Kualifikimi, Allmuça sheh shanse të babarta

562
Sigal

Mesfushori i Kukësit pret një ndeshje të luftuar në Sarajevo dhe shpreson një gol për të hapur rrugën drejt turit tjetër

 Igli Allmuça, njëri nga lojtarët me më tepër përvojë në skuadrën e Kukësit, beson te kualifikimi në raundin e tretë eliminatore në Europa League. Kukësi fitoi 3-2 në takimin e parë kundër FK Sarajevos, luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Shifrat lënë shumë shpresa për skuadrën boshnjake, të cilës i mjafton një fitore minimale për të kaluar më tej, por Allmuça thotë se Kukësi do ta shënojë një gol. Mesfushori, i cili ka luajtur më parë në garat evropiane me Dinamon dhe Skënderbeun, shënoi golin e fitores kundër Sarajevos, duke përfituar nga një veprim i nxituar i portierit mik. Dy golat e pësuar janë shumë, megjithatë Allmuça sheh shanse reale që skuadra e tij të kalojë në raundin tjetër, duke i llogaritur ato “50 me 50”. Për mikrofonin e Supersport, Allmuça është shprehur se beson te goli nëpërmjet kundërsulmeve të shpejta. “Ndeshja në Sarajevë do të jetë shumë e fortë dhe do të ketë luftë sportive në fushë. Besoj se të dyja skuadrat kanë shanse të barabarta për t’u kualifikuar, 50 me 50”, tha Allmuça. “Ne mund të kualifikohemi nëse luajmë të disiplinuar dhe shfrytëzojmë çdo hapësirë që mund të lënë kundërshtarët. Kemi pësuar dy gola në ndeshjen e parë, çka nuk është gjë e mirë, por kryesorja është që kemi fituar dhe e nisim në epërsi ndeshjen e kthimit”. 3-2 vërtet nuk është rezultati ideal për t’u mbrojtur, megjithatë është fitore dhe Kukësi e nis si fitues, duke pasur në dispozicion dy nga tre rezultate të mundshëm, ndërkohë që Sarejevos i bën punë vetëm fitorja, çka mund të sjellë edhe një farë hapjeje, e cila mund të shfrytëzohet nga skuadra shqiptare.

E pamposhtur

Pas tri ndeshjeve të para në Europa League, Kukësi ende nuk e njeh humbjen. Skuadra shqiptare deri tani ka arritur një fitore, me Sarajevon, dhe dy barazime, kundër Flora Tallin, në raundin e parë.

Goli jashtë

Në takimin e vetëm të zhvilluar jashtë fushe deri tani, Kukësi ka arritur të shënojë një gol. Në ndeshjen me Flora Tallin, Gerhard Progn i shënoi golin e barazimit 1-1, çka jep shpresa edhe për raundin e dytë.

  Strakosha, i lumtur me skuadrën e parë

 Portieri i U-19 është në fazë përgatitore me Lacion, ku aktualisht luan rol të dorës së parë

Portieri i Shqipërisë U-19, Thoma Strakosha, po përjeton ditë protagonisti me skuadrën e parë të Lacios, në Auronzo di Cadore. Skuadra romane aktualisht ka vetëm dy portierë, pasi Marketi është ende me pushime pas pjesëmarrjes në Kupën e Konfederatave me Italinë, ndërsa Bizarri është i dëmtuar. Roli si protagonist i jep kënaqësi të veçantë portierit të ri, i cili edhe në sezonin e kaluar është grumbulluar disa herë me ekipin e parë, ndonëse nuk ka luajtur. Kampioni i Italisë me të rinjtë tregon emocionet e tij për Radion Lazio Style. “Është një përvojë shumë e bukur dhe tepër emocionuese të luash me fituesit e Kupës së Italisë”, thotë Strakosha. “Stërvitja në kampionat është disi më e qetë. Ka gjithmonë intensitet, por këtu ngarkesa është më e madhe. Të gjithë japin maksimumin, për të siguruar një vend titullari në sezonin e ri”. Strakosha është njëri nga disa lojtarë nga skuadra e të rinjve, e cila, muajin e kaluar, fitoi titullin kampion, pasi mundi Atalantën në finale. “Jemi integruar mirë brenda grupit. Më të mëdhenjtë na ndihmojnë, na flasin dhe na japin këshilla. Po përjetojmë momente të bukura. Të jesh kampion i Italisë është ndjesi unike, por tani po mendojmë për të ardhmen”, thotë portieri i ri, duke nënkuptuar dëshirën për të kaluar në skuadrën e parë.

 Lipi, elozhe indirekt Tares

 Ish-trajneri i kaltër vlerëson punën që bën në merkato drejtori i Lacios

 Marçelo Lipi, ish-trajneri kampion bote i Italisë, ka shprehur konsiderata të larta për Igli Taren në rolin e drejtorit sportiv te Lacio, ndonëse pa ia përmendur emrin. I intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport” për merkaton dhe pretendentët për titull, Lipi thotë: “Lacio ka drejtues të aftë, të cilët arrijnë përherë të shpikin diçka gjeniale, megjithatë besoj se kanë diçka më pak se të tjerët për sa i përket titullit”. Pak ditë më parë, ishte “Corriere dello Sport” që e cilësonte ish-sulmuesin shqiptar si një yll në rritje në fushën e drejtimit sportiv.

