Është folur me bollëk dhe me të gjitha llojet e të folurit, në shqip e në anglisht, madje edhe në greqisht e italisht, përgjatë fushatës zgjedhore parlamentare shqiptare të këtij viti. Kanë folur e kush nuk ka folur mirë; por më shumë kanë llomotitur, pëllitur, gërhitur apo ulëritur! Gjithsecili sipas mënyrës dhe mendjes së vet, sipas aftësisë e sidomos paaftësisë së vet. Tek e fundit e pse të mos flasin?
‘Gënjen, vjedh e korrupton’… se kështu funksionon!?
Ja edhe fushata-maskaradë ‘moderne’ zgjedhore, pa kurrëfarë ideali kombëtar, pa kurrëfarë dinjiteti njerëzor, pa brendi ligjore, kushtetuese dhe atdhetare, pa asnjë premtim për prodhim të mirash materiale dhe reale për banorët autoktonë të këtushëm me emrin e plotë shqiptarë denbabaden, por vetëm me batuta, grënjë, fyerje dhe tallavitje,- mbaroi! Të bërtitura për një pasaportë në Europë dhe për një Shqipëri madhështore!? Kur dëgjon se e majta-i thënçin-, fiton tetëdhjetë e ca deputetë, të mblidhet një lëmsh në grykë. E para, se je i lumtur që nuk ke marrë pjesë në dallaveret që ka kurdisur e kuturisur tërë makineria e sofistikuar ‘shpirtërore’ makiaveliste e kryetarit të partisë, Edi Rama, (ai edhe kryeministër -pra kryetar i gjithçkaje të këtij trualli). E dyta, sepse shikon që shqiptarët e vërtetë , që e duan tokën mëmë të jetë shqiptare dhe jo e shitur, janë tretur në ujë dhe kanë mbetur aq pak sa janë të papërfillshëm për një miting në fushë voliboli e jo më për një revoltë masive përmbysëse. Siç dihet, mbas çdo lufte, pra edhe “luftës elektorale” për të fituar shumicën në Kuvendin e Shqipërisë, bëhet bilanci i humbësve dhe i fitimtarëve. Jepen gjykime, bëhen vlerësime, trajtohen moralizime, diskutohen probleme juridike dhe juridiksioni, për të dy palët. E treta,fitorja e helmët e Edi Ramës është një kurorëzim i këmbëkryquljes së mafjes në pushtet; i faktit që Shqipërinë Edi Rama e ka tjetërsuar, varfëruar, degraduar , shitur duke e kthyer në një trapezë bixhozi të të huajve kolonialistë të rinj, neofashistë dhe dashakeqës të kombit tonë. Shumë nga këto të vërteta për këtë pikë të nxehtë kanë dalë nga goja e të pabesueshmit, Sali Berishës, prandaj nuk besohen! Së fundi,sepse shumëkush prej të këtushmëve, tani po kupton që politika në kapitalizëm (alias-demokraci),si profesioni më e pështirosur, ka unitet e kundërshti vetëm të përkohshme dhe/apo hipokrite. A nuk është marionetë e Edi Ramës vetë kreu i djegur i opozitës, Sali Berisha, njeriu më i anatemuar në këto 35 vjet? Qysh në vitin 2021, i hutuari i vetshitur tek amerikanët, por jo i humburi, Edi Rama, pati thënë afërsisht:” e kuptova që të keqen më të madhe nuk e kam pasur kurrë nga Sali Berisha por nga këta të mijtë brenda partisë!” Rrjedhimisht është prania dhe puna e ‘palodhur e heroike e tejet këmbëngulëse’ e Sali Berishës dhe partisë së tij, (i cili kërkon pushtet, legjitimisht pakurrëfarë qederi), që Edi Rama po betonohet në kolltukun e kryetarit edhe këtë radhë me mbi 80 deputetë! Gënjeshtrat dhe mashtrimet në fjalimet e Edi Ramës janë pa limit, janë të neveritshme, pa etiketë dhe pa markë. Vetë ai si një lloj drejtuesi me oratori në shqip e disa gjuhë të tjera, është politikan pa principe, pa etikë njerëzore , pa vizion për përparimin dhe konsolidimin e Shqipërisë, si shtet e si komb. Ai është krejtësisht antishqiptar, tërësisht antipopullor, komplet në ekstazë nga lavdia personale që i jep pushteti, fitorja nëpër fushata zgjedhore; ai është fund e krye antikombëtar.

