyke zbritun
përmes kodrave hirplota,
nj’erë vrazhdë, e papritur
kundërmon me gazna t’forta.
Filip Papjani
Për Llixhat e Elbasanit gjithnjë kam qenë kureshtar. Vonë jam “takuar” me këtë vend. Shkak u bë një shqetësim i im shëndetësor, pas së cilës krijohet përshtypja se nuk mund ta marrësh veten kurrë, por duket që njeriu është i aftë të kapërcejë gjëndjen shëndetësore, shpesh herë të çuditshme dhe të kurohet me qëllim që të vazhdojë rrugëtimin e jetës. Është e rëndësishme, që, edhe një ndërlikim i lehtë duhet vlerësuar. Është një kulturë minimale, si gjithë të tjerat, edhe kultura shëndetësore. Pjesë e kësaj kulture janë edhe frekuentimi i ujërave termale. Ndaj, që të mos braktisen këto bekime të natyrës, udhëtojnë jo pak njerëz drejt tyre, edhe pse ndonjëherë larg.
I kemi rënë anash Elbasanit, ku udha gjarpëruese të orienton drejt Jugut. Pamje të konturuara e bëjnë gjithçka kaq të gjallë, nga gjelbërimi i fushave dhe kodrave që përgatiten deri te e verdha e korrjeve e deri te kafeja e shtëpive të gurta.
Drurë frutorë vrapojnë e fshihen pas nesh dhe vendbanimet shpalosin larminë e vet. Futemi në brendësi të një lugine të rrethuar nga kodra të buta, me drurë të harlisura, ku nga lakoret e tyre admiron lartësitë e krahinës së Shpatit. Udhëtojmë drejt qendrës së ujërave termale të Llixhave, një nga dukuritë më interesante të trevës së Elbasanit, aty ku dhjetëra mijëra kilometra në thellësinë e fshehur të tokës, reaksionet e llavës së nxehtë në 355 gradë celcius kanë bërë që të shpërthejnë ujëra sulfurorë, me vlera kurative.
Mbizotërimi intensiv natyror dominon zonën dhe ndërhyrjet njerëzore janë kryer duke marrë parasysh ndryshimet e mundshme në skulpturën e peizazhit. Rruga në Llixhat ka shumë aromë por është në gjendje shumë të mirë. Ndjesia e parë është aroma e pakëndshme për hundën por e dobishme për vlerat e saj kuruese. Nga larg shihen avujt që ngrihen në qiell, duket si një vend nga ferri dhe emri i tij është mjaft evokues. Shpesh krijohet një peizazh surreal, pothuajse alien, ku avulli del nga toka si një psherëtimë e vetë natyrës. Këtu, në gjelbërim, nën diell, me flladin, sulfuri përzihej me avullin, duke krijuar lojëra dritash dhe hijesh që duken joreale. Uji ka ngjyrë të çuditshme që e përthith me erën klasike… Falë historive të njerëzve, këto burime natyrore janë një thesar, ndër më të mirat në trojet shqiptare, te të cilat njeriu është ndalur herët. Arkeologët konfirmojnë se mijëra vjet më parë njerëzit dinin ekzistencën e burimeve shëruese. Në këto vende u gjetën monedha të lashta, bizhuteri dhe objekte të tjera. Duke menduar për emërtimin dhe historinë e kësaj qendre kuruese, të njohur që në lashtësi, ku ujërat termale dalin me bujitjen e një afshi të nxehtë, mësojmë se banorët vendorë e kanë emërtuar Llixhë, duke iu referuar përdorimit terapeutik që është bërë nga burimet e saj të ujit të nxehtë që nga lashtësia. Një nga këto histori që ka marrë edhe trajtën e legjendës, është ajo e 1000 vjetëve më parë, kur Romakët që erdhën këtu në mënyrë rastësore dhe zbuluan vetitë shëruese të ujërave termale me një erë të fortë sulfurike. Ndodhi që ata, duke kaluar këtu, në një nga inkursionet e tyre pushtuese, u detyruan të lënë një kalë të bardhë të sëmurë, i cili kishte mbetur në moçal me ujë gjithë erë të rëndë në mes të një pylli me drurë të lartë. Por ç’ndodhi?! Po këta ushtarë, kur kthehen nga rrugëtimi e gjeten kalin plot shëndet pranë këtij uji,ta ujërat çudibërëse dhe ndjehen të ripërtërirë nga lodhja rraskapitëse.
