Rasti Cakaj/ Gjykata Kushtetuese rrëzon Ramën: Nuk ekziston mosmarrëveshje mes Presidentit dhe Kryeministrit

262
Sigal

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin për përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga ana e Kreut të Shtetit.

Kushtetuesja ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën, ndërsa ka pushuar gjykimin për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në vendim, Gjykata thekson se kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve, Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.

Gjykata në vendimin e saj thekson se Presidenti ka kompetenca vlerësuese në procesin kushtetues të vlerësimit dhe emërimit të një ministri.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese shprehet se roli Presidentit nuk është formal. Pra, ai s’mund të jetë noter i propozimit të Kryeministrit.

NJOFTIMI I PLOTË:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,

VENDOSI:

– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.