Mbyllja e dosjeve 339 dhe 184 ishte legjitimim i masakrës së 25 prillit

435
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Forumi/ Flasin: Luçiano Boçi, Hysen Osmanaj, Marash Logu, Av. Kujtim Cakrani, Av. Zaçe Islami

“Industria” e vjedhjes së votës në 25 prill udhëhiqej nga zyrtarët e lartë të PS-së në bashkëpunim me krimin

Çuditërisht, SPAK mbylli hetimet për dosjet 184 dhe 339, ku autopërgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe të publikuara nga “VOA” dhe “BILD” dëshmuan se, kryeministri Rama, ministra socialistë dhe kryebashkiakë socialistë, në bashkëpunim me njerëzit e botës së krimit, ushtruan presion ndaj votuesve dhe  kryen shitblerjen e votave në Dibër dhe Durrës në zgjedhjet e 2016 dhe 2017. Të pyetur nga “Telegraf”, deputeti Luçiano Boçi pohon se, “mbyllja e dosjeve 339 dhe 184, ishte një lloj para legjitimim i masakrës së 25 prillit dhe e njëjta bandë dhe e njëta qeveri blenë votat edhe në 25 prill”. Ndërsa Av. Marash Logu thotë se “Vota në 25 prill u ble nga përfaqësuesit më të lartë të PS-së, në bashkëpunim me grupet kriminale”. Hysen Osmanaj, ish-anëtar i KQZ-së pohon se, “PS-ja fitoi në 25 prill, duke blerë votat në bashkëpunim me bandat kriminale”. Av. Kujtim Cakrani thotë se, “Mosndëshkimi i dosjeve 339 dhe 184, inkurajoi krimin dhe pushtetin të vazhdonin manipulimin e votës së qytetarëve”. Ndërsa Av. Zaçe Islami thekson se, “Dosjet 339 dhe 184 treguan se, drejtësia është kërbaç kundër votës së lirë”.

Pyetjet e forumit të gazetës “Telegraf”

– Mendoni se mbyllja e dosjeve 339 dhe 184 nga SPAK, pa dënuar zyrtarët e lartë (deputetë dhe kryebashkiakë që bashkëpunuan me botën e krimit), inkurajoi kriminelët të blinin votat  në 25 prill, për pushtetin, në këmbim të privilegjeve, pas zgjedhjeve?

– A mendoni se bandat e krimit blenë votat në 25 prill, për të ndihmuar partinë që qeveriste? Raporti i OSBE/ODIHR dhe i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës theksonte për shitblerje në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Flasin për gazetën “Telegraf”: 

Luçiano Boçi: Mbyllja e dosjeve 339 dhe 184 ishte një lloj para legjitimim i masakrës së 25 prillit

-Mbyllja e dosjeve 339 dhe 184 ishte një lloj para legjitimim i masakrës së 25 prillit.  Inkurajimin e pare, e mori vetë pushteti i Ramës dhe enturazhi i tij. Ata nuk lanë gur pa lëvizur për të ruajtur privilegjet, karrigen dhe të mirat e pista. Sigurisht, ky pushtet i qelbur në të gjithë këtë ndërmarrje nuk është vetëm. Ai ka të lidhur pas qerres krimin dhe Shpesh, kokat e krimit janë njëherazi dhe kokat e politikës në rajone dhe në politikën qendrore. Simbioza është aq e ngushtë tashmë, sa duket shumë arkaike të ndash bandat nga qeveria. Ato janë prej kohësh e njëjta bandë dhe e njëjta qeverisje.

“Stereotipi i zgjedhjeve në Shqipëri është i vulosur. Kush ka krimin me vete, ka dhe zgjedhjet e fituara”

“Çdo kriminel mund të veshë veladonin e politikanit dhe çdo politikan qeverisës mund të përdorë mjetet kriminale, që i konsideron fair, për të konfirmuar pushtetin e tij”

– Në këtë situatë ndodhi e natyrshme, që përfaqësuesit e krimit kudo të ishin shumë aktivë në shitblerjen e votës dhe në rrëmbimin e saj. Madje stereotipi i zgjedhjeve në Shqipëri është i vulosur. Kush ka krimin me vete, ka dhe zgjedhjet e fituara. Aq më tepër tani që, diferencat krime/ politikë janë fshirë, çdo kriminel mund të veshë veladonin e politikanit dhe çdo politikan qeverisës, mund të përdorë mjetet kriminale, që i konsideron fair, për të konfirmuar pushtetin e tij. Shqipëria nuk është më vend i çuditshëm, por thjesht vend politikisht dhe ideologjikisht i kriminalizuar.

