Prof. Dr. Lush Susaj: Shqipëria mes agonisë së pluralizmit dhe instalimit të neodiktaturës

479
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Partisë shtet i janë errur sytë dhe ka vendosur të ndjekë modelin Lindor duke bërë  “yrysh” për të kapur e për të mbytur zërin dhe rolin e institucioneve të pavarura dhe Drejtësisë. Tentativa për të shkarkuar Presidentin nga Kuvendi fallco dhe monist është një veprim antikushtetues, vulgar dhe i panevojshëm. Kongresi pompoz i ‘Rilindjes’ na kujton partinë-shtet të sundimit monist. Korrupsioni, padrejtësia dhe fyerja shtetërore, ka larguar me kohë intelektualët, prindërit dhe tani po ikin edhe fëmijët, nxënësit, studentët dhe të rinjtë, pasi kjo qeveri nuk prodhon politika punësimi duke zëvendësuar rininë shqiptare me refugjatët dhe emigrantët arab dhe aziatik nga Bangladeshi.

Shqipëria po noton në ujëra të turbullta dhe zgjedhjet e 25 prillit në vend që t’i jepni një zgjidhje situatës së rëndë politike, ekonomike, sociale, rendit, sigurisë, korrupsionit, trafiqeve, shpërnguljes së shqiptarëve e shumë e shumë problemeve me të cilat po ndeshen qytetarët, e ka rënduar edhe më shumë kaosin dhe pasigurinë. Vendi ndodhet mes agonisë së pluralizmit dhe instalimit të neodiktaturës. Mjafton të shikosh votimin në Kuvendin e Shqipërisë dhe bindesh për “rrumpallën” në të cilën është zhytur Shqipëria. Dhe në këto raste një fjalë e urtë popullore gjermane “ Në një detë të menderosur me jashqitje, i zoti është ai që delë në anë dhe ikën”, i shkon për shtat situatës në vend. Naj dhe të rinjtë kanë vendosur të syrgjinosen duke lënë atdheun në mëshirë të fatit dhe pleqtë të vetëm që ngrysen dhe nuk dihet se si do gdhihen. Pikërisht për këto probleme dhe këtë sitauatë tejet të rëndë për fatet e kombit, Prof. Dr. Lush Susaj në një intervistë për “Telegraf.al”, analizon se si një Parlament i paplotë e i sajuar me shumë ngut, nuk mund të përdoret kurrë për të goditur institucionet e pavaruara si ligjërisht ashtu edhe moralisht. Situata e rëndë me krimin, vrasjet, vetëvrasjet, maturantët, apo studentët që edhe kur  dalin në eskursione praktike, nuk ulen dot të hanë një drekë janë pjesë e këtij realiteti të analizuara nga Prof.Susaj. Kongresi i PS-së, u organizua me madhështi dhe pompozitet, për të na kujtuar se partia shtet dhe sundimi monist, janë realitet. Përballë pozitës është një opozitë e trullosur por më shumë se kaq e kapur prej koke, nga qarqet antishqiptare dhe filantropia botërore. Do të kisha shumë dëshirë thekson Prof.Susaj, që PD-ja  të kishte një  kandidatë më të mirë se Lulzim Basha. Për zhvillimet e fundit gazeta “Telegraf” po publikon bisedën e  plotë zhvilloi me Prof. Lush Susaj.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al : 

-Parlamenti monist shkarkoi Presidentin Meta  me 104 vota dhe tashmë ky proces nga Kuvendi i kaloi Gjykatës Kushtetuese. Si do ta cilësoni këtë nismë të PS-së? A ishte Kushtetuese? Çfarë pritet të ndodhë?

