1.Po zbrisja nga Amantia.Rruga, që vjen nga Kudhës-Gërhoti mbështillet me kthesa që përthithin heshtjen e maleve. Një herë ndalon fryma, një herë kujtimet. Diku më tej, në një kthesë, shfaqet si në pritë, fshati i Ali Asllanit, poetit të heshtur të një kohe që s’kthehet më.
…Sot rruga është e asfaltuare qetë,e butë. Por dikur… ishte çakëll e pluhur. Aso kohe, autobuzët e lodhur përpëliteshin kthesave. Mes dushqeve dhe korijeve me barin e harlisur. Rruga e fëmijërisë sime kishte një zë tjetër, një ritëm tjetër. Ndizej prej diellit dhe nga zhurma e njerëzve, që flisnin me sy, më shumë sesa me fjalë.
…Një herë një grup kinezësh, po vinin nga Gjirokastra.Të gjithë borë të bardhë. Pluhuri i rrugës i kishte kthyer në zanatin e mullixhinjëve. Nga koka te këmbët. Pa harruar se ata Qethur njësoj.Të shkurtër.Të dobët e të hollë.Të gjithë të njëjtë, si të prerë me të njëjtën dorë: me trupat e vegjël, por plot vendosmëri.
Punëtorët e fermës. Sakaq i panë dhe u ngritën me grushtin lart. Kinezët, ndërkaq nxorën nga çantat dhe u dhuruan nga një Mao. Madje,vet kinezët e pluhurosur ua vendosën Maon në gjoks. Me kujdes, me një lloj solemniteti. Ishte një akt i vogël. Por për atë kohë, kishte peshën të madhe të merrje një Mao.
2.Ndalova në qafë të Buallarit. Erërat vijnë duke u endur nëpër kodra. Ky nuk është vendi i errave. Por si kudo në jug, erërat e quajtur” jug”, këtu janë ngado.
3.Në kohën e socializmit. Buallari ishte një qendër e vogël. Dhe e mbyllur . Por brenda një rrethimi modest. Me një portë, që të sillte ndërmend një kështjellë të heshtur. Brenda saj ndodheshin disa banesa, vende shërbimi. Dhe një jetë, që rridhte me ritmet e kohës. Qendra ndodhej rreth 10 kilometra larg Kotës dhe vetëm 4 kilometra nga fshati Vajzë, kufiri natyror i saj.
Tokat e Vajzës, përreth i ishin dhënë Ndërmarrjes Bujqësore “Kanan Maze”, që shtrihej në luginën pjellore të Shushicës. Brenda rrethimit ndodhej banesa dykatëshe e Muho Rr.., së bashku me disa shtëpi të tjera. Një magazinë dhe një dyqan i vogël. Dyqani mbante vetëm artikujt bazë: miell, kripë, vaj, vajgur dhe sapun. Por për kohën, kjo mjaftonte. Jeta ishte e thjeshtë, dhe nevojat thuajse të përbashkëta.
…Kur hyje në Buallar , ndjeje sikur hyje në një botë tjetër. Një botë të mbrojtur, të ngurtë, por të sigurt.
Kur hyje në Buallar, sikur hyje në një kështjellë. Një portë e madhe karakteristike për banesat e mëdha. Porta e madhe prej druri të kujtonte shtëpitë e pasura të dikurshëm. Mbi të, një hark me 32 gurë të skalitur. Secili me formë të vetën të punuar me dorë. Porta kishte dy kanate të mëdha prej druri. Dhe secila me tre ndarje të gdhendura në formë rombi.Një elegancë e thjeshtë, por e hijshme. Pas portës, ndodhej banesa dykatëshe prej guri. Dhe ajo e mbuluar me qeramidhe të kuqe,të vjetra, por të qëndrueshme. Dhomat e mëdha, të shtruara me dërrasa. Kishin pak dritë të lyera me sherbet gëlqereje. Si në gjithë Labërinë. Dritaret e vogla, si frëngji të ngushta. Që mezi linin diellin dhe erën jugore të depërtonin me vështirësi. Kishte një strehë prej druri në hyrje. Dhe një shesh të vogël pushimi përpara saj .
