Pëllumb Gorica: Përpjetë liqenit të Vaut të Dejës

Udhëtimet e papritura të japin më tepër emocione. Kënaqësia është e pa fund kur shkel perlat e bukura, kur shijon qetësinë, freskinë, vështron ujërat, gjelbërimin…, ca ndjesi, të cilat zbukurojnë shpirtin e udhëtarit, e bukurisë në çdo gjë.

Udhëtojmë drejt hapësirave të fushës së plleshme përreth Shkodrës, një prej trevave hijerënda në histori, e mbushur me vlera të jashtëzakonshme në art, kulturë, religjone, ndërtime dhe një gjeografi mahnitëse.

NOA

Drejt “Zemrës së Ballkanit”

Ndërsa kalonim afër kyçjeve të Kaskadës së Vaut të Dejës, Zona e Gurit të Zi të ngacmon interesimin për të njohur historinë, që ka lidhje me lashtësinë e saj, transformimet e jetës mijëra vjeçare, protagonizmin historik, luftrat, sakrificat…

Duke u bazuar në të dhënat që na vijnë nga thellësia e antikitetit si dhe nga studimet e kryera deri tani, nuk diskutohet se banimi këtu i ka fillesat qysh nga lashtësia.

Në kodrinat e ëmbla, Rragami shtrihet, si këmbë e zgjatur reje. Rruga për atje ishte tepër e bukur dhe dora e njeriut vihej re nëpër parcelat e gjelbëruara, me misër, fasule, domate, pemë frutore me frutat që pikonin ëmbëlsinë mes gjetheve të zverdhura.

Nuk mundet të përshkruhet largimi i banorëve në kërkim të fatit dhe stabilitetit ekonomik e social diku tjetër për të gjetur një jetë tjetër në horizonte të largëta, si retë dhe zogjtë. Ishin pikërisht vitet ‘90 që prodhuan eksodin më të madh dhe këto vendbanime si në gjithë Shqipërinë malore mbetën të boshatisura duke pushtuar periferitë e qyteteve dhe ngritën katraurën urbane, por diçka po ndryshon, një numër në rritje njerëzish po kthehen dhe po hapin biznese.

Është trashëgimia e atyre që janë rikthyer, me sa duket, kaq pak dhe nëpërmjet sakrificës me shpirt ndër dhëmbë kërkojnë të ngrejnë jetën për të investuar, duke shpëtuar veten nga të qenit argatë të grekut, italianit, anglezit, etj.

Është mëngjes dhe sapo është hapur “Zemra e Ballkanit”. Ne jemi mysafirët e parë të fundjavës. Sapo zbritëm nga makina, na dukej sikur ishim mbështjellë me një përqafim nga ngjyrat e ngrohta të vjeshtës që përcillnin zonën, ndërsa një fllad derdhte mbi ne një mori gjethesh të buta. Në breg një shesh i mbushur me karrike e tavolina.

Astrit Ahmataj (Tito) pas shumë vitesh u kthye nga humbëtirat e pafundme në rrugën e horizonteve të emigracionit në Greqi, mes stinëve vendlëshuese, duke mbajtur mbi supet e mishta mundin, sakrificat dhe dëshirën për krijimin e të mirave me punë pranë vatrës stërgjyshore, kishte hapur në vendlindje një restorant, të cilin e kishin emërtuar “Zemra e Ballkanit”.

Astriti tregon fillimet e gjithçkaje, dëshirën për të mos e braktisur kurrë këtë vend që në gjithë shtrirjen e saj, të ftonte të pushoje.

Astriti mishëron virtytet e trevës, fisnikërinë e banorëve të saj, mikpritjen dhe dashurinë për Natyrën, me harenë dhe romuzet karakteristike shkodrane shpaloste gjithë pasion vlerat e punës, kuptimit, mirësisë dhe lumturisë.

Peizazhi i mrekullueshëm, ajri i pastër, gatimet tradicionale dhe tepër të shijshme, e bëjnë këtë vend të preferuar nga turistët. Po ashtu janë krijuar kushtet për të marrë rreze dielli, për t’u zhytur në ujrat e kristalta. “Zemra e Ballkanit” mbushet nga zëra e tinguj të përzjerë, me thirrje njerëzore, të njërëzve të gëzuar.

Rrufisim kafetë dhe sodisim ujërat e liqenit të Vaut të Dejës që valëzonin nga flladi. Liqeni kishte marrë një ngjyrë si në një hije nga njëra anë prej rrezatimit të fshehur pas një reje gri në qiellin e kaltër. Peshkatarë japin e marrin me grepat e tyre; sheh njerëz që futen edhe në ujë, ndërsa ca të tjerë me varka me motorrë, si felluket ilire, herë vetëm fillikat e herë nga dy a tre mbushur me fytyra të qeshura. Shpendët dhe peshqit të bëjnë të dashurohesh pas tyre e t’i fotografosh.