-Për mua ka qenë dhe është e rëndësishme mënyra se si Presidenti ka punuar dhe i ka shërbyer unitetit kombëtar, çështjes kombëtare, ligjit dhe pluralizmit demokratik. Tashmë duket fare hapur mënyra se si ka ndodhur kapja, uzurpimi dhe sundimi i njëanshëm i shtetit dhe institucioneve, këtë nuk mund ta mohojë më askush. Në këtë situatë, në mënyrë vulgare e krejt të panevojshme, duket sikur partisë- shtet i janë errur sytë dhe ka vendosur të bëjë yrysh për të kapur e për të mbytur edhe zërin dhe rolin e institucionit kushtetues e të pavarur të Presidentit, tashmë të cunguar e të rrënuar nga funksionet dhe kompetencat. Pasi e ka degraduar si në monizëm debatin dhe jetën politike e parlamentare, me 104 votat e njohura të parlamentit gjysmak, njëngjyrësh, të paligjshëm e në ikje (parlamenti ynë kushtetues ka 140 deputetë), sulen për të “ekzekutuar” e kapur sa më parë edhe institucionin e fundit që ka guxuar e kundërshtuar në vijimësi egoizmin dhe grykësinë e pashembullt të një njeriu apo grupi për pushtet, pa masë e pa kufi. Moralisht dhe ligjërisht, një parlament i paplotë e i sajuar me shumë ngut, nuk mund të përdoret kurrë për të goditur institucionet e pavaruara kushtetuese. Pavarësisht nga dashuria apo nga kritikat që kam për punën e Presidentit, unë mendoj se tentativa për të shkarkuar Presidentin, është një veprim antikushtetues i nxituar e i panevojshëm, e pa asgjë të mirë për shtetin e shoqërinë. Shkarkimi apo vendimi i parlamentit do të përfundojë me patjetër në Gjykatën Kushtetuese, ku detyrimi ligjor dhe integriteti moral e profesional i gjyqtarëve do të prevalojë, e ky vendim i paligjshëm do të bëhet nul.

“Pasi e ka degraduar si në monizëm debatin dhe jetën politike e parlamentare, me 104 votat e njohura të parlamentit gjysmak, njëngjyrësh, të paligjshëm e në ikje (parlamenti ynë kushtetues ka 140 deputetë), sulen për të “ekzekutuar” e kapur sa më parë edhe institucionin e fundit që ka guxuar e kundërshtuar në vijimësi egoizmin dhe grykësinë e pashembullt të një njeriu apo grupi për pushtet, pa masë e pa kufi…”

Qytetarët nuk kanë informacione të detajuara për çka ka bërë dhe çka po bën Presidenti, Berisha, Rama, Basha apo zyrtarë dhe ish- zyrtarë të tjerë. Përkundrejt faktit që qytetarët dhe e gjithë shoqëria shqiptare është e etur për demokraci dhe për drejtësi kundër korrupsionit dhe krimeve politike e ordinere. Sa për përpjekjet dhe vendimet e institucioneve gjysmake e jo përfaqësuese, kryeministri aktual dhe të tjerë zyrtarë dhe ish-zyrtarë, do të vazhdojnë që të jenë në zyrat dhe në kolltukun e tyre deri në përfundimin e mandatit të tyre kushtetues. Kjo për faktin se historia na mëson që shqiptarët janë një specie e rrallë kolltukofagësh e marifetçijsh, të cilët dinë të rezistojnë dhe të jetojnë gjatë në oazet dhe habitatet e kënetës së korrupsionit dhe të klaneve sundimtare të politikës. Për fatin tonë të mirë, përballë modeleve, kërkesave dhe interesave Euro-Atlantike, kolltukofagët tanë janë minorë, të mjerë të sigurtë në rrugën e tyre të humbjes dhe qafëthyrjes pa kthim.

Kongresi i PS-së nuk solli asnjë të re përveç dorëheqjes së  Ruçit. Çfarë solli për opinionin publik ky Kongres butaforik?