Netëve, ndriçimi vinte nga ca fener të vjetër. Poçet e tyre mbusheshin me vajgur. Dhe një dritë e zbehtë. Mbahej ndezur tërë natën. Ishte një dritë, që nuk ndriçonte vetëm rrugët. Por edhe kujtimet, që mbartnin njerëzit. Ajo dritë ndezur vonë në natë, ishte dëshmi e një jete. Dhe, që nuk pushonte kurrë. Edhe kur moti dukej i ngrirë.
Në atë qendër, nën ndërtesën dykatëshe,që dikur kishte qenë banesë. Ishte një shkollë fillore për fëmijët e zonës. Shkolla kishte disa klasa. Dhe jehona e zërave të fëmijëve ndihej përreth. Mësuesit vinin nga Vlora. Zbrisnin në qafën e Buallarit nga autobuzët çek, që shkonin deri në Sevaster. Dhe duke sfiduar rrugën e baltosur në dimër. Por me një qëllim të madh, për të sjellë dituri në këtë qoshe të harruar.
Dikur aty ekzistonte qendra. Dhe ajo shkollë, ishte fryma e saj. Aty mësohej, jo vetëm abetarja. Por edhe respekti, kujtesa. Dhe një lloj krenarie e heshtur, që mbillte rrënjë në tokën e Buallarit.
4.“Streha, që nuk priti më njeri”. Kështu mundej të quhej më vonë. Dhe pyes veten? E kujt ishte kjo strehë, që tregonte për të kamurit e kohës së shkuar? Kush i ndërtoi ata gurë? Dhe atë hark? Të asaj porte, që tani rri e mbyllur. Si goja e një të moshuari, që nuk ka më kujt t’i tregojë historitë?
Besoj se nga fillimi i viteve ’80, qendra nisi të shuhej ngadalë. Nuk kishte zhurmë, nuk kishte trumbeta. Vetëm një heshtje, që zgjatej. Banorët, një nga një,braktisën shtëpitë e tyre të vjetra. Dhe për të shkuar drejt banesave të reja, të ndërtuara nga ferma bujqësore. Disa i mori koha, disa i mori shpresa. Të fundit, para se të largoheshin hodhën një vështrim rreth e rrotull. Mos vallë donin të gdhendnin në kujtesë gjithçka, për herë të fundit.
Në ikje, djali pyeti të atin: “A do kthehemi më këtu, baba?
-Kur?
-Nesër… Ndoshta pas dy ditësh, biri im. Ose… asnjëherë!
Pas tyre mbeti vetëm një rreth i thjeshtë me gurë. Dhe, poshtë, një burim i vetëm uji në të gjithë zonën. Ishte i rrallë uji në ato anë.Në verë burimet shteronin dhe toka digjej nga dielli. Punëtorët e fermës përvëloheshin. Ndërsa korrnin lulediellin dhe grurin. Për një pikë ujë duhej të ngjiteshe lart. Më thellë në mal.
Një herë, gjatë “kohës së qepës”, kalova një natë atje. Më dërguan punëtorë me shkollë të lartë.Të ruaja kavaletën e grurit. Qendra kishte vdekur. Porta e natës nuk hapej më Nuk kishte kush të dilte. Nuk kishte kush të trokiste.
Nga larg dëgjohej zhurma e trafikut të natës. Çfarë trafiku, asgjë. Diku larg një traktor me një buçimë të mbytur. Një murmurimë e huaj, që s’ishte e jona. Në errësirë këndonte qyqja. Pastaj nisi kori: bufi, zhabat e krojeve. Dhe zhurmat e tjera të egra. Si jehonë e një bote,që nuk priste më njeri. Në dimër, ulërimat e ujqërve dëgjoheshin thellë. Sa herë që ngrihej në qiell një hënë e ngrënë. Ata i turreshin hënës.
