Çeta e Vermikut në Luftën e Vlorës

71
Sigal

Sadedin Mezuraj

Lufta e Vlorës (1920) shënon një nga epopetë më të lavdishme në historinë shumshekullore të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe përparim kombëtar. Organizimi, drejtimi dhe triumfi i saj me “hedhjen në det” të pushtuesve italianë, ishte dëshmi e shpirtit luftarak dhe liridashës të banorëve të Kurveleshit, Labërisë , Vlorës , Tepelenës dhe më gjërë, shprehje e atdhedashurisë dhe vetëdijes së lartë kombëtare.  Shqiptarët, me forca luftarake të kufizuara, të armatosur keq, por me zëmër e shpirt të ndezur atdhetarie, u ngritën kundër një fuqie të madhe të kohës, superiore në numur forcash dhe armatimesh. Në këtë luftë të pabarabartë, populli shpalosi heroizmin masiv dhe, sikurse thotë kënga  labe, “çobanët triumfuan mbi gjeneralët e një mbretërie me dyzet milionë” .

Pas fazës së parë ( 25 maj-10 qershor) në Luftën e Vlorës u përfshinë edhe vullnetarë e luftëtarë edhe nga krahinat e tjera të Shqipërisë. Nisur nga qëllimi i saj final, por edhe nga përmasat dhe përfshirja e forcave luftarake nga i gjithë vendi, ajo me të drejtë është quajtur nga historiografia shqiptare si Lufta Kombëtare e Vlorës.   

Në vazhdën e luftrave dhe kryengritjeve antiosmane e deri në shpalljen e Pavarësisë , banorët e Kurveleshit dhe Labërisë manifestuan shpirtin luftarak dhe krenarinë kombëtare për të qënë zot në vatanet e tyre. Shpirtin e  tyre liridashës ata e kanë  shprehur fuqishëm edhe në vargjet e këngëve popullore : “Nuk e bëjmë kabull na/ të jemi ndënë të tjerë “.

Këtë vetëdije të lartë kombëtare e shpalosën edhe në epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës, kur luftëtarët, barinj e fshatarë të thjeshtë, prijësit nga parësia e Vlorës dhe kapedanët me emër,  u rreshtuan në çetat e armatosura , duke iu përgjigjur thirrjes të Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të kryesuar nga patrioti Osman Haxhiu.

Kongresi Kombëtar i Lushnjës ( 21 janar-31 janar1920) me vendimet e tij historike, rikonfirmoi edhe njëherë pavarësinë e Shqipërisë dhe shprehu vullnetin për mbrojtjen e tërësisë teritoriale të vendit, në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Londrës më 1913.

Vendimet e Kongresit të Lushnjës ishin një shtysë e rëndësishme për organizimin e kryengritjes nga atdhetarët e Vlorës dhe trevave rrotull saj që gjëndeshin nën pushtimin ushtarak italian. Me nxitjen e qeverisë së Sulejman Delvinës,  në Jug të vendit nisi krijimi i Komiteteve të Fshehta, të cilët, më pas, do të ktheheshin në Komitete të Mbrojtjes Kombëtare në të gjithë vendin.

Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare më 29 maj 1920 organizoi në Barçalla të Dukatit një kuvend, me pjesmarrjen e mbi 200 përfaqsueseve nga qyteti Vlorës, paria e fshatrave të Vlorës, Kurveleshit dhe Tepelenës.  Për drejtimin e kryengritjes së armatosur antiitaliane, Kuvendi zgjodhi Këshillin Kombëtar ( me 35 anëtarë) të kryesuar nga patrioti vlonjat Osman Haxhiu dhe Komisionin Ushtarak ( Shtabin e luftës) me 12 anëtarë, të drejtuar nga komandant major Ahmet Lepenica dhe përgjegjës operativ major Ismail Haki Kuçi, i dërguar nga qeveria e Tiranës e Sulejman Delvinës.

Në zbatim të vendimeve të Kuvendit, filloi puna në terren në krahinat e Vlorës, Tepelenës e Gjirokastrës, ku u ngritën Komitete të fshehta të mobilizimit dhe organizimit të kryengritjes. Për përgatitjen e popullit për luftë u bënë disa mbledhje në Teqenë e Turanit, në Nivicë (26 maj) dhe në Gusmar te Rapi i Tahire ( 27 maj), ku të deleguarit e Komitetit Mbrojtja Kombëtare mblodhën përfaqësues nga gjithë Kurveleshi, ku u diskutua për fillimin e mobilizimit të popullit dhe hartimin e masave përgatitore të kryengritjes.

Në të gjitha fshtarat e Kurveleshit nisi mobilizimi popullit  dhe krijimi çetave luftarake. Edhe në Vermik, si pjesë e krahinës së Kurveleshit , u përhap thirrja për mobilizim dhe fillimin e përgatitjeve për veprimet luftarake sipas planit të hartuar nga Komisioni ushtarak.

Djemtë dhe burrat e Vermikut kishin treguar edhe në të kaluarën vlerat e tyre atdhetare dhe shpirtin luftarak, duke u bërë pjesë e të gjitha kryengritjeve antiosmane të Kurveleshit, që nga koha e Tanzimatit e në vijim. Burrat e Vermikut  luftuan përkrah kryengritësve nga Kallarati, Kuçi e Bolena, të udhëhequr nga  prijësi popullor Zenel Gjoleka, të cilët në vitet 1847 u ngritën kundrër vendimeve të Portës së Lartë. Djemtë e Vermikut shkuan me luftëtarët kryengritës deri në Tarabosh, ku u vra në vitin 1852 edhe Karafil Selim Bleta, 23 vjeç.

Në fillim të vitit 1913, njëzet e tetë burra nga Vermiku morën pjesë në luftimet për mbrojtjen e Janinës nga shovinistët grekë dhe atje tetë prej tyre mbetën të vrarë. Vermikasit iu përgjigjën thirrjes së Ismail Qemalit dhe bashkë me luftëtarë të Kurveleshit e Lumit të Vlorës, të udhëhequr nga trimi Emin Mëzuri, u përballën me forcat ushtarake greke në Llogora dhe në Qafën e Mbretes, ku mbeti i vrarë Muhamet Balil Braka.

Në kuadër të punës përgatitore për mobilizimin e popullit dhe organizimin e çetave luftarake, më 15 maj 1920 në fshatin Vermik shkuan si të deleguar atdhetari demokrat Halim Xhelo (mësues në Matogjin), i shoqëruar nga vermikasi Abdurrahim Çiraku ( mësues në Bashaj).Takimi me burrat e Vermikut u organizua në shtëpinë e Hasan Bletës . Aty burrat e Vermikut dhanë fjalën dhe lidhën besën për të luftuar për çlirimin e Vlorës dhe krahinave që mbaheshin të pushtuara nga trupat ushtarake italiane.

Më 29 maj 1920 nisi marshimi drejt Beunit i çetave të Kurveleshit ( Gusmar, Golem, Rexhin, Nivicë, Kolonjë, Picar, Lekdush dhe Vermik). Çeta e Vermikut , e përbërë nga dyzetë e nëntë  luftëtarë, djem e burra nga të gjitha fiset e fshatit, drejtohej nga komandant Naim Braka, asokohe 24 vjeç dhe zv/komandant, trimi i spikatur Arif Bleta, pesëdhjetë e pesë vjeç.

Naim Braka rridhte nga dera e shquar e Brakajve dhe,  sipas kujtimeve të bashkëfshatarëve ishte një djalë  tepër inteligjent dhe trim. Me vullnetin e tij kishte mësuar shkrimin e gjuhës shqipe  dhe më 15 tetor 1913 ai çeli të parën shkollë shqipe në Vermik. I vëllai i tij Ramo Braka, postkomandant në Kalanë e Gjirokastrës, në 1937 iu bashkua kryengritjes së Ethem Totos dhe hapi dyert e burgut. Xhandarët e Zogut e arrestuan dhe u dënua me pushkatim. Rapsodët e Vermikut për këta dy vëllezër trima dhe atdhetarë, thurën këngë, ku ndër të tjera thuhej: Të dy djemtë e Havasë /si pëllumbat e kalasë.

Çeta e Vermikut, sipas kujtime të shkruara të veteranit Ago Bleta ( Vermiku-porta e Kurveleshit) , pjesmarrës në Luftën e Vlorës, pas katër ditë qëndrimi në Beun,  ku u mblodhën të gjitha çetat e Kurveleshit dhe Lumit të Vlorës, u nis në veprimet luftarake, në përbërje të batalionit të Kurveleshit të Sipërm, i drejtuar nga Riza Runa.

“ U nisëm për në Kotë, mbasditen e 5 qershorit 1920. Mbëritëm në Qafë të Plloçës dhe darka na zuri në fshatin Amonicë. Atje në majë të Mavrovës ishte një top dhe rreth dhjetë ushtarë italianë. Ditën e dielë më 6 qershor 1920, rreth orës 2 pas mesnate, filloi sulmi në të gjitha drejtimet dhe Kota u gjend e rrethuar plotësisht. Lufta vazhdoi e rreptë deri sa ra dielli, afër orës 7”-shkruan Ago Bleta si pjesmarrës dhe dëshmitar i betejave në Kotë .

