Intervista / Prof. Dr. Lush Susaj: Zgjedhjet nepotike dhe kapja politike e universiteteve

184
Sigal

Viti i ri akademik nisi me bojkot nga ana e sindikatave të universiteteve dhe profesorët e universiteteve publike të Shqipërisë, të cilët zhvilluan tubime proteste në sheshin Nënë Tereza të Tiranës, duke kërkuar rritje pagash dhe kushte më të mira pune, përfshirë edhe financimin për kërkime shkencore. Prof. Lush Susaj analizon në një intervistë për Telegraf  sfidat e arsimit në Shqipëri, transparencën deri tek kapja dhe mbytja e universiteteve nga politika.

Intervistoi Biora Vojka

Jemi në javën e parë të protestës, cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me plotësimin e kërkesave nga ana e qeverisë?

Protesta e punonjësve të universiteteve publike të Shqipërisë, në ditën e gjashtë të saj, zhvillohet përpara godinës së Universitetit Politeknikë të Tiranës. Protesta ka për shkak varfërimin e vazhdueshëm të stafit akademik dhe ndihmës akademikë të universiteteve dhe problemet e tjera, që burojnë nga nepotizmi, korrupsioni dhe produkti i zgjedhjeve të manipuluara në universitete. Sikurse dihet, varfëria e stafeve akademike ka arritur në nivele të papërballueshme, ku krahas pamundësisë për të përballuar të përditshmet e vetes e të familjes, po bëhet e pamundur edhe përmbushja si duhet e detyrës së mësimdhënies, edukimit dhe kërkimit shkencor, në shërbim të studentëve dhe të aftësimit teknik e profesional.

Kjo situatë pasojë e dështimit të vazhdueshëm të reformave në sistemin e arsimit të lartë, përfshirë këtu edhe dështimin e përgatitjes dhe të zbatimit të ligjit të ri të arsimit të lartë, që për shkak të mënyrës se si u përgatit, nuk u zbatua asnjëherë.

Të tilla fenomene shqetësuese e degraduese, sikurse janë pagat e ulëta, mungesa e laboratorëve, mungesa e strukturave funksionale e integruese në fakultete dhe në departamente, mungesa e programeve dhe kurikulave mësimore bashkëkohore, e në përputhje me tregjet e punës, mungesa e stafeve profesionale, mungesa e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe produktivitetit për projektet, investimet dhe shërbimet e universiteteve, etj, e kanë burimin tek kapja dhe mbytjen e universiteteve nga politika. Nga ku marrin jetë dhe forcë fenomenet e kudo gjëndura sikurse janë nepotizmi, korrupsioni, e për pasojë edhe manipulimi dhe degradimi i proceseve zgjedhore në universitete dhe produktit të tyre me mendësi dhe sjellje nepotike e krahinore.

Këtu e ka shpjegimin fakti që edhe në ditën e gjashtë të protestës së punonjësve të universiteteve, që të gjithë drejtuesit e zgjedhur, sikurse janë dekanët dhe rektorët e universiteteve, me përjashtim të dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, nuk ju bashkuan protestës së sindikatës të kolegëve të tyre. Për fatin e keq, që të gjithë u bënë palë me partinë, dhe kundër interesave të kolegëve dhe studentëve të tyre, që kërkojnë rritjen e pagave dhe fillimin sa më parë të debatit mbi reformat e munguara integruese në sistemin e arsimit të lartë. Kapja e drejtuesve të universiteteve, e vështirëson edhe shumë arritjen e objektivave të protestës.

Kapja e drejtuesve të universiteteve nga njëra anë dhe shantazhi e përsekutimi i drejtuesve të sindikatës dhe profesorëve protestues nga ana tjetër, nuk sjellin asgjë të mirë për universitetin, as për studentët e as për publikun dhe ekonominë e Shqipërisë. Përkundrazi, jam i sigurtë që do ta thellojnë edhe më shumë shkallën e degradimit dhe vështirësinë e reformave integruese në sistemin arsimorë. Edhe në këtë protestë, njëlloj sikurse në protestën studentore të vitit 2029, po shohim mënyrën se po vendoset partia mbi universitetin, politika mbi pedagogët e studentët, egoizmi partiak mbi arsyen e elitës më të mirë të kombit. Duke mos patur asnjë shpresë për ndonjë zgjidhje afatgjatë, besoj që protesta jonë do të vazhdojë.

“Kapja dhe mbytja e universiteteve nga politika, krijon fenomenet sikurse janë nepotizmi, korrupsioni, e për pasojë edhe manipulimi dhe degradimi i proceseve zgjedhore në universitete, dhe produktit të tyre me mendësi dhe sjellje nepotike e krahinore. Këtu e ka shpjegimin fakti që dekanët dhe rektorët e  universiteteve, nuk ju bashkuan protestës së sindikatës së kolegëve të tyre.”

Çfarë parashikoni se do të ndodhë nëse nuk merren parasysh kërkesat?