Av. Marash Logu: Vota në 25 prill u ble nga përfaqësuesit më të lartë të PS-së, në bashkëpunim me grupet kriminale

-Nuk ka dyshim se kultura e pandëshkueshmërisë nxit krimin dhe aktivitetet kriminale. Në këtë kuptim, sa herë ka një krim që nuk hetohet dhe ndëshkohet siç duhet, tendenca e shkelësve të ligjit është për ta përsëritur krimin, madje për ta zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal. Sigurisht që kështu ka ndodhur edhe me fenomenin e shitblerjes së votës, i cili u testua në vitin 2013, u përforcua në zgjedhjet lokale 2015, u ngrit në sistem në vitin 2017 dhe në zgjedhjet e 2021 kishte një industri të mirëfilltë që funksiononte nga Veriu në Jug, me aksioner të vetëm Partinë Socialiste dhe aleatët e saj. Fatkeqësisht, SPAK tregoi mungesë guximi dhe integriteti në atë rast, por shpresojmë që mos të ndodhë kështu me 50 kallëzimet penale që ka depozituar Partia Demokratike për këto zgjedhje, për raste masive të blerjes së votës.

“SPAK tregoi mungesë guximi dhe integriteti në atë rast, por shpresojmë që mos të ndodhë kështu me 50 kallëzimet penale që ka depozituar PD për këto zgjedhje për raste masive të blerjes së votës”

“Në këto zgjedhje ka pasur një industri të mirëfilltë të blerjes së votës në të gjithë territorin e vendit, që drejtohej nga përfaqësuesit më të lartë politikë të PS-së, në bashkëpunim me grupet kriminale më të rrezikshme në vend”

– Në këto zgjedhje ka pasur një industri të mirëfilltë të blerjes së votës të shtrirë në të gjithë territorin e vendit, që drejtohej nga përfaqësuesit më të lartë politikë të Partisë Socialiste, në bashkëpunim me grupet kriminale më të rrezikshme në vend. Këtë nuk e themi vetëm ne, por në dy hetime që janë kryer nga organet ligjzbatuese, ka dalë se individë të skeduar dhe grupe kriminale, ishin përfshirë drejtpërdrejtë në fushatën e PS-së dhe blerjen e votës. Çdo raport ndërkombëtar, që është publikuar deri më sot, konfirmon këtë të vërtetë të dhimbshme për demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Po ashtu, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre më të lartë, i kanë bërë thirrje organeve ligjzbatuese shqiptare, veçanërisht prokurorisë që të hetojë me përparësi deri në zbardhjen e plotë të gjitha krimet zgjedhore, të ndodhura në këto zgjedhje. Këto tre fakte, të marra së bashku, konfirmojnë se zgjedhjet e 25 prillit u ndikuan fort nga blerja e votës nga grupe dhe invide me rekorde të rënda kriminale.

Hysen Osmanaj: PS-ja fitoi në 25 prill, duke blerë votat në bashkëpunim me bandat kriminale

-Mbyllja e dosjeve 339 dhe 184, në të cilat kishte prova të pakontestuara të krimit zgjedhor, është shërbimi më i keq që u bëhet zgjedhjeve të lira dhe demokratike në vendin tone, nga drejtësia shqiptare, por dhe mosprononcimi publik i Kryeministrit për dënimin e krimit zgjedhor është inkurajim i drejtpërdrejtë i këtyre elementëve kriminalë në politikë dhe në administratën publike për të vazhduar të përdorin krimet zgjedhore për të arritur fitoren e zgjedhjeve, nuk mund të lë pa faj dhe ndrëkombëtarët, të cilët me sa duket, bënë një sy “qorr” dhe një vesh “shurdh” për këto dënime dhe administrimin procesit zgjedhor. Për rrjedhojë, edhe në zgjedhjet e 25 prillit krimi zgjedhor e rriti zullumin e qeveritarëve të niveleve të ndryshme, administratës publike, subjekte të ndryshme të botës së krimit deri dhe tek Policia e Shtetit dhe padiskutim që do shpërblehen. Shitlerja e votave, intimidimi i zgjedhësve, përdorimi i aseteve publike, përdorimi i botës së krimit ishin deri diku legale, të cilat u vunë re nga vëzhguesit vendas dhe të huaj. Veprime të tilla të krimit zgjedhor, kanë lëkundur në maksimum bindjen e elektoratit se në Shqipëri, mund të bëhen zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente nga qeveria socialiste.

“Shitblerja e votave, intimidimi i zgjedhësve, përdorimi i akseseve publike, përdorimi i botës së krimit ishin legale, u vunë re nga vëzhguesit vendas dhe të huaj”

– Shitblerjen e votës për zgjedhjet e 25 prillit e kanë konstatuar vëzhguesit e OSBE/ODIHR, të Këshillit të Evropës, të Trupit Diplomatik dhe ata vendorë, por unë mendoj se dhe këto organizma, nuk mund të shfaqësohen vetëm me konstatim, deformimi zgjedhor filloi dhe u vulos që me ndryshimet e ligjit zgjedhor në mënyrë të njëanshme jashtë tryezës politike, tryezë e cila u monitorua dhe u bekua nga ndërkombëtarët, duke e cilësuar si një arritje të madhe të politikës. As më shumë se një javë, parlameti njëpartiak me pseuodeputetë opozitarë, bëri ndryshime kushtetuese duke e hedhur në erë dhe ndryshoi Ligjin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme, gjë e cila i mundësoi PS-së të fitojë zgjedhjet në tavolinë. Kjo i dha forcë dhe imunitet krimeve të tjera zgjedhore.

Av. Kujtim Cakrani: Mosndëshkimi i dosjeve 339 dhe 184 inkurajoi krimin dhe pushtetin që të vazhdonin manipulimin e votës së qytetarëve

– Tashmë opinioni publik është i njohur me dosjet penale 339 dhe 184, të cilat u bënë të famshme për shkak se në to, janë përfshirë personazhe të politikës qendrore dhe lokale por jo vetëm, gjithashtu në këto dosje, janë emrat e drejtuesëve të lartë të policisë së shtetit, të lidhur, që bashkë me struktura të krimit organizuar dhe falë një organizimi perfekt, shantazhuan qytetarët me qëllimin e vetëm, sigurimin e votës për forcën politike, Partia Socialiste. Këto dosje me gjithë emrat përkatës u bënë publike falë ‘BILD’ një media Gjermane, nga e cila opinioni publik mësoi skemën kriminale të vjedhjes së votës nga pushteti, dhe ku strukturat e tij të njësuara me krimin, kryen masakrën më të madhe zgjedhore të ndodhur deri atëherë. Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar (SPAK), në mënyrë të çuditshme, vendosi mos ta hetonte këtë masakër duke gjetur “kleçkën” procedurale të moskompetencës. Sipas saj, nuk ishte grupi strukturuar kriminal dhe në këtë mënyrë e zhfleftësoi këtë çështje, duke ua dërguar prokurorive të rretheve përkatëse  që të gjykoheshin prej gjykatave të këtyre rretheve. Ndërkohë që në kodin e procedurës penale, në nenin 75, janë të përcaktuar qartë dispozitat kompetencë e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar. Natyrisht që mosndëshkimi i personazheve të këtyre dosjeve bëri që të  ripërsëriteshin  të njëjtat forma dhe mënyra edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në këto zgjedhje partia shtet përdori forma të tjera për manipulimin e votës, në skenë dolën  të ashtëquajturit patronazhistë, të cilët kishin nën mbikqyrjen e tyre rreth 910 mijë qytetarë me të drejtë vote. Patronazhistët ishin kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ata me forma si ish Sigurimi Shtetit kujdesej, duke mbajtur nën vëzhgim qytetarët, problematikat që ata kishin dhe rast pas rasti, ata ju ofronin zgjidhjen, që ishin thesi me miell apo pakot me ushqime, legalizimet deri tek ndihma me dhënie bagëtish. Pra, mosndëshkimi në të shkuarën,  bëri që askush mos ketë frikë dhe për të vazhduar manipulimin apo deformimin e votës së qytetarëve.

-Masakrën zgjedhore të 25 prillit e kuptuan dhe panë të gjithë Shqiptarët, madje kësaj here, edhe organizatat ndërkombëtare që ishin prezente në Shqipëri e konstatuan këtë gjë, që në momentet e para. Partia dhe shteti u shkrinë në një të vetëm. Objektivi ishte një, mbajtja me çdo kusht e pushtetit. Një veçori e kësaj masakre ishte edhe alokimi i fondeve nga Ministria e Financave për banorët e zonave të dëmtuara nga tërmeti, sidomos në zonat e Durrësit, vetëm 3 ditë para votimeve. Gjithashtu, partia- shtet, për banorët e Myzeqesë, me statusin e fermerit çeli fondin e subvencionimit, dhe Drejtoritë e Bujqësive në qarkun e Fierit nisën ndarjen e tallonave me karburante ditën e shtunë, madje vazhdoi edhe ditën e dielë, pra ditën e zgjedhjeve. Punësimet sezonale në OSHEE apo Ujësjellës- Kanalizime, ishin një tjetër formë e blerjes së votave. Këto ishin vetëm maja e ajsbergut, pasi pati edhe blerje votash me lekë në dorë dhe forma të tjera. Natyrshëm që OSBE/ODIHR i konstatuan të gjitha këto paligjshmëri dhe tashmë janë pjesë e raportit të tyre dhe referimit në instancat më të larta vendimarrëse të BE-së. Shqipëria ngelet i vetmi vend në Evropë, ndoshta dhe në botë, që nuk po arrin të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Organet ligjzbatuese si SPAK etj, duhet të kishin vepruar menjëherë me qëllim që personat përgjegjës të manipulimit të votës, deformimit të saj, duke shfrytëzuar pozicionet politike, të ndëshkoheshin dhe opinionit publik  t’i kthehet besimi tek zgjedhjet, dhe Shqipërisë imazhi, si vend demokratik.

