Bashkim Koçi: Prishta pa vjeshtë

360
Sigal

Reportazh/ Sot përfaqëson një fshat të dobët ekonomikisht dhe me infrastrukurë të keqe

 

Mbaj mend se edhe në kohët e shkuara, përpara viteve ’90, stina e vjeshtës na bënte magjinë për t’ju drejtuar fshatit, për të shijuar atë që asnjë bukuri, e pranverës apo e verës, nuk ta jep  mahninë, që mund të shikosh në fytyrën e vjeshtës. Këto histori dashurie me fshatin  ndodhnin kudo, por ca më shumë më fshatin tim të lindjes, me Prishtën e famshme, të dëgjuar në tërë Skraparin për prodhimin e frutave, e sidomos të mollëve e rrushit.

Këto ditë të fillimit të vjeshtës së dytë, të muajit tetor, ma tha mendja të dukesha njëherë andej nga Prishta. Jo për gjë, por i thashë vetes se “nëse do të shikosh e shijosh bukuritë e vjeshtës koha më e bukur që ta sjell magjinë e kësaj stine më të vërtetë e më të bukur, është fundshtatori e fillimi i tetorit.

Rrugë, rrugë…

Prishta është ndoshta fshati i vetëm që këta muajt e fundit është bërë objekt bisedash e lajmesh, të cilët si kryefjalë kanë patur rrugën automobilistike që lidh fshatin me aksin kryesor që të çon në Çorovodë. Eshtë kjo një histori e gjatë, vite e vite, e cila deri para pak kohësh ka tjerrë vetëm fjalë. Lojë kungulleshkash. Dikush fajësonte shtetin, dikush Kryegjyshatën e të tjerë komunitetin e prishtallinjëve. Dhe këtë “ lojë zbavitje e ka kush e ka”, e zgjidhën vetë ca djem të Prishtës, ata që, nisur nga dëshira e mirë për t’i  dhënë udhës udhë, e për të mos u marrë më me këtë “ëndërr pa fund”, iu drejtuan familjeve të fshatit, kudo që punojnë e jetojnë, që nga buxheti i tyre të sakrifikonin sadopak për të çuar rrugën në Prishtë. Është vendi të sjellim emrat e këtij shtabi të dalë paksa vullnetarë si Nebi Muçaj, Pasho Lushka, Patriot Llane, Helidon Bekteshi, Adriatik Dervishi dhe të atij, që mbeti nga fillimi deri në fund “argat” i të gjithëve, i atyre që përmenda pak më sipër, Halil Duro. Në këtë listë të personave që u kujdesën e vazhdojnë të jenë “meraku” i rrugës së Prishtës, radhitet, në mos i pari në listë, kryetari i bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema. Një prishtalli, në një bisedë rreth kësaj teme, më tha disi prerë e me një nuancë mirënjohjeje: Pa ndihmën e Adriatik Memës mundi dhe lekët, që hodhëm për rrugën do të shkonin në përrua.

Ndoshta isha i pari që po udhëtoja për në Prishtë për ta parë ndërtimin e rrugës nga një pozicion “supervizori” e që nëpërmjet këtij reportazhi të mund të zbuloj ca të vërteta, nga ato që ndreqin e jo që të prishin punë. Rruga sigurisht që nuk ka përfunduar dhe, për hir të së vërtetës, të krijohet imazhi se diçka është bërë. Këtë gjë ta thonë ata që i japin makinës, të cilëve nuk u dalin më vështirësitë apo rreziku për të dëmtuar automjetin. Janë rreth katër kilometra rrugë që makina rrëshqet dhe, vetëm për këtë gjë, koha, që të duhet për të mbritur në qendër të fshatit, nuk është si më parë. Pra mbërin më shpejt dhe, ndërkohë pa asnjë dëmtim të makinës. Po a ka ndonjë rrezik që kjo rrugë të mund të dëmtohet nga rreshje të shumta e të rrëmbyeshme? Tjetra: A krijohet mundësia që ajo të mbetet në mes për shkak se prishtallinjtë do të “dorëzohen” për të financuar përfundimin e saj? Nuk besoj të ndodhë as njëra e as tjetra. Jam besimplotë se nisma e një fshati me emër të mirë, të prishtallinjve që kanë dhënë prova të tjera më të mëdha e që kanë dalë faqebardhë kudo, të mund t’u thuash e të dëgjojnë  dëngla të dashakeqësve: më mirë të mos e kishit nisur fare sesa e latë përgjysëm.

