Prof. Dr. Edmond Panariti/ Rilindja e fut Shqipërinë në një kurs të rrezikshëm antiEuropian, derisa shpërfill apelin e BE-së

326
Sigal

Prof. Edmond Panariti, ish- Ministër i Jashtëm

Mbajtja e pushtetit  nga ky kryeministër me çdo kusht, nuk njeh as fre dhe as kufi.  Kjo është e qartë tani edhe për ndërkombëtarët, të cilët panë sesi nuk përfillen, kur vendimet dhe sugjerimet e tyre shkelin mbi kallon e pushtetit

 ‘Rilindja’ e fut Shqipërinë në një kurs të rrezikshëm antiEuropian

Jakup B. GJOÇA

Prof. Edmond Panariti, ish- Ministër i Jashtëm në intervistën për gazetën “Telegraf”  shprehet se kundërshtimi i kryeministrit Rama ndaj apelit të zyrtarëve të lartë të BE dhe PPE për të pritur opinionin e Venecias është qëndrim kundërshtues ndaj Bashkimit Europian, dhe ky kurs është i rrezikshëm për Shqipërinë, sepse mbajtja e pushtetit nga ky kryeministër nuk njeh më fre dhe kufi. Prof. Panariti thkeson se kjo qeveri në skadencë nuk mund të çojë në Gjykatë Ndërkombëtare Çështjen e Detit, për më tepër, që tani Shqipëria nuk ka as Gjykatë Kushtetuese. Prof. Panariti e vlerëson si dështim kryesimin e OSBE nga Rilindja, sepse ajo ofroi nga vetja të kundërtën e asaj që pritej.  Kategorikisht të kundërtën e asaj që do të duhej të përçonte si mision dhe qëllim të drejtimit të OSBE dhe ndërmjetësisë në zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjes së vlerave të demokracisë.

Rilindja e mori drejtimin e OSBE-së e damkosur rëndë nga kapja e Shtetit, farsa e zgjedhjeve dhe shtypja e opozitës, prandaj dështoi në drejtimin e saj, sepse nuk ishte e besueshme

 Prof. Panariti, Ju si e deshifroni reagimin e zyrtarëve më të lartë të BE dhe Partive Popullore Europiane, në apelin që i bënë mazhorancës shqiptare, që të presë opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e ri Zgjedhor?

– E shoh këtë si një qëndrim zyrtar kundërshtues të Bashkimit Evropian, pas ndryshimeve kushtetuese të cilët hodhën në erë marrëveshjen e 5 Qershorit mes palëve për reformën zgjedhore  E interpretoj si një detyrim për ndalur dizenjimin e rregullave të zgjedhjeve të ardhëshme vetëm nga Partia shtet në favor të saj.

 

–  Ju, duke qenë se keni ushtruar detyrën e ministrit të Jashtëm, çfarë mesazhi u përcjell kryeministri Rama BE, derisa menjëherë pasi ata bënë apel të pres opinionin e “Venecias”, deklaroi se Ai dhe Parlamenti që kontrollon, do të miratojë Kodin Zgjedhor që duan, duke shpërfillur “Venecian”?

– Insistimi për të rivotuar ligjin e reformës zgjedhore, në mospërfillje të Bashkimit Evropian dhe grupit të Partive Popullore, e fut Shqipërinë në një kurs të rrezikshëm anti Evropian. Ky kurs është kundër aspiratave të shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si Evropa dhe vërteton kapjen e sistemit nga partia në pushtet. Komisioni i Venecias do të duhet patjetër të shprehet për kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve, sidomos tani që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese.

Pse tani, kryeministri Rama, nga një beniamin fanatik i ndërkombëtarëve, ku çdo vendimmarrje të vetin, e justifikonte se ka  përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë

(shembulli më tipik Reforma në Drejtësi) tani haptaz i shpërfill, siç ndodhi me prishjen që i bëri marrëveshjes së 5 qershorit dhe tashmë Venecian?

