Digjitalizimi i shërbimeve publike braktis pensionistët

18
Sigal

Edhe në vitin 2022, vit ky, kur qeveria vendosi kalimin e 95% të shërbimeve online, Brukseli zyrtar “kritikoi Tiranën zyrtare”, duke thënë se ky ishte një hap i shpejtë, që nuk do të përqafohej dot lehtë.

 

Gara e shpejtë për të digjitalizuar mbi 95% të shërbimeve publike ka lënë shumë qytetarë të moshuar, përfshirë pensionistët, të bllokuar dhe në vështirësi. Me mbi 545,000 pensionistë të prekur. Sfidat përfshijnë aftësi të kufizuara, digjitale dhe qasje, me disa prej tyre që përfundojnë duke paguar për këto shërbime. Kritikët bëjnë thirrje për një qasje më gjithëpërfshirëse, duke theksuar shqetësimet për sigurinë dhe nevojën urgjente për zgjidhje alternative, për të siguruar qasje të barabartë në shërbimet esenciale.

“Nuk di fare ta përdor e-Albania-n. Kanë bërë shumë gabim, që kanë mbyllur sportelet për moshën tonë, mbi 60 vjeç. Qeveria duhet të kishte lënë hapur zyra, ku mund të ndihmoheshim për të marrë certifikata”, – kështu shprehet zonja Nafije (emër jo i vërtetë), një pensioniste, që jeton në kryeqytet, mbi vendimin e qeverisë që u mor më 1 maj të vitit 2022, për të kaluar 95% të shërbimeve publike online.

Ajo tregon se jeton me një asistencë prej 2.000 lekësh në muaj, pasi nuk i ka vitet e plota të punës për të marrë një pension, ndërsa thotë se, edhe aksesin në teknologji e ka të kufizuar.“Kam një celular të vjetër.”Njësoj si zonja Nafije, nga vendimi i qeverisë për t`i mbyllur sportelet për dhënien e shërbimeve publike dhe digjitalizimin e tyre, janë prekur mbi 545 mijë pensionistë në Republikën e Shqipërisë.

Sipas statistikave të Eurostat-it për vitin 2022, mbi 80% e popullsisë në Shqipëri përdor internetin çdo ditë. Megjithatë, në statistikat e Eurostat-it theksohet se, në grup-moshën 55-74 vjeç, mbi 50% e tyre e përdorin internetin kryesisht për të bërë telefonata me të afërmit.

 

Përqindja e grup-moshës së pensionistëve (65-74 vjeç), që e përdorin internetin për të marrë shërbime publike, sipas Eurostat-it, është 17.91%, një shifër kjo tejet e ulët, duke marrë parasysh digjitalizimin e më shumë se 90% të shërbimeve publike.

Në grup-moshën 55-64 vjeç vetëm 29.2% e popullsisë e përdor internetin për të marrë shërbime publike dhe në grup-moshën 45-54 vjeç është vetëm 45.9% e popullsisë që e përdor internetin për këtë qëllim.

Në grup-moshën 35-44 vjeç është 59.5% e popullsisë, që ka aftësi për ta përdorur internetin dhe teknologjinë në marrjen e shërbimeve publike.

Sa i përket grup-moshës së pensionistëve (64-74 vjeç), dhe përdorimit të internetit për të marrë shërbime publike, Shqipëria renditet gjithashtu poshtë disa vendeve të rajonit, që nuk kanë ndërmarrë të njëjtin hap si vendi ynë për të digjitalizuar mbi 90% të shërbimeve publike dhe për t`i mbyllur sportelet.

Mungesa e këtyre aftësive digjitale, sipas statistikave të Eurostat-it, por gjithashtu edhe sipas asaj që thonë qytetarët, tregon qartazi pengesat, që ekzistojnë kryesisht te moshat e treta, por jo vetëm, sa i përket marrjes së shërbimeve publike.

Migena Meto, me profesion konsulente, thotë se shpeshherë has vështirësi për të marrë një shërbim, pasi kërkimi me fjalë kyçe nuk është gjithnjë efikas.