Shurdhau (Sarda) si nuk e kisha parë më parë?

 

Pas ritit të kafes së ngrohtë, që zgjati vetëm pak, nisemi në një shëtitje me varkë në brigjet e liqenit të Vau Dejës, që fitojnë hapësirë tjetër, të pakrahasuara me asgjë tjetër, në një vend ku historitë dhe legjendat janë të pafundme, me gëzimin e zbulimit të panjohurës. Mbi masivin e ujit të liqenit të Vaut të Dejës, shtrihet ishulli i Shurdhaut. Më interesantja dhe e pabesueshmja ishte ajo që na treguan se një herë e një kohë ishte qytet i shkatërruar nga hordhitë osmane.

Varka, nga ato që transportojnë vizitorë, shkiste mbi ujin e liqenit të pastër, më hajthshëm bukuri me ngjyrat që të befasojnë: e kaltërta sa përnjimend të dukej sikur fluturon në qiell, e gjelberta si ulliri, nuanca që të ndjellin freski, energji pozitive e ndjenje pafundësie. Formacionet e relievit që shtrihen njëkohësisht nën këmbët e tij: Male, kodra, përrenj, shkëmbinj, shpella, pyje, vendbanime me një univers kulture e dinjiteti me gjithshka që jetonin dhe krijonin në punët e tyre si fisnikë me vepra e ndjenjë e përcjellë në shekuj.

Një rastësi e bukur, pasi më pëlqen të diskutoj për ato që i di mirë për të cilat mund të flas bukur dhe pareshtur. Biseda nis natyrshëm dhe gjendesh i befasuar nga informacionet që janë të mveshura me misterin e të fshehtave; të atyre që përmbajnë jo vetëm kërshëri për materialitetin e natyrës, peizazhet mahnitëse të Alpeve madhështore, shpesh të veshura në vellon e qiejve të ngarkuar me re; udhëtimin shumëshekullor të historisë së kësaj treve. Shkëmbim kulturor nga të dyja palët, sepse shoh që është i interesuar të dëgjojë atë çfarë flas unë.

Dikur këtu rridhte Drini i mbushur me plot vendbanime të njohura në historinë e shekujve, që dëshmonin një qytetërim të lashtë shumë kohë përpara lindjes së Krishtit, me mistere dhe madhështi. Liqeni i krijuar rreth pesëdhjetë vjet më pare, nga ndërtimi i digës së H/C të Vaut të Dejës, me përmbytjen mban brenda tij, historira të pafund, një numër të mirë xhevahirësh nga trashëgimia e tyre e pasur kulturore dhe artistike. H/C Vaut të Dejës një vepër energjitike faraonike, që i dha formë peizazhit dhe një përmirësim të mikroklimës së trevës, duke ndikuar në zhvillimin dhe jo vetëm, zhduku kujtesën historike, tapinë e këtyre trojeve.. Me ndërtimin e liqenit të Vaut të Dejës, një pjesë e Sardës u mbyt, ku do të mbeteshin reliket e këtij qytetërimi “të humbur”në mugëtirën e shekujve.

Shumë histori i bashkëngjiten Shurdhaut. Dikur në lashtësi (i banuar qysh në shekujt e 8-6 para lindjes së Krishtit) vendasit i kanë thënë Sardë, qyteti i 366 altarëve. Pastaj emri në kohë ka marrë formën e sotme, Shurdhau, që mban të njëjtin kuptim fillestar, çka konfirmohet jo thjesht përmes elementëve ndërtimorë, por edhe dokumenteve që përcaktojnë moshën dhe historinë e tij, një qytet që ka luajtur rol të rëndësishëm strategjik, politik e kishtar.

Njësoj sikur të zbuloje ishullin magjik të Amazonave

 

