Suplementi Pena Shqiptare/ Bledi Ylli: Mallit robëruar

69
Sigal

U munda sërish nga malli për ty,
por unë nuk di që të dorëzohem.
Ndaj, gjithmonë më ke aty
t’ më godasësh sa herë çohem!

Në fund të detit nuk mbaron jeta!
Në fund të botës frymojnë të gjallë,
dhe unë, mallit për ty u treta ;
u bëra hi, në atë mall!

Në atë mall u bëra shkrumb
Në atë botë e det të vjetër.
Të gjallë këtu nuk gjen gjëkund
Në anën tënde i gjen patjetër!

Në anën tënde i gjen patjetër ;
shumë gjëra mund të gjesh aty.
E imja botë është një cop letër
mbushur me vargje vetëm për ty!

Vetëm për ty me vargje mbushur
nga lotë të tharë e frymë që djeg.
Një shteg nuk gjeta për t’u zhdukur;
nga ty të zhdukem nuk gjeta shteg!

Por dhe kështu do t’ jem i lumtur,
qofsh det që mbyt, a zjarr që djeg!