Votimet e 30 qershorit na rikthyen në komunizëm

527
Sigal

Analizë nga Prof. Dr. Elmaz Sherifi/ Raporti i OSBE/ODIHR është më kritiku për zgjedhjet që prej vitit 1992. Votimet e 30 qershorit pa opozitë dhe pa dekret eliminuan vetëqeverisjen vendore. Në PS, socialistët duhen për vota, ndërsa “Rilindasit” për të drejtuar. Mungesa e Institucioneve të shtetit të së Drejtës, dhe pse komisioni hetimor është një truk politik dhe pa vlerë juridik kushtetuese

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së

Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit është truk politik për t’u harruar gjëma e votimeve. Komisioni Hetimor nuk ka asnjë vlerë juridike kushtetuese, sepse Presidenti i anuloi zgjedhjet vendore

Votimet e 30 qershorit eliminuan vetëqeverisjen vendore, na rikthyen në komunizëm

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Raporti i OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin është nga më kritikët që nga 1992-i, sepse “Standardet e zgjedhjeve demokratike të votimeve të 30 qershorit janë përkeqësuar thelbësisht” dhe se votimet e 30 qershorit eliminuan vetëqeverisjen dhe na kthyen në kohën e Komiteteve Ekzekutive Popullore. Pro. Sherifi, ish kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve pohon se tashmë që OSBE/ODIHR-i thotë se Kolegji Zgjedhor ka kapërcyer kompetencat kushtetuese kur rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e 30 Qershorit “Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit është truk politik për t’u harruar gjëma e votimeve. Komisioni Hetimor nuk ka asnjë vlerë juridike kushtetuese”.

– Prof. Sherifi. A janë reagimet për Raportin Përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për 30 Qershorin një “Furtunë në gotë” sikurse tha kryeministri Rama?

-Tashmë shqiptarët u njohën me Raportin Përfundimtar të OSBE/ ODIHR i cili është nga raportet më kritike për procesin zgjedhor, prej vitit 1992. Standardet e zgjedhjeve demokratike të votimeve të 30 qershorit janë përkeqësuar thelbësisht, e kur të gjithë faktorët politikë reagojnë me shqetësim, kryeministri, ndihet i lumtur dhe kritikat i konsideron “Furtunë në gotë”. Votimet e 30 qershorit eliminuan vetëqeverisjen vendore dhe na rikthyen në sistemin e vjetër të qeverisjes me Këshillat Popullore të Rretheve me përfaqësues të një subjekti elektoral.

– Sa besueshmëri politike dhe ligjore ka tashmë Komisioni Hetimor Parlamentar për Shkarkimin e Presidentit të Republikës sepse ka shkelur rëndë Kushtetutën, kur OSBE/ODIHR thekson se Kolegji Zgjedhor dhe KQZ në kundërshtim me Ligjin dhe Kushtetutën e Shqipërisë rrëzuan dekretin e Presidentit të Republikës për 30 qershorin?

– Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit është truk politik për t’u harruar gjëma e votimeve. Komisioni Hetimor nuk ka asnjë vlerë juridike kushtetuese, sepse Presidenti i anuloi zgjedhjet vendore dhe caktoi 13 tetorin si datë për zgjedhjet vendore. Këtë e pohon edhe Raporti i OSBE/ ODIHR, kur kritikon qeverinë drejtpërdrejtë për mosbotimin e dekretit në Fletoren Zyrtare dhe që do të thotë se procesi zgjedhor ishte i pa ligjshëm. Presidenti ka ushtruar kompetencat Kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë normë që legjitimon dekretin për shtyrjen e zgjedhjeve, kur kryetarët e dy partive e pranojnë. Precedenti i krijuar me Alinë e Mojsinë e legjitimoi dekretin e Presidentit Meta, pasi kryetarët e dy partive e dhanë konsensusin “duke kundërshtuar”. Duhet pranuar se votimet janë zhvilluar pa dekret, e për rrjedhojë janë të paligjshme. Ky fakt nuk legjitimon Komisionin Hetimor Parlamentar.

– Tani pas Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR a janë legjitime rezultatet e 30 Qershorit?

– Mendoj se Raporti i OSBE/ ODIHR e thotë këtë realitet në mënyrë”diplomatike”. Kur zgjedhjet vendore bëhen pa dekret, pa opozitë, sepse Bindja Demokratike u regjistrua nga KQZ në kundërshtim me ligjin, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për disa procese, nuk mund të ketë zgjedhje, por votime si në kohën e shtetit të Diktaturës së Proletariatit.

– Duhet të presim Kohën që të ngrihet Gjykata Kushtetuese të gjykojë apo Politika të marrë vendime për ribërjen e këtyre zgjedhjeve në Frymën e Kushtetutës?

– Politika e sotme e ka lënë Shqipërinë pa Institucionet e shtetit të së Drejtës. Pa rikrijimin e Gjykatës Kushtetuese çdo proces kushtetutës e ligjor mbetet në kushtet e anti-ligjshmërisë. Vetëm zgjedhjet e lira e demokratike do rikthejnë normalitetin politik demokratik.

– Prof. Elmazi ju mendoni se është rastësi që Kryebashkiakë që i përzgjedh Kryeministri Rama rezultojnë me Rekorde Kriminale dhe përgjegjësia është vetëm personale, siç deklaroi pas kësaj kryeministri?

– Procesi i votimeve për zgjedhjet vendore risolli në kujtesë fenomenin e krijuar në Partinë Socialiste për të zgjedhur deputetë e kryetarë bashkie e këshilltar njerëz me rekorde kriminale. Ështe fakt që Partia Socialiste, edhe kur konkurron me “vetveten”, nuk gjen dot kandidatë të “pastër”, pasi, si kam artikuluar, socialistet janë për të votuar, “Rilindësit” për t’i drejtuar. Kryeministri, pasi i emëron kandidatët problematikë, fillimisht i mbron pa logjikë politike e morale, pastaj i “hedh në humnerë”, duke u justifikuar se “përgjegjësitë janë personale”!

– Ju Prof. Sherifi mendoni se do të jemi zgjidhje të Krizës politike?

– Faktorët ndërkombëtarë menduan se klasa politike do kishte fuqi të zgjidhte krizën politike që vetë e krijoji. Tani që s’ka”hap para”, por rikthim te e kaluara, mendoj se do të bëhen pjesë e zgjedhjes së saj. SHBA i shtuan misionarët. Gjermania ka qenë e përfshirë. Mendoj se kriza do të zgjidhet para 18 tetorit, me qëllim që Shqipërisë t’i hapen negociatat me BE. Nëse ndodh ndryshe, kjo klasë politike anakronike duhet “varrosur”, politikisht, pasi për interesat e veta e lobeve të inkriminuara, po vret edhe shpresën se ky vend mund të bëhet.

– Faleminderit!