Propozohet të ndryshojë ligji i tenderave: Afatet dhe konflikti i interesit

261
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në dy takime me kryebashkiakët dhe me ministrat e drejtuesit e institucioneve që ligji u njeh të drejtën e mbajtjes së tenderave, Kryeministri Edi Rama ka folur për një paketë të re rregullatore për prokurimin publik, por pa dhënë më shumë detaje mbi përmbajtjen e kësaj pakete. Drafti është ende në hartim e sipër dhe në të do të reflektohen një sërë rekomandimesh që janë marrë nga institucionet ndërkombëtare dhe propozimet e institucioneve dhe ekspertëve vendas.

Ndryshimi kryesor i ligjit të prokurimeve publike lidhet me afatet dhe shkurtimin e tyre, si për procedurat me operatorët ekonomikë vendas, ashtu edhe për tenderat e hapur ndërkombëtarë me operatorë ekonomikë edhe të huaj.

Një propozim është që afatet e marrjes së ofertave të shkurtohen nga 45, në 30 ditë, për procedurat e prokurimit ndërkombëtar dhe nga 23, në 15 ditë, për procedurat e tenderimit vendas. Arsyetimi që jepet në lidhje me këto shkurtime afatesh, lidhet me faktin se, koha e madhe në dispozicion, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për tenderat jo ndërkombëtarë në disa raste është shfrytëzuar nga operatorët ekonomikë konkurrues, për të falsifikuar, apo plotësuar fiktivisht dokumentacionin dhe kriteret e tenderave.

Mes diskutimeve është edhe krijimi i një regjistri me emrat e kompanive, që kanë abuzuar me kontratat e fituara dhe ashpërsimin deri në përjashtimin e tyre, nga tendera të caktuar.

Synohet gjithashtu, që përmes ndryshimeve, të reduktohet pjesëmarrja fiktive në garë, ku kompani të caktuara regjistrohen në tender dhe tërhiqet në momentin e dhënies së ofertës, duke lënë realisht në garë, vetëm një kompani, që më pas shpallet fituese.

Kjo praktikë është klasifikuar si e dyshimtë në raportet vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të dyja këto institucione hedhin dyshime se tërheqja në këtë fazë të garës, në pjesën më të madhe të këtyre tenderave, është e planifikuar, nën dyshimet e marrëveshjeve të fshehta mes vetë kompanive garuese. Me ndryshimet që po diskutohen, propozohet që kompanitë që tërhiqen deri në 5 herë nga gara, pa dhënë ofertë të përjashtohen deri në pesë vite nga e drejta për të marrë pjesë në procedura tenderimi.

Propozimi tjetër është shkurtimi i afateve të ankimimit. Sipas këtij propozimi, afatet e ankimimeve tek Agjencia e Prokurimit Publik dhe Komisioni i Prokurimit Publik, shkurtohen nga 24 ditë që është aktualisht në vetëm 10 ditë, si për procedurat e mbyllura, ashtu edhe për ato të hapura ndërkombëtare.

Risia tjetër që synohet të përfshihet në këtë ligj, është parimi i konfliktit të interesit. Kjo do të thotë se, në rastet kur një anëtar i trupës së vlerësimit të ofertave, rezulton i lidhur me një kompani pjesëmarrëse në një tender të caktuar, ai përjashtohet nga vendimmarrja për këtë tender.

Reagon Zef Preçi: Sa më absolut të jetë pushteti, aq më i lartë është korrupsioni

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi u shpreh se shpenzimi i fondeve publike është ndër aktivitetet më të rëndësishme të çdo institucioni politikë-bërës dhe mbikëqyrës, siç janë ministritë. Preçi: “Zbatimi i ligjit të buxhetit, pra shpenzimi i fondeve publike, është ndër aktivitetet më të rëndësishme të çdo institucioni politikë-bërës dhe mbikëqyrës, siç janë ministritë. Përgjegjës kryesorë janë ministrat, përgjegjës ekzekutimi në kuptimin procedurial, janë sekretarët e përgjithshëm, pastaj drejtoritë vartëse, në varësi të fushës që mbulojnë. Po zhvendoset vëmendja nga problematika kryesore, sepse korrupsioni si rregull, ndjek fuqinë vendimmarrëse, pushtetin. Sa më i madh pushteti, aq më i madh është korrupsioni. Nëse kemi pushtet absolut, kemi dhe korrupsion absolut. Në këtë këndvështrim është e vërtetë që ka një zhvendosje vëmendjesh për të thënë që ka një shumatore numrash, këtë vit janë arrestuar përshembull 50 veta dhe në fund, po të shohësh sa janë arrestuar, përfundojnë me procedura burokratike për të mos thënë që ka dhe raste ekstreme, kur shteti dëmshpërblen për prishje të qetësisë shpirtërore dhe të tjera si këto. Vetë SPAK, duhet të përqëndrohet në ato probleme për të cilat është krijuar, dhe ajo është krijuar për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes dhe krimin e organizuar.