Nëse nuk merren parasysh kërkesat e paraqitura, situata do të përkeqësohet edhe më shumë, e kjo do të rëndojë edhe më shumë mbi stafin, mbi studentët, por edhe mbi të gjitha institucionet dhe shoqërinë. Parë në këtë këndvështrim, përmasat e dëmit në ekonomi, në shkencë e në kulturë do të jenë të jashtëzakonshme. Por nuk duhet të harrojmë edhe faktin që strukturat arsimore, shtetërore e politike, nuk po e kuptojnë sindikatën e as protestën e universiteteve si një thirrje të elitës dhe të çdo shqiptari për t’u ndalur, e për t’u përballur me problemet e keqmenaxhimit të gjatë të universiteteve. Përkundrazi, në mënyrën më të gabuar e më të shëmtuar po na konsiderojnë armiq, kanë mbyllur komunikimin dhe po vazhdojnë të intimidojnë, të shantazhojnë, të pengojnë e të persekutojnë drejtuesit e sindikatës, pedagogët dhe studentët, që po protestojnë, por dhe familjarët e tyre të punësuar në administratë. Në këtë mënyrë, bazuar edhe në historitë e mëparshme të mënjanimit dhe persekucionit të atyre që reagojnë kundër kapjes dhe nepotizmit e korrupsionit në universitete, ka të ngjarë që të fillojë dhe një eksod tjetër masiv i pedagogëve dhe studentëve, që nuk mund të pajtohen me këtë nivel varfërie e prapambetje për shkaqe totalisht subjektive, abuziviste, klanore e menaxheriale.

A janë pagat e ulëta, një faktor kryesor që ndikon në largimin e elitës jashtë vendit?

Paga është ekonomia jonë e vetme, është buka e fëmijëve është ekzistenca dhe stabiliteti i familjeve tona. Për pedagogët, paga është edhe më tepër, është dinjiteti dhe integriteti professional, intelektual e shoqëror. Për këtë arsye, largimi masiv i elitës dhe profesionistëve duhet kërkuar edhe tek paga e tyre shumë e ulët, si dhe tek pamundësia e tyre totale për të përballuar jetesën e tyre, as të nevojave të familjes, dhe as të nevojave për karrierën akademike, shkencore e profesionale në Shqipëri. Në këtë mënyrë, protestat për pagën duhen kuptuar edhe si fillimi i një reagimi të profesoriatit kundër dëbimit të elitës dhe shkretimit të mëtejshëm të Shqipërisë, janë thirrje për të qëndruar e për të zhvilluar shtetin dhe kombin tonë. Ne kuptojmë shumë mirë që pagat e ulëta nuk janë për shkaqe objektive. Ekonomia jonë kombëtare, po të mos vidhej e abuzohej, i ka të gjitha mundësitë për të mbajtur popullin dhe elitën e saj në punë e në mirëqënie të plotë.

Si e komentoni faktin se në projekt-buxhetin e vitit 2023 është parashikuar rritje e pagesave nga buxheti për koncesionet, të cilësuara nga raporte ndërkombëtare si korruptive dhe ndërkohë refuzohet rritja e pagave për trupën akademike?

Sikurse dihet, korrupsioni me konçesionet, tenderat, projektet dhe dosjet fiktive, etj, janë mënyrat më të njohura të përvetësimit të parave dhe të investimeve publike nga drejtuesit e korruptuar që sundojnë Shqipërinë pa mëshirë dhe pa rregull e meritë. Në analizën time, më rezulton që Shqipëria nuk është qeverisur as edhe një ditë nga elita dhe as nga ekspertët më të mirë të fushave të prodhimit dhe menaxhimit. Përkundrejtë faktit që pjesa më e madhe e burimeve natyrore e financiare të vendit, janë drejtuar, administruar e përvetësuar nga grupe të besuara, e që nga shumëkush quhen klane nepotike e krahinore, por që mua me ngjajnë me struktura të mirëorganizuara të konspiracionit dhe të korrupsionit, e që meritojnë të quhen kriminale. Strukturat e krimit dhe korrupsionit nuk abuzojnë e nuk mund të përfitojnë para as tendera e investime nga profesorët, përkundrejtë fitimit shumë të lartë që kanë nga tenderat dhe konçesionet, që janë e që do të jenë litarë varfërie për çdo qytetarë e familje shqiptari.

Prandaj nuk ka ndjeshmëri, reagim dhe as interes për të pare me përparësi financimin e universiteteve dhe pedagogëve, duke i mohuar e moskonsideruar sikurse janë, patriotët dhe partnerët më të sigurtë të një zhvillimi harmonik të ekonomisë dhe të institucioneve të vendit. Vetëm një qeverisje, që bazohet në idetë, në mendimin dhe në teknologjitë universitarë do të mund të përmbyllë periudhën skandaloze të hajdutërisë dhe vetëshkatërrimit, që gabimishtë po e quajnë tranzicion. Vetëm një qeverisje me elitën më të mirë të universiteteve, do të mund të prodhojë zhvillimin europian të ekonomisë dhe të institucioneve tona shtetërore e politike. Shqipëria ka nevojë për buxhete me frymë dhe adresë zhvillimi, e jo për buxhete që projektohen që të rrjedhin në kanalët e korrupsionit dhe nepotizmit. Edhe në këtë rast, arsimi duket që është harruar e vazhdon që të jetë sektori më i dëmtuar, një shëmbull i tillë nuk do të mund të gjendët në rajon as në Europë.