Luftë e ashpër Fevziu-Balla, mblidhet urgjentisht Bordi ad hoc i udhëtimeve

1003
Sigal

Në mes të këtij zhegu përvëlues të muajit korrik, befas mbërriti edhe kulmi i rivalitetit të madh, mes dy udhëtarëve të famshëm të rruzullit tonë tokësor, Sokol Balla dhe Blendi Fevziu.

Pak  ditë më parë, Sokol Balla, zbarkoi në Brazil, ku përmes një vizite spektakolare, kaloi dymbëdhjetë pikë më lart se rivali i tij,  Fevziu, i cili përcillte foto në rrjetet sociale, vetëm me zhytje në fshatrat e jugut të Shqipërisë,  duke zbritur në mënyrë dramatike në klasifikim. Sikur të mos mjaftonte kjo, Balla i dha Fevziut edhe një goditje gati knock-out, kur kërceu  dhe këndoi bashkë, në plazhin e Copacabanës, nën ritmin e këngës “Rio”, të Ledri Vulës.

Pas publikimit të kësaj video nga shumë media online në Shqipëri dhe sidomos pas botimit të fotografisë së Ballës, me ish futbollistin e famshëm argjentinas, Ramon Diaz, Fevziu nuk e deshi më veten.

Pa u menduar gjatë, ai prenotoi biletat në të njëjtin kontinent, për në Perunë e largët, me qëllimin jo vetëm për t’ju afruar në klasifikim, por edhe për ta kaluar në momentin më të përshtatshëm, Ballën.

Pasi zbriti dhe u shplodh disa orë në kryeqytetin Lima, Fevziu udhëtoi në lartësinë afërsisht 4 mijë metra  mbi nivelin e detit, duke shkuar në zemër të njërës prej shtatë mrekullive të botës, Machu Pichu.

Pas këtij veprimi raskapitës, diferenca u ngushtua mjaft, aq sa, për të  analizuar, hulumtuar dhe klasifikuar me objektivitet këto udhëtime, u ngrit një Bord ad hoc me mandat dy vjeçar,  i cili u mblodh dje dhe përcaktoi klasifikimin real të këtyre dy udhëtarëve të botës. Ky Bord përbëhet nga anëtarët e shoqërisë civile dhe medias, përkatësisht nga:

Remzi Lani – Kryetar Bordi

Iris Luarasi – Anëtare

Albert Rakipi: Anëtar

Pirro Misha: Anëtar

Eni Vasili: Sekretare statistikore (pa pagesë, vetëm 10 mijë lek në muaj për shpenzime administrative)

Kujtim Gjuzi: Sekretar për Marëdhëniet me Parlamentin (me pagesë sipas rregullit)

Blendi Klosi: Gjoja si Ministër i Turizmit

Në përfundim të takimit, përsëri në krye të klasifikimit, por me një diferencë minimale, mbeti Sokol Balla, për shkak të një ekstravagance të rrallë në kërcim dhe pamjes shumë kontemporane, për shkak të tatuazheve, komponentë të cilët Fevziu i ka shumë të vështirë për t’i arritur, edhe pse ka mbërritur çdo gjë në këtë botë, me emisionin “Opinion”.

Në orët e ardhshme, Bordi pret ankimime nga pala e klasifikuar e dyta, pra nga Fevziu. Sapo të mblidhet Bordi, ne do t’ju njoftojmë duke publikuar të gjitha përfundimet e mbledhjes.

PS. Ndiqni më poshtë disa copëza nga udhëtimet respektive të konkurentëve, përfshirë këtu edhe videon epike të Ballës me këngën  në formë vallëzimi në Copacabana.

SOKOL BALLA NË BRAZIL:

BLENDI FEVZIU NË PERU: