Gjykata e Colmarit kërkon sqarime nga Serbia për Ramush Haradinajn

413
Gjykata e Colmarit i ka dërguar disa pyetje Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, nga e cila ka kërkuar ca sqarime për ligjet e këtij shteti.

Kështu Gjykata e Colmarit ka kërkuar sqarimin e dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me veprat për të cilat Serbia e akuzon kryetarin e AAK-së dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruajnë mediat serbe, transmeton Indeksonline.

Këto përgjigje ministria e Drejtësisë së Serbisë ka kohë që deri në fund të marsit t’ia kthej gjykatës në kuadër të kërkesës që ka bërë për ekstradimin e Haradinajt atje.

Këto pyetje Ministria e Drejtësisë së Serbisë i ka përcjell në Prokurorinë e Luftës, e cila merret me hetimin e Haradinajt, i cili më 6 prill do të dal prapë para drejtësisë franceze.

Një nga pyetjet është me çfarë date ka hyr në fuqi ligji penal i Serbisë, neni 142, paragrafi 1 i Kodit Penal të Serbisë, i cili përfshin dënimin e krimeve të luftës kundër civilëve.

Pyetje tjetër që është dërguar në MD të Serbisë është nëse këto nene janë të vlefshme nga 12 deri 20 qershori i vitit 1999, kohë në të cilën Haradinaj dyshohet se ka kryer krime.

Gjykata e Colmarit ndër të tjera është interesuar edhe për dënimin maksimal që mund ta marr një njeri që akuzohet për veprat me të cilat ngarkohet Haradinaj.

E drejtësia serbe ka bërë të ditur se do të respektoj afatin e caktuar deri në fund të muajit për të paraqitur informata shtesë në Colmar.

Serbia kërkon Haradinajn për shkak të dyshimit se ka kryer krime luftës kundër civilëve në Kosovë gjatë vitit 1998 dhe 1999, vepra për të cilat nuk është gjykuar nga Tribunali i Hagës.
Sigal