Prof. Dr. Qemal Lame: Mbrojtja dhe siguria evropiane përballet me Rusinë

239
Sigal

Aleanca Perëndimore u vu para faktit me vendimin e Presidentit Putin, që njohu si të pavarura rajonet lindore të Ukrainës Donetsk dhe Luhansk, të kontrolluara nga separatistët pro-rusë. Kështu, marrëveshja e paqes e Minskut ka dështuar. Koha tregoi se ajo marrëveshje ishte një kompromis për të shmangur luftën, por në përmbajtje kishte njohjen e kërkesave të Rusisë për aneksimin e Ukrainës duke filluar me bisedimet e Qeverisë së Ukrainës me separatistët, ndryshimin e Kushtetutës dhe njohjen e autonomisë së rajonit lindor.

Me këtë vendim, Putin shkeli integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Ukrainës. Njoftimi se ai tani po dërgon “paqëruajtës rusë” në të dy zonat është pjesë e skenarit të tij për aneksimin e gjithë Ukrainës. Ai do të rrëzojë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Presidentit Zelensky, të destabilizojë vendin dhe të ketë një qeveri pro-ruse në Kiev. Përdorimi i forcës ushtarake synon të rritet presioni mbi Zelensky, saqë ai do të heqë dorë dhe do të japë dorëheqjen në orët ose ditët e ardhshme. Nëse ai nuk e bën këtë, ka një probabilitet të lartë që Rusia të nisë një sulm ushtarak ndaj Ukrainës.

Me këto ndryshime të shkaktuara nga kriza Rusi-Ukrainë, Perëndimi tregon se e ka lejuar veten të shtyhet në mbrojtës dhe reagues nga Putin. Tani shqetësimet në BE, SHBA e në Britaninë e Madhe janë në mundësitë për rritjen e tensioneve që kërcënojnë me një luftë me Rusinë. Prandaj kërkohen masa, që situata të kontrollohet dhe të gjenden zgjidhje konkrete.

Shumë vëzhgues kanë dyshuar në muajt e fundit se marshimi i Putinit mund të përmirësojë pozicionin e tij negociues me Perëndimin, por se ai nuk dëshiron të shkojë në luftë. Është e vërtetë se ai ka deklaruar se nuk dëshëron luftën, por realisht ai ka urdhëruar përdorimin e forcës ushtarake sa herë që janë krijuar situatat politike që të përfitojë nga një konflikt ushtarak për të arritur qëllimet e tij politike. Rikujtoj aksionin rus në Gjeorgji, në 2008, ose në Siri, në 2015, në mbështetje të diktatorit Assad. Edhe kërcënimet ushtarake të Rusisë në Bjellorusi dhe në kufirin lindor të Ukrainës janë një mjet shantazhi politik. Si në Ukrainë ashtu edhe në Perëndim, i cili javët e fundit ka bërë një pelegrinazh të dëshpëruar në Moskë për të sjellë një zgjidhje diplomatike. Putin dëshiron të tregojë se ai praktikisht mund t’i detyrojë krerët e qeverive perëndimore që të vijnë tek ai si “lutës”. Ky mesazh është menduar kryesisht për opinionin publik rus dhe shteteve, që e mbështesin politikën e tij. Në përgjithësi, rikthimi i statusit të Rusisë si një fuqi e respektuar, madje edhe e frikëshme, globale është qëllimi kryesor i politikës ruse. Prandaj Rusia ka në plan të parë dobësimin dhe ndarjen e NATO-s dhe BE-së dhe uljen sa të jetë e mundur të rolit parësor të SHBA për mbrojtjen dhe dominimin e Evropës. Në thelbin e politikës së tij, Putini është përpjekur të zvogëlojë supremacinë globale të SHBA-së, veçanërisht këtu në Evropë, për aq kohë sa të rikthejë ndarjen e zonave të influencës të pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vitet 1990.

BE dhe SHBA kanë njoftuar tashmë sanksionet ekonomike. Në kushtet e tanishme mendohet se kjo është përgjigja e saktë dhe e mjaftueshme! Megjithatë, Perëndimi është e domosdoshme të veprojë më shpejt për të vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pa kufizime dhe me forcë të plotë. Do të ishte edhe më efektive që sanksionet të vendoseshim shumë më herët, pra në fillim të krizës. Perëndimi u mjaftua me kërcënimet paralajmëruese, të cilat presidenti Putin nuk i ka marrë kurrë seriozisht. Ai ka vënë në dyshim forcën e sanksioneve ekonomike të vendeve perëndimore dhe ka pritur me qetësi hezitimin ose përçarjen për shkak të interesave të njëanëshme që ata kanë midis tyre dhe me Rusinë. Është e qartë se në çdo rast, do të duhet kohë që sanksionet të kenë ndikim në ekonominë ruse.

