Edi Rama: S’kam vija të kuqe për bashkëpunimin me PD-në, ejani të ulemi të vëmë parimet

152
Sigal

Kryeministri Edi Rama nuk ka vënë asnjë kufi për bashkëpunimin me Partinë Demokratike. I ftuar në “Opinion”, Rama tha se PD-ja është e vetmja parti që ai njeh për Opozitë dhe me të cilën ka ndërmend të bashkëpunojë.

Kreu i qeverisë që sapo ka fituar mandatin e tretë, tha se ftesa e tij nuk ka vija të kuqe dhe se është i gatshëm të ulet në tavolinë me këdo që të ketë nga partia përballë, qoftë edhe kryedemokrati Lulzim Basha dhe të vendosë parimet e një marrëveshjeje.

Pjesë nga biseda: 

Blendi Fevziu: Çfarë lloj bashkëpunimi keni pasur në mend ju me PD-në dhe këtë publikisht si e shihni bashkëpunimin me PD-në?

Edi Rama: Unë mendoj dhe besoj shumë fort se duhet të bëjmë një sforco të madhe të gjithë, komplet, por edhe ju, në radhë të parë unë si kryetar i PS-së dhe kryeministër për herë të tretë që ta çojmë debatin politik përtej pandemisë duke u munduar ta lehtësojmë nga e gjithë marrëzia që e karakterizon dhe mundësisht ta balancojmë pak energjinë që konsumohet çdo ditë në skenën e debatit politik për t’u marrë me njëri-tjetrin në kuptimin më banal të fjalës se me njëri-tjetrin do të merremi. Me konflikte me sherre, me ekstreme që nuk prodhojnë asgjë.

Blendi Fevziu: Atëherë cila është zgjidhja juaj për këtë? Ju nuk mund t’i thoni PD-së rri urtë se nuk dua të shqetësohem? Çfarë projekti keni dhe çfarë oferte keni?

Edi Rama: Nuk është ideja për ti thënë opozitës rri urtë, sepse opozitat që funksionojnë, sepse kjo opozitë deri më tani ka qenë disfunksionale. Nuk është për t’i thënë rri urtë, por për të hapur një kapitull të ri në politikën shqiptare.

Blendi Fevziu: Si? Në ç’formë?

Edi Rama: Me vullnetin e mirë të jo vetëm të kuptuarit teorikisht që nuk jemi armiq, por me vullnetin e mirë për të tejkaluar këtë fazë adoleshence të politikës shqiptare.

Blendi Fevziu: A ka një tentativë për ta ftuar në bashkëqeverisje opozitën?

Edi Rama: Çdo bashkëpunim dhe ndërveprim mes forcash politike fillon në radhë të parë në frymë.

Blendi Fevziu: Ngriheni ju me 74 mandate për t’i kërkuar PD-së pavarësisht e pranon ajo apo jo që të jetë pjesë e qeverisjes?

Edi Rama: Në qoftë se këtë frymë e ka dhe PD-ja mbi bazën e kësaj fryme palët diskutojnë. Ore ju doni përgjigje direkte. Hajde merre drejtimin e PD-së ti dhe hajde ulemi këtu dhe flasim konkretisht.

Blendi Fevziu: PD-ja thotë kam vullnetin e mirë të bashkëpunoj, cili është bashkëpunimi juaj?

Edi Rama: Nuk kam asnjë kufi fare.

Blendi Fevziu: Edhe bashkëqeverisje?

Edi Rama: Asnjë kufi. Nuk të jap përgjigje fare se nuk je ti kryetar i opozitës. Kur të bëhesh kryetar i opozitës flasim. Unë të sugjeroj që realisht ta konsiderosh këtë, nuk po bëj shaka.

Blendi Fevziu: Edhe bashkëqeverisje?

Edi Rama: Po të them që unë nuk kam kufi, fare.

Artan Hoxha: Për shembull, ajo që thatë, një ribërje e zgjedhjeve lokale?

Edi Rama: Tani do e diskutojmë këtu? Nuk kam asnjë tabu, zero.

Fatjona Mejdini: Po vija të kuqe keni?

Edi Rama: Asnjë vijë të kuqe.

Edi Rama: Nuk kam asnjë tabu. Nuk kam vija të kuqe fare. Jo për Opozitën, por për Partinë Demokratike Shqiptare. Atë njoh unë për Opozitë.

Blendi Fevziu: Vullneti juaj për bashkim i drejtohet PD-?

Artan Hoxha: Po LSI?

Edi Rama: LSI-ja i përket një tjetër kategorie

Blendi Fevziu: Ju jeni të gatshëm të bashkëpunoni me Opozitën…

Edi Rama: Me PD-në. Nuk kam kufi për bashkëpunimin me PD, fare s’kam asnjë vija të kuqe. Vetëm me PD, jo me opozitën. Nuk është “Duam këto”. Prandaj po flas. Ejani të ulemi, vendosim një frymë dhe më pas hajde e ndërtojmë parimet.

Artan Hoxha: Jeni ende me idenë që duhet Basha të ndahet nga Meta e Berisha?

Edi Rama: Metën e ka ndëshkuar populli. PD-ja nuk është ndëshkuar nga populli, unë e kam lexuar votën e popullit për PD-në. Nuk e kam thënë në asnjë lloj momenti me karizëm. PD-ja ka arritur në maksimumin që mund të bënte.