Jo, rruga do të bëhet!

Sa i vogël ky Përroi i Madh!

Thatësira e këtij moti të mbrapshtë mbetet e paparë. Prishtën, fshati, që dikur “mbytej” nga uji, e gjeta të mpakur e të vuajtur nga etja për ujë. Nuk e kisha parë kurrë fshatin tim ku kam lindur kaq të braktisur e që të vuajë për pikën e ujit. Sa futesh në fshat, aty në fund të Prishtës, përballesh me një përrua, të cilit i është thirruar në shekuj Përroi i Madh. Ai tashmë gati nuk ekziston, është bërë aq i vogël si të jetë një vijë uji. Rrepeve shekullorë u kanë dalë rrënjët në sipërfaqe dhe të japin imazhin si të jenë mbjellë nga dora e njeriut. Duke i soditur për të nxjerrë mallin, por edhe për të vrejtur nëse kishte tharje të tyre në masë, siç u konstatua kjo gjëmë për rrepët kohë më parë, vura re se ata gjelbëronin shëndetshëm dhe ma larguan frikën se nuk do t’i shoh më.

Po përse nuk ka ujë në Prishtë, ndërsa një ujëmbledhës sa një liqen i madh u ndërtua për të ujitur jo vetëm tokat e Prishtës, por edhe ato të Çepanit, Blezënckës e më tutje? Sepse atij, si për çdo vepër të ndërtuar në sistemin e kaluar, iu lëshuan për të çbërë, duke grabitur të gjithë rrjetin shpërndarës, i cili për disa kilometra kishte tubacione çelik e hekur. I grabitën trushkulurit dhe sot fshati ka mbetur pa ujë. Arat dhe kopshtijet, dikur të mbjella me zarzavate e bimë bujqësore, nuk i gjen më. Eshtë e pabesueshme për këdo që ka qenë dhe ka dëgjuar për Prishtën, që aty të mos ketë domate e tranguj nga ata të që moçmit, që fasulja të jetë e mpitë, apo që patatja të këtë mbetur sa një kokërr arre.

Sidoqoftë thatësira e tejzgjatur, si kudo, e ka bërë këtë fshat, dikur si ata të përrallave, të “dorëzohet” dhe për çdo gjë, gati të gjitha që janë mbi dhè, të të shfaqet as të gjalla e as të vdekura.

Në një dyluftim, natyra i ka mundur njerëzit

Nuk e besoj ende për atë që pashë me sytë e mi se në ç’gjendje ishte transformuar Prishta. Nuk ishte ajo që kam njohur e as ajo që mendoja se ishte. Aty nuk ka më blloqe të mbjella me mollë, nuk ka më as lisa nga ku vareshin pjergullat e ngarkuara me rrush. Aty është zhdukur gjithçka në mënyrën më të pabesueshme. Arat-brezare të dikurshme janë tretur me njëra-tjetrën, duke u transformuar në sipërfaqe unike të mbuluara me shkurre e ferra. Nuk dallohen kufijtë ku fillon e mbaron ara ime e ku i ka kufijtë ajo tjetra! Eshtë një mishmash i paparë, që nuk mund ta imagjinojë kush sesi ka fituar natyra në dyluftim me njerëzit. Madje kanë humbur edhe emrat e vendeve, të arave e të gjithçkaje të dikurshme. Këtë çka po them e provova vet, gjë që më shkaktoi vuajtje shpirtërore. Ku është Ara e Selamit, pyeta veten, pronën e babait tim dhe nuk e gjeta dot. Ajo ishte bërë njësh me të tjerat, duke krijuar një rrafshinë si të mbjellë me bimësi të shkurtër e ferrra nga Ai lat, nga Zoti.

Njeriu kur përballet më transformime të tilla pyet veten: çka ndodhur me Prishtën? Përgjigjen e kësaj pyetjeje ta jep çdokush, sepse këtë gjendje e përjetojnë të gjitha fshatrat në Skrapar e rrethe të tjerë të vendit. Aty kanë ikur njerëzit, nuk ka kush që të mbajnë e trajtojnë tokat, t’i punojnë, t’i mbjellin, duke i shërbyer tokës si të jetëqënie e gjallë, si të jetë e tyrja, pjesë e shpirtit. Mirëpo aty janë larguar të gjithë, nuk ka më njerëz. Aty nuk ka kush të të presë, të të thotë mirëserdhe. Brodha disa kilometra nëpër teritoret e fshatit, arë më arë e ledh më ledh, e nuk pashë frymë njeriu. Në të gjithë atë “rrugëtim” disa orësh u përballa vetëm me dy njerëz, me Bujar Bekteshin dhe Agim Lushkën. Asnjë tjetër. Të tjerët ku ishin?  Ç’u bënë prishtallinjtë, të cilët dikur bënin të gumëzhiste fshati, të ishin non stop 24 orë në punëra të ndryshme? Atëhere i gjeje arave të mbjella, blloqeve me drufrutorë, hipur nëpër lisa për të vjelë rrushin, e sidomos  tani në këta muaj vjeshte. I gjeje edhe në shkollë ku mësonin dhjetra fëmijë e në veprimtari kulturore për të argëtuar shpirtin. Vërtet ç’u bënë?

Patriot Llane, i cili nuk ka lëvizur dhe nuk ka ndërmend të braktisë Prishtën, thotë se aty janë vetëm 20 shtëpi. Një pjesë e mirë e tyre kanë vetëm nga një e dy persona. Të tjerët kanë marrë arratinë në qytetet më të mëdhenj të vendit si Tiranë, Durrës, Berat e gjetkë. Fillimisht një pjesë e tyre u kujdesën për tokat, për pemët e vreshtat, por koha bëri të vetën. Vit pas viti u larguan e nuk duken për të investuar diçka për pronat e tyre, vijnë thjesht për mall.

Për mall vajta edhe unë tek shtëpia e tim vëllai, e Xhakos që banon në Tiranë. U trishtova shumë për çka pashë aty rreth e rrotull, e kur e krahasoja me atë të viteve të shkuara, atëherë kur si tani, bëheshim vizitorë të përvitshëm të Prishtës. Oborri i dikurshëm me lule e trëndafila, ish mbuluar nga barërat e këqia e ferrat. Nuk gjeje dot derën e shtëpisë nga mund të hyje brenda. Gorrica, që dikur mbante mbi shpinë një pjergull të madhe, e cila në mot të mbarë të jepte një kv rrush, gati kishte vdekur, nuk ishte më. “Ligjërontonte” vetëm gorrica. Mezi dallova dy bistakë rrushi, të cilët nuk i preka, thashë me vete, le t’i hanë zogjtë. Druri i arrës në krah, sapo hyn në avlli, kishte vetëm ca kokrra, të mëdha sa një lajthi. Edhe pjergullat më tutje, para dhe mbrapa shtëpisë, m’u dukën gati të thara e të vrara, si të ish fund dhjetori.

Kthesa që e kërkojnë një çmim

Mënyra e vetme që të mund të rikthehet shpresa dhe begatia në fshat, sigurisht edhe në Prishtën time, është që ta duam atë dhe t’i rikthehemi punës. Janë ca shembuj që të ngrohin zemrën e madje të bëjnë optimist se vetëm me punë diçka mund të bëhet dhe t’i vihen frenat që fshati të mos përfundojë në greminë e të mos ngrihet dot më. Sigurisht kthesa që mund dhe duhet të bëhet e kërkon një çmim. Janë dy fermerë në Prishtë, Patriot Llane e Refit Dervishi, të cilët, me mundim e punë cfilitëse, kanë arritur të mbijetojnë e madje të realizojnë punë të bukura. Ata mes asaj shkretie që e ka shëmtuar Prishtën, kanë ngritur oazë shprese, kopshtije e vreshta e nga ku sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjet, për të shkolluar fëmijët dhe për të bërë jetë brenda normalitetit në kushtet e fshatit. Ata vetëm nga 2-3 dynym vretshta prodhojnë nga 40 deri 50 kv rrush secili. Këtë kujdes tregon edhe teqeja për pronat e saj, vreshtave e pemtarisë. Këtë vit prodhimi i rrushit,- na thanë punëtorët që shërbenin aty,  mund të shkojë deri në 100 kv rrush i freskët për tavolinë dhe për të prodhuar raki.

E solla këta tre shembuj për t’i dhënë frymë optimizmit e për t’ju thënë banorëve të larguar nga fshati, të cilët matin rrugët e qyteteve në kërkim të punës për të siguruar bukën e fëmijëve: shkoni në fshat, punoni tokat, shërbejini blegtorisë dhe do të shikoni e shijoni bekimin që të jep djersa e ballit.

Kohë të mjera, njerëz të mjerë

Kthehuni në fshat, lutemi ne, po si, kush do t’i mbështesë fermerët? Në këtë arsyetim, pse dhe si u braktis fshati, të del përpara si pa dashur qeveria, ajo që është kujdestare për të gjithë. Dhe del në konkluzionin së njerëzit braktisën fshatin, sepse qeveritë braktisën njerëzit. Madje kjo harresë erdhi në një cak fundor saqë ata, pra fshatarët, ndërmorën lëvizje apokaliptike, të guximshme e pa një objektiv të caktuar për t’i bërë hall kokës. Tani, në bisedat që bëra rreth këtij problemi, banorët e larguar janë në udhëkryq: të qëndrojnë në qyet, keq, të kthehën andej nga kanë ardhur, akoma më keq. Realisht ngado që tentojnë të ikin u merret fryma vetëm nga pashpirtësia e tyre që i kanë qeverisur. Le të qëndrojmë për një moment në Prishtë dhe secili lexues i këtyre radhëve le të nxjerrë përfundimet e tija për fshatin e tij. E para, aty nuk ka shërbim shëndetësor. Eshtë vendi të përdoret togfjalëshi, “ku thërret qameti”. Atëhere si i bëhet? Eshtë detyrë e qeverisë të ndërmarë reforma afatshkurtra e afatgjata për të rikthyer shërbimin shëndetësor në fshat. Le ta shajmë e mallkojmë sistemin, që lamë pas, por kujdesi për shëndetin e njeriut ishte ai që ishte. Ja, aty në Prishtë, gjendej dentisti, infermieri e mamia, e madje edhe mjeku me profilizim të përgjithshëm. A janë në gjendje qeveritë, të të gjitha krahëve, të rikthejnë të parën gjë, siç është shërbimi shëndetësor, e pastaj të inkurajojnë njerëzit të rikthehen në fshat? Mirëpo historia deri tani është pothuajse histori tregimesh të dështuara dhe shpresash të zhgënjyera. Kjo histori, madje shumë më trishtuese është edhe për shkollimin e fëmijëve. Aty në fshatin tim të lindjes dikur u ndërtua një shkollë, e cila i ngjante më shumë filialit të një universiteti. Tashmë është drejt shkatërrimit të plotë, krejtësisht me mure e mjedise të degraduara. Pse, ç’dodhi me shkollën e Prishtës? Ka vetëm një përgjigje: ikën njerëzit, ikën të gjithë banorët bashkë me fëmijët. Po sjell vetëm dy shifra tronditëse, të cilat m’i solli në vëmendje drejtori i asaj shkolle famëmadhe, Ismail Sheroku. Në vitin 1986, pak vite përpara se fshati të merrte të tatëpjetën e pakthyeshme, aty mësonin plot 186 nxënës. Jepnin mësim 13 mësues të profileve të ndryshme. Nuk kishin diploma të fallsifikuara, siç ndodh sot, por të mirë arsimuar e profilizuar sipas lëndëve e shkencave përkatëse. Po sot? Nuk të bën goja të thuash këtë të vërtetë që të helmon shpirtin. Nuk të bën goja edhe sepse nuk e beson kush se në ç’pikë fundore ka arritur shkollimi i fëmijëve tek ky fshat arsimdashës.Aty mësojnë vetëm katër fëmijë. Edhe mësimi jepet në një zgëq: mjedis që të zë frika ngandonjë e keqe, që mund të të vijë. “O tempora!  O mores!”

Prishta me destinacion turistik?!

