Pse presioni i Perëndimit duhet të drejtohet personalisht mbi Edi Ramën?

204
Sigal

Nga Red VARAKU

Prej qershorit të 2019 faktori ndërkombëtar ka ardhur duke e shtuar presionin mbi qeverinë shqiptare , presion që këtë herë ka qenë më i fortë dhe më i qartë se kurrë në lidhje me standartin e zgjedhjeve politike të prillit.

Të gjitha institucionet më të rëndësishme të Perëndimit, përfshi Parlamentin Europian deri dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, i kanë vendosur pesëmbëdhjetë kushte dhe e kanë vendosur reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj në kushtet kryesore të integrimit, me shpresë se ky presion do të rrisë efikasitetin mbi standartin e zgjedhjeve, duke detyruar kryeministrin të heqë dorë nga projekti i tij për vjedhjen e zgjedhjeve.

Kështu ata besojnë se përmes këtyre kushteve, të cilat lidhen drejtëpërdrejtë me perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, mund të ndikojnë mbi qeverinë shqiptare, në mënyrë që ajo të pranojë standardet e Perëndimit për zgjedhje.

Këtu ata gabojnë.

Sepse ata nuk e kanë kuptuar që Rama nuk përfaqëson më vetëm Ramën, por përfaqëson një projekt antishqiptar dhe antiperëndimor, që nuk synon thjesht vjedhjen e zgjedhjeve, por synon asgjësimin e demokracisë dhe instalimin e një regjimi të ngjashëm me regjimet autokrate përreth me qëllim kthimin e Shqipërisë në një armë të mbushur kundër Perëndimit në dorën e disa qarqeve antiperëndimore.

Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me një hajdut të rëndomtë zgjedhjesh që përmes vjedhjesh synon vjedhjen e shqiptarëve thjesht për tu hazdisur më pas si sheik në Dubai, por kemi të bëjmë me një projekt të qartë që synon të ri-instalojë një regjim tjetër në Shqipëri.

Ky projekt synon që ta shkëpusë Shqipërinë sërish nga Perëndimi dhe ta kthejë Shqipërinë në një shtet vasal në shërbim të interesave të një klubi autokratësh që e vetmja gjë që i bashkon është urrejtja kundër demokracisë, ndërsa mini Jugosllavia është vazhdë e këtij projekti antidemokratik dhe antiperëndimor.

Në këtë kuptim pesëmbëdhjetë kushtet për integrimin janë shumë pak për të bërë presionin e duhur dhe për të ndalur këtë projekt që synon ta kthejë Shqipërinë 30 vjet pas dhe ta largojë atë sërish nga Perëndimi.

Presioni i Perëndimit kësa rradhe duhet të bëhet personalisht mbi Edi Ramën, sepse ideja që atij mund t’i bëhet presion me izolimin e Shqipërisë në fakt bën të kundërtën. Ai është i lumtur që ne jemi në vendnumëro në rrugën drejt Bashkimit Evropian, madje ai njësoj si etërit e tij shpirtërorë, kërkon izolimin e Shqipërisë.

Është e qartë atë e tremb dhe e ndalon vetëm një qëndrim pa ekuivok kundër tij personalisht në këtë proces.

Ndërkombëtarët duhet të dënojnë qartë rolin e tij në këtë histori dhe jo të flasin si gjithmonë me gjuhën e drunjtë diplomatike, sepse njerëz të tillë, që kanë mbështetje të hapur nga qarqe antiperëndimore dhe kërcënojnë hapur me kthimin e timonit drejt lindjes, nuk njohin kushte. Ata njohin vetëm gjuhën e dhunës, forcës dhe kërcënimit.

Pra, Perëndimi duhet të shprehet hapur kundër tij personalisht dhe të mos e lejojë që ai të kthejë në qesharake kauzën shqiptare të integrimit si dhe të mos lejojë që ai të keqpërdoret nga forcat antidemokratike dhe antiperëndimore duke u kthyer kështu jo vetëm në problem për vetë shqiptarët, por duke u kthyer në problem edhe për vetë Perëndimin dhe BE-në.