Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas mbylljes së votimeve.
Në një status në rrjetet sociale, Ademi shprehet se populli nuk iu nënshtrua Ramës dhe këtë gjë e ka treguar duke mos marrë pjesë në votimet e 30 qershorit në të cilat opozita nuk ishte pjesë.
Ndër rreshta Ademi shkruan gjithashtu se kreu i qeverisë Edi Rama u ka bërë presion qytetarëve që të shkojnë në votime por nuk ja dalë dot.
“Të dashur bashkëqytetarë!
Kemi kaluar një ditë të vështirë! Përballë një shtetrrethimi, i mbështetur edhe nga struktura kriminale, ia kemi dalë ti trëgojmë regjimit se NE jemi shumica, ne jemi QYTETARËT e SHKODRËS që me shumë qytetari, i dhamë përgjigjen e merituar përmes BRAKTISJES totale!
Sot nuk ishin votime, ky ishte REFERENDUM! Shkodranët, nga Thethi në Velipojë, nga Zogajt në Gurin e Zi, e bojkotuan masivisht diktaturën! Shkodra qëndroi, nuk u nënshtrua, duke i dhënë zemër dhe shpresë gjithë Shqipërisë, ashtu si në vitin 1990!
Ky është lajmi i ditës! Rilindja detyroi me anë të presionit qindra persona të votonin por nuk ia doli dot! Pa llogaritur votat e pavlefshme, të cilat janë të shumta si kurrë më parë!”- shkruan Voltana Ademi në statusin e saj.