E pse jo, do të thoshnin djemtë e Prishtës, të cilët në propogandimin dhe grumbullimin e mjeteve financiare për ndërtimin e rrugës, përdorën si faktor nxitës se Prishta mund dhe duhej të kthehet vend me destinacion turistik. Unë kam opinionin tim dhe që dua ta shpreh edhe në këto radhë që po shkruaj për Prishtën. Prishta, të paktën sot për sot e ca më tutje nuk mund ta ketë këtë privilegj, që të jetë e dëshiruar nga turistët vendas dhe të huaj. Jo për gjë, por fshati nuk ka asnjë “çudi” a diçka tjetër që të të prishë mendjen për të marrë rrugën deri atje për të prishur ca euro apo dollarë. Prishta deri më sot përfaqëson një fshat të dobët ekonomikisht, me infrastrukurë të keqe dhe objekte që hëpërhë nuk të çfaqin asnjë interes për turistin. Aty në fshat tre apo katër djem kanë ngritur shtëpi të mira, ndoshta të përshtatshme për të bujtur turisti. Shtëpitë e Engjëllush Bekteshit, të Gramoz Bejkos, të Kastriot Hajdarajt apo edhe të Helidon Bekteshit mund të plotësojnë“tekat” e ndonjë vizitori me kërkesa mjaftueshëm  modeste, por kurrsesi të një turisti gjerman, çeku, të çdo perëndimori. Dikush i ka bërë jehonë Kalasë së Prishtës, me një emër të ri, Kalaja e Orgesēs, gjë që nuk më ka lënë përshtypje të mirë. Dikujt që nuk e ka parë kurrë atë Kala, i krijohet përshtypja që kur të shkojë atje do t’i shfaqet para syve Kala e Beratit, kur në fakt do të shikojë e prekë mure krejt të zakonshëm, pa histori. Ne, bij të atij vendi, e njohim me emrin Rredhi i Kalasë dhe kam mendimin që kështu të mbetet. Kalaja e Orgesēs le të njihet për hulumtues e studiues, për arkeologët që janë specialistë të kësaj fushe. Nuk besoj që të ketë ndonjë “të marrë” për të parë e për t’u njohur me ato pak gjëra që të servir Kalaja e Prishtës. Studiues po, por jo turist, i cili është me sqimë për kërkesa shumë më të larta. Një udhëtim i turistit deri atje do të ishte një zhgënjim i madh.

Prapë për rrugën….

Si “supervisor” vullnetar, por edhe si i dëshiruar që rruga e Prishtës të përfundojë sa më parë, besoj se është në rrugë të mbarë. Pra rruga ka marrë udhë. Destinacioni tashmë është i njohur, qëndra e fshatit dhe pak më tutje, deri në Teqe. Kur them “deri në Teqe” më shkon mendja në Kryegjyshatë, tek Baba Mondi dhe Zalo Qato, të cilët, siç e kanë zakon bektashinjtë, u duhet të gjendem pranë nismëtarëve, sepse, me hir apo me pahir, ata janë dhe do të mbeten “ pjesë” e kësaj rruge. “Djemtë e Prishtës” që ndjekin punën, e kanë mendjen te financimi i objektit, tek “thesi me para” që të mund t’ia dalin. Disa janë shprehur të gatshëm e madje e kanë futur dorën në xhep për të dhuruar ca para, e të tjerë, si puna ime, mbajnë vetëm shënim, duke bërë bilancin e kuriozit sesa para do të mblidhen. Shikoj se prishtallinjtë nuk kursejnë për ca punë që do të mbeten, pra për punë të mëdha. Në një bisedë me Agimin dhe të motrën, Valentinën, dy fëmijë të ushtarakut me emër të mirëprishtalli, Hysni Hoxhës, u treguan të gatshëm për të kontribuar modestisht për rrugën. Ata kishin ardhur nga Kanadaja e largët për ca ditë dhe nuk mundën të shkonin në Prishtë. Do të vimë në Prishtë, më thanë e ku ua shihja mallin në sy, vitin tjetër me besim se rruga do të ketë përfunduar. Një gjë është e sigurt, besimi që për të përfunduar rrugën e Prishtës dhe se kjo gjë është në rrugën e duhur. E di pse? Sepse ku ka vendosmëri, rruga gjendet.