Kol.Sul DOMI/ Ja çfarë ndodhi më 7 Prill 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia

1027
Unë në atë kohë isha nxënës, por ashtu si të gjithë shqiptarët, ato dit të fillimit të prillit të vitit 1939, i kam përjetuar me shqetësim tepër të madh. Ato ngjarje të rënda që do të arrinin pikun me pushtimin fashist të vendit, kanë lënë gjurmë të pa shlyera dhe tek unë e bashkëmoshatarët e mi… Ngjarjet po rrokulliseshin me një shpejtësi të madhe, por ne nuk ishim në dijen për çka po ndodhte. Me 3 prill, Jakomoni i jep mbretit Zog ultimatumin, duke i dhënë 48 orë afat, i cili mbaronte me 5 prill, në orën 12:00. Ai i jepte, gjithashtu sigurinë personale për çështjen e dinastisë. Zogu kërkoi zgjatjen e afatit të ultimatumit edhe 24 orë, gjë që Musolini e pranoi, dhe kështu afati zgjatej deri në orën 12:00 të datës 6 prill. Në natën e 5-6 prillit, arrihet një marrëveshje për paktin ushtarak. Zef Serreqi, i cili ishte kthyer në Romë me 5 prill, me të marrë shifrën e njoftimit të marrëveshjes, në mëngjes të datës 6 prill shkon tek konti Ciano dhe i tregon atij shifrën në fjalë. Ciano, duke shikuar orën që shkonte 12:02 minuta, i thotë Serregit: “Siç e shihni, koha e ultimatumit ka kaluar”. Pastaj shtoi se ishte në dijeni të marrëveshjes së arritur në mes Zogut dhe Jakomonit, dhe se Jakomoni nuk ka qenë aspak i autorizuar për të bërë këtë marrëveshje. Pasi del nga Ciano, Serregi jep kategorikisht dorëheqjen si ministër. Sipas agjencisë ‘Stefani’, në deklarimin e dorëheqjes, ai thotë: Në pamundësi për të vazhduar, për ti shërbyer një regjimi që është në kundërshtim flagrant me aspiratat dhe nevojat e popullit shqiptar dhe në kundërshtim të haptë me parimet e besnikërisë së konstatuar prej marrëveshjes Italo- Shqiptare. Në datën e 6 prillit, në orën 16:00, pas mbarimit të afatit, Jakomoni i transmeton Romës se mbreti Zog nuk don me i’ a refuzuar çështjen Këshillit të Ministrave, për me marrë vendimin përfundimtarë, me qëndru apo jo. Në mbrëmje, Musolini jep urdhrin e nisjes së anijes për në Shqipëri. I telefonon Porionit, Shefi i Shtatmadhëris, duke i thënë: “ 48 orë”. Ai i përgjigjet: “48 orë”. Në orën 21:00 të datës 6 prill, mbërrin propozimi i fundit i Zogut, drejtuar Musolinit që kërkon me u marrë vesh me gjeneralin Parionin. I përgjigjet që ti dërgojë parlamentarët e tij tek gjenerali Guzzoni (komandanti i ushtrisë së zbarkimit). Nata për Musolinin është jashtëzakonisht e shpejtuar. Pothuajse nuk ka fjetur tërë natën, duke marrë në telefon vazhdimisht Cianon. Vetëm nga mëngjesi mbërrin lajmi i Guzzonit se po dukeshin brigjet Shqiptare. Musolini përsëri i telefonoi Poronit:“48 orë”. Poroni përgjigjet: “48 orë dhe asgjë më tepër”. Në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë vazhdojnë demonstratat dhe protestat. Demonstruesit kërkojnë armë për t’ u armatosur për të shkuar në front për të luftuar për mbrojtjen e atdheut. Në Tiranë, turma shkon tek Pallati Mbretëror dhe kërkojnë një përfaqësues për të biseduar me Mbretin, por nuk pranonte. Del një prej adjutantëve dhe në emër të Mbretit u thotë demonstruesve: “Marrëdhëniet me aleatin e madhe, Italinë janë normale. Shpërndahuni.”! Turma shkon edhe para ambasadës së huaj. Musa Juka, Ministri i Punëve të Brendshme, shkon në gjimnazin e Tiranës dhe u flet studentëve: “ Rrini të qetë se ka qeveri e Mbret. Mos bëni demonstrata, se mazallah, na humb pavarësia. Ju betohem se ne do ta mbrojmë pavarësinë e integritetin tokësor të vendit tonë deri në pikën e fundit të gjakut”.! Gjithashtu edhe në Mat erdhi lajmi se Mbreti ka vendosur me vesh opingat dhe me luftu kundër Italisë. Me 6 prill, pasdite, rreth orës 15:00, në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit, fluturojnë aeroplanë luftarak italianë, duke hedhur dy palë trakte, në shqip… Pa hedhjes së trakteve, në mbrëmje, Mbreti bënë një mbledhje në pallatin e tij me anëtarët e qeverisë dhe me 7 deputetët, (Hiqimet Delvinën, Vasil Avramin, Tefik Mborjen, Xhevit Leskovikun, Fuat Asllanin, Hafiz Xhemal Dibrën dhe Abdurraman Matin (Krosin)). Merr pjesë edhe Mehdi Frashëri. Lexohet telegrami i avokatit Sezai Qemalit nga Vlora, drejtuar Mbretit, ku thuhej se Vlora nuk do të luftojë dhe kërkohej që të mos organizohej qëndresa dhe për largimin e mbretit në Greqi. Mehdi Frasheri, ngul këmbë që të bëhet qëndresë. I këtij mendimi ishte edhe Hafiz Xhemal Dibra. Kështu, për fat të keq të Shqipërisë, mbledhja efektivisht pranoi kërkesat e Sezai Qemailit. Në realitet, Mbreti e kish marrë këtë vendim… 
Dita e zezë e 7 Prillit 1939
Zbarkimi dhe rezistenca
Me 7 prill, bashkë me shokët e tjerë, erdhëm në shkollë si zakonisht, në kohën e duhur. Dy ishin problemet që dominonin bisedat: Lindja e trashëgimtarit të Frontit Mbretëror dhe rreziku që i kanosej vendit tonë nga Italia Fashiste. Por ne akoma nuk e dinim se tashmë kjo e fundit që në mëngjesin e kësaj dite, ishte bërë një realitet, ushtria italiane kishte zbarkuar në katër portet detare (Shëngjin, Durrës, Vlorë e Sarandë)të vendit tonë. Bile, me qëllim për të krijuar panik në popull dhe për të futur frikën, rreth 100 aeroplanë luftarakë italian kishin fluturuar në pasditen e datës 6 prill në gjithë zonën bregdetare, nga Saranda deri në Shëngjin, përfshirë edhe Tiranën dhe Elbasanin. Kjo, ishte marrë vesh edhe në Burrel, se na thanë shokët e internatit. Por, ne, megjithatë, akoma nuk donim ta besonim se uragani i nisur që në mbrëmjen e 6 prillit nga brigjet e Pulias (Itali), në mëngjesin e kësaj dite kishte arritur në brigjet detare të Shqipërisë. Gjithashtu, nga përmbajtja e fletushkës, dalin qartë, 4 elementët thelbësorë: Kulaçi, kërbaçi, mashtrimi pabesia. Pyetem njëri-tjetrin dhe mësuesit se çfarë do të ndodhte. Asnjëri nuk mund të jepte përgjigje. Gazetat nuk kishin ardhur, radio hesht. Vetëm nga ora 09:00 atoporlanti i vendosur mbi ballkonin e prefekturës i lidhur me radio Tiranën, filloi të jepte lajme mbi ngjarjet në frontin e luftës. Në komunikatat që transmetonte Radio Tirana, kishte më shumë të pavërteta se sa të vërteta. Megjithatë disa nga të pa vërteta na gëzonin dhe disa të vërteta na hidhëronin. Kjo shihet nga raportimet e bëra nga komandantët e forcave ushtarake, të destinuar për mbrojtjen e porteve, të cilët janë kontradiktorë me komunikatat e transmetuara në radio Tirana. Ja ato:
-Nga Saranda, toger Taifur Dibra: “Forcat italiane hynë në portin e Sarandës dhe filloi zbarkimi në tokë. Po luftohet vetëm me një togë ushtarësh të rojës së kufirit … Unë kam për të bërë detyrën, do të vdes për atdheun”. 
-Nga Vlora, kolonel Ali Rizai: “Ushtria italiane filloi bombardimet nga deti dhe ajri dhe po tenton të zbarkojë në port. Luftën e fillova me një kompani ushtarësh të rojës së kufirit, me komandant kapitenin Ded Nikolla e me 50 xhandarë. Asnjë fuqi tjetër nuk ka ardhë”.!
-Nga Durrësi, Major Abaz Kupi: “Flota Italiane ka rrethuar Durrësin e hyri në port. Janë më tepër se 30 anije në Durrës, Porto-Romano dhe në zonën e plazhit. Nuk patëm kohë për të minuar portin. Urdhëroni komandën e Shijakut të na vijë në ndihmë”.
-Nga Shëngjini, H. Bektashi: “Flota italiane filloi zbarkimin. Luftën e fillova me një togë ushtarësh të kufirit, nën komandën e Mark Jakut me 15 xhandarë”. 
…Por asnjë forcë tjetër, qoftë edhe e parashikuar në planin e mbrojtjes së porteve, nuk shkoi në asnjë port, me përjashtim të një baterie artilerie që shkoi në Durrës. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, tashmë ishte realitet…
Sigal