Gjendja e krijuar shtron nevojë për masa më të shumta sesa sanksionet ekonomike për t’i dhënë Putinit një sinjal të qartë që të kuptojë forcën e gjithanshme politike, ekonomike e ushtarake të Perëndimit. Është me vend të vihet në dukje se qëndrimi ndaj krizës dhe përpjekjet e e mëparshme të Perëndimit ishin jokoherente dhe shumë reaktive. Në fillim të janarit, Presidenti Putin nuk ndërmorri masa konkrete dhe u ul efekti i paralajmërimit të Presidentit Biden se Rusia do të fillonte luftën në Ukrainë. Kjo nuk ndodhi as me paralajmërimin tjetër për më 15 shkurt 2022. Perëndimi u përqëndrua në masat mbrojtëse dhe reagues duke ripozicionuar trupat ushtarake të NATO-s në shtetet në kufi me Rusinë, si dhe rriti dukshëm ndihmën ushtarake me armatime dhe stërvitjen e ushtrisë ukrainase.

Duhet pranuar se përfshirja në negociata me Rusinë nën kërcënimin e armëve del se nuk ishte një veprim efektiv. Aktualisht kemi një realitet tjetër gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Ukrainës, Rusisë dhe Aleancës Perëndimore. Një nga pyetjet kryesore në këtë krizë është se si Perëndimi mund të fillojë të zhbëjë ambiciet globale të Rusisë në të gjithë botën. Fatkeqësisht, bëhet fjalë për më shumë se dominimin e Ukrainës. Duhet të mendojmë si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë. Natyrisht, ditët dhe javët e ardhshme do të jenë në lidhje me situatën në Ukrainë. Është me vend të pyesim veten se çfarë do të bëjë Putini më pas, ku ai do të përdorë të njëjtën metodë ose një metodë të ngjashme në fqinjësinë tonë evropiane për të rritur ndikimin e Moskës në Evropë me mjete të dhunshme.

Rusia ka intensifikuar veprimtarinë e gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë ushtarake për të rritur ndikimin e saj në Evropë e kudo në botë. Vitet e fundit Rusia ka hyrë në Ballkanin Perëndimor, pothuajse nën pranimin në heshtje NATO dhe BE. Prania e saj ndjehet sidomos në Serbi dhe Bosnje ku nacionalistët serbë duan pavarësinë dhe bashkimin me Serbinë. Serbia armatoset nga Rusia dhe manovron për të rivendosur pushtetin e humbur pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Ajo shfrytëzon lëshimet e SHBA dhe BE dhe kërkon të rikthehet në Kosovë pa pranuar përgjegjësinë për të kaluarën, bën presion për Asciacionin e Komunave Serbe me pushtet ekzekutiv që do të thotë autonomi e plotë dhe bashkim me Serbinë si u veprua me Ukrainën Lindore. Kështu shtohen edhe rreziqet nga “Ballkani i Hapur”. Nga Deti Kaspik deri në Azinë Qendrore, Rusia ka mundur edhe një herë të vendoset si një fuqi hegjemonike. Në Lindjen e Mesme, Putini ka shtrirë ndikimin e tij deri në Shtetet e Gjirit dhe Izrael. Në Afrikë, Moska mbështet sundimtarët autoritarë me dërgesa armësh, trupa Wagner dhe marrëveshje speciale. Në pesë vitet e fundit, Rusia ka lidhur marrëveshje të tilla me 19 vende afrikane. Amerika dhe Evropa po shtyhen gjithnjë e më shumë prapa në Afrikë nga Rusia dhe Kina.

Putini nuk dëshiron vetëm akses në burimet natyrore në Afrikë. Qëllimet e tij kryesore janë destinacionet strategjike si portet në Bririn e Afrikës dhe në bregdetin libian. “Ëndrra” e tij do të ishin disa baza ushtarake ruse në Detin Mesdhe, të cilat do të kufizonin ndjeshëm lëvizjen e forcave detare të NATO-s atje. Rusia ka mbajtur tashmë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Kinën në Mesdheun lindor.

