Me sa duket, për t’i dhënë përgjigje dhe për t’i bindur kundërshtarët e vetë politikë të “Dhjetorit ‘90”, se “Byroja Politike” e PPSH, vazhdimësia dhe ideali i tyre janë gjallë e në aktivitet në brezin aktual, pasardhësit e tyre “rilindës” po rikthejnë devotshmërisht e hapur në drejtim të partisë “mavi” edhe trashëgimtarët biologjik të drejtuesve komunistë të ish-pushtetit “mavri” të deri vitit 1992! Si për të forcuar edhe “qerestet e krimbura” të Rilindjes, të pushtuar nga birbot, qejflinjtë dhe parallinjtë të babëzitur të OJF-ve që nuk kanë asnjë lidhje me PS reale të krijuar 25 vite më parë, ashtu si emërimet në qeveri, kanë nisur të emërojnë në krye të partisë “mavi” në qendër, në rrethe e qarqe pasardhësit e ish-anëtarëve të byrosë politike të PPSH, të ish-sekretarëve të parë, të kryetarëve të komiteteve, të ish-shefave të degëve të brendshme e të hetuesive, të të ish-drejtuesve të lartë të atij regjimi që po “rilind” me rikthimin e tyre, nëpërmjet angazhimit në poste drejtuese politike të pasardhësve të tyre biologjik, familjar, fisnor, krahinor e klanor me skenar të paramenduar për të krijuar “Bllokun e ri Rilindës” me “specie” brenda llojit ideologjik e brenda racës biologjike!
Këtë provë “rilindjeje” të ish-kastës së regjimit komunist, “Rilindja” e ka dhënë dy ditë më parë në rrethin e Përmetit, me (për)zgjedhjen e drejtueses së PS. Dhe e ka dhënë këtë provë, duke “graduar” në krye të PS, jo ndonjë socialist të ndershëm e me “mend në kokë”, as ndonjë socialist “vemje” nga ata që lëpihen për vende pune, as ndonjë nga socialistët “qorra” që “vriten” edhe vëllanë për byroistët horra të PS, por kanë “graduar” një pasardhëse biologjike familjare të një ish-anëtari të Byrosë Politike të KQ të PPSH! Me një urdhër të formës së prerë të dhënë me telefon “nga lartë”, me vota të para përpunuara nga “njësiti gueril” i PS e PKSH në Përmet, mes brohoritjesh e parullash komuniste “byroja politike” e Përmetit ka vendosur në krye të PS mbesën e Simon Stefanit! Quhet Adelina Stefani. Në ekranin e celularit mbanë akoma emblemën “Drapër e Çekan” me yllin e kuq komunist në krye me foton e Enverit në qendër të kallinjve të grurit.
Si zile thirrjesh telefoni ka këngën “Enver Hoxha, tungjatjeta”, ndërsa si zile mesazhesh ka vendosur muzikën e këngës “Ne jemi komunistë, shokë të Enverit”. Ka punuar në sektorin e kulturës në bashki, por është shkarkuar nga ish-kreu i baskisë së qytetit, socialisti Gilberto Jaçe, për shkak se mbushi sheshet e Përmetit me fëmijë shkolle fillore të cilët i vendosi të parakalonin me fotografitë e Enver Hoxhës në duar dhe me brohoritje për emrin e tij! Mos u çuditni, por sa për t’u freskuar kujtesën, ju bëjmë me dije se sekretarja e parë e byrosë politike të “Rilindjes” në Përmet, pra mbesa e Simon Stefanit është ajo shefja e kulturës e bashkisë së Përmetit, që në datën 5 maj të vitit 2014 mori me forcë një grup fëmijësh nga mësimi nga shkolla 9-vjeçare “Nonda Bulka” e qytetit të Përmetit dhe i çoi të bënin homazhe të varrezat e dëshmorëve të qytetit, duke nderuar me grusht dhe me fotografitë e Enver Hoxhës! Burime nga Përmeti, thonë se ajo që ditën e parë të marrjes së postit si sekretare e parë e “byrosë politike” të Rilindjes së Përmetit, ka vendosur në zyrë fotografinë e Enver Hoxhës, fotografinë e Edi Ramës, fotografinë e Fatmir Xhafës në tribunën e paradës së “1 Majit”, duke u mbështetur në “supin e ngrohtë” të Enver Hoxhës dhe fotografitë e katër klasikëve të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit!