Mbeten në fuqi të njëjtat masa kufizuese, universitetet vijojnë online; Fluturimet me Britaninë të pezulluara deri në 1 shkurt

204
Sigal

Të gjitha masat kufizuese që janë aktive deri më tani, do të vijojnë të jenë në fuqi.

Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, është vendosur gjithashtu edhe në lidhje me fluturimet me Britaninë, të pezulluara për shkak të variantit të ri të koronavirusit të shfaqur fillimisht atje.

“Do vijojmë të kemi në zbatim masat që tashmë janë dhe që kanë dhënë impakt dhe që ka dhënë efekt: 18 janari është dita e fundit për vlerësimin për fluturimet me Britaninë, Komiteti ka marrë vlerësim se fluturimet me Britaninë do të mbeten të pezulluara deri në datën 1 shkurt.

Gjithashtu do të qëndrojë në fuqi ora policore 22:00-06:00, kufizimi i aktivitetit të bareve dhe restoraneteve, përveç shërbimit në shtëpi. Universitetet do të vijojnë mësimin online deri në një vlerësim të dytë”.

Numri i pacientëve të shtuar në spital dhe i atyre në terapi intensive ka pësuar rritje 

Në dy javët e fundit ka patur një rritje të qëndrueshme të rasteve, por jo alarmante, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, teksa bëri në rezyme të gjithë situatës epidemiologjike.

“Përsa i përket situatës epidemiologjike, komiteti duke ndjekur situatën mbi baza ditore e javore ka vlerësuar një rritje të incidencës 2 javore që ka pësuar rritje në 14 ditët e fundit. Një rritje që është 217 raste të reja për 100 mijë banorë nga 2-15 janar.

Kemi një rritje të numrave të rasteve në bashki duke u rritur numri i bashkive që ka raste të reja nga 44 në 50 bashki me një mesatare të përjavshme prej rasteve të cilat vlerësohen që kanë numra të rritura.

Përsa i përket numrit të pacientëve të shtruar, ballafaqohemi me një rritje të rasteve. Rritja është e qëndrueshme, nuk është alarmante. Është një situatë që tregon se duhet të kemi kujdes të shtuar dhe rritje të vigjilencës. Numrat të pacientëve të shtruar në spital ka pësuar rritje me një mesatare prej 273 shtrimesh në 14 ditë.

Në radhët e terapisë intensive ka pësuar një rritje. Duke bërë një vlerësim të pozitivitetit në raport me testimet, në të gjithë vendin vijon testimi në komunitet për të izoluar çdo rast në kohën e duhur.

Rritja e numrit të testimit, përmes testimit të shpejtë, vlerësohet një rritje e qëndrueshme e pozitivitetit. Kjo kërkon që qytetarët të bëjnë kujdes. Efekti i rritjes së qëndrueshme vjen dhe si efekt i festave të fundvitit nga mbledhjet familjare gjatë kësaj periudhe”.