Rita Shkurtaj: LSI kandidon me dinjitet për integritet

567
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Mirësia dhe opinioni i znj. Linda Kavaja ndër të rrallat që do marrë votbesimin e zemrave më të sinqerta shkodrane.

Me këto pak fjalë kuptimplotë, që mbartin një peshë të madhe si pasthirrmat e nevojës më të madhe të kohës, do ta personifikoj rolin, misionin, dinjitetin dhe mbi të gjitha kontributin e znj. Linda Kavaja në këto momente.

E njoha nga profesioni, e vlerësova nga vizioni dhe e çmova fort për pasionin dhe humanizmin e saj të pashoq që pak të thuhet se u lind dhe brumos në familjen e saj fatlume për këtë bijë, sa qartazi doli në pah shpirtmadhësia e saj për t’u gjetur pranë njerëzve më në nevojë, si dhunti kjo e lindur bashkë me të.

Ishte pikërisht viti që lamë pas i pandemisë famëkeqe, ai që nxori më në pah njerëzit shpirtmëdhenj, që rrezatuan dhe ngrohën qiejt e shumë kujt, që ecnin në buzë të greminës të padritë, duke numëruar tik-taket e ores, që u varej në muret gri të shpresës së ligshtuar.

E një ndër këta njerëz vezullues ishte edhe znj. Linda Kavaja, e cila për muaj të tërë, me punën dhe misionin e saj, u kthye në të vetmin institucion përgjegjës social, që merrej me zgjidhjen e halleve të banorëve të Qarkut të Shkodrës e më gjerë, duke shpërfillur edhe rrezikun që na kërcënoi me jetë, duke trokitur në dyer, e duke u shërbyer atyre shpirtrave me duart e sy të drejtuar nga qielli, e pa një vëmëndje nga shteti i 3 D-ve, që fashonte oraret e frymës së fundit të shqiptarëve.

Dhe pas gjithë kësaj përvoje që na dha mend e kuptim mbi jetën,shëndetin dhe familjen, si gjërat më të shtrenjta që kemi, ka ardhur koha të besojmë në vepra e jo në fjalë.

T’i besojmë dhe çmojmë këta njerëz, që në ditët më të vështira ishin pranë nesh. Të kujtojmë dhe të çmojmë vlerat humane e njerëzore si kushti themelor i asaj që më së shumti na nevojitet. Këta meritojnë t’u besojmë të nesërmen tonë të afërt e afatgjatë, pasi vetëm atyre u pulson zemra: dashuri e mirësi për njerëzit dhe vendin e tyre.

Po kush është Linda Kavaja?

Në civinë e saj zyrtare të prezantuar nga strukturat e LSI-së Qarkut Shkodër, tashmë të bërë publike renditet një karierë e pasur pune e përvoje, që e veshnin atë me një begrand të pasur e dinjitoz, për ta quajtur një zonjë intelektuale Shkodrane.  Asaj civie po t’i shtohej edhe opinioni që gëzon në komunitet do t’i shtoheshin edhe vlerësime. *E ambël në biseda si mjalta e hojeve të bjeshkëve plot oksigjen, që ngrohu e shëroi me fjalë zemrat e atyre që edhe fjalën e blenin me receta si ilaçet e paketuara për dhimbjet e trupit e të shpirtit që u rëndonte jeta e burgosur ato ditë të frikshme, që ngjanin me gjamët e motit, që tundin edhe tokën nën këmbë.*E ngrohtë dhe plot mirësi e shtriu dorën t’u japë një dorë atyre që jeta u ishte rrënuar si muret e vjetra të një banese të harruar prej gjithkuj.

*E ditur për të edhe përtej asaj që duket, me vlerësuar vuajtjet e me i ngjall shpresën secilit hallexhi që hallin e vet ia besoi.

*E matur dhe e duruar pa gjykuar askënd me kandarin e interesit.

*E aftë e plot vizion me i dhënë vlerë punës dhe punëdhënsëit me suksesin e saj.

*E palodhur dhe e vendosur me sakrifiku nga vetja gjithçka për familjen dhe fëmijët.

E kush më fort se kjo zonjë e kjo forcë politike, që e vlerësoi si njeri të punës e të sakrificës meriton t’i përfaqësojë këto shtresa e këta njerëz, që asnjëherë s’e gëzuan votën e besës nga deputetët e pabesë.

Le t’i japim shansin për ta besuar e votuar nëse dhe ne do duam të jemi të vlerësuar.

NJË GRUA PËR NJË GRUA, PËR NJË NËNË E PËR NJË MOTËR, NJË BIJË PËR TY SHKODËR.