Kujtim Boriçi, Maksim Fejzulla: Disa nga “Skënderbegasit” gjeneralë

220
Sigal

Halim Xhelo, Rrahman Parllaku, Halim Ramohito, Hysen Repa, Halit Gjeçi, Aliko Laze, Ruzhdi Gjatoja, Perlat Sulaj

 Disa nga “Skënderbegasit”, gjeneralë të ushtrisë shqiptare

Maksim Fejzulla

Kujtim Boriçi

 Nxënësit e shkollës “Skënderbej”, siç pasqyrohet edhe në këtë libër, kanë shkëlqyer dhe shkëlqejnë edhe në fusha të tjera, jo vetëm atë ushtarake. Shumë prej tyre janë bërë shkencëtarë me kontribute në Shqipëri e shumë vende të tjera, të tjerë mjekë të njohur, deputetë e politikanë, biznesmenë të shquar në vend e deri në Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Ja disa nga gjeneralët që kanë dalë nga auditoret e shkollës “Skënderbej”:

Gjeneral-major, Halim Xhelo

Halim Abazi lindi në fshatin Dukat të Vlorës më 23 maj të vitit 1923, në një familje të njohur për atdhetari dhe mikpritje. Në vendlindje ai merr dhe mësimet e para në shkollën e fshatit, duke pasur dëshirë që të vazhdojë arsimimin e mëtejshëm. Kështu, ai nis studimet në Shkollën Tregtare në Vlorë, një institucion arsimor që veçanërisht pas pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italianë, krahas qenies së një vatre të njohur dijeje, u bë dhe një vatër e rëndësishme kundër rezistencës shqiptare kundër pushtimit. Gjatë periudhës që Halimi ishte në Shkollën Tregtare të Vlorës, sipas dokumenteve të kohës dhe kujtimeve të bashkënxënësve, ishte ndër nxënësit më të dalluar të saj dhe njëkohësisht, ndër të parët që formuluan dhe materializuan lëvizjen e njohur të ndërprerjes së mësimeve dhe marrjen e armëve në duar për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, për trimëri dhe aftësi, Halimit ju besuan detyra të rëndësishme në nënreparte e reparte partizane, deri në komandant batalioni. Pas çlirimit të vendit, ai vazhdon karrierën ushtarake, ku krahas detyrave funksionale, ka bërë dhe shkollimin e plotë ushtarak të vendit tonë si dhe Akademinë Ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik. Ai është ndër të parët komandantë të shkollës “Skënderbej” . Karriera e gjeneral Xhelos, ka vazhduar dhe në funksione të larta në Ministrinë e Brendshme, ku ka lënë gjurmë si profesionist e drejtues. Por kjo karrierë brilante e këtij ushtaraku madhor, pas periudhës së prishjes së vendit tonë me Bashkimin Sovjetik, do të ndërpritej dhe ai do të përfundonte në pranga. Shkak i arrestimit dhe dënimit në vitin 1965, ishte fakti se ai doli hapur kundër vendimit të udhëheqjes së kohës për heqjen e gradave në ushtrinë shqiptare. Si gjatë hetimit, në gjykatë dhe gjatë vuajtjes së dënimit në qelitë e burgut të Burrelit, ai qëndroi besnik i bindjeve të tij. Gjeneral Halim Xhelo ka lënë dhe një libër tejet interesant që lidhet me aktivitetin e tij në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, që titullohet  “860 ditë në luftë”.

Gjeneral-leitnant, Rrahman Parllaku

Rrahman Latif Parllaku lindi në Novosej të Kukësit më 17 prill 1919 dhe u nda nga jeta në vitin 2019. Ai ka qenë partizan dhe drejtues i formacioneve luftarake që morën pjesë dhe çliruan Shqipërinë më 29 nëntor të vitit 1944. Shkollën fillore e kreu në Shishtavec. Në moshën 12-vjeçare ka filluar punë me babanë dhe vëllanë në profesionin e pastiçierit nga viti 1932 në Cakran të Mallakastrës dhe nga viti 1936, në Selenicë të Vlorës. Që në fillimet e para, lidhet me lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Më 6 janar 1943, u caktua komandant i njësiteve guerile të qytetit të Vlorës deri më 28 nëntor 1943, kur e transferuan me detyrë komisar batalioni.

