Lulzim Basha përshëndet vendimin e KiE: Partnerëve u kam thënë të vërtetën, votimi farsë do ta thellojë krizën

261

Pas refuzimit të Këshillit të Europës për të mos dërguar vëzhguesit e saj në votimet e 30 qershorit në Shqipëri, vjen reagimi i kreut të opozitës Lulzim Basha.

Përmes një deklarate për media nga selia e PD-së, Basha është shprehur se, ky është rasti i parë në historinë e KiE që nuk monitoron zgjedhjet e një vendi anëtar.

“Dua të përshëndes vendimin e Këshillit të Europës për t’u tërhequr nga monitorimi i farsës së 30 qershorit.

Arsyet janë ato që kemi thënë: Nuk ka konkurencë pa pjesëmarrjen e opozitës. Janë zgjedhje pa kuptim politik. Është një vendim i pastër politik, një distanicm i prerë nga zgjedhjet fallco një partiake, nga organizata kryesore e të drejtave të njeriut në Europë nga organizata kryesore që mbron të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe pavarësisë së pushteti lokal.

Këshilli i Europës ka qenë monitorues i zgjedhjeve lokale të vitit 2015, së bashku me OSBE/ ODHIR –in. Ditën e zgjedhjeve misionet e monitorimit të votimit ishin misione të përbashkëta të OSBE-së dhe mes Këshillit të Europës.

Këtë vit, Këshilli i Europës u tërhoq, për herë të parë në historinë e tij, nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në një vend anëtar të tij.

Sikurse e thekson vetë njoftimi i Këshillit të Europës, farsa që po përgatit Edi Rama nuk ka ndodhur në vendet e Këshillit të Europës, që nga rënia e komunizmit.

Tashmë po bëhen të qarta për të gjithë përmasat e skandalit kushtetues, ligjor dhe politik të 30 qershorit.

Qëndrimi i opozitës mbetet i prerë: Këto nuk janë zgjedhje. Ato nuk ekzistojnë as ligjërisht, as praktikisht.

Këtë qëndrim ia kam bërë të qartë ditët e fundit të gjithë komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht partnerëve që po përpiqen të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike. U kam shprehur të vërtetën se votimi farsë antikushtetues, antiligjor dhe i kriminalizuar do ta thellojë krizën dhe do ta fusë Shqipërinë në një fazë me kosto të lartë për vendin”, u shpreh Basha.