Shpendi Topollaj: Fjala e intelektualëve duhet të kumbojë fort për Kombin

120
Sigal

“O! Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”. Këto janë fjalët e Euripidit, atij filozofi shumëplanësh, që jetoi në kohë të Perikliut (495 – 429 p.e.s), atëherë kur Athina njohu shkëlqimin e saj. Por këto fjalë të arta, marrin një kuptim edhe më të madh për ne shqiptarët sot, kur Kombi ynë, sikur të mos mjaftonin grindjet, që vinë nga dëshira për pushtet, po përballet edhe me qëndrime sa të çuditshme aq dhe të dëmshme të të huajve, nga të cilët ne, të dalët nga diktatura më e tmerrshme, pritëm mbështetje të sinqertë e të vendosur edhe në zgjidhjen e problemit kombëtar. Le ta themi ashtu siç e vërteta është; këto probleme, po vendet e tyre na i shkaktuan, duke përfituar nga dobësitë dhe vështirësitë e shtetit tonë të sapo krijuar dhe varfëria që kishte pllakosur mbi një shekull më parë. Edhe pse historikisht e kishim pësuar keq nga besimi i verbër te doktrina e lindorëve që na hiqeshin si miq politikë dhe ideologjikë, ne përsëri gabuam, duke i lënë përfaqësuesve të vendeve të huaja, tani perëndimore, të drejtën që të merrnin atribute që s`u takojnë në drejtimin e punëve të atdheut tonë. Askush nuk ka pikën e dyshimit apo të hezitimit, se rruga që ne shqiptarët kemi zgjedhur, pra bashkimi sa më parë me Evropën dhe aleanca me SHBA, janë veprimi i drejtë dhe i natyrshëm për demokratizimin dhe përparimin e vendit. Por, gabuam përsëri duke u dhënë atyre hapësirën që shpesh, duke shkelur çdo normë në marrëdhëniet mes shteteve, të na trajtonin si inferiorë, si popull që duhet komanduar, ose e thënë shqip, si njerëz që duhen hequr nga hundët. Në radhë të parë, këtë e kemi peshqesh nga shtetarët tanë arrivistë, pse jo, edhe frikacakë. Dhe kjo frikë, ky nënshtrim deri në servilizëm u duk qartë te asgjësimi i forcave tona të armatosura, shkatërrimi apo çuarja për skrap e shitja e armatimeve, municioneve, topave, tankeve, avionëve, flotës luftarake etj. Të huajt, pak nga pak, i dhanë vetes të drejtën të ndërhyjnë në politikën dhe diplomacinë tonë, t`i orientojnë brutalisht ato, të shfaqin hapur simpatitë, antipatitë, përkrahjen dhe goditjet ndaj liderëve të krahëve të ndryshme, duke futur kështu me llogaritje paraprake, përçarjen me nesh. Duke harruar se ata së pari, kanë interesat e tyre. Politikanët tanë nisën të interpretojnë deklaratat që ata bënin herë pas here, sipas oreksit dhe leverdisë të çastit. Dhe këtu se merr vesh qeni të zotin. Akuza, sharje, fyerje e shpifje pafund sundojnë edhe atmosferën mediatike. Njerëzit, nga varfëria, padurimi dhe mungesa e perspektivës, marrin si kurrë ndonjëherë arratinë. Largohen si të munden. Atje ku venë, as vetë s`e dinë çfarë i pret. Shumica përfundojnë shërbëtorë. Dhe ajo më kryesorja; loja me Kosovën.

Them loja, se nuk di se çfarë emri tjetër t`i vë kësaj pune. E jashtëzakonshme, madje do të thosha, fat qe ajo që bënë forcat e NATO – s, bashkë me UÇK – në, për çlirimin e saj, por krejt i papranueshëm, miklimi dhe plotësimi i tekave të agresorëve serbë të Milosheviçit dikur dhe Vuçiçit më pas. Kuptohet se luftimet në Ukrainë, ku Rusia e Putinit, po bën atë që pati bërë Adolf Hitleri, kushtëzojnë qëndrime e veprime të tjera, për ta frenuar përhapjen e të keqes, që mund të vijë prej saj. Por, do të ishte plotësisht e padrejtë që manovrat politike, që ndërmarrin perëndimorët, qofshin ato edhe të detyrueshme, të prekin interesat jetike të Kosovës dhe të ardhmes së saj. Nuk po përdoret ajo që latinët e quanin “Argumentum ad rem”, pra “Argument i bazuar në rrethanat reale të çështjes”, por “Argumentum baculinum” që do të thotë “Argument shkopi”, që përdoret kur me forcë kërkohet të bindet tjetri. Por Kosova nuk është molla, që mund ta kafshojë kushdo sa herë ua do qejfi. Ky trajtim që i bëhet asaj dhe mbyllja e gojës nga politikanët tanë apo më keq akoma, mbajtja e isos kur ata duan të zbatojnë taktika të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, kundërvënia dhe mospajtimet e turpshme me udhëheqësit e saj, nuk i bën nder as autorëve dhe as historisë tonë. Në Beograd nuk e mbajnë ngazëllimin kur shohin sesi grinden kryeministrat shqiptarë, këtej e andej kufirit. Akademia e Shkencave të Serbisë, si gjithmonë rri zgjuar dhe nxjerr lloj – lloj paçavuresh, për të treguar rrugët dhe fazat që Kosova do t`i ribashkohet Serbisë. Qeveria e Kosovës shpallet fajtore pa as më të voglin faj. I thonë të vetpërmbahet, edhe kur kriminelët në tokën e saj rrëmbejnë policët kosovarë, që janë në krye të detyrës. Skena e poshtërimit të tyre është e rëndë për këdo nga ne. Dhe kjo që po ndodh, për atë që i njeh synimet e serbëve, pa tjetër që do të pasohet nga të tjera akte provokative. Kështu do të jetë edhe më tej, gjersa ndërkombëtarët i fërkojnë kokën Vuçiçit: “Të keqen xhaxhi!” Serbët janë trimëruar, se janë mjeshtra për ta kuptuar situatën dhe për ta kthyer atë në favor të tyre. Në këtë realitet, pra kur në Kosovë po luhet teatri më absurd, nga i cili pasojat mund të jenë mjaft të hidhura, intelektualët tanë duhet të stepen apo të kujtojnë rëndësinë e asaj shprehjes së Euripidit, për t`i shërbyer me fjalën e tyre të mençur e të guximshme ‘Atdheut’ e të gjithë Kombit?! Me ato fjalë që i artikulon qartazi i ndjeri Nazif Bezhani në mbyllje të librit të tij “Mëkatarë” ku thotë: “Kush vallë e vrau në djep Shqipërinë?! Kush e bëri theror, në vitin 1913, për të kënaqur oreksin e shovinizmit sllav?! Kush e mban “në morsë” shtetin dhe kombin shqiptar dhe e preson atë gjer në dhimbje të shpirtit, gjer në vdekje?! Kush e mban në gji një Shqipëri të rangut afrikan dhe i tregon me krenari pasuritë e saj të grabitura?! Me këtë Evropë më duket sikur jemi para ANTANTËS, në vitet 1913 – 1914. Ka kaluar afro një shekull i mbijetesës, në pritje që Evropa plakë të kërkojë falje publike për mëkatet shekullore, që i ka bërë këtij vendi. Dhe, pasi t`i kthejë borxhin, Evropa do të shikojë e mahnitur bijtë e Shqipes, sa shpejt do t`u ngjiten lartësive, të paktën në nivelin evropian!”