Refuzimi i Gjinushit në krye të ASH, veprim i duhur i Metës

502
Sigal

Paraditen e së premtes, Presidenti Ilir Meta refuzoi dekretimin e Skënder Gjinushit, si kryetar i ri i akademisë së shkencave. Dorëheqja nga funksioni i Kryetarit të Partisë Socialdemokrate e paraqitur nga Skënder Gjinushi më 15 maj 2019, nuk është formalizuar me një vendimmarrje ligjore përpara kohës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar të Akademisë së Shkencave, që u mbajtën në datën 24 maj të këtij viti. Ky ka qenë argumenti i parë ligjor i Metës për mosdekretimin e Skënder Gjinushit, ndërsa zbardhja e plotë e dekretit prej 12 faqesh përmban pikat në të cilat është mbështetur Kreu i Shtetit të krijojë bindjen e plotë për këtë refuzim.

Sikurse shkruan vetë Ilir Meta, këtij vendimi të presidentit i ka paraprirë një takim me zotin Gjinushi, të cilit edhe personalisht ia ka bërë të qartë se mbërriti në këtë përfundim për arsye se “procesi zgjedhor i zhvilluar në Akademinë e Shkencave, për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, paraqet problematikë të theksuar ligjore. Sipas tij, kjo gjendje paligjshmërie thotë presidenti Meta e bën të pamundur për të emëruar Gjinushin, Kryetarin të Akademisë së Shkencave. A ka vepruar drejt kreu i shtetit në këtë refuzim të dekretit? Pyetja nuk kërkon shumë debate apo diskutime.

Skënder Gjinushi ka marrë çfarë ka dashur nga jeta. Prej vitesh emri i tij qarkullon në sferat e larta të politikës. Emri i tij ka dalë gjithandej për gjithçka, por askujt nuk ia merrte mendja, se edhe në vitin 2019, thuajse 30 vjet nga shembja e sistemit diktatorial, ish-ministri i para viteve 1990 do të ishte sërish në “tavë”. Dhe ku! Në krye të Akademisë së Shkencave.

Për fat të mirë, ai që ka të drejtën për ta dekretuar në këtë post nuk e ka firmosur emrin e tij, si numri një i Akademisë së Shkencave, duke bindur përfundimisht se kjo vendimmarrje përmbush vullnetin e shumicës që ka kundërshtuar këtë zgjedhje. Nuk është e tepërt të thuhet se në këtë rast Ilir Meta, si president i vendit ka bërë më të mirën e mundshme, duke i dhënë një dorë goditjes së komunistëve që ende drejtojnë vendin dhe që një prej tyre pa asnjë dyshim, as më pak dhe as më shumë është Skënder Gjinushi.

Ilir Meta mund të ketë pafund kusure në politikë dhe jo vetëm, në të cilat mund të diskutohet, qoftë edhe në rastet e rrëzimit të shumë ligjeve që janë miratuar nga Parlamenti, por në këtë rast nuk ka pse të mos i njihet vlera e asaj që ka bërë. Nuk mundet dhe nuk ka pse mbi të gjitha, të jetë në krye të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, një pazarxhi, në shumë raste edhe i rëndomtë që e ka shitur dhe blerë disa herë partinë e tij, tani të kthyer në pronë. Me këtë parti Skënder Gjinushi ka firmosur me veten njëherë e përgjithmonë skemën korruptive në politikë. Në jo pak raste ka bërë presione të qarta me këtë parti, e që mesa duket tentoi ta bënte edhe tani, por nuk ia doli.

Si rrallë kush, Gjinushi ka shijuar të gjitha pushtetet politike, që nga ajo kohë e deri në këtë kohë. E ka filluar si pedagog, më pas ministër, deputet, kryetar kuvendi, e zëvendësministër për shumë e shumë vite, pavarësisht nëse pushteti ishte majtas apo djathtas. Mund të duket e pabesueshme por Skënder Gjinushi ka 46 vjet në pushtet, që nga viti i largët 1973, kur mori detyrën si pedagog (poste tepër të larta për kohën) e deri tani, kur ende kërkon.

Drejtonte një parti pa anëtarë, që vetëm siglën kishte dhe kryetarin e saj Gjinushin, që përfitonte nga ky post privilegje si askush tjetër në politikën shqiptare të tre dekadave të fundit. E mira e donte që Skënder Gjinushi të mos përzihej fare në këto zgjedhjet në Akademinë e Shkencave. Përkundrazi të rrinte në hije dhe të gëzonte çfarë ka përfituar gjatë karrierës së tij. E mira do ishte që Skënder Gjinushi të rikuperonte dinjitetin e cënuar politikisht, duke mbetur një përfaqësues dinjitoz i moshës së tretë, pa pasur asnjë ambicie edhe nëse dikush mund t’ia kërkonte.

Skënder Gjinushi nga njëra anë kandidonte për kreun e Akademisë së Shkencave dhe ana tjetër tjetër priste regjistrimin e partisë që ka në pronësi për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kjo do të thotë “i pangopur deri në infinit”. Jam e bindur, se mund të ketë ndonjë idhtar të asaj kohe që do hidhet përpjetë e të mbrojë ish-ministrin e diktaturës, por në fund të fundit duhet ta kuptojë gjithkush se vjen një moshë (si kjo e Gjinushit tani) që nuk të vlen më asgjë, edhe nëse grada jote ka qenë ajo më e larta në kohën e komunizmit.

Dhe kjo, sepse në fund të fundit ka ardhur koha që kurrë të mos jenë më në drejtim, e sidomos në Akademinë e Shkencave vemje të politikës, si Gjinushi. Ka ardhur koha që të pastrohen njëherë e mirë ata që tërë jetën kanë bërë gabime, që po i vuajnë brezat e sotëm të lindur në vitet ‘90 dhe ku pa asnjë diskutim fajtor është Skënder Gjinushi dhe sigurisht të tjerë. Ka ardhur koha që të dalin njëherë e mirë nga jeta e shqiptarëve emrat e llojit të Gjinushëve, që deri në grahmat e fundit të jetës tentojnë të zhvasin ç’të mundin e të shkatërrojnë edhe atë pak që ka mbetur në këtë vend.