Ervin Salianji, ish-deputeti i PD, ka marrë pjesë sot në gjyqin e hapur ndaj tij nga Agron Xhafaj, vëllai trafikant i ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe ku ka dëshmuar personi që ai e quajti “Dëshmitari i sajuar”, Alfred Alizoti.
Sapo Alizoti ka nisur të flasë, Salianji nuk ka qëndruar më në gjyq dhe u bëri të ditur gazetarëve që e prisnin jashtë, se ai nuk do të ndalë së denoncuari pushtetarët e madje i ka kërkuar Prokurorisë të marrë nën arrest për dëshmi të rreme, dy krerët e Policisë së Fierit, Albert Nushin dhe Andon Markon; të dy ata kanë dëshmuar se nuk e njohin dëshmitarin e rremë të çështjes Xhafaj, Fredi Alizotin, po në të vërtetë dëgjohen në përgjime duke e paguar atë.
Salianji tha: “Seanca po vazhdon, nuk do të vazhdoja të dëgjoja dhe shokët e tjerë të Ramës. Boll i kam dëgjuar ata me vendime të formës së prerë si trafikantë droge apo përdhunues; këtu ishte një rast tjetër i shokëve të Ramës, që e ka përdorur si dëshmitar të sajuar, Alfred Alizoti.
Kishte një parashtrim të gjatë nga Prokuroria, por pa asnjë provë të re, vetëm indicje si agjitacion dhe propagandë, që përmblidhej në fjalinë “Ervin Salianji si organizator i këtij denoncimi, ka dashur të dëmtojë politikisht Fatmir Xhafajn dhe qeverinë!”
Gjatë gjithë kohës që unë jam në funksionin publik, ua thashë prokurorëve, e them edhe këtu, se shpresoj që një ditë forca e ligjit të jetë aq sa forca që ka krimi i organizuar, që prokurorët duhet të ishin sot në krahun tonë duke denoncuar apo marrë Agron Xhafajn si trafikant droge për një vepër të re, për atë që ishte këtu, jo që të ishin ngjitur me avokatët e Agron Xhafajt. Sepse ne jemi këtu jo vetëm sepse na ka denoncuar trafikanti i dënuar tanimë, që është duke kryer dënimin, po aty ishin ngjitur me prokurorët, edhe avokatët e tij, për t’i pasur si garanci për rastin.
Padyshim ky është një proces i montuar që të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë dëgjuar.
I kërkova prokurorëve që të marrin nën arrest për dëshmi të rreme, të paktën dy raste që janë brenda dosjes, Alfred apo Albert Nushin dhe Andon Markon; të dy kanë deklaruar se nuk e njohin Alfred Alizotin kur të dy janë kapur qartazi në përgjime duke i dhënë para Alizotit.
Prokuroria nuk kishte ndonjë përgjigje shtesë por e ritheksoj, se jo vetëm nuk më intimidojnë dot, nuk më trembin, por më nxisin më shumë në atë që misioni i politikës është të tregojë të vërtetën dhe të mbrojë interesin publik. Unë e kam mbrojtur duke futur në burg një njeri që nuk e ka futur dot shteti: vëllanë e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafajni dënuar.
Pyetje: Pas mbylljes së hetimeve dhe dërgimit të dosjes në gjyq, ju keni publikuar një sërë përgjimesh, të cilat janë pjesë e dosjes, që sipas jush komprometojnë figurën e dëshmitarit kryesor në këtë proces. A e keni ngritur këtë pretendim sot në sallën e gjyqit dhe a e vutë në dyshim figurën e këtij dëshmitari?
Ervin Salianji: Padiskutim që prokurorëve u thashë atë që kemi thënë në publik dhe prokurorët duhej ta kishin marrë nga kallëzimi ynë që është i sajuar, është i paguar dhe këta duheshin marrë të pandehur, që nga dy drejtorët e policisë, duhej marrë një deputet i PS-së dhe pa diskutim prokurorët që kanë marrë këta të krimeve të rënda, dy prokurorët të cilët dalin në përgjime. Do të kemi surpriza të tjera. Nuk është një çështje që është mbyllur në kuptimin e bërjes publike të përgjimeve të bëra nga vetë prokuroria. Imagjinoni që në tre apo katër muaj përgjime, në çdo skutë ku është futur prokuroria nuk ka gjetur një kontakt të vetëm, se nuk ka si të gjejë një kontakt timin me Alizotin.
Pyetje: A kishte ndonjë përgjigje nga ana e prokurorit në sallën e gjyqit?
Ervin Salianji: Jo, fare, nuk ka pasur asnjë përgjigje dhe nuk ka pasur asnjë komunikim shtesë. Kanë qenë duke lexuar vetëm atë që kanë lexuar më parë, thua se nuk ka pasur ndryshime, a thua se nuk ka përgjegjësi për ata që nuk i kanë zbardhur përgjimet apo akoma më keq, për disa që kanë ndërhyrë, duke prerë përgjimet të cilat do t’i bëj publike besoj në orët apo ditët në vijim. Nuk ka vepër penale, prokuroria duhet të provojë fajësinë time. Unë nuk fajësohem dot për agjitacion dhe propagandë. Duhet që të mos kalojë fare në seancë, sepse nuk ka vepër penale dhe nuk ka asnjë provë. Ka vetëm indicie. Telefonata apo thirrje hyrëse që më ka bërë mua Albert Veliu i njohur si Babalja, ka po njësoj me deputetë apo drejtues të Partisë Socialiste. Janë në tabulatet që i ka prokuroria dhe kjo nuk do të thotë asgjë. Unë isha deputet në momentin që u bë denoncimi, në momentin kur mora garancinë për mbrojtjen e personit që erdhi të denoncojë bashkë me gazetarin që ka kryer investigimin. Unë nuk e kam lënë rrugëve, e kam shkruar që kam ndihmuar bashkë me Partinë Demokratike për familjen që të mos kërcënohej dhe mos intimidohej dhe pa diskutim edhe vetë atë, si personi që nëse do të ishte sot këtu, do të ishte në burg. Kjo është një rrugë dhe një mënyrë e pisët që ndjek prokuroria në shërbim të qeverisë për të intimiduar cilindo që denoncon. Në këtë rast i japim garanci çdo qytetari tjetër për çdo denoncim që duan ta bëjnë publike. Unë pa diskutim që do të jem në shërbim të publikut, duke bërë denoncime edhe më të forta se këto.
LIVE – Ervin Salianji prononcim për mediat
Gepostet von Partia Demokratike e Shqipërisë am Freitag, 12. April 2019





