Edhe kënga popullore e përcjell këtë moment me detaje: Labëria gunëdhirë/nisi sulmin që pa gdhirë.

Garnizoni i Kotës mbrohej nga një regjiment italian dhe ishte tepër i fortifikuar dhe i mbrojtur nga artileria. Luftimet ishin të ashpra . Italianët patën humbje të mëdha. U dorëzuan rreth 600 ushtarë italianë dhe u vra gjeneral Gotti. Në luftimet e Kotës , sipas kujtimeve të Ago Bletës, u shquan për trimëri të rrallë komandanti Naim Braka, Shefqet Mëzuri, Arif Bleta, Hasan Bleta, Shaho Malo Gjoni, Qamil Tushi dhe Qerim Veshi.

Rapsodi popullor, duke përjetësuar ato momente të heroizmit dhe shpirtit luftaral të djemve të Vermikut, ka shkruar: Ranë komitat në Kotë/Komita në Kotë ra/Naim Braka nga Vermiku, flamurin në dorë e mba/Ç’i vajti rojes te porta, aspeta , aspeta tha/ Sa përpjek e mbyllë sytë, erdhi Shaho Malua/Seç i foli gjeneralit, dorëzohuni i tha/ Kush u hodh proto në Kotë/Kudhësit dhe vermikiotë/djemtë trima smokthinjotë .

Pas marrjes së garnizonit të Kotës, çeta e Verikut , e inkuadruar në batalionin e Kurveleshit të Sipërm, zhvilloi luftime në rrethinat e Vlorës – në Sherishta, Kallafet, Qishëbardhë, Xhyherinë. Ago Bleta në kujtimet e tij përshkruan me detaje betejat, asgjësimin e makinave italiane tek çezma e Qishbardhës dhe për trimat sypatrembur Shefqet Mëzuri nga Vermiku, Xhevo Ruçi nga Matogjini, Hate Qamili nga Ramica etj “ Arif Bleta dhe Shefqeti-shkruan ai- luftonin në këmbë dhe nuk dinin të ktheheshin para”.

Në 11 qershor filloi sulmi përgjithshëm i forcave kryengritëse  mbi garnizonin italian të Kaninës dhe Vlorës. Sipas Enciklopedisë së Kurveleshit , në sulmin rreth kodrave të Vlorës, luftëtarët e çetës  së Vermikut , duke qënë se e njihte mirë vendin, u nda nëpër çetat e tjera , duke shërbyer si udhërrëfyes.

Sulmi i forcave kryengritëse u organizua në një front të gjërë, nga Panajaja, në Qafën e Koçiut e deri në Kaninë. Luftimet më të ashpra u zhvilluan rreth kalasë në Kaninë ku mbetën të vrarë 50 luftëtarë të forcave kryengritëse.

Në Kaninë, artilerinë me topat e rrëmbyer prej ushtrisë italiane e drejtonte trimi vermikas Abdurrahman Çiraku, i cili ishte diplomuar oficer në shkollën e lartë ushtarake në Stamboll. Abdurrahmani ishte përfshirë në lëvizjen patriotike qysh kur ishte student në Stamboll, ku vendosi kontakte me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën dhe atdhetarë të tjerë. Në tetor 1912 , Abdurrahmni rebel dhe me shpirt atdhetar, u arratis nga ushtria turke dhe u radhit përkrah mëmëdhetarëve  vlonjatë në pragun e shpalljes së Pavarësisë më 1912. Në kohën e qeverisë së Ismail Qemalit u ngarkua me detyrën e komisarit të policisë për qytetin e Vlorës.  Në janar 1914  shoqëroi Ismail Qemalin gjatë udhëtimit të tij për në Francë. Pas kthimit nga Franca, Abdurrahmani filloi punën si mësues në Bashaj-Vlorë dhe vazhdoi veprimtarinë atdhetare, duke bashkëpunuar më demokratët përparimtarë të Vlorës dhe trevave rrotull saj.

 

Në vitin 1919, në bashkëpunim me Halim Xhelon dhe Murat Tërbaçin, në fshatin Brataj të Vlorës krijuan organizatën patriotike “ Shtizat e qytetërimit”. Synimi i kësaj organizate – sikurse shkruante Halim Xhelo në gazetën “Liria Kombëtare” më 12.02.1928 -“ishte të përgatiste kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve italianë”. Kjo organizatë atdhetare e shtriu veprimtarinë e saj në Tepelenë, Gjirokastër, Përmet etj.