Parku “Nosi” dhe historitë që tregohen
Ndërsa ecja i shkujdesur nëpër qendrën e ujërave termale të Llixhave shoh dëshmi të një bote të kaluar. Në shikim të parë, të bën kurioz Hotel- Park Nosi, i mbështjellë me një koshere misteri.
-Një ditë – tregon Petref Idrizi, një nga banorët e Llixhave, – mbërriti një arkitekt, me një ide të qartë në kokë, dhe ca ustallarë që thyen heshtjen shekullore, duke ndërtuar godinën e parë. Ishte industrialisti elbasanas, Grigor Nosi që duke shfrytëzuan ujërat termale në fillim të shekullit të kaluar, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që kishin probleme shëndetësore, ndërtoi godinën e cila ekziston edhe sot. Arkitekti i saj i thirrur nga Nosët ishte austriaku Kohler. Nosët ishin një ndër familjet më të njohura elbasanase, me kulturë dhe kontribute patriotike në dobi të kombit, që shquheshin për tregëti, politikë dhe humanizmin e tyre. Grigori me guxim, krijoi të parin vend kurimi, si qendër ujërash termale në Shqipëri, e cila mori edhe vëmendjen e mbretit Zog për të sjellë mjekë çekë, të cilët kryen studime për të vënë në dobi të shëndetit të njerëzve këtë pasuri të dhuruar natyra. Grigor Nosi veç ndërtesës si një nga shembujt më të mëdhenj të Barokut në Shqipëri me një arkitekturë evropiane (shtёpi pushimi e cilësonte koleksionisti i fotografive Vinceś Mudroü) krijoi edhe një park, ku shtoi elementë tipik të kopshteve angleze, me shtigje, rrugica, stola çlodhës, drurë frutorë dhe dekorativ; gjithçka romantike dhe përrallore, por edhe anekse shërbimi: mensë, bar- kafe, zyra, dhomën e mjekut, vaskat e ujit dhe të përgatitjes së baltës, etj. Duhet të kujtosh edhe kontributin që dhanë arkitekti austriak, mjeshtërit oparak që e ndërtuan. Sot duke ecur në hotel Nosi mes parkut, ku ende shihet shatërvani, palmat dhe bimët drithëruese nga marsi deri në tetor, kthehen në një shpërthim ngjyrash dhe aromash. Sigurisht për 45 vjet ndërtesa e vjetër shumë piktoreske (administrohej nga shteti) nuk ishte ajo që njohim sot, në parkun dhe kopshtet e saj mund të hyje lirshëm dhe të shijoje një nga pamjet më të bukura ndonjëherë si dhe të shijoje lulet e saj. Nga biseda me Vason, një nga pronarët e “Stacionit të ujërave termale Park Nosi”, mëson se ujërat termale burojnë në 60 gradë Celsius. Ato u sollën nga 500 m larg me një tubacion për ta grumbulluar në depo e basene, në hotelin, që kishte 63 dhoma e 133 shtretër. Ajo u shtetëzua në 1946, por që iu rikthye trashëgimtarëve në vitin 1995. Duke u ndalur në copëza të tjera historie të kësaj qendre kuruese, Vaso përmend faktin se në vitet e Luftës së Dytë Botërore, babai i tij, Grigori shpëtoi e mori në mbrojtje hebreun Mark Menhemin. Ishte koha ku liria nuk njihej shumë si cilësi humane dhe është një vlerë për kohën. Gjendja ishte e rëndë, jo vetëm për hebrenjtë, por kërcënim edhe për popullin shqiptar. Raca e hebrenjëve u vu përballë mbijetesës nga përndjekjet dhe holokausti i nazistëve. (Ebrenjtë historikisht kanë qënë