“Ndonjëherë mund të jetë pak më komplekse, sepse me fjalët kyçe, jo gjithmonë, por mund të dalë më shumë sesa një alternativë për atë që kërkon, kështu që mund të jetë pak më e vështirë, që të gjeni atë që kërkoni”, – thotë 34-vjeçarja.

Gent Progni, ekspert IT, thotë se shkaku i vështirësive, me të cilat hasen qytetarët për marrjen e një shërbimi, lidhet edhe me ndërtimin jo efikas të e-Albania-s.

e-Albania nuk është ndërtuar në mënyrën më efikase të mundshme, sepse, nëse e hap platformën, t`i e kupton që butonat me shërbimin përdor, ose vulos, ose kërko nuk kanë asnjë funksion, në momentin që i klikon. Problematikat kryesore vijnë, sepse njerëzit kërkojnë sipas fjalëve kyçe, p.sh., Kadastra, ndërkohë që duhet të kërkojnë ASHK. Po, ku e di një përdorues se çfarë është ASHK?! Ai i shkreti, kur shkon te zyra, thotë: “Te Kadastra dua të kërkoj diçka”, një dokument, një tapi etj. Gjithashtu, nuk është bërë asnjëherë një sqarim se si përdoret kjo platformë, pra asnjëherë nuk kemi parë një video-tutorial, një dokumentim se si përdoret, për të kërkuar diçka”, – thotë Progni.

e-Albania nuk është ndërtuar në mënyrën më efikase të mundshme, sepse, nëse e hap platformën, t`i e kupton që butonat me shërbimin përdor, ose vulos, ose kërko nuk kanë asnjë funksion, në momentin që i klikon. Problematikat kryesore vijnë, sepse njerëzit kërkojnë sipas fjalëve kyçe, p.sh., Kadastra, ndërkohë që duhet të kërkojnë ASHK. Po, ku e di një përdorues se çfarë është ASHK?! Ai i shkreti, kur shkon te zyra, thotë: “Te Kadastra dua të kërkoj diçka”, një dokument, një tapi etj. Gjithashtu, nuk është bërë asnjëherë një video-tutorial, një dokumentim se si përdoret.

Në kërkesën për informim që ACJQ dërgoi tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit mbi mënyrat se si qytetarët mund të marrin suport mbi problematikat, që hasin në përdorimin e e-Albania-s, ky institucion u shpreh se, qytetarët mund t`i drejtohen me pyetjet dhe paqartësitë, që kanë, adresës së email-it [email protected].

Besmir Semanaj, me profesion inxhinier elektronik dhe ekspert IT, thotë se vetëm një adresë email-i nuk mjafton për t`i ndihmuar qytetarët.

“Një adresë email-i është e pamjaftueshme për të përballuar fluksin e kërkesave, minimalisht duhet të ketë edhe një hotline, ku qytetarët të trajnoheshin dhe të mësoheshin hap pas hapi se si ta përdorin këtë shërbim”, – thotë Semanaj.

Përveç adresës së email-it për të marrë suport, në muajin dhjetor kryeministri i vendit deklaroi se tek e-Albania qytetarët do të kenë asistencën e inteligjencës artificiale në marrjen e shërbimeve publike.

Eksperti i IT, Gent Progni, thotë se ky sistem i inteligjencës artificiale nuk është efikas, pasi është thjesht një kopje e chatbot-it, Chat GPT.

“Këto janë zbukurimet dhe dritat, që vendosen më shumë për të shitur mend sesa për të dhënë zgjidhje. Po ta shohësh inteligjencën artificiale, që është përfshirë tek e-Albania, nuk ka lidhje fare me inteligjencën artificiale, por thjesht është një mini Chat GPT. Nuk ka lidhje, nuk është një inteligjencë artificiale e ndërtuar bazuar në platformën e-Albania-s. Është Chat-GPT e huazuar. Inteligjencë artificiale do të ishte, nëse ne do të bënim një chatbot, që është totalisht mbi bazën e e-Albania-s dhe ka totalisht përgjigje për e-Albania-n”, – thotë Progni.