Ofensiva e gjeopolitikës ruse na mëson për të reflektuar në kërcënimin për sigurinë evropiane dhe më gjerë për rendin botëror. Rusia ka bërë të qartë politikën për rikthimin në kohën e ish Bashkimit Sovjetik. Për këtë qëllim ka kërkuar që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO dhe në BE, të mos ketë trupa të aleancës në shtete që u shkëputën, të mos ketë armë dhe rraketa me rreze të gjatë veprimi, etj. Në rast se Ukraina do të bëjë kërkesë për anëtarësim në NATO, Rusia e ndjen veten të rrezikuar dhe do të sulmojë sipas strategjisë së doktrinës së saj ushtarake. Këto kërkesa nuk janë pranuar nga SHBA dhe NATO. Në këto kushte merr rëndësi jetike mbrojtja dhe siguria e Evropës dhe sistemit demokratik perëndimor.

Bashkimi Evropian është akoma një bashkësi e shteteve sovrane, nuk ka forcat e saj të armatosura dhe mbrojtjen e bazon tek NATO.  Shtetet anëtare është e domosdoshme të reflektojnë për forcimin e BE-së dhe konstituimin si supershtet për të përballuar sfidat e kohës dhe të së ardhmes. Në këtë situatë shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjnë NATO dhe BE tani?

Së pari, NATO duhet të rishikojë dhe të përfundojë zyrtarisht partneritetin e saj strategjik me Rusinë. Nuk ka asnjë arsye të vërtetë për të besuar se marrëdhënia e Aleancës Perëndimore me Moskën do të jetë një partneritet për të ardhmen e parashikueshme evropiane.

Së dyti, sanksionet ekonomike realisht duhet të vendosen tani dhe të kenë efekte sa më të shpejta dhe afatgjata që të jetë e mundur.

Së treti, NATO nën komandën e SHBA dhe BE tani duhet të pozicionohen së bashku dhe të lidhura ngushtë. Situata e krijuar tregon se nuk ka më kohë për grindje institucionale në Bruksel. Perëndimi duhet të rindërtohet përmes dy organizatave dhe të bashkojë aftësitë e tij në një mënyrë të synuar, veçanërisht në fushat e aftësive ushtarake, mbrojtjes kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Strategjikisht e rëndësishme është mbrojtja e rendit liberal perëndimor kundër Rusisë dhe Kinës. Sipas mendimit tim, një fokus strategjik do të thotë gjithashtu që të dyja organizatat të bashkërendojnë strategjinë dhe ta drejtojnë vëmendjen e tyre në lagjen tonë të afërt në lindje dhe jug. Tani nuk është koha për vlerësime teorike.

Së katërti, NATO-s sigurisht do t’i duhet të forcojë pozicionin e saj parandalues dhe mbrojtës në krahët lindorë dhe juglindorë të Aleancës. Kjo mund të përfshijë gjithashtu vendosjen e sistemeve raketore dhe të trupave të NATO-s me pajisje të rënda.

Së pesti, ne duhet të trajtojmë dhe fuqizojmë në mënyrë diplomatike ato vende dhe rajone ku Rusia mund të kërkojë të zgjerojë më tej ndikimin e saj përmes metodave të padrejta. Këto përfshijnë Moldavinë dhe Bosnjën në veçanti, edhe pse do të jetë e vështirë në të dyja rastet, sepse ndikimi i Moskës atje është tashmë i fortë. Por ne patjetër duhet të përpiqemi t’u afrohemi këtyre vendeve tani.

Së fundi, duhet të fillojmë ta shikojmë sigurinë evropiane dhe konfliktin në Ukrainë me dimensionin global: kush do ta mbështeste Perëndimin kundër Rusisë? Kush do të ishte i interesuar për një Evropë të brishtë? Dhe kush nuk e bën? Cilat shtete mund të bindim që të kundërshtojnë hapur Moskën në nivel diplomatik? Për shembull në Këshillin e Sigurimit të OKB-së? India? Izraeli? Pakistani? Aleatët tanë Demokratikë në Azi-Paqësor? Në fund të fundit, ne gjithashtu duhet të flasim me Kinën, tani dhe sot! Nuk është në interes të Perëndimit përballja me një aleancë të mundshme Rusi-Kinë.

Perëndimi sigurisht nuk dëshiron të ngrejë një perde të re të hekurt në Evropë. Megjithatë, për fat të keq, Presidenti Putin vendosi të bëjë pikërisht këtë. Për këtë duhet të reagojmë me një paketë masash strategjike. Ne nuk kemi zgjidhje nëse duam të ruajmë Evropën që kemi krijuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Tani duhet ta mbrojmë atë në mënyrë aktive dhe të veprojmë me të gjitha mundësitë për zgjidhje paqësore për të mos lejuar një luftë të re në Evropë, si dhe të mënjanojmë pasojat për sigurinë nga një Luftë e Re e Ftohtë që ka imponuar gjeopolitika e Rusisë me aneksimin e Krimesë dhe invazionin e fundit në Ukrainë.