Gjatë Operacionit armik të Dimrit 1943-1944, emërohet zëvendëskomisar i Brigadës së 8-të Sulmuese. Më 8 qershor 1944 transferohet në Brigadën e 3-të Sulmuese. Pas këtij operacioni, brigada me urdhër të Komandës së Përgjithshme mori për detyrë që së bashku me Brigadën e 5-të, të kalonin në Kosovë, për të shpejtuar çlirimin e kësaj zone. Më 22 nëntor, në qytetin e Pejës merr urdhrin e emërimit, komandant i Divizionit të 5-të dhe u gradua kolonel. Më 14 prill të vitit 1945, kur ndodhej në Mitrovicë, ai mori urdhrin e emërimit komisar i Korparmatës së 2-të në Berat. Me shkrirjen e saj, e nxorën në lirim dhe e caktuan sekretar politik i Komitetit Qarkor të PK të Shkodrës. Me kërkesën e tij, rikthehet në ushtri në detyrën e drejtorit të Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1947 i jepet grada kolonel. Në dhjetor të vitit 1947, Parllaku u caktua në detyrën e drejtorit Politik të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreu deri në prill të vitit 1948, kur u dërgua të studionte jashtë shtetit. Parllaku ka mbaruar studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sovjetike “Voroshillov”. Pas kthimit nga studimet, ai u emërua drejtor i Drejtorisë së Organizim-Mobilizimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1952-1954 caktohet në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes e drejtor i Prapavijës së Ushtrisë dhe mori gradën e lartë të gjeneral-majorit. Gjatë viteve 1954-1961 do të shërbente si zëvendësministër i Mbrojtjes për përgatitjen luftarake të ushtrisë. Nga viti 1961 deri në vitin 1967, kreu detyrën e komandantit të Forcave Ushtarako-Detare dhe më pas, komisar i këtyre forcave dhe iu dha grada gjeneral-leitnant. Në vitet 1969-1970 do të shërbente si komisar i Forcave Ushtarako-Ajrore dhe një vit më vonë, u emërua zëvendësministër për Përgatitjen Luftarake të Ushtrisë. Për merita të veçanta i është dhënë titulli “Hero i Popullit” dhe është dekoruar me 9 urdhra e tri medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Parllaku, ka qenë zgjedhur deputet i Kukësit në Kuvendin Popullor për 7 legjislatura rresht, që nga viti 1945 deri në vitin 1973. Gjeneral Parllaku ka qenë kandidat i KQ të PKSH që nga tetori i vitit 1944, deri në Kongresin e Parë. Parllaku u arrestua dhe dënua për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”. Në bazë të këtyre akuzave u dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tri muaj i vuajti në burg (nga dhjetori i vitit 1974 deri më 17 mars të vitit 1991), si pjesëtar i të ashtuquajturit “grup i Beqir Ballukut”. Ndërroi jetë në vitin 2019.

Gjeneral Halim Ramohito:

Gjeneral Halim Ramohito ka lindur më 15 shkurt 1925, në Tragjas të Vlorës. Ka mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës dhe Akademinë Ushtarake “Frunxe” në Bashkimin Sovjetik. Ka marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, deri në Bosnjë. Në luftë ka kryer këto detyra: Zëvendëskomisar Batalioni dhe përgjegjës i rinisë së Brigadës së V-të partizane. Pastaj përgjegjës i Rinisë në Divizionin e V-të partizan. Në Kongresin e Parë të BRASH-it, në gusht 1944, është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BRASH. Në dhjetëvjeçarët e pasçlirimit ka punuar në ushtri me detyra të ndryshme. Më 1948 emërohet Komisar Divizioni. Në shtator të vitit 1957 emërohet si përfaqësues ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Komandën e Bashkuar të Forcave Ushtarake të Traktatit të Varshavës, njëkohësisht dhe atashe ushtarak në Moskë. Më 1966 ka kryer detyrën e Komisarit të Korpusit, më 1970 në krye të MKA (Mbrojtja Kundër Ajrore) e shtetit dhe më 1972 është zëvendësshef i Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Në Kongresin e 4 të PPSH-së më 1961, është zgjedhur Kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së. Ne Kongresin e 6 –të të PPSH-së më 1971, është zgjedhur Anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së.

Nga viti 1974 deri në vitin 1990, ka vuajtur familjarisht kalvarin e punës së detyruar, të internimeve dhe të burgut, përfshi atë të sigurisë së lartë të Burrelit. Është dekoruar 14 herë me Medalje e Urdhra të ndryshme. Gradën e gjeneralit, e ka marrë në vitin 1959, me rastin e 15- vjetorit të çlirimit të vendit. U nda nga jeta më 9 nëntor 2013.

