Belind Këlliçi: Po krijohet imunitet për të pushtetshmit, drejtësia sinjale në favor të korrupsionit

Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe deputeti Belind Këlliçi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në hetimet që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj, duke ngritur dyshime për standarde të dyfishta në sistemin e drejtësisë.

Përmes një reagimi publik, Këlliçi akuzoi SPAK-un se po jep sinjale në favor të zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive, ndërsa kritikoi lirimin nga qelia të ish-drejtorëve të lidhur me Ballukun. Sipas tij, këto zhvillime përbëjnë një goditje për besimin e qytetarëve te drejtësia dhe lufta kundër pandëshkueshmërisë.

Sigal

Postimi i plotë:Drejtësia jep sinjale të reja pro Ballukut dhe korrupsionit!

Drejtësia po jep sinjale të reja në favor të Belinda Ballukut, e marrë e pandehur për abuzim me 1.1 miliardë euro tendera dhe për fshehje pasurie.

Teksa gjithë opinioni është i habitur se si SPAK nuk ka ndërmarrë hapa të reja ndaj ish-zëvendëskryeministres duke e lënë të lirë, vijnë sinjale për lehtësime të tjera.

Bashkëpunëtorët e saj kryesore në aferat e rrugëve kanë lënë qelinë dhe janë nën masë më të zbutur.Po pse shkuan në shtëpi drejtorët e Ballukut, Gjyli dhe Elezi? Sepse kanë kaluar afatet e hetimit. Pra SPAK ka lejuar që këto afate të mos respektohen.

U ka hapur vetë dyert e qelisë. Ky është një zhvillim shqetësues për drejtësinë dhe në favor të korrupsionit. Nëse SPAK vijon me këto ritme, zyrtarët e lartë dhe Balluku janë duke fituar një imunitet të ri dhe ndodhemi kështu para një pabarazie para ligjit, që e kemi financuar me plot 500 milionë dollarë nga taksat e shqiptareve.

Një tjetër zhgënjim nga drejtësia e re, nga e cila njerëzit kanë pritur më shumë! Prej 82 ditësh qytetarët në protestë kërkojnë hetim të korrupsionit, luftë ndaj pandëshkueshmërisë, ndërkohë që zyrtarët e zullumit qeveritar po privilegjohen e po fitojnë lirinë.