Me digjitalizimin e shërbimeve publike, kancelaritë kanë arritur që ta kthejnë marrjen e këtyre shërbimeve në një biznes. Nuk janë të pakta kancelaritë në kryeqytet, por jo vetëm, ku mund të lexosh njoftime, ku shkruhet: “Bëjmë aplikime për marrjen e dokumenteve në e-Albania”.

Idriz Polezhi, 71 vjeç, nga Dibra, thotë se, sa herë që i nevojitet një certifikatë, drejtohet te këto biznese.

“Shkoj të kancelaria dhe e marr certifikatën apo dokumentin, që më duhet. Paguaj 50 lekë për certifikatë, i jap kodin, që kam dhe nxjerr certifikatën”, – thotë i moshuari.

Për ekspertin Besmir Semanaj , shpërndarja e të dhënave personale, për shkak se qytetarët nuk dinë ta përdorin e-Albania-n, mbetet një shqetësim real, që mund të sjellë pasoja.

“Rreziku më i madh është vjedhja e identitetit dhe përdorimi i dokumentacionit të gjeneruar për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme”, – thotë ai për Albanian Centre for Quality Journalism.

Të dhënat e qytetarëve shqiptarë kanë qenë në rrezik gjithashtu edhe nga sulmet kibernetike, që kanë goditur institucionet në vendin tonë.

Hacker-at iranianë e filluan aktivitetin e tyre në vitin 2021 për vjedhjen e informacionit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Më 18 korrik të vitit 2022 qeveria shqiptare deklaroi se të gjitha faqet e saj, përfshirë edhe platformën e shërbimeve onlinee-Albania, ishin përkohësisht jashtë shërbimit si pasojë e një sulmi kibernetik.

Kompania Microsoft, e punësuar nga qeveria shqiptare për t`i hetuar këto sulme kibernetike në bashkëpunim me FBI-në amerikane, dolën në përfundimin se ky sulm ishte kryer nga aktorë të sponsorizuar nga qeveria iraniane.

Të dhënat, që u bënë publike nga hacker-at, që kryen këtë sulm kibernetik, përfshinin emrat dhe adresat e më shumë se një mijë informatorëve të fshehtë të policisë, email-et private të ish-drejtorit të policisë shqiptare, Gledis Nano, bilancin e llogarive bankare për më shumë se 30 mijë persona etj.

Më 10 shtator të vitit 2022 një tjetër sulm kibernetik goditi sërish Shqipërinë, kësaj here sistemin TIMS, një sistem ky që regjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga Shqipëria.

Prokuroria e Tiranës, e cila po heton rastet e sulmit kibernetik ndaj AKSH-it, thotë se dosja është pezulluar më 19 korrik të vitit 2023, pasi janë në pritje të përgjigjeve të letërporosive.

Për këto sulme janë dërguar për gjykim 5 shtetas për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në përgjigjen e saj Prokuroria e Tiranës thotë se këta 5 shtetas janë hetuar nën masën e sigurimit “Detyrim për t`u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Përtej institucioneve shtetërore sulmet kibernetike në Shqipëri kanë goditur edhe banka të nivelit të dytë.

Eksperti i IT, Gent Progni, thotë se e-Albania nuk është ende e sigurt, pavarësisht se për ndërtimin e saj janë shpenzuar miliona euro.

Sipas Open Data, platformës qeveritare për të dhënat e hapura, në platformën e-Albania janë të regjistruar 3,074,325 përdorues. Përgjatë muajit dhjetor të vitit 2023 në këtë platformë ka pasur mbi 1 milion aplikime për shërbime elektronike. e-Albania nuk është ende e sigurt, pavarësisht se për ndërtimin e saj janë shpenzuar miliona euro.

Ndërkohë që qeveria vijon “ta brohorasë” si një sukses të sajin dhënien e shërbimeve publike online për qytetarët dhe duke thënë se kjo kursen miliona dollarë, si për qytetarët, si për shtetin, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë dhe Informacionit refuzoi që t`i përgjigjej kërkesës sonë për informacion, ku, e pyetur mbi kostot e ndërtimit të platformës e-Albania, u shpreh se nuk mund të ketë një kosto fikse, pasi bëhet fjalë për një platformë komplekse. Qeveria shqiptare zgjodhi të mos japë informacion se sa pará të taksapaguesve shqiptarë janë përdorur për ndërtimin e platformës e-Albania.

e-Albania nuk është një sistem i vetëm, por një bashkësi shërbimesh dhe produktesh të investuara, të mirëmbajtura e të përmirësuara ndër vite. Rrjedhimisht, është e pamundur të përllogaritet një shifër konkrete”, – thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion, që dërguan pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit.