– Mbajtja e pushtetit me çdo kusht dhe në mënyrë të pa merituar, nuk njeh as fre dhe as kufi.  Nuk njeh as kombëtarë dhe as ndërkombëtarë! Vendi drejtohet me moton:”E mirë është ajo që më shërben mua dhe pas meje u bëftë qameti”. Çdo gjë bëhet për t’u mbajtur pas pushtetit, pavarësisht nga kosto për vendin dhe demokracinë. Besoj se kjo është e qartë për këdo tani edhe për ndërkombëtarët, të cilët panë sesi nuk përfillen dhe as begenisen, kur vendimet dhe sugjerimet e tyre shkelin mbi kallon e pushtetit.

Nuk i takon kësaj qeverie në skadencë të çojë Çështjen e Detit në Hagë, sepse ka të bëjë me sovranitetin dhe të drejtat sovrane të Shqipërisë, në këtë situatë kritike, kur vendi është pa parlament legjitim dhe pa Gjykatë Kushtetuese

Nëse Parlamenti voton Kodin Zgjedhor pa pritur opinionin e Venecias, a do të ketë pasoja ky qëndrim në vendimmarrjen e BE-së për hapjen e negociatave?

– Po, sigurisht dhe në mënyrë të pashmangshme! Ky është një dëm i madh që u bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe është një njollë dhe përgjegjësi e rëndë për ata që do ta shkaktojnë këtë dëm historik.

–  Meqë jemi në fushatën elektorale, a nuk shqetësohet kryeministri Rama se ky qëndrim arrogant i tij ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë mund të ketë ndikim negativ edhe tek elektorati i vet?

– Mendoj se shumica dërmuese e shqiptarëve, janë tashmë të vendosur ta largojnë këtë model qeverisjeje, shkaktar i rrënimit dhe zbrazjes së vendit.  Prandaj ‘Rilindjes’ në pushtet i mbetet si alternativë e vetme deformimi dhe prishja e zgjedhjeve, për të amortizuar sa më shumë humbjen e pashmangshme të 25 Prillit.

– Insistimi i Ramës për të rivotuar ligjin e reformës zgjedhore, në mospërfillje të Bashkimit Evropian dhe grupit të Partive Popullore, është kundër aspiratave të shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si Evropa dhe vërteton kapjen e sistemit nga partia në pushtet

–  Prof. Panariti a mundet kjo qeveri, që ka vetëm 4 muaj mandat, të çojë në Gjykatën Ndërkombëtare Çështjen e Detit me Greqinë, ndërkohë që nuk ka miratimin e Parlamentit dhe të Presidentit të Republikës? Pse ky mision të mos i jepet qeverisë së re?

– Nuk i takon kësaj qeverie që në skadencë të mandatit të saj të ndërmarrë një veprim të tillë madhor, i cili ka të bëjë me sovranitetin dhe të drejtat sovrane të Shqipërisë, kur nuk bëri asgjë për tetë vite me radhë.  Kjo është veçanërisht kritike, kur vendi është pa parlament legjitim dhe pa Gjykatë Kushtetuese.

– Ju si do ta vlerësonit kontributin e Shqipërisë në krye të OSBE-së?

– Shqipëria e kryesoi thjesht proceduralisht OSBE, por mjerisht humbi rastin unikal për të udhëhequr këtë organizatë me anë të shëmbullit. Sepse ajo ofroi nga vetja të kundërtën e asaj që pritej.  Kategorikisht të kundërtën e asaj që do të duhej të përçonte si mision dhe qëllim të drejtimit të OSBE dhe ndërmjetësisë në zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjes së vlerave të demokracisë.  Ajo e mori drejtimin e OSBE-së e damkosur rëndë nga kapja e Shtetit, farsa e zgjedhjeve dhe shtypja e opozitës, prandaj dështoi në drejtimin e saj, sepse nuk ishte e besueshme.

Kodi i ri Zgjedhor, nëse miratohet siç është, a rrezikon zgjedhjet e 25 prillit 2021? A do ketë ndikim në rezultatin zgjedhor?

– Opozita do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet e Prillit në çdo rrethanë dhe konjukturë, sado dhe sido që të përpiqet pushteti. Por duhet të bëjmë çfarë të jetë e mundur për të ndalur precedentin e shëmtuar të prekjes së Kushtetutës, nga vetëm njëra palë, pa konsensus pa vota dhe në mënyrë arrogante. Sepse dëmi i shkaktuar është i madh dhe me pasoja, jo vetëm për një palë zgjedhje.

-Ju falenderoj, Prof. Panariti!