Këto kodra,që dikur mbuloheshin nga dushqet, janë rrafshuar që nga koha e socializmit. Mbi to dikur valëviteshin kallinjtë e artë të grurit. Dhe luledielli çelte si diell i vogël në çdo parcelë. Ishin dy nga produktet kryesore të tokës ,bukë e vaj. Jetë dhe dritë për ata, që punonin në heshtje.
5.Për ata, që nuk e dinë. Një pjesë e filmit shqiptar :”Këshilltarët” është xhiruar në ambientet e këtij vendi. Diku aty nga viti 1979. Sipas almanakut të filmit shqiptar, ky film mbaroi së xhiruari qysh në muajt e fundit të vitit 1979. Mbas 4-5 muaj kontrolli arriti të ketë premierën në prill. Më 14 prill të vitit 1980 u shfaq për herë të parë në kinematë e Tiranës, filmi “Këshilltarët”.Tema qendrore e filmit. Fundi i vitit 1943. Të gjithë anëtarët e këshillit antifashist, të pranishëm në një ceremoni dasme në fshat, arrestohen. Gjermanët kanë arrestuar edhe dhëndrin. Këshilltarët vihen nën presion për të nënshkruar një deklaratë kundër këshillit antifashist, si kusht i vetëm për lirimin e tyre. Ata refuzojnë dhe ndërkohë planifikojnë arratisjen e dhëndrit në rast të një ekzekutimi.
Filmi “Këshilltarët” është prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” në vitin 1979. Regjia: Xhezair Dafa, Skenari: Kujtim Gjonaj, Producent: Shqipëria e re. Muzika: Sokol Shupo. Aktorët: Kadri Roshi… Kryetari i Keshillit.Ndriçim Xhepa… Dhëndri.Adem Gjyzeli… Abedini. Luftar Paja. Këshilltari. Lazer Filipi… Anëtari 1. Enver Dauti…Spiuni.Qemal Mehmeti.Met Shehu. Llambi Kacani Drejtues i Këshillit. Shpëtim Shmili. Oficeri Gjerman. Filmi ishte bazuar mbi romanin e Fatmir Gjatës: Këshilltarët. Dy momente që mbahen mënd.
…Shprehja:”Abedin mbaj shënim”.Gjerësisht sot kjo shprehje përdoret si një anekdotë.
…Tjetra është kënga e filmit: Jemi trima shqiptarë, që duket se i përket zonës së Tragjasit ku ka pasur xhirime filmi. Në realizimin e filmit ndihmuan kooperativistët e Tragjas-Dukatit dhe NB Rinia,Vlorë. Pjesa tjetër u xhirua në Buallarin e Vajzës por, që e kishte në administrim, ferma bujqësore e Kotës. Nga xhirimi i filmit mbahet mend.
4..“Kur filmi takoi realitetin”. Një ditë, në atë qendër të harruar, mbërritën aktorët. Kur erdhën aktorët me një autobusë çek dhe një makinë me gjenerator e pajisje. Mbas një farë kohë gjeneratori u fik.Nja dy aktorë me kanaçe në dorë kërkonin traktorët. Një zhaurimë e tyre, veçse aq larg. Por vetëm një jehonë, që tretet. Dikush u mori kanaçen dhe lekët, por naftën ua solli të nesërmen. Kështu disa fragmente të këtij filmi ku numri i shikuesve sot shkon mbi 700 mijë në youtube, u xhirua në këto ambiente të mbetura mes një lugine të harruara nga koha. Ishin vende perfekte, për të riprodhuar atmosferën e Luftës së Dytë Botërore. E vërteta është se aty koha e luftës nuk ishte vetëm dekor. Ajo kishte ngecur akrepat e saj , deri në vitet ’80. Rrënjët e saj ishin ende të gjalla. Asaj kohe të largët. Por ai mjedis si kohë lufte, atje zgjati në kohë.
