‘Zëri Amerikës’: Rama kryqëzon kryebashkiakët për tenderat me një ofertues

178

‘Open Data’: Qeveria ka më shumë shkelje në tendera, se bashkitë

Sigal

‘Zëri Amerikës’ analizon qëndrimin e kryeministrit Rama dhe organizatës monitoruese në lidhje me tenderat dhe dhe prokurorimet abuzive. Në Tiranë, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje kryetarëve të bashkive që t’u japin fund praktikave korruptive me tenderat dhe prokurorimet, që të mos bëhen objekt i hetimeve të SPAK-ut, si kryetari i bashkisë së Lushnjes. Ndërsa organizata monitoruese ‘Open Data Albania’ i tha ‘Zërit të Amerikës’ se qeveria dhe agjencitë e saj janë në vend të parë, si më shumë të dyshuarat për korrupsion e klientelizëm, sidomos në sektorët e shëndetësisë, rrugëve dhe rindërtimit. Pak ditë pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Lushnjes dhe punonjës të tjerë nga SPAK për abuzime me tendera, kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive dhe u bëri thirrje të zbatojnë ligjet, që të mos bëhen objekt hetimesh nga struktura e posacme anti-korrupsion. Zoti Rama tha se, kriteret e shtuara enkas në tendra, si kostum me porosi për fituesit, dhe mungesa e garës, janë një dukuri që duhet të marrë fund, bashkë me rryshfetet dhe korrupsionin në pushtetin vendor. Por organizata monitoruese ‘Open Data Albania’, i tha ‘Zërit të Amerikës’ se bashkitë nuk janë sektori më problematik sa u takon tenderimeve abuzive, krahasuar me të tjerët. Drejtuesja e organizatës ‘Open Data’, Aranita Brahaj, e pyetur nga ‘Zëri i Amerikës’, deklaroi se, tenderat e qeverisë ua kalojnë bashkive për sa u takon mungesës së konkurrencës, anullime të përsëritura, negocime dhe mos-respektim afatesh. Vërtet bashkitë kanë nivel 30 % tendera me risk për korrupsion dhe abuzime, por bashkitë nuk janë sektori më problematik. Sipas ‘Open Data’, me të njëjtën metodologji janë 40% e tendera të sektorit të shëndetësisë, që vlerësohen me risk të lartë për korrupsion dhe klientelizëm. Po ashtu, paraqiten edhe tendera të Autoritetit të Rrugëve apo Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilat karakterizohen nga përqëndrim fondesh në pak biznese.“Këto tendera kanë skualifikime të operatorëve që ofrojnë vlera më të ulëta, duke lënë fitues oferta të larta” – thekson ‘Open Data’. Problematik dhe me defekte të mëdha paraqitet fondi i rindërtimit pas tërmetit, ku në vitin e dytë pas fatkeqësisë, janë përdorur miliarda lekë, që kontraktohen me procedurë të kufizuar, pa garë ofertash, me afate vetëm 10 ditore, për paraqitje interesi.“Megjithëse janë vlera të larta, asnjë kompani e huaj nuk del në skenë, lekët janë përqëndruar në pak duar dhe mungesa e konkurrencës, është vendosur me ligj, pasi qeveria aplikon Aktin Normativ të dhjetor 2019, duke anashkaluar legjislacionin për prokurimet” – thotë zonja Brahaj drejtuese e ‘Open Data’.

“Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore ka përfunduar si status, por Akti Normativ vijon të përdoret,” -theksoi ajo. Vlerat e tenderave janë të përqëndruara në pak biznese, kompanitë e huaja hezitojnë të marrin pjesë në garë, vëren organizata ‘Open Data Albania’.