   Ekipi i futbollit të Elbasanit të hënën e 22 korrikut pritet të startojë përgatitjet në kuadër të edicionit të ri futbollistik. Ky do të jetë sezoni i tretë radhazi që verdheblutë do të militojnë në Kategorinë e Parë dhe do të kenë përpara një detyrë të vështirë: atë të ngjitjes në Superiore. Misioni nuk është i thjeshtë, por edhe i pamundur nuk është, ndaj ky i sivjetmi pritet të jetë vërtet një sezon i vështirë.

 Merkato – Përsa i përket merkatos, pritet që verdheblutë të tregohen tepër aktivë këtë verë, pasi presidenca i ka hyrë seriozisht përforcimeve të skuadrës. “Perla” e kësaj merkatoje vere mund të jetë Klodian Duro, i cili ndonëse ka deklaruar se mund ta lërë futbollin e luajtur, këtë sezon mund të mbrojë ngjyrat e klubit verdheblu. Burime pranë elbasanasve konfirmojnë për “Telegraf” se ish mesfushori i Kombëtares nuk është thjesht një zë në ajër, por një realitet i mundshëm. Gjithashtu, Elbasani synon edhe një tjetër lojtar të kombëtares, Arjan Pishën. Kontaktet me mbrojtësin kanë kohë që kanë nisur dhe nuk është çudi që prezantimi i të dyve të bëhet në të njëjtën ditë.

 Financat – Pa financa të sigurta nuk ka të ardhme në një klub. Elbasani këtë e ka prouar gjatë tre sezoneve të fundit, ku për arsye krize në para, ka dështuar edhe në objektiva. Këtë sezon pritet të jetë e kundërta, pasi dy aksionarët kryesorë Arben Laze dhe Qazim Sejdini janë takuar dy herë gjatë këtyre ditëve të fundit dhe kanë premtuar se do të hapin “thesin” në investime që do të bëhen në klub. Nuk dihet ende sa do të jetë buxheti në dispozicion të klubit, por mësohet se do të ketë mjaftueshëm të holla që i nevojiten skuadrës për një sezon.

 Stadiumi – Pritet që gjatë këtij viti në Elbasan të nisë rikontruksioni i stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, ku mund të luajë edhe kombëtarja jonë e futbollit. Kjo u konfirmua nga një takim që kreu i federatës, Armando Duka pati pak ditë më parë në Elbasan me Lazen dhe Sejdinin. Gjatë këtyre ditëve pranë stadiumit janë parë edhe inspektorë që po shohin më nga afër problemet që ka ky inpiant. Në këtë mënyrë, Elbasani me shumë mundësi do t’i luajë ndeshjet në këtë kampionat jashtë fushës së vet, deri sa të rikontruktohet.

“Go east”, shqiptaret nuk i ndahen lindjes

 Në rast kualifikimi, Skënderbeu e Kukësi luajnë sërish me skuadra nga ish-Bashkimi Sovjetik

Dy skuadrat shqiptare të mbetura në kompeticionet evropiane, Skënderbeu dhe Kukësi, kanë njohur dje kundërshtarët e mundshëm, në rast se kualifikohen për raundin e ardhshëm. Pjesëmarrja në turin e tretë i çon përsëri që të dyja në vende të lindjes, përballë skuadrave të tjera nga ish-Bashkimi Sovjetik. Fituesi i çiftit Skënderbeu-Neftchi do të ndeshet me BATE Borisov të Bjellorusisë ose me Shahtjor Karagandi të Kazakistanit. Në ndeshjen e parë, luajtur në Bjellorusi, skuadra kazake arriti një fitore surprizë përballë BATE-s. Bazuar vetëm në rezultatet e para, çifti më i mundshëm është Skënderbeu-Shahtjor, megjithatë asgjë nuk ka përfunduar. Neftchi është i rrezikshëm jashtë fushe, ndërkohë që edhe BATE mund të përmbysë në Kazakistan. Mjafton të kujtosh që bjellorusët ishin një nga dy skuadrat e vetme që mundën Bajernin në sezonin e kaluar në Champions League.

Kukësi e ka më të qartë se cili do të jetë kundërshtari i tij në rast se eliminon Sarajevon. Bëhet fjalë për Metalurg Donjeck, skuadra ukrainase ku dikur ka luajtur edhe mbrojtësi Elvin Beqiri. Metalurgu e nis nga raundi i tretë sezonin në Europa League. Për Kukësin do të ishte vizita e dytë në ish-territorin sovjetik, pasi në raundin e parë luajti në Estoni, me Flora Tallin.