të përndjekur që në fillim të ekzistencës së tyre.) Në rrethanat e endjeve në Ballkan, fati hodhi jo pak prej tyre në Elbasan, Berat, Vlorë, Durrës, etj. Kujtohen vështirësitë me të cilat u ndeshën qindra e mijëra prej tyre për të shpëtuar holokaustit hitlerianë. Hebreun Mark Menhemi e strehuan për një vit këtu, në Llixhat e Elbasanit, ku u kujdesën aq shumë. Ky akt, si një shembull i mirëfilltë njerëzor, dëshmoi shpirtgjerësinë e këtij industrialisti elbasanas. Për respekt të miqësisë që kishte pasur me hebrenjtë kur kishte studiuar në Austri. Çdokush e di se jeta duhej jetuar, porkjo për hebreun Mark Menhemi mbeti një nga mirënjohjet më të mëdha të jetës. Vlen të veçohet momenti i rëndësishëm i këtij humanizmi, mirënjohja e izraelitëve, të cilën ata e kanë përjetësuar të gdhendur në mermer më 21 korrik 1992, në një mur të Jerusalemit.
Vlerat kuruese të ujërave termale
Natyrisht, pa u futur në hollësi, aty ku merr frymë jeta, njerëzia, bagëtitë, gjelbërimi, qendra e ujërave termale të Llixhave në Elbasan, të ngjan si një qëndër turistike, se sa një qëndër kurimi, por le shumë për të dëshiruar nga rregulli, të cilat kanë sjellë një babëzi njerëzore për të ndërtuar kuturu, ku të mundësh e si të mundësh. Por, me keqardhje, nënvizojmë se është lënë pas dore nga shteti dhe në vend që të gjejë frekuentuesi kushte, pezmatohet me gjendjen e rrugëve të pashtruara, gjithë pluhur e baltë; nga tezgat vend e pa vend, nga bezdisja e ambulantëve, ndriçimi që mungon, pa harruar lulishten e hardallosur nga bari, stolat e nakatosur apo plehrat që të pengojnë këmbët. Çfarë të tregoj më tepër!?… Vlerat kurative për shumë sëmundje dhe qenia pranë qyteteve të mëdha e ka bërë qendrën e ujërave termale të Llixhave, të jetë e frekuentuar, sidomos në pranverë dhe vjeshtë. Në këndvështrimin e përbërjes termominerale, Llixhat e Elbasanit listohen ndër më të njohurat në Shqipëri, por edhe si të 36-at në Botë. Banjat janë ideale për shumë kushte, por edhe për një pushim të këndshëm për ata që pëlqejnë një eksperiencë krejt tjetër. Në secilin prej hoteleve, shtëpive gjendet ujë me përbërje karbonike dhe përzierje dioksidi i karbonit dhe sulfuri i hidrogjenit. Pas analizave të kryera në vitin 1922 nga Ing. Dr. çek Beno Ëinter, por edhe në vitin 1924 nga ing. Dr. Hamakova e Forminek dhe nga specialistët rusë, të cilët erdhën me projekte interesante, që nuk u realizuan nga prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960, ujërat termale të Llixhave kanë një kompleksivitet të lartë përbërjeje minerale, me elementë kimikë si: hekur, sodium, klor, potasium, kalcium, magnezium, kalium, natrium, alumin, brom, jod, flor; si edhe alkanitete e gazra sulfurore, hidrogjene, etj, tepër efektive në kurimin e shumë sëmundjeve. Ndaj dhe veprimi shërues i ujërave termale të Llixhave, procedurat e terapisë fizike, baltës minerale dhe kushtet optimale ofrojnë mundësi të shumta për kurim, duke larguar jo pak sëmundje nga trupi i njeriut.