-Kongresi i PS, duket sikur u organizua me madhështi dhe pompozitet, sa për të na kujtuar se partia shtet dhe sundimi monist janë realitet kudo në Shqipëri. Në këto kushte, për partinë shtet dhe për udhëheqësin e saj, duket sikur nuk ka asgjë të pamundur e të pakapshme. Në këtë mënyrë edhe shkelja e Kushtetutës dhe pandëshkueshmëria e korrupsionit dhe e krimeve ekonomike, mjedisore dhe elektorale, duken mëse të zakonshme dhe të justifikueshme. Kongresi grotesk, duket sikur shtërzoj dhe polli edhe disa artikulime e ngjarje me domethënie të madhe, sikurse janë: Së pari, vetë Fatos Nano, përsëriti dhe rikujtoi porosinë e njohur katovicjane kur tha: “Edi, ta kalojmë stafetën nga etërit tek bijtë”. Kjo zbulon gjithë atë hipokrizinë dhe falsitetin e pështirë të asaj që ka ndodhur në këto 30 vite me pluralizmin dhe me demokracinë që në Shqipëri, nuk e pa, e nuk e preku askush. Këtu e ka burimin edhe zhgënjimi, mungesa e besimit dhe lodhja e institucioneve të botës demokratike me politikën shqiptare, dhe metamorfozat orientale të saj. Së dyti, ka të bëjë me atë demagogjinë e dorës së shtrirë për bashkëpunim, e që nuk është asgjë më tepër se sa grefosje e kapardisje për pandëshkueshmërinë, varfërinë, kriminalitetin, korrupsionin, përçarjen kombëtare dhe shpopullimin që po realizohet në kushtet e mungesës reale të opozitës dhe opozitarizmit në Shqipëri. Një lider dhe qeverisje demokratike dallohet në atë, se sa hapësirë dhe zë i jep opozitës dhe opozitarizmit. Pompoziteti dhe demagogjia e kongresit të PS-së tregoi edhe njëherë regresin dhe deformimin e thellë psikopolitik të atyre që e kujtojnë demokracinë kotec, stallë pulash. Të atyre që e mendojnë popullin dhe opozitën si një pulari që merr gjallëri e kakarisje sa herë që aty shkon i gjithëpushtetshmi me kovën e grurit e duke ndjellur: kërr – kërr – kërr. Së treti, ka të bëjë me dorëheqjen e Gramoz Ruçit, i njohur si një pasardhës i denjë i një fare autoktone të Labërisë, që mesa duket, e ka kuptuar e nuk do që të përdoret e as të bëhët pjesë e masakrës së mëtejshme ekonomike, institucionale e shtetërore. Në filozofi thuhet shprehja “Njih veten!”. Nga ky këndvështrim, mendoj se Gramozi ka bërë mirë që e ka lëshuar kolltukun edhe për faktin se, tani mbase është moment i artë për Gramozin dhe të gjithë ish komunistët e ish punistët, të cilët vetëm sa e qelbën dhe e kriminalizuan jetën politike e shtetërore të këtyre 30 viteve, të largohen e ta lënë popullin dhe politikën shqiptare.

“Qeveria Rama po ia nxin jetën rinisë shkollore, duke shkatërruar çdo lloj arritje në fushën universitare e akademike Rinia shqiptare, përjashtuar fëmijët e politikanëve të korruptuar që zgjedhin makinat e luksit dhe vendet e ngrohta të punës në institucione, shkolla dhe universitete, pjesa tjetër është lënë në harresë, në papunësi dhe pasiguri të thellë.”

-Pandemia ka bërë që të rriten taksat, po ashtu dhe të mbyllen shumë biznese. A ka pasur qeveria një plan masash për përballimin e vështirësive ekonomike post-pandemi? 