E, për ta mbyllur këtë syth, organet e të ashtuquajturës drejtësi si prokuroria, gjykata, por edhe policia, të molepsuar nga efektet e gjithanshme të tiranisë dhe hipokrizisë, frikës dhe karriges, mungesës së guximit dhe joshjes nga paraja, duket hapur që mbrojnë atë që është në pushtet e jo atë që ka të drejtë. Po pse,vallë nuk u panë makinat me zarfa me parà që udhëtuan me urdhër të shefes ‘zeta’ dhe shefit ‘ypsilon’, natën pa hënë drejt qytetit P. e fshatit M.? Po pse nuk u kuptuan makinacionet e telefonatat, fletvolantet, apo flet kërcënimet për individë dhe për të thithur sa më shumë vota? Vetëm organet e hetuesisë, policisë dhe drejtësisë nuk kanë parë gjë!? Para ca kohësh mora pjesë si i ftuar aksidental në një takim euforik promovues të disa prodhimeve kozmetike!? Më në fund fare, për pjesëmarrësit u dha një drekë dhe u shitën jastëkë (!?) me çmim të reduktuar nga pesë në tre. E pyeta, në një rreth disi të ngushtë, drejtuesin e këtij aktiviteti-biznes promovues (lexo: vjedhje e maskuar me pastrim parash në fushat e paeksploruara ende të jetës shqiptare), për diçka që bënte’m’u’si gënjeshtër e mashtrim i rëndomtë dhe e servirur jashtë etikës, larg kulturës dhe edukatës sonë. Drejtuesi, një burrë lakonik dhe i lakueshëm, i arsimuar në fillimet e tij në socializëm e më pas në Amerikë, ma ktheu me buzagazje aktoreske, por dukej që e kishte sinqerisht: “Xhaxha, duhet të dish të vetshitesh, të gënjesh, të mashtrosh e të korruptosh se vetëm kështu fiton…se kështu funksionon! “Kjo është edhe formula e fitores së hidhur të Edi Ramës për ecurinë shqiptare të këtyre viteve.
Bordello e çyryk, apo skrapello e pykë!
Po i marr lejë lexuesit dhe po bie edhe unë për pak çaste në nivelin e të folurit ashtu siç e përdor (pra edhe e kërkon përgjigjen) kryetari i qeverisë sonë. Nuk e përmban asnjë lloj neni, rreshti, të shkruar apo të pikturuar që të etiketosh partinë tënde”bordello!” Është turp e kaluar turpit. Është fyerje tejet e rëndë për të gjithë anëtarësinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e partisë. Është njollë që nuk hiqet, por kujtohet gjithnjë. Qoftë edhe vetëm për këtë thënie, ata që mbajnë teserën e asaj partie duhet ta shkarkojnë një orë e më parë atë lloj personi që ka uzurpuar postin e kryetarit! Mirëpo, më duhet të pranoj: Edi Rama ka thënë një të vërtetë të madhe paçka se ai ua faturon me paturpësi paraardhësve të tij drejtues të asaj partie! Se, që të jemi të sinqertë, kryetari Rama, tetë herë në dhjetë, nuk di se çfarë thotë. Ai vetë nuk njeh organizimin, por anarshinë; nuk njeh disiplinën shtetërore e shkencore, por llafollogjinë dhe autokracinë. Ajo, partia socialiste (dhe të gjithë të tjerat që janë regjistruar në gjykatë pas vitit 1990, e që quhen parti), është thjeshtë grumbull njerëzish sipas berihajit që duan nga një kockë ose thelë. Ja këta të fundit janë peri i kuq në copën e zezë të kostumit të kësaj partie. Pra këto lloj grumbuj njerëzish të këtyre kategorive, ku gjithnjë nuk mungojnë servilët, debilët dhe katilët, janë ato që përbëjnë partinë! Parti pa statut, pa norma, pa programe, pa organizime konkrete nga baza në kryeqëndër, pa cilësime se ç’detyra e të drejta ka secili, nga anëtari deri tek kyetari,-ja kjo është e famshmja parti! Të tillë e katandisi më shumë nga kushdo tjetër vetë Edi Rama. Kur ti nuk e mendon këtë atëherë t’i gëzosh cilësimet që dëgjojmë ne, këtu në bazën e partisë. Ja njëri syresh: kur partia është bordello e ne anëtarët meshkuj të saj jemi çyrykë, atëherë ti, kryetari ynë, o je skrapello, o je pykë!” I kemi kundërshtuar tërë këto lloj fyerjesh sepse nuk janë as të pranueshme e as edukative. Por ç’e do se më shumë punë, na ka prishur vetë Edi Rama e na prish, që në çdo fjalim nxjerr nga një “risi”. “Po nuk u dëgjuan burrat tuaj, juve, që të votojnë për partinë socialiste, mos shkoni më me ta!?”- iu dha porosi grave në një rreth tjetër. Dhe së fundi: “Unë jam këtu për historinë, e s’ma bën “tërr “syri!?Ai, siç shkroi dje, njeh vetëm Skënderbeun dhe veten e tij! Edi Rama, “është i miri botës dhe i ligu i shtëpisë” siç thotë një fjalë e urtë shqiptare. Qartazi ai po përgatit sulltanatin e vet, duke harruar se sa më lart të ngjitesh me hile, aq më keq e thyen kokën kur të biesh.





