Sipas Open Data, platformës qeveritare për të dhënat e hapura, në platformën e-Albania janë të regjistruar 3,074,325 përdorues. Përgjatë muajit dhjetor të vitit 2023 në këtë platformë ka pasur mbi 1 milion aplikime për shërbime elektronike.

Megjithatë, vështirësitë, që hasin shumë qytetarë në marrjen e shërbimeve publike, si dhe sulmet kibernetike, janë ndër arsyet që i bëjnë ekspertët dhe qytetarët, që të mendojnë se zgjidhja më e mirë do të kishte qenë që krahas shërbimit online, qeveria duhet t`i kishte lënë të hapura edhe sportelet.

 

Enver Haka, i cili ka mbushur moshën e pensionit, por ka zgjedhur që të vijojë punën si taksist, thotë se, ndonëse ai di ta përdorë pjesërisht platformën e-Albania, shpesh herë i ndodh që të jetë pranë miqve të tij, që hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve publike.

“Sportelet duhet të ishin lënë hapur, ndoshta për dikë që jeton vetëm dhe fëmijët i ka jashtë shtetit. Ky person mund të shkonte shumë thjesht që ta merrte shërbimin te sporteli”, – thotë Haka.

Besmir Semanaj, ekspert IT, e konsideron të gabuar vendimin e qeverisë për mbylljen e sporteleve.

“Kalimi i të gjitha shërbimeve online dhe zëvendësimi i sporteleve ka qenë një veprim i nxituar dhe i gabuar. Të gjitha shtetet iu mundësojnë qytetarëve të tyre më shumë se një kanal komunikimi për nevojat që ata kanë. Nuk di ndonjë shtet, që t`i ketë zëvendësuar totalisht sportelet”, – shprehet eksperti i IT-së.

Ndonëse nuk ka ende një vendim zyrtar, raporti i viti 2023 nga Komisioni Europian për vendin tonë thotë se qeveria po mendon që të rikthejë disa nga shërbimet publike sërish të aksesueshme nëpërmjet sporteleve.

Bashkimi Europian thekson se, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të pasur sukses me dhënien e shërbimeve publike online, ka ende sfida sa i përket aksesit të barabartë për të gjithë qytetarët, aftësive digjitale dhe marrjes se këtyre shërbimeve nga persona më aftësi të kufizuara.

BE në këtë raport kërkoi gjithashtu vëmendje të shtuar për mbrojtjen e të dhënave personale nga institucionet shqiptare pas sulmeve kibernetike të vitit 2022 dhe rrjedhjes së disa të dhënave.

Edhe në vitin 2022, vit ky, kur qeveria vendosi kalimin e 95% të shërbimeve online, Brukseli zyrtar “kritikoi Tiranën zyrtare”, duke thënë se ky ishte një hap i shpejtë, që nuk do të përqafohej dot lehtë.

“Përqindja e individëve në grup-moshën 65-74 vjeç, që deklaruan se kurrë nuk kishin përdorur internetin, ishte 51.1% në vitin 2021. Nëse shtohet kjo shifër me grupe të caktuara, shoqërore, të prekura, duke përfshirë njerëzit me aftësi të kufizuara dhe ata në zona të largëta, atëherë qasja në shërbimet online bëhet e vështirë për një pjesë të madhe të popullsisë”, – thuhet në raportin e Brukselit zyrtar.

Vendimi i shpejtë i qeverisë për të kaluar 95% të shërbimeve publike online dhe mos-ofrimi i një alternative, ku sportelet do të vijonin të mbeteshin të hapura, i ka lënë qytetarët shqiptarë “pa një derë ku mund të trokasin” për t`i marrë shërbimet publike, shërbime këto që i paguajnë çdo muaj me taksat e tyre./Qëndra për Gazetari Cilësore (ACQJ)