-Nuk është vetëm pandemia ajo që ka goditur e rrënuar kaq shumë jetën shoqërore e ekonomike në Shqipëri. Shumë më tepër se pandemia, jetën po e shkatërron e rrënon korrupsioni me investimet dhe finacimet e projekteve dhe të donacioneve, të cilat përfundojnë në pak duar parazitare, e të lidhura ngushtë me politikën. Unë jam në terren çdo ditë dhe takoj qindra fermerë të rrënuar, zejtarë të mashtruar, shtëpi e lagje pa asnjë banorë, ferma të braktisura, specialistë të lënë pa punë, etj. Por më të rënda për mua janë ditët kur shoh që studentët e mi, sa herë që dalin në eskursione praktike, nuk ulen dot të hanë një drekë. E kjo ndodh për shkak të varfërisë, e jo se nuk kanë uri studentët. Nuk mund të anashkalohet roli i pandemisë në varfërimin e familjeve dhe të biznesit të vogël e të mesëm. Kjo lloj qeverisje është armike e vrastare për biznesin dhe shtresën e mesme. Çdo gjë është polarizuar e përqëndruar në pak duar oligarkësh e të korruptuarish. Ndërsa nga ana tjetër qëndron populli i vjedhur e i varfër që rreket me punët e përditshme, vetëm sa për të siguruar vazhdimësinë dhe bukën e gojës. Në fillim pati pak muaj propagandë e një mbyllje që u shoqërua me një pagë minimale, përkundrejt mungesës reale të investimeve dhe kredive prodhuese, mungesës së politikave fiskale, lehtësuese e zhvillimore. Në vend të lehtësirave, duke sikur janë shtuar kosto të reja e të tërthorta me kasa fiskale, për bilance, për roje dhe për gjoba kriminelëve e të fortëve të lagjeve. Dje kam qenë për inspektim në Myzeqe, Berat dhe Elbasan. Atje pashë dhe kuptova që po largohen jashtë vendit çdo ditë edhe ato pak biznese të mesme prodhuese. Është e kuptueshme e kudo e prekshme, që shkaku i vetëm është korrupsioni dhe pasiguria. Është koha që të mos fshihemi pas pandemisë.

-Ende vazhdon hemoragjia e rinisë shqiptare drejt Evropës, ku çalon puna e qeverisë në këtë drejtim?

-Unë jam përditë me studentë e fermerë, me të cilët kam ndërtuar një marrëdhënie korrekte të besimit dhe diskutimit hapur për shkencën, teknologjinë, shoqërinë, ekonominë, politikën, etj. Shoh e dëgjoj çdo ditë studentë që flasin e planifikojnë vetëm për të ikur. Dje pashë e bisedova edhe me një specialist të talentuar e të vetëm që ka mbetur akoma në një lagje të Myzeqesë. Pavarësisht se ai po pret ardhjen në jetë të fëmijës së parë, mësova se ai është i detyruar që këto ditë të largohet e të lejë djerr 3,2 ha tokë bujqësore dhe dy prindër të moshuar e pa asnjë mbështetje. Qeverisja jonë nuk po punon e nuk po prodhon politika punësimi  për rininë. Përkundrazi, po ua nxin jetën duke shkatërruar kapacitetet prodhuese, investuese e intelektuale të vendit. Po ia nxin jetën rinisë shkollore, duke shkatërruar çdo lloj arritje në fushën universitare e akademike. Është stopuar si kurrë më parë jeta shkencore, akademike, kulturore e sportive e vendit. Rinia shqiptare, përjashtuar fëmijët e politikanëve të korruptuar që zgjedhin makinat e luksit dhe vendet e ngrohta të punës në institucione, shkolla dhe universitete, pjesa tjetër është lënë në harresë, në papunësi dhe pasiguri të thellë.

“Maturantët dhe studentët e Shqipërisë kanë vite që po përballen me abuzivizmin, korrupsionin dhe mediokritetin shtetëror e politik. Përballë kësaj, tragjedia ndër më të mëdhatë e kombit tonë, ajo që me bie më shumë në sy është heshtja e mësuesve, pedagogëve dhe prindërve të nxënësve e studentëve.”

Protesta studentore e vitit 2018

-Për të dytin vit rresht maturantët përballen me teste drithëruese, deri diku tendecioze. E njëta sjellje e MASR dhe Universiteteve edhe ndaj studentëve që paguajnë taksë të plotë edhe pse mësimi u krye online?