Kështu aktorët shqiptarë, që xhironin filmat aso kohe përballeshin me shumë vështirësi. Xhirimet nga të cilat janë realizuar mjaft filma të arrira artistikisht dhe të pëlqyeshme edhe për kohën e sotme, realizoheshin në kushte reale të kohës. Gjatë dimrit,verës,vjeshtës, pranverës. Mes ftohmës, shiut, borës dhe zhegut të verës.
Edhe atë verë, ata xhiruan në Buallar, mes temperaturave të larta dhe mungesës së ujit. Në këtë vend u xhirua: pjesa e burgut. Pra pjesa, ku këshilltarët tashmë janë kapur nga gjermanët dhe qëndrojnë në burg. Dhe vend më të mirë për burg sa ai cep i largët i luginës, nuk besoj se gjendej. Ironia ishte therëse. Në një vend ku edhe feneri fiket për mungesë vaji. Dhe filmi kërkon dritë, edhe realiteti vidhet në heshtje. Muret gri prej guri dhe hëna e ulët jo aspak. Hëna për dreq ato net. Ishte arratisur ndër vise të tjera. Dhoma e burgut aty ku netëve jetohej vetëm me fener edhe në kohën socializmit. Prandaj banorët i shpërnguli shteti , drejt buzës së lumit ku ishte qyteza. Pjesa tjetër e filmit u xhirua në ato ambiente është pjesa ku një fshatar, ankohet te këshilltarët se i ishte vjedhur qeresteja…
6.Qëndrova përballë kodrinave me dushqe. Po avitej ngadalë hëna. Si një mik i vjetër, që kthehet për një takim të vonuar. Ajo përshëndeti tokën. Dukej sikur ishim takuar. Pastaj shkoi të kërcente vetëm deri në agim. Ngjyra që la pas kur nuk shihte më. Kur ndriti për herë të fundit, një ngjyrë që u tretë. E asaj , që mbetet pas ishte dhimbje dhe pikëllim. Njerëzia iknin. Kërkonin vende më të mira jetese. Dhe me ikjen e tyre, vendi shkretohej. Dhe çfarë mbetet pastaj? Një shkreti, që të mbyt.
Ku janë ndërtesat, dhoma burg, klasa e nxënësve, dyqani i artikujve të përzier?
Kemi nostalgji për kohët. Për njerëzit, viset ku kemi jetuar. Dikur kanë ekzistuar dhe sot janë shuar përgjithnjë. Por ende në YouTube, gjendet filmi:”Këshilltarët”. Aty janë ndërtesat të gjitha. Dhe jashtë atij realiteti të celuloidit. Janë ca toka të thara nga dielli dhe mungesa e përhershme e ujit. Janë pastaj ca zogj, që vijnë dhe ikin. Edhe ata kanë stinët e tyre migratore. Janë ca mëllënja të zeza, që shkojnë hijeve. Pastaj afër muzgut shfaqen xixëllonjat. Pastaj del hëna e hënave…Dhe se ç’janë ca zogjtë, ata që vijojnë dhe ikin. si stinët e jetës, që gjithmonë kalojnë, por kurrë nuk qëndrojnë. Është një cikël i pafund. Drita e vogël, që shndrit për pak. Dhe pastaj fshihet. Dhe pas tyre, përfundimisht del hëna e të gjitha hënave. Është :” Hëna e korrjeve “. Është hëna , ajo që ka ndriçuar jetët e atyre, që nuk janë më. Me largimin e njerëzve. Me shuarjen e çdo shtëpie e shenje. Ky vend u zbeh.
A mund të ndjehet diçka, kur gjithçka është lënë pas? Po, diçka ende mbetet. Një kujtim, që ruhet i gjallë përmes filmit. Dhe kur gjithçka është mbushur me errësirë. Kur çdo gjurmë e atij vendi është shuar. Ka mbetur” hëna e korrjeve. Ajo, që ende ndriçon. Ajo, që kthehet. Edhe kur duket se ka ikur përgjithmonë. Po, ndoshta, në çdo cikël të jetës, diçka mbetet.
Diçka, që nuk vdes kurrë. Dhe që gjithmonë pas çdo ikjeje mbetet e lidhur përjetësisht me ne…