Shqipëria, sa para prapa…

675
Sigal

Vangjush Saro

 

Shtyhet për në shtator vendimi për hapjen e negociatave me BE-në. Është publikuar pak kohë më parë indeksi i lirisë së mediave- Indeksi Botëror i Lirisë së Medias – sipas të cilit Shqipëria ka humbur shtatë pozicione. Kemi votimin me ¾, nga Parlamenti Hollandez, të një rezolute për vendosjen sërish të regjimit të vizave për Shqipërinë. Ka qarkulluar në medie një memo e Ministrisë së Jashtme të Kanadasë ku shkruhet (njëfarësoj) me një gjuhë dyshuese për Shqipërinë. Kalendari politik i vendit vazhdon të mbushet me protesta (deri të dhunshme) nga opozita dhe me abuzime të dukshme nga qeveria. Regjistrohen vjedhje alarmante, por edhe akte të veçanta dhune e banditizmi të shqiptarëve të ‘rrugës’. Kemi më në fund përpjekje të dëshpëruara për të mohuar kontributin e vendit në Luftën e Dytë Botërore…

Pa u zgjatur më tej e në episode të tjera, duket se jemi, sikundër herë pas here kemi qenë, në një ‘fushatë’ denigrimi ndaj vendit tonë; nga jashtë dhe nga brenda; nga dje dhe nga sot. Pavarësisht rrethanave në të cilat gjendemi e argumenteve që përdoren, pavarësisht cilësimeve të njërit apo tjetrit politikan a vëzhgues, i yni qoftë a i botës, mendoj se e kanë një gjysmë të drejte të na shohin me skepticizëm. Duke shprehur keqardhjen për imazhin e paqartë (e zbuta pak) të Shqipërisë, por edhe për interpretimin (pothuaj) ekstremist të zyrave a politikanëve të caktuar në disa vende, gjej rastin t’i kthehem edhe vetes, bashkëkombasve të mi gjithashtu. Është tjetër gjë çfarë bën bota, Evropa, Hollanda, Rusia, Serbia; po i marr si gjysmë të vërteta aktet e tyre, të konfirmuara ose jo. Në këtë realitet disi të trishtë, ne duhet të hapim sytë edhe për ‘pjesën’ tonë të fajit; si institucione dhe si qytetarë. Unë mendoj se në gjendjen që jemi, duhet të kërkojmë mundësi për të rikuperuar pamjet dhe për të kuruar imazhin e vendit. E kemi marrë ca më të ‘përpjekur’ demokracinë… Shikoni se si përmbysen jetët e dekadave të shkuara, si përqeshet gjaku i të rënëve dhe djersa e atyre që rindërtuan dhe ndërtuan vendin, me to edhe arti, sportet, gjithçka; një prolektkult alla shqiptarçe. Shikoni se si kërleshen shqipfolësit me fjalët më të ndyra, në prapaskena të disa gazetave apo në rrjetet (me nder… të lira) ku gjithkush, gjithsesi, tregon fytyrën e vet, por sadopak edhe stadin ku gjendemi. (“I pasur bëhesh, elegant lind.” Balzak) Duke bërë këto, shumëkujt i duket sikur shpëton nga vreri që ka përbrenda, por ndërkaq, vazhdon mjerueshëm procesi i vrerderdhjes…

Ç’mund të them tjetër teksa i shikoj njerëzit, nga ana e anës, falë edhe lehtësive virtuale, të bëjnë… nuk di si ta them.  Unë i çmoj rrjetet; edhe përkushtimin e gjithkujt; por një histeri e tillë…