-Maturantët dhe studentët e Shqipërisë kanë vite që po përballen me abuzivizmin, korrupsionin dhe mediokritetin shtetëror e politik. Përballë kësaj, tragjedia ndër më të mëdhatë e kombit tonë, ajo që me bie më shumë në sy është heshtja e mësuesve, pedagogëve dhe prindërve të nxënësve e studentëve. Nxënësit protestojnë për testin e kopjuar e të përkthyer me gabime trashanike. Ndërsa prindërit dhe mësuesit e tyre heshtin nga frika e vendit të punës. Është instaluar kudo e në çdo gjë modeli i njohur e i neveritshëm i dhunës dhe sundimit me frikën e ekzistencës dhe të bukës së gojës. Protesta e nxënësve, sikurse edhe protesta e studentëve, janë vetëm maja e ajsbergut të shkatërrimit të çdo arritje e përvoje në fushën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë. Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, arsimi dhe shkolla shqipe ndodhen në një udhëkryq shumë të rrezikshëm. Kjo për shkak se janë shkatërruar në mënyrën më të keqe të mundshme kurikulat, programet, tekstet, infrastruktura laboratorike dhe gjithë metodologjia dhe përvoja e mirë e mësimdhënies. Në vendin dhe në pozicionin e mësimdhënies dhe të debatit shkencor, akademik e kulturor, është instaluar arbitrariteti, facebook-u, fiktiviteti me shkresa e me plane burokratike e të mërzitshme, e që nuk duhen për asgjë. Situata bëhet edhe më e rëndë për shkak se, në vendin e profesionistëve e të specialistëve të mirfilltë të programeve, të kurikulave bashkëkohore, të hartuesve të teksteve, etj, janë instaluar militantë dhe përkthyes mediokër, qylaxhinj e përfitues tenderash e emërimesh pa rregull e pa meritë. Në shkollat dhe në universitetet tona, duket që nuk njihet dhe nuk funksionon më të mësuarit natyral, të mësuarit zhvillimor për trurin dhe për aftësinë e riprodhimit praktik të nxënësit. Vendin e shpjegimit dhe të debatit të alternativave, duket që e ka zënë të mësuarit përmendësh, mekanik e pa produktivitet. Me këtë model të centralizuar, të pandjeshëm e thellsisht burokratik, nxënësit dhe studentët  nuk arrijnë që të zhvillojnë aftësitë e tyre intelektuale.

-Si do ta cilësoni rizgjedhjen e Bashës sërish në krye të PD-së? A ishte një garë e hapur dhe e pastër dhe a e meriton Basha pas kaq humbjesh të jetë sërish në krye të PD-së?

-Rizgjedhja e Lulzim Bashës në krye të PD-së, ka qenë ngjarje e sigurtë, matematicienët e quajnë ngjarje me propabilitet 1 (një). Debati mbi këtë ngjarje, mua me kujton një shaka të viteve 1970, mes disa shokësh, shaka që akoma qarkullon në Mirditë dhe në Kukës. Shkurtimisht, ka qenë koha kur kryetare e rrethit të Mirditës ishte një grua e nderuar me emrin Gjela Biba nga Mirdita. Ndërsa në Kukës ishte një burrë i nderuar me emrin Tahir Minxhozi nga Mati. Një shofer nga Kukësi, për ta ngacmuar i thotë kolegut të vet nga Mirdita: “A nuk patët dash, por shkuat e vutë zilen në qafë të deles?”. Mirditori e kuptoi dhe ia ktheu me të qeshur: “Sa për zilen e tufës time, të siguroj se ma prin kullotën ma mirë delja ime, se sa dashi i kojshisë”. Unë do të kisha shumë dëshirë që të kishim kandidatë më të mirë se Lulzim Basha. Pati edhe diçka tjetër, që shqiptarët, pavarësisht se janë të varfër, e neverisin dhe nuk e mbështesin zgjedhjet në PD, pasi u bënë në një kohë jo të përshtatshme ku primare duhet të ishin kundërshtimi për masakrën e 25 prillit. Më duket që kandidatët u nxituan dhe kërkuan debat e zgjedhje akoma pa u numëruar votat, pa u grumbulluar e pa gjykuar faktet mbi manipulimin, pa u gjykuar fare as fakti se kemi të bëjmë me manipulim apo me “humbje reale” të Bashës.