Mbetesh i befasuar nga Ishulli i Shurdhaut, që të ngjan me një diamant të shndritshëm përmbi ujërat e liqenit. Zbresim në breg dhe ecim përgjatë mureve, që janë dëshmia më bindëse e ndërtimeve të një qyteti mesjetar. Shurdhau ruan në qetësinë e vet mbiujore, mbetjet e mureve fortifikuese, të qeramikës dhe kishave të shumta e të rrënuara.
Ne do t’i prekim këto gjurmë kokëforta të shkatërruar nga flaka e luftërave, të zhytura mes gjembave, hithrave e ferrave. Do t’i rrëfejmë ca nga ca më poshtë vlerat dhe çka syri vështron vendet e jashtzakonshme të Sardës, mesjetën e saj të banueshme dhe dhimbjen e harresës historike. Arkitektura e tyre tregon për të parët tanë që përherë kanë ditur të zgjedhin vendet për të jetuar, anës lumejve dhe afër burimeve të ujit, pasi “uji është jeta”…
Kureshtja e shpenguar të sjellë në mendje ato që dinim për Sardën dhe qytetet bregadrinase të zhvilluara në Mesjetë (Sapa, Danja, Komani, Dushmani e deri në Va Spas). Trojet tona, për mbrojtjen e të cilave është derdhur shumë gjak për mijra vjet me radhë, në çdo pëllëmbë të tyre, janë të mbushura me histori dhe ngjarje, pjesën më të madhe të të cilave mendoj se nuk e dimë. Për t’i mësuar këto ngjarje, për të mësuar këto histori me heroizëm të pashoqë të kombit tonë të shumë vuajtur, të shumë grabitur e shumë shpërndarë në gjithë anët e botës, nuk mjafton vetëm zbardhja e tyre, nuk mjafton vetëm hedhja në letër, pra, nuk mjafton vetëm bërja e tyre të lexushme, por duhet bërë shumë e shumë më tepër, që brezi i sotëm e sidomos brezi i ri ta njohë sa më mirë atë dhe njohja e saj të trashëgohet brez pas brezi për të mos humbur, për të mos u vjedhur e tjetërsuar dhe për mos t’u harruar në jetë të jetëve.

Kronikanët bizantinë në periudhën e Mesjetës kanë shkruar për kështjella e qytete të fshira nga faqja e dheut, kisha të djegura, grabitje dhe vrasje të shumta ndër popullsinë e tyre.

Sarda veçanërisht gjatë disa shekujve, ishte një qytet i gjallë. Deri në fund të shek. XV ka qënë një qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore, duke arritur kulmin e lulëzimit të saj në kohën kur u sundua nga Dukagjinët.
At Bernardin Palaj thotë: “Sarda, Sardum asht Shurdhahu i sotëm, në brigjet e Drinit një ndër qytetet e hershme iliriane. Straboni popullin e këtij qyteti e njeh si ndër ato fise, që përbëjnë kombin ilirian në brigjet e Adriatikut…” (B. Palaj “Dioqeza e Pultit”, Hylli i Dritës, 1943, nr. 4 – 5, faqe 188)
Ndërsa Jeriçek shkruan: “Në kohën e pushtimit romak të fuqishëm ishin deasitiatët dhe pranë tyre sardeatët (Sardasit) e të tjera vendbanime, të cilat nuk mund të përcaktohen saktësisht”. (Jeriçek, “Historia e Serbëve”, faqe 42)
Në shekullin XV Sarda ishte një qytet mjaft i zhvilluar. Këtu jetonin familja e Dukagjinëve. Princi Lek Dukagjini kishte rezistencën e tij të fortifikuar. Mbas vdekjes së tij ky (qytet) shkatërrohet nga pushtuesit osmanë.

Rrënojat e shumta të strukturave murale të kështjellës dhe kishave katolike të stilit romanik janë dëshmi e gjallë e të një kaluare të lavdishme. Tregohet një histori për Sardën, se njëherë kur ishin takuar dy pleq e kishin pyetur njeri-tjetrin se nga je: -unë jam nga pjesa e epërme. Po ti nga je: -unë jam nga pjesa e poshtëme. Dhe çudia qëndron në faktin që në atë kohë ata nuk njiheshin. Në vitin 877 Sarda ishte qendra më e rëndësishme e Pultit (Polatit). Ishte seli ipeshkvore prej 1290 deri më 1460, që përmendet në një letër të Papës Celesti i Parë (422-432 pas Krishtit) i cili ia dërgon ipeshkëve të Ilirisë në Konsilin e Efizit më 15 mars 431.
Kalaja e Sardës një artefakt i moçëm, histori e gjallë e hershmërisë e cila qëndroi kryelartë përpara hordhive dhe invazioneve të shumta, të cilat deshën ta pushtojnë, por edhe si roje e fortë e popullsisë së atij vendi, njëkohësisht edhe e karvaneve që e përdorën si rrugëkalim këtë luginë për të udhëtuar në viset e Malësisë së Gjakovës dhe jo vetëm. Sarda ishte një nyje lidhëse rrugësh mes Shkodrës e Prizrenit, që lidhnin Adriatikun me Veri-Lindjen, të përmendura nga kronikanët, por edhe memuarët e priftërinjëve katolikë. Sipas kadastrës së vitit 1417, thuhet se nga Shkodra dalin tre rrugë: Tartareske, Skiavoneske dhe e Kanarit. Tartareske është ajo e Vaut të Dejës – Pukë – Qafë-Mali, Kukës e Prizren. Skiavoneske kalonte në tokat sllave dhe e Kanarit që kishte drejtim lindor për në Sardë-Koman-Kabash-Raj, por edhe në Qafë-Mali e Prizren.

Fortifikimi mbrojtës ishte i pathyeshem, saqë edhe miza nuk hynte.

Ndërsa kalonim rrënojat e mureve të kalasë, që rrethonin qytetin e poshtëm dhe atë të sipërm, Lodoviku tregoi legjendën e Portës së Kunorës, që mbante të ndarë qytetarët e thjeshtë nga prijësit e tyre:
-Ata djem që arrinin me kokë harkun, ishin gati për martesë për të mbajtur rracën të pastër, ndërsa ata që ishin më të shkurtër, i dërgonin në luftë.
Kisha “Të ngjiturit e Zojës në qiell”, që ishte seli ipeshkvore, kulmonte në misteriozitetin e mjegullës kohë. Të bën përshtypje emri i kishës, aqsa Lodovikut i kërkojmë një spjegim etiomitologjik dhe semantik të këtij emri, por ai fillon e tregon legjendën e saj.
“Të dielën e Pashkëve, Shurdhaun (Sardën) e pushtuan turqit. Ata kishin tentuar disa herë për ta pushtuar. Një grua plakë që ruante bagëtitë, u thotë se është e lehtë për ta pushtuar. Komandanti i ushtrisë turke i premton një kalë me hejbe me flori nëse tregon enigmën. Kështu të dielën e Pashkëve luftëtarët e Shurdhaut dhe popullsia shkojnë për të festuar në Katedralen e Mazrrekut e rrënuar kaherë që, sipas të thënave, i takonte vitit 1200.

Në Mazrrek nuk ka shkelur asnjëherë turku për ta pushtuar). Mazreku tashmë i braktisur, por dikur në ag të kohërave (deri në mesjetë) ishte qytet me kulla afër njëra-tjetrës sa kalonte macja çati në çati. Shumica e kullave rrënojë me gurë të mëdhenj, në formë drejtkëndëshe ose gjysmëqarkore. Në mes ngrihej manastiri, që ishte edhe vend peligrinazhi, ku shëronin shpirtrat e njerëzve. mirë të tyre. Në Sardë kishte një urë guri, të cilën e bënë të ditur at Gjon Karma: “Ura mbi Drì përpiqte motit Shurdhahun me Meshkallën, u kapte te Kisha e të Mbytunve në shkrep të Meshkallës (At Gjon Karma “Ndër Malet Tona” faqe 182). Meqënëse ura e Shurdhahut që lejonte kalimin nga njëra anë në tjetrën e lumit ishte e lëvizshme, ushtria turke depërtoi në ditën e Pashkëve dhe pasi e pushtoi, i masakroi të gjithë. Ajo gjuajti me topa edhe kishën e Mazrekut. Ishte e dielë dhe banorët ishin mbledhur brenda saj për meshë, ku gjetën vdekjen familje të tëra. Ato që mund të nxirren ishin më shumë se njëqind e pesëdhjetë, sipas kronikave të asaj kohe. Dhe askush ende nuk po merrte frymë. Ishte kjo ngjarje dramatike që do të përcaktonte përgjithmonë historinë e braktisjes së vendbanimit.

Hyjmë në portën e kishës “Të ngjiturit e Zojës në qiell”, sikur hyjmë në një tempull të lashtë. Tregohet një legjendë tjetër interesante, por askush nuk ia ka vënë veshin. Sot e kërkojnë, por nuk e gjejnë vendin ku ishte fshehur kumbanorja e saj, në një kohe, jo shumë të largët.

Shurdhau tashmë më dukej kaq i njohur. Sikur ishim futur brenda një vendi përrallash.

Më vete merr mitet e shekujve, traditën e lashtë shqiptare, zakonin e burrërinë, nderin e bujarinë, punën dhe veprat e tyre, mes një “amfiteatri” natyror të rrallë. Kënaqësia e vëzhgimit të asaj bote të lashtë, të mureve, të kalasë, të varreve, të kishave, të gjelbërimit, të qetësisë dhe shkumës së bardhë që linte varka në pasqyrën ujore që lagte brigjet, të gjithçkaje përreth deri në qiellin mbi këto maja përrallore, e bëri tufën e ndjenjave të shkruanin këtë përshkrim.

***
Ishte një ditë e mrekullueshme në Rragam, ku nuk mungoi: arti, liqeni, historia, arkologjia, natyra, si një pjesë e gëzimit që jep jeta; peizazhet e reja, me plot madhështi, larg hoteleve dhe bujtinave të zhurmshme pa stresin e çmimeve dhe manaxhereve prepotentë që i drejtojnë.