– Efektiviteti i ujit dhe baltës (termale) për kura që ta heqin dhimbjen si me magji – thotë Eduart Bajraktari, farmacist në këtë qendër prej 30 vjetësh, – është në sëmundjet reumatike, në shërimin e dhimbjeve muskulare, të deformimeve të gjymtyrëve, por sidomos për vetitë e tyre shëruese të lëkurës (nga përfitimet e bukurisë dhe elastikacionit deri te trajtimet e psoriazës dhe dermatitit) të qafës, të shpatullave, të belit, të këmbëve, të cilat nëse nuk kurohen, pak nga pak marrin përmasa torturuese për njeriun. Ujërat termale të Llixhave janë të njohura edhe në luftimin e sëmundjeve të organeve gastrointestinale, të organeve respiratore, të anemive dhe të aparatit lokomotor. Ato, rehabilitojnë problemet që kanë lidhje me gratë që nuk lindin, në shtimin e hormoneve mashkullore dhe qarkullimit të gjakut. Luftojnë ekzemat e lëkurës dhe përmirësojnë shëndetin e njeriut në aspektin qelizor dhe molekular; gjithashtu përforcojnë imunitetin njerëzor, e bëjnë të mundshëm, duke kontribuar në humbje peshe e zbukurim trupi.
Një histori e re po shkruhet…
Godina e hotel- park “Nosit” ishte e pamjaftueshme për të pritur kuruesit e shumtë nga i gjithë vendi, ndaj me kalimin e viteve u ndërtuan nga shteti në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar edhe dy godina të tjera disa katëshe: “Ylli” në vitet ’60, si edhe hoteli i ri i kinezëve, në fillim të viteve ’70. Në fak, pa i hequr një diagonal së kaluarës së tyre shtetërore, kjo qendër sot e ka humbur seriozitetin për një shërbim cilësor mjekësor.
-Do të ishte më mirë të mbetej përherë – ashtu të thotë Nina nga Tirana, një nga frekuentueset prej 30 vjetësh – me mjekë specialistë, sepse kështu mbulohet me rigorozitet kujdesi i kuruesve. Veçse pas viteve ’90 në qendrën e ujërave termale të Llixhave ajo që ra në sy ishte orientimi drejt një pikësynimi të ri, i cili për të shfrytëzuar mundësitë e ujërave termale. Kështu, u ndërtuan dhjetëra hotele e shtëpi për të pritur kurues; në fillim të thjeshta, ndërsa më pas, duke rritur cilësinë e shërbimit me kërkesat e kohës, krijuan kushte të përshtatshme, duke shtuar numrin e të ardhurve nga e gjithë Shqipëria, por më shumë nga viset e Kosovës dhe Maqedonisë. Godinat, ngjitur me njëra-tjetrën, të krijojnë përshtypjen se janë një trup i vetëm. Të bien në sy emra interesantë hotelesh: “Iliria”, “Guri i Fatit”, “Debrova”, “Qetësia”, “Boçi”, “Çekrezi”, “Qosja”, “Puka”, etj, kane investuar shumë, por secili funksionon si ishull më vete, që të lenë mbresa me shërbimin dhe respektin e personelit, sa çdokush, kur largohet formëson përshtypje të mira. Një kujdes që mbetet parësor në krijimin e kushteve dhe, siç thonë ata që e frekuentojnë prej vitesh, ka rritje të cilësisë së shërbimit. dhe. Ndaj dhe nocioni punë, përkujdesja e fjalët e ngrohta të personelit, si motivi kryesor për të siguruar të mirat materiale ndaj atyre që i frekuentojnë, i ka dhënë tjetër kuptim. Për të tërhequr sa më shumë kurues, janë përgatitur e shpërndarë fletë-palosje guidash me informacione të shumta për dobitë e shërimit të sëmundjeve, por edhe rreth trajtimit, ushqimit, fjetjes dhe tarifat e arsyeshme. Ka nga ata që vijnë prej vitesh këtu për t’iu bashkuar turmës së nevojëtarëve që kërkojnë ndonjë kurë më efikase për t’u çliruar nga ankimet e sëmundjeve. Nga tregimet e shumta të kuruesve, më bëri përshtypje ai i Skënderit nga Berati:
