60 kryetarë bashkie do të arrestohen dhe do t’u sekuestrohen pasuritë. Pas tyre, mbi 1700 hajdutë e dhjetëra gazetarë

641
Sigal

nga Sokol Pepushaj

E kemi thënë prej vitesh. Nga 61 kryetarë bashkie, vetëm një, që i bie të jetë femër, mund të mos arrestohet e t’I sekuestrohet pasuria. Secilit kryetar bashkie, 60 copëve pra, u kemi publikuar akuza konkrete. Më i ndershmi është milioner, apo jo?! Na e thoni, nëse kemi gabuar me ndonjë tender a tjetërçka, se ende nuk është vonë, sa kohë nuk ju kanë ardhur prangat tek duart. Duam t’u kujtojmë sot se, një ushtarak i NATO-s, e ka rrogën fiks 72 000 dollarë amerikanë në vit, gjithmonë nëse i shpëton koka. Duam t’ju kujtojmë sot, zotërinj kryebashkiakë hajdutë, me gjithë kuptimin e mirë të fjalës së lirë, se secili prej jush, do ta pësojë si kolegu juaj i Lushnjës, Fatos Tushe, pra do të arrestohet e do t’ju sekuestrohet pasuria deri në centin e fundit të vjedhur. Nga 61 kryebashkiakë që jeni sot, si me thënë,  të gjithë ju të shoqatës “Kryebashkiakë hajdutë të të gjitha bashkive, bashkohuni”, vështirë se ekziston ndonjë që nuk i ka futur duart në varfërinë e këtij populli për ta vjedhur e grabitur. Fatos Tushe, mori me vete edhe 10 të tjerë. Lushnja është një bashki e vogël. Edhe Fatosi, ishte më i vogli nga të gjithë ju në vjedhje, por milioner është. Me të vjedhur normalisht, se ndryshe nuk ndodh askund në botë. Bizneseve në  Perëndim u nevojiten të  paktën 17 vjet aktivitet shumë i suksesshëm, të bëhen milionerë. E normalisht, kjo ngjan pas moshës 30 vjeçare dhe pasi plotësohen profesionalisht me edukim të lartë arsimor. Kurse këtej, shumica e kryebashkiakëve kanë blerë edhe arsimimin. Po cilido prej jush që është milioner, të bëhet gati, si një e një bëjnë dy, për të shkuar shumë vite në burg e për të rikthyer gjënë e vjedhur. Në shkallë vendi, merreni vesh, zotërinj hadutë të 61 bashkive, janë gati rreth 1700 fletë-arrestime. Veç këtyre, ‘bumi’ i arrestimeve pëlcet edhe tek mediat. E shihni si janë nxirë sot, shumica e analistëve që bëjnë moral kundër korrupsionit? Shumë asish, kanë marrë disa rroga nëpër bashkitë e korrupsionit. Janë paguar ditën, nga taksat e shqiptarëve, për të lehur mbrëmjeve nëpër ekranet e drogës e korrupsionit, pro milionerëve e kundër këtij populli që e kanë rrjepur. Ndaj, zotërinj Kryebashkiakë, u kemi thënë, vazhdimisht: Në Shqipëri nuk është e vështirë të vjedhësh, por e vështirë është të fshehësh. Ju nuk ditët të fshihni, por ditët të vidhni.  Gjithsesi, zotërinj Kryebashkiakë, edhe në momentet tuaja të zeza, ju japim kurajo, ju themi publikisht, mos u zemëroni, pasi ende keni shpresë. Secili prej jush mund të jetë ai njëshi, që nuk arrestohet e i sekuestrohet pasuria. Por aman, kujdes, se edhe këtu, ka një problem. Secili prej jush  mund të jetë edhe femër, pasi vetëm një femër mund të mos arrestohet e sekuestrohet. Biles, duhet të jeni femër ‘Molotov’ se, ndryshe e hëngrët! -“Pamfleti”