Klodi Stralla: A do të ndahet Ukraina?

213
Sigal

Në gushtin e vitit 1939, midis Hitlerit dhe Stalinit, u nënshkrua ai që, në Histori, njihet si “Pakti i mossulmimit” (Molotov-Ribbentrop), sipas të cilit palët angazhoheshin të mos kryenin veprime ushtarake ndaj njëri-tjetrit dhe të mos mbështesnin asnjë prej armiqve të tyre në rast konflikti. Nderkohë që kjo u bë publike ato që dolën në dritë vetëm pas 50 vitesh (1990) ishin “Protokollet e fshehta” sipas të cilave palët dakordë֝soheshin për ndarjen midis tyre të zonave të influencës në Europën lindore dhe posaçërisht Polonia, një shtet sovran i Lidhjes të Kombeve, ndahej midis gjermanëve dhe rusëve, siç tregohet në hartën shoqëruese.

Sipas meje, ka shumë gjasa, që një fat i tillë i është paracaktuar edhe Ukrainës – Ndarja, pak a shumë, sipas asaj që tregohet në hartën bashkëngjitur. Ndonse Putini do te cilësohet agresor dhe do të ketë edhe disa sanksione ekonomike, nuk do të ketë luftë në kuptimin klasik të fjalës, me viktima në njerëz dhe dëme materiale, aq më shumë që ndarja ka edhe pëlqimin e popullsive që banojnë në terren. Pjesa perëndimore mund të formojë një union Polako-Ukrainas dhe të aderojë në BE dhe NATO, ndërsa pjesa lindore, me kohë, do t’i bashkangjitet Rusisë.

Nëse do të ndodhë kështu, kjo hap “Kutinë e Pandorës” për rishikimin e kufijve ekzistues edhe në rajone të tjera dhe posaçërisht, tek ne, në rajonin e Ballkanit. Shtetet serioze punojnë duke u paraprirë obsioneve të mundëshme dhe duke mos përjashtuar asnjërin.