Abdurrahim Çiraku mori pjesë në Kuvendin e Barcallasë më 24 maj 1920, ku u shpall fillimi Kryengritjes për çlirimin e Vlorës. Komiteti Mbrojtjes Kombëtare, duke vlerësuar cilësitë ushtarake dhe shpirtin atdhetar të Abdurrahim Çirakut, e zgjodhi anëtar te Komisionit Ushtarak dhe i ngarkoi detyrën e komandantit të artilerisë, e cila përbëhej nga disa topa kundërajrorë, të vendosur mbi Kaninë në malin e  Shushicës.

Duke kujtuar ato ditë të lavdishme, vite më pas Abdurrahmani do të shkruante: “Italianët i kishin zbërthyer topat.Na u desh të marrim dy robërit italaianë dhe i detyruam t’i mbërthejnë dhe vënë në gadishmëri. Sinjalin e fillimit të luftimeve më 11 qersho do ta jepte topi që ishte vendosur në Qafën e Pllakës mbi Kaninë. Kjo detyrë më ishte ngarkuar mua. Të shtënat e topit u pasuan nga batareja e zjarrtë e pushkëve. Luftëtarët u hodhën në sulm”. Nën komandën e tij, topat e vendosur në lartësitë e Shushicës më 23 korrik 1920 rrëzuan një aeroplan në fushën e Peshkëpisë dhe dëmtuan flotën ushtarake-detare të Italisë që ndodhej në limanin e Vlorës. Populli ka thurur vargje, ku vlerësohet trimëria dhe aftësitë e tij ushtarake: Në fushë të Peshkëpisë/ra balloni Italisë/aropllanin kush e shtiu/Trim Abduhrraman Aliu.

Në mësymjen për marrjen e qytetit të Vlorës, një pjesë e çetës së Vermikut , bashkë me çetat e Lopësit dhe Salarisë, sulmuan në kodrat e Babicës . Në një nga këto kodra, në Qafën e Koçiut, pikërisht aty ku është ngritur memoriali për Luftën e Vlorës, në luftimet e ashpra me trupat italiane, lebërit hodhën gunat mbi tela me gjemba dhe u vërvitën si luanë në llogoret e italianëve. Në këto luftime më 12 qershor u vra Selam Musai nga Salaria (Heroi i Popullit) dhe komandati çetës së Salarisë, Xhafer Meta. Në atë betejë të ashpër, pranë Selam Musait  luftonin dhe shtatë djem nga Vermiku : Arif Bleta, Shefqet Mëzuri, Qamil Tushi, Qerim Veshi, Shaho Malo Gjoni, Memo Dhrami, Kadri Zenel Cani.

Këtë moment e pershkruan edhe kënga e ngritur nga rapsodët popullorë : O Selam kur e dhe xhanë/ Në Qafë te sheh limanë/ vallë kush t’u ndodhë pranë/Shtatë djemë zemër çelik/Nga Vermiku në një grykë.

“ Armiku ishte rrethuar me tela me gjemba. Tërë natën përdori prozhektorë elektrikë në të gjitha kodrat me ullishta, midis xhadesë spital-qafa e Koçiut e deri në qafën e Topit…Arif Bleta aty udhëhiqte çetën e Vermikut , ai ishte nga më trimat në Vermik, nuk dinte çfarë ishte frika..” –shkruan Ago Bleta në kujtimet e tij për  Luftën e Vlorës.

Gjatë luftimeve që nga Kota e deri në Vlorë nga çeta e Vermikut u plagosën Memo Dhrami, Shefqet Mëzuri dhe  Qamil Tushi.

Për veprimtarinë e tyre patriotike, për trimërinë dhe heroizmin e treguar në Luginën e Vlorës nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor janë dekoruar me urdhëra e medalje Abdurrahim Çiraku, Naim Braka, Ago Bleta etj.

Më 3 shtator 1920 forcat kryengritëse hynë triumfalisht në Vlorën e çliruar prej okupatorëve italianë.

Në këtë epope të mbarë Kurveleshit, Labërisë dhe Vlorës , çeta e Vermikut luftoi trimërisht në të gjitha betejat ku mori pjesë, duke dëshmuar edhe një herë atdhetarinë e flaktë, trimërinë dhe shpirtin e sakrificës të bijve të Vermikut.