Rama: “Takova Kryeministrin që la gjurmë në histori”

426
Sigal

Toni Blair uron Edi Ramën për fitoren e 23 Qershorit: “Paçi fat të mbarë!”

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama u takua dje paradite me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair, me të cilin ka diskutuar për rreth 2 orë lidhur me piketat e para të qeverisjes. Pas takimit Edi Rama është shprehur: “Është një kënaqësi shumë e madhe që takimin e parë pas zgjedhjeve, jashtë Shqipërisë, unë e bëj me një mik të madh, që përveçse çka njihet është edhe një pikë referimi e kahershme e imja dhe e jona si Parti Socialiste. Ndërkohë jam shumë i lumtur që kjo fitore na jep mundësinë të kemi ndihmën e një miku të madh, një kryeministri që ka lënë gjurmë në historinë e Anglisë dhe të botës mbarë dhe e një njeriu që nuk harron asnjëherë të përsërisë se është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Nga ana e tij Tony Blair ka thënë: “Së pari, dua të uroj Edi Ramën për fitoren e tij të jashtëzakonshme. Ky është një moment i duhur që Shqipëria të bashkohet me qeverinë e re dhe me programin e saj të ri. Jam i sigurt se ekziston një vullnet i madh në komunitetin ndërkombëtar për t’i uruar qeverisë punë të mbarë dhe të jetë e suksesshme. Sfidat e vendit janë shumë të mëdha, por unë e di se ka një vendosmëri të jashtëzakonshme për t’i kapërcyer ato. Si dikush që e konsideron veten një mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve ne jemi të lumtur t’ju ndihmojmë me mundësitë tona më të mira. Dua t’ju uroj juve z. Rama gjithë të mirat, duke ditur sesa punë e vështirë është të jesh Kryeministër. Fat të mbarë dhe duhet të dini se gëzoni një mbështetje të gjerë në komunitetin ndërkombëtar që të realizoni me sukses këtë detyrë”. Siç është bërë e ditur kohë më parë, Toni Blair pritet të jetë këshilltari i kryemininistrit të ri shqiptar, Edi Rama.

Rama nesër në Itali, takon kryeministrin Enrico Letta

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama do të zhvillojë të enjten një vizitë në Romë, ku pritet të takojë kryeministrin italian Enrico Letta dhe ministren e punëve të jashtme, Emma Bonino. Agjencia italiane e lajmeve “ANSA” bën të ditur se lideri i socialistëve do të marrë pjesë paraditen e së enjtes në një takim të organizuar nga fondacioni iMassimo D’Alemas, “Italianieuropei”.