Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar pas zgjedhjes së Alfred Pezës si drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së. Përmes një reagimi të bërë në rrjetin social, Zhupa thotë se ky emërim është shkelje e ligjit dhe kapje politike.
REAGIMI:”Shkelje e ligjit dhe kapje politike emërimi i Alfred Pezës, ish deputetit dhe anëtarit të PS në krye të RTSH. Siç e paralajmërova në dëgjesën me Këshillit Drejtues tē RTSH, ishte paracaktuar nga kryeministri zgjedhja e Pezës në mënyrën antiligjore në krye të institucionit. Në ligj Nr. 97/2013 “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, në nenin 104 ku flitet për papajtueshmeritë dhe konflikti i interesave të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, në pikën 1 thuhet se:
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së nuk lejohet:
- a) të jetë anëtar i partive dhe shoqatave politike, kandidat për deputet apo të jetë zgjedhur i tillë në 2 legjislaturat e kaluara, të ketë konkurruar për kryetar të njësive vendore në zgjedhjet e fundit të organizuara, apo kanë ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë, anëtarit të Këshillit të Ministrave apo të prefektit gjatë 3 viteve të fundit, si dhe ata që janë anëtarë të Këshillit të Ankesave, AKEP-it apo punonjës të këtij të fundit;
Alfred Peza ka qenë i zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në periudhën 2013-2017, ç’ka në fakt korrespondon me faktin që ka qenë deputet në një nga dy legjislaturat e fundit. (2013-2017;2017-2021 janë dy legjislaturat e kaluara)
Gjithashtu Alfred Peza është edhe anëtar i Partisë Socialiste, ka qenë i zgjedhur sekretar i saj dixhital dhe në forumet drejtuese të saj, ç’ka është edhe një fakt tjetër, që bie në papajtueshmëri me ligjin. Kapja e çdo institucioni publik të krijuar me ligj si të pavarur është modeli i një shteti parti, që nuk funksionon si demokraci. Dënoj me ashpërsi shkeljen e ligjit dhe si anëtare e komisionit të medias do përdor çdo mekanizëm kundra saj.



