-Kam ardhur këtu – thotë ai – në një gjendje të rëndë shëndetësore. Nuk kisha fuqi të ngrihesha nga shtrati për të qëndruar më këmbë. Trupi më ishte deformuar, si “pikë-pyetje”, e mbahesha mbi një shkop “krrabë çobani”. Ndjeja më shumë dhimbje kur mendoja se do të mbetesha i tillë. Nuk lashë ilaçe, analiza e mjekë pa provuar, por nuk më sollën asnjë përmirësim. Kisha dëgjuar për “mrekullinë” e llixhave të Elbasanit. Mendova se duhet t’i provoj dhe erdha me shpresë se shëndeti do më printe për mirë. Nuk kam gabuar dhe e frekuentoj prej 15 vjetësh dhe ndjehem me mirë me shëndet e mund të them se kam harruar dhimbjet, aq sa mund të harrohen ngjarje të rënda. Pas banjës së nxehtë apo masazhit me baltë, secili pushon në qetësinë e dhomave të freskëta e me kushte të përshtatshme ndaj një kurimi të tillë. Orët e tjera kalojnë me lojëra, biseda, argëtime, bashkë me zhurmat që e shoqërojnë vende të tilla. Jo pak prej tyre shëtisin peizazheve të gjelbëruara, një hapësirë, që nën diellin e stinës, janë një tjetër kënaqësi çlodhëse. Qendra e ujërave termale të Llixhave karakterizohet nga një vazhdimësi kodrash të valëzuara me prani të pyjeve të lisit, që i detyron frekuentuesit e llixhave të kalojnë orët e tyre të lira, të zhytur në gjelbërim dhe qetësi. Ditët kështu kalojnë shpejt, sepse, teksa bëhesh pjesë e bisedave interesante, ndaj të ka ënda të shkëmbesh mendime. Një pjesë kuruesish janë miqësuar, sepse kanë vite që vijnë dhe njihen aq mirë me njëri-tjetrin. Por, siç ndodh rëndom, mendimet janë të ndryshme; është tema politike me kundërvënie ndaj njëri -tjetrit. Ka nga ata që qeverisjen e quajnë të dështuar e të tjerë kanë vërejtje për zjarrin që ndez shtypi; apo për gjuhën vulgare të politikanëve në foltoren e parlamentit. Bisedat vërtiten edhe rreth angazhimit të shtetit për mirëmbajtjen e mjediseve publike. I shqetëson rruga e amortizuar, rrugicat gjithë pluhur, plehrat e hedhura vend e pa vend, etj. Mangësi të infrastrukturës që pushteti lokal duhet t’i shmangë, duke i mirëmbajtur ato, që të ketë më shumë frekuentim dhe më shumë përfitime. Rrokja e gjithë shqetësimeve duhet të verë në lëvizje administratën shtetërore.
***
Ditët përthithin ndjesi të bukura. Netët flejnë për t’u qetësuar nga zallamahia; kështu edhe njerëzit të pushojnë. Për t’i shtuar kësaj tablo, pritjen e ditës tjetër, nuk harron të shkruash për përkushtimin e njerëzve në qendrën e ujërave termale, që natën e bëjnë ditë, duke qëndruar në detyrën humane për kuruesit. Mëngjeset e braktisin heshtjen e natës, me ritualin e veprimeve kuruese dhe zhurmat në qendrën e ujërave termale. Ato janë si një minierë, ku, nëse i trajton me kriter, do të shohësh se do frekuentohen më shumë; jo vetëm për kurim, por edhe për turizëm, për t’i bërë një nyje të rëndësishme; vetëm se kjo kërkon përkushtim e vullnet nga të gjithë: investitorët, banorët, shteti… Krejt çka duhet të bësh është të shkosh e mos mendosh për asgjë tjetër, veçse të çlodhesh në energjinë shëronjëse të këtij vendi me avuj mitikë dhe njerëzit dritëshprese që shërbejnë aty!