Afrim Krasniqi: “Sistemet kibernetike janë ende në kërkim ndërkombëtar nga SPAK”

Nga Prof.Dr.Afrim Krasniqi

Retrospektivë, 1976. Ishte koha kur zyrtarisht thuhej se jemi të parët në zhvillim, duke lënë pas fuqi globale dhe natyrisht vendet kapitaliste perëndimore. Në teori njihet si “Low Base Effect”, e përdorur gjerësisht nga regjimet ideologjike të kohës: ilustrim, – ti ke 1 fabrikë, ndërton një tjetër dhe rritja quhet 100%, ai që ka 1000 fabrika ndërton një tjetër dhe rritja është e papërfillshme.

Sigal

Në Shqipëri periudha 1965–1975 ndërlidhet me ndihmat e mëdha ekonomike dhe kreditë nga Kina, pra jo një sukses vetë izolimi, por i varësisë dhe mbështetjes masive nga një fuqi e huaj. Prodhimi i planifikuar dhe caktimi me urdhër i çmimeve nga shteti, sasia si plan i detyruar duke injoruar cilësinë reale, pa treg, pa konkurrencë, pa mundësi zgjedhjeje nga qytetari, etj, etj, janë elementë që duhen rikujtuar.

Nejse. E dimë ku ishim dhe e dimë çfarë ndodhi. Mesazhi lidhet edhe me kohët e sotme, kur ende vendimmarrësit nuk e dinë ku jemi, nuk ndajnë dot faktet nga perceptimi i gabuar statistikor dhe natyrisht as nuk mendojnë për pasojat. Suksesi statistikor ka rëndësi, por varët nga burimet dhe konteksti i krijimit të tyre; përdorimi i statistikave si instrument për legjitimitet politik vijon ende gabimisht të marrë më shumë vlerë sesa realiteti.

I fundit ishte edhe lajmi zyrtar se Shqipëria u shpall kampione për sigurinë kibernetike duke lënë pas edhe vendet që kanë shpikur vetë konceptin dhe instrumentet e sigurisë kibernetike, madje edhe vetë kompjuterin, internetin, programet, teknologjinë, deri sulmet kibernetike. “Suksesi” zyrtar i 1976 dihet ku na çoi, këta që merreshin deri vonë me “sistemet kibernetike” janë ende në kërkim ndërkombëtar. Nga SPAK.

Kështu e nisëm? Kohët ndryshojnë kalendarikisht nga 1976, qeveritë e regjimet ndryshojnë, por ndryshimi i vertetë për një vend/shoqëri vjen nga ndryshimet pozitive në dije, mendje, kulturë, vizion, integritet dhe lidership vendimmarrës.