Të gjithë mendjen në politikë e në hakmarrje, por që ndonjëherë quhen… me nder debat. Basha. Rama. Partizanët. Ballistët. Serbët. Grekët. Poshtë ai e rroftë ky! Askush nuk merret me punët e veta, kanë dalë të gjithë në sheshin e ‘luftës’ e të demagogjisë. Të gjithë kundër të gjithëve, si askund. Po e shoh të tërën e kësaj ‘fushate’ denigruese (mos edhe vetëdenigruese) edhe në një plan tjetër; në atë të pranisë së përminutshme të mediave – shqiptare apo antishqiptare (!) – në të katër anët e botës, pothuaj gati për ta rimbytur vendin e për ta baltosur më keq imazhin e tij. Kam parasysh sulmet e përditshme të lloj-lloj analistëve, shumica e të cilëve amatorë e qenie mjerane, që mendojnë se po ‘afirmohen’ duke ‘bombarduar’ vendin e tyre, shtetin e tyre, kryeministrin e tyre, opozitat ashtu si janë, madje gjer edhe ndonjë vajzë me shkollim e bindje perëndimore që po kërkon ndryshimin e sistemit të zgjedhjeve, një nga pikat më të dobëta të situatës politike në vend…Etj.(“Liria me limite është e vetmja gjë që bën të bashkëjetojnë ata që e ushtrojnë dhe ata në favor të të cilëve ushtrohet.” A. Kamy)

Më në fund, kam parasysh edhe patetizmin dhe emfazën që na shoqëron prej kohe. Mburrje, kapadaillëk, flamuj, stema, përbetime, Shqipëri e madhe, historira nostalgjike dhe histerike.Ne, kërthiza e Botës. Ne, ashtu dhe kështu.Ndoshta e bëjmë që të mbetet ç’të mbetet mirë nga imazhi ynë gri…Apo duam t’i shikojmë të tjerët të poshtëruar, së paku më poshtë se ne? E di që ka pak brutalitet në këtë ‘mungesë patetizmi’, por prapë nuk besoj që mund të cilësohet teprim; fundja është thjesht një opinion. (“Në anijen e papërkryer të shkrimit, mund të hedh vetëm kujtime të papërkryera dhe mendime të papërkryera.”H. Murakami)

Mbase te këto argumente të mbrame, e them me sinqeritet e modesti, duhet të verifikoj ndonjë gjë në veten time. Por nuk fshihem dot dhe as nuk dua të fshihem: Këto grindje të ulëta, këto lloqe Shqipërie a diaspore, këto përkëdhelira nacionaliste e provincialiste, këto mbrëmje gala me personazhe që na shtiren pa le ç’janë, por në fakt duan vetëm paratë e tyre, këto sforcime prej karagjozësh për t’u dukur patriotë… nuk më sugjestionojnë fare. Unë i shoh ‘peliçet’ e ‘kollaret’ dhe këto lehje,‘shkër(dh)ime’, vjellje e sjellje vanitoze, si një minus më shumë në këtë histori. Ndoshta ngaqë unë vetë nuk jam një i tillë: ‘i angazhuar’, ‘patriot’, ‘shqiptaromadh’, ‘revolucionar’, s’di ç’tjetër jo. (“Jam gati që kravatën më të mirë, t’ia fal kalit që më parë të dalë.” Esenin)

Përpara shtirjeve gjithfarë, politikës së ‘madhe’ e ‘atdhetarizmit’ bërtitës, ka shumë gjëra të tjera për të bërë. Po flas me kë më dëgjon. Duhet përmirësuar dhe mbrojtur imazhi i vendit dhe kjo bëhet edhe duke treguar më së pari veten. Rrit fëmijë të mirë; edukoji dhe shkolloji ata; iu trego rrugën e qytetarisë, nëse e di; folë dhe shkruaj mirë gjuhën amtare; respekto trashëgiminë, por edhe shtetin dhe institucionet e sotme; mos i fut hundët në punët e historisë e të politikës vend e pa vend; shprehu me votë, në zgjedhje a në referendume… I bën dot këto, në vend të shtirjeve patriotike? (“Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve.” S. Xhonson)

Pauzë. Mund të dukem a të jem disi i ngurtë; por gjykojeni vetë: Jemi duke bërtitur gjithë kohës për komb e politikë e, ndërkaq, nuk dimë të bëjmë detyrën elementare, atë të të qenit qytetar. Po tallen me ne, ata brenda dhe ata jashtë, ata të djeshmit dhe ata të sotmit; po na kanosin me viza, me memo ku iu thuhet njerëzve të hapin sytë mirë kur të jenë në Shqipëri…Atëherë?Duhet të vazhdojmë të bërtasim për ‘virtyte’ e ‘madhështira’ që s’i kemi?Ç’më duhet ‘atdhetarizmi’ i shtirur e patetik, nëse për diversitetin më të parë (mendësinë ndryshe) shumëkush e fyen, e rreh, e vret gruan a vajzën, ndërsa duhet t’i adhurojë ato qenie! Ç’më duhet, me nder ‘patriotizmi’ i dikujt a shumëkujt, nëse aksh bir a nip iu merren me punë të pista, duke ia nxirë faqen dhe emrin Shqipërisë, kurse ‘patrioti’ i rrjeteve jo vetëm mbyll sytë dhe gëzon paratë e siguruara në mënyrë të dyshimtë, por bërtet edhe për atdhe e Shqipëri të madhe, për pellazgë e pellazgjishte, nga s’merr vesh fare!… Ç’më duhet rrahja e gjoksit për atdheun e dikujt a shumëkujt, nëse aksh bijë a mbesë e tyre mbulohen kokë e këmbë me çarçaf apo, në rastin tjetër ekstrem, zbulojnë të gjitha hiret e tyre, gjer në episodet më intime! Ç’më duhet grinta politike, nëse atdhetari e shqiptaromadhie flet dhe e shkruan gjuhën e vet shatra-patra dhe me atë (të përçudnuar gjuhë) shan e kërdis pareshtur të tjerët dhe të vetët e, ndërkaq, nuk di të dëgjojë qoftë edhe një herë të vetme!

Zoti të më falë e Atdheu të më falë e miqtë dhe kolegët të më falin, nëse e kam gabim…Nuk po them se të tjerët po shkëlqejnë në këto kohë të vështira e në këtë botë plot probleme. Natyrisht që jo. Por neve na duhet të shikojmë, më së pari e me doemos, hallin tonë, imazhin tonë. Dhe imazhi nuk përmirësohet me demagogji, me gënjeshtra, me luftë të paprerë për frone e për të shpëtuar pasurinë a pleqërinë e njërit e të tjetrit… Imazhi përmirësohet duke ikur nga politizimi i skajshëm dhe histeria e fiksuar. Institucionet dhe shoqatat (e ashtuquajtura) atdhetare, brenda dhe jashtë vendit, duhet të respektojnë shtetin dhe institucionet e zgjedhura me votë.

Ka një shekull që bën ‘të fortin’ me partitë e majta ndonjë shoqatë atdhetare këtej oqeanit. Po çfarë është kjo? Kjo është të mos ndjekësh ndryshimet, të mos i japësh edhe dikujt tjetër akses, të bërtasësh për atdhe kurse të ka mbetur ora në vitin ‘44. Ja kë në vete, patriot, ndiq kohën, pluralizmin, demokracinë, që thua se e njeh, sepse fundja e ke jetuar në disa dekada, ani pse të ka parë dhe nuk e ke parë. Në po këtë udhë, mediat, brenda dhe jashtë vendit, duhet të falen në lajme të verifikuara dhe në analiza profesionale e të shmangin fiksimet dhe inatet vetiake. Ndryshimet ndodhin sipas parimeve dhe ligjeve që (ne të gjithë) i kemi kërkuar në ‘90-tën. Nëse ka një punë e një detyrë që sot thërret, është ajo për përmirësimin e imazhit të vendit. Të tjerat janë pokeri.