Av. Zaçe Islami: Dosjet 339 dhe 184 treguan se drejtësia është kërbaç kundër votës së lirë

-Populli thotë një fjalë: Sa më e madhe të jetë reklama aq fallco është malli. Kemi 4 vjet që vazhdon reforma dhe deri më sot, nuk kemi parë asnjë të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë të japë llogari për krimet e mbuluara apo të pa dënuara. Pse? Askush nuk flet, por heshtja flet më shumë. Nëse të përjashtuarve do t’u vihen përpara dosjet që kanë gjykuar, ata automatikisht arrestohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre, për mbulim krimesh apo të dënuar të pa fajshëm, që kalben me vite në Peqin, për krime të pakryera dhe nga ana tjetër, dhjetra kriminelë të lirë. Këtu problemi është më i rëndë, sepse ata që do t’i gjykojnë janë bashkëfajtorë me ata që do gjykohen, ndaj dhe kam thënë vazhdimisht, që reformë të mirëfilltë nuk do ketë kurrë. E kemi thënë në mënyrë të përsëritur, se as janë dënuar, e as do dënohen politikanët në Shqipëri, sepse drejtësia është thjesht kërbaç në shërbim të tyre, por jo kundër tyre, ndaj dhe dosjet 339 dhe 184 përfunduan në flluska sapuni. Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit e vërtetoi më së miri këtë fakt. Në 25 prill me marrëveshjen e 17 majit 2017 zgjedhjet u bënë për të mashtruar publikun se në të vërtetë rezultati ishte përcaktuar me kohë.

– Shitblerja e votës u bë nga të gjitha forcat politike, vëzhguesit e OSBE /ODIHR aty ishin e panë me sytë e tyre maskaradën e zgjedhjeve. Kanë 30 vjet, që tallen me ne në vlerësimet e tyre pas zgjedhore me shprehjen stereotipe: “Zgjedhjet kishin probleme, por ishin më mirë se të kaluarat”. Akoma besojnë ata, se ne do hamë sapunin për djathë?

Artan Hoxha: Grupet kriminale nuk e tradhtuan pushtetin, e dinin që nuk do të kishte rotacion në 25 prill!

Gazetari Artan Hoxha, shprehu mendimin se, grupet kriminale në Shqipëri, besonin se nuk do të kishte rotacion në zgjedhjet e 25 prillit dhe nuk e tradhtuan pushtetin. Artan Hoxha: “Para zgjedhjeve unë lëviza në disa qytete të mëdha, që kishin problematika të rënduara të krimit të organizuar. Zakonisht, kur ka rotacion pushteti, të parët që tradhtojnë atë që bie nga pushteti, është krimi i organizuar, ata e kanë nuhatjen një kilometër larg, që po bie apo po rrëzohet qeveria. Çuditërisht, lëviza në Vlorë, në Fier, në Elbasan, në Shkodër dhe asnjë nga grupet e mëdha nuk po tradhtonin, por qëndronin. Këta nuk besonin, që do kishte rotacion, edhe pse u dhanë dy-tre mesazhe për ata, ku Presidenti i Republikës u tha do të jem unë Ministër i Brendshëm, pra ishte një lloj mesazhi për ata, po kështu edhe për Gazment Bardhin u hap lajmi gjithandej se do ishte ai Ministri i Brendshëm, prandaj gjithë oficerët e policisë shkuan të gjithë në Elbasan, këto ishin mesazhe për t’iu thënë atyre, që do ketë rotacion, sepse edhe opozita e kishte  mësuar, që qeveria kishte vendosur kontakte me grupet më të mëdha  kriminale, por ata nuk tradhtuan, ata nuk tradhtuan, sepse indikatori u thoshte atyre që nuk do të ketë rotacion,  dhe kështu ndodhi.