Rama mesazhe të prera Bashës: Marrëveshje dhe paqe politike, por jo me kushte/ Kush ka hesape me drejtësinë…

524
Sigal

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë disa mesazhe sot jo vetëm në drejtim të opozitës, por edhe brenda PS-së.

Pas rezultatit të pjesëmarrësve në votime, që përbëjnë edhe shifrën më të ulët historike, Rama u shfaq me një fjalim që dukej se fliste për një tjetër planet.

“Nëse duan paqe politike, paqe do të ketë, por me një kusht të tërhiqen pak nga pak dhe në mënyrë të dukshme nga sulmet ndaj Shqipërisë në gjuhë të huaj.

Nëse duan marrëveshje politike, marrëveshje do të ketë, por pa kushte. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje politike për të penguar drejtësinë ndaj zullumit që është bërë qoftë majtas, ashtu edhe djathtas. Nuk kam disponimin më minimal për të penguar drejtësinë e re.

Nuk do të mbrojmë askënd që do të ketë hesape me drejtësinë, përfshi edhe ata që ndodhen nën çatinë e shtëpisë sonë, Partisë Socialiste”, tha Rama.

Sipas tij, marrëveshjet politike mund të bëhen për t’i hapur rrugën procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Në vijim, Rama tha se nuk do të tolerohet asnjë hyrje triumfatorësh në bashkitë që kemi fituar, sikundër nuk do të tolerohet asnjë largim nga puna nga stafet e bashkive të vajzave dhe grave, vetëm se ata morën pjesë në protesta.

Një tjetër paralajmërim, Rama kishte për të tijët, kur tha se gjatë muajit korrik do të zhvillojnë analizat mbi qeverisjen tonë.

“Nga nesër, 30 qershori është thjesht histori. Ndërsa vitet që do ta pasojnë, nga nesër dhe fundit të mandatit qeverisës dhe katër vitet e mandatit të vendorëve. Është një borxh marramendës, por unë e pranoj, nuk iki, megjithëse sfida nga sot është shumë më e vështirë.

Në muajin korrik do të zhvillojmë një debat të brendshëm në funksion të sfidës tashmë tej mase të vështirësuar për të analizuar situatën në familjen tonë politike duke u mbështetur tek shembujt e suksesshëm organizativë që sot nuk munguan.

Një debat për të analizuar edhe pozicionin tonë të ri qoftë me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare. Plaga e hapur kërkon kurim dhe ne do të bëjmë çmos. Sot janë aty ku e meritojnë në gropën ku duan të fusin Shqipërinë, drejtësinë dhe qeverinë”, tha Rama.