Gjeneral Hysen Repa

Hysen Repa u lind në Fushë-Alie, Dibër në vitin 1938 dhe u nda nga jeta në Tiranë më 22 janar të vitit 2018. Shkollën 7 -vjeçare e kreu në Shkodër, ndërsa në Tiranë, kreu shkollën ushtarake “Skënderbej” në vitet 1962-1966. Pastaj kreu Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike (1967-1972). Pas kryerjes së studimeve të larta, punoi si pedagog i lëndës së mekanikës në shkollën ushtarake “Skënderbej” (1972-1975), shef i Ofiçinës dhe shef i Degës Teknike në Shkodër (1975-1992). Në periudhën 1992-1994, kreu detyrën e instruktorit në Drejtorinë e Autotraktorëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në vitet 1994-1997, ishte zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Logjistikës. Nga marsi 1997 deri në shtator 1997, qe komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Shkodër. Mbas ndryshimeve të viteve ‘90-të, u gradua gjeneral në ushtrinë shqiptarë. Me dekret të Presidentit të Republikës nr. 2155. datë 16 maj 1998, ulet në gradë dhe me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 2362, datë 24 korrik 1998, u nxor në rezervë.

Gjeneral Hysen Repa ndërroi jetë më 22 janar të vitit 1918, në moshën 71-vjeçare. Të nesërmen, më 23 janar, iu bë ceremonia zyrtare e përcjelljes, sipas rregullores ushtarake për ushtarakët madhorë, nën përkujdesjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare.

Gjeneral  Halit Gjeçi

Halit Myftar Gjeçi lindi më 25 tetor të vitit 1943, në Bajram-Curri të Tropojës dhe banon në Tiranë. Ai ka këtë arsimim: Në vitet 1958-1962 ka kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë; në vitet 1962-1964, ka kryer Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë; në vitet 1973-1975, ka kryer Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Mehmet Shehu” në Tiranë. Ka këtë eksperiencë pune: Në vitet 1964-1966, komandant baterie drejtimi në Bazën Ushtarake Detare në Lezhë; 1966-1969, shef i zbulimit në Regjimentin e Artilerisë Tokësore në Tiranë; 1969-1971, zëvendës dekan ushtarak në Universitetin Shtetëror Bujqësor në Kamzë; 1971-1973, komandant grupi artilerie Tiranë; 1976-1977, komandant grupi artilerienë Lushnje-Shijak; 1977-1978, shef i artilerisë së Brigadës së Këmbësorisë Kavajë; 1978-1983, zëvendësshefi artilerisë së Korpusit të Tiranës; 1983-1989, shef i artilerisë tokësore të Divizionit të Laçit; 1989-1991, shef i artilerisë së Rezervës së Komandës së Përgjithshme në Elbasan; 1991-1992, pedagog në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm Tiranë; 1992-1997, komandant i Gardës së Republikës Tiranë; 1997-1998, në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik; në vitin 1998 nxirret në lirim; në vitet 2006-2009 kancelar në Akademinë e Policisë në Tiranë. Ka këto kualifikime: |Në vitin 1995, kurs i shkurtër për planëzimin në Stamboll; në vitin 1995, kurs kualifikimi në Kolegjin e Mbrojtjes në Tiranë; në vitin 1996, kurs kualifikimi i NATO-s, Bruksel. Më 23 janar të vitit 1994, me dekret të Presidentit të Republikës merr gradën e gjeneralit.

 

Gjeneral-brigade Aliko Laze

Aliko Laze u lind në fshatin Psar të Përmetit në 27 qershor 1946. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Ballaban (Përmet) në vitet 1957-1960. Në vitet 1960 i jepet e drejta të nisë shkollimin ushtarak përkatësisht në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundon me rezultate shumë të mira në vitin 1964. Në vitet 1964-1966 përfundon me rezultate të mira dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Po ashtu, në vitet 1875-1977, u diplomua në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë. Arsimimit ushtarak të Lazes i shtohet dhe mbarimi i kursit të lartë të filozofisë më 1982-1983. Ka kryer dhe disa specializime në Turqi dhe Danimarkë. Fillimisht punoi oficer komandues nënreparti dhe reparti artilerie tokësore në Berat. Në vitet 1980-1985 ishte shef shtabi dhe komandant brigade artilerie në Elbasan. Në vitet 1985-1986, oficer drejtimi i artilerisë për Frontin Verilindor. Në vitet 1992-1994 komandant divizioni në Elbasan dhe në Fier. Në vitet 1994-1997 drejtor i Drejtorisë së Personel-Arsimimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitet 1997-2000 drejtor i inspektimit të ministrit të Mbrojtjes (inspektor i përgjithshëm i ministrit të Mbrojtjes). Në prill të vitit 2000 doli në rezervë me gradën gjeneral brigade.

Gjeneral-major  Ruzhdi Gjatoja

Skënderbegasi Ruzhdi Gjatoja (Ramadani) është një nga oficerët madhorë me karrierë të suksesshme të ushtrisë shqiptare. Ai, gjatë kësaj karriere ka fituar dhe titullin Profesor në shkencat ushtarake, duke arritur të marrë dhe gradën e lartë gjeneral-major. Ruzhdiu u lind më 18 mars të vitit 1947 në Shkodër, është i martuar, me tre fëmijë dhe banon në Tiranë. Në vitet 1960-1964, Ruzhdiu përfundoi me rezultate shumë të mira Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, ndërsa në vitet 1964-1967 ka përfunduar studimet dhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Në vitet 1969-1972 përfundon dhe studimet në Institutin Pedagogjik të Shkodrës në degën Matematikë-Fizikë,  pa shkëputje nga puna. Në vitet 1975-1977,  përfundon dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, po në Tiranë. Njëkohësisht ai, në vitin 1995 ka studiuar në Institutin e Gjuhës për Mbrojtjen në Lackland, Texas të SHBA; në vitin 1996 përfundon Kursin e Avancuar të Oficerit të Artilerisë Tokësore në Fort Stil të Oklahamos në SHBA; ndërsa në vitet 1997-1998 përfundon Kolegjin e Luftës në Carslisle të Pennsylvania të SHBA-së. Po në vitet 1998-2001, Ruzhdiu ka kryer dhe kurset afatshkurtra “Lidershipi Operacional”, “Siguria Kombëtare”, “Menaxhimi i programeve të mbrojtjes”, po në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gradën Doktor e ka marr në vitin 1993, ndërsa titullin Profesor, më datë 20 mars të vitit 2009. Profesor Gjatoja është angazhuar dhe në organizmat shkencore, duke qenë Kryetar i Këshillit Shkencor të Akademisë së Mbrojtjes në vitet 1991-1992 dhe 1998-2000, si dhe Kryetar i Redaksisë së Fushës së Mbrojtjes e të Rendit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar- FESH 2. Ndër detyrat e rëndësishme që ka kryer gjatë karrierës së tij veçojmë: Komandant i Kolegjit të Drejtimit (viti 1996), Komandant i Akademisë së Mbrojtjes (1998), Këshilltar i Presidentit të Republikës në dy periudha, përkatësisht në vitet 2000-2002, dhe 2002-2007. Gjeneral Ruzhdi Gjatoja është vlerësuar dhe me këta tituj e medalje: “Medalje e Artë e Shqiponjës”, Medalja “Për Shërbime të Veçanta”, “Medalja e Mirënjohjes”, Urdhri i Argjendtë “Naim Frashëri”, “Urdhri i Shërbimit Ushtarak i Klasit III-të”, “Medalja e Shërbimit Ushtarak” dhe në vitin 1995, është shpallur “Qytetar Nderi-Lavton, Oklahama, SHBA”. Profesor Gjatoja është dhe autor i shumë librave e studimeve për ushtrinë dhe problemet e mbrojtjes.

Gjeneral-major, Perlat Sulaj

Perlat Sulaj u lind më 26 mars 1948 në Tiranë. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, në vitet (1963-1967), në vitet 1968-1970, përfundon Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Karrierën e tij ushtarake e nis si oficer zbulimi me trupa në Shkollën e Radiozbulimit,

(1970–1974). Në vitet (1975–1977), emërohet pedagog në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në Shkollën e Radiozbulimit. Me mbarimin e studimeve ne Akademinë e Mbrojtjes të Shtabit të Përgjithshëm në vitet 1977-1979,  i ngarkohen detyra të rëndësishme pranë Shtabit të Përgjithshëm si: – Kryeinspektor drejtimi për Korpusin e 7-të të këmbësorisë; Oficer drejtimi për grup divizionesh; Shefi i Degës së Përgatitjes së Komandave dhe Shtabeve të Forcave të Armatosura; Ndihmës ı Shefit te Shtabit e Përgjithshëm për Frontin Jug-Lindor të Forcave të Armatosura (Komandant Fronti) ; Pedagog në Akademinë e Mbrojtjes të Shtabit të Përgjithshëm; Komandant i Akademisë së Forcave Tokësore; Shefi i Shtabit të Divizionit të 5-të të Këmbësorisë në Tiranë; Kryetar i Komisionit të Testimit të Kuadrove në Forcat e Armatosura; Drejtor i Drejtorisë së Organizimit Ushtarak në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; Këshilltar Ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes; Komandant i Forcave të Mbrojtjes Ajrore; Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Ai ka ndjekur kurse, seminare, simpoziume dhe veprimtari të ndryshme stërvitore, të organizuara nga specialistë civilo-ushtarakë të ushtrisë amerikane dhe të ushtrive të tjera të NATO-s, pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Veprimtari të tilla ai ka ndjekur edhe në disa ushtri të vendeve të NATO-s. Gradat: 1991 nënkolonel, 1993, kolonel, janar 1995, gjeneral Brıgade, gusht 1995 gjeneral -major. Është i martuar me Engjëllushe Sula